Shoqeria shqiptare e mbushur me Gjoleke e me Abaze

Fillimisht kisha lexuar diçka në shtypin e përditshëm mbi filmin e Dhimitër Anagnostit, "Gjoleka, i biri i Abazit". Më pas, për të më foli vetë Anagnosti në një takim të rastësishëm. Nuk është se më tha ndonjë gjë të madhe, pasi njerëz si Dhimitër Anagnosti nuk i lë qibra të flasin për veten; por nuk ishte e zorshme, megjithatë, të kuptoje se ai ishte i kënaqur nga filmi që kish bërë, gjë që më bëri tej mase kureshtar. E po prisja herën për ta parë, e cila erdhi në një prej këtyre ditëve konvaleshente të ndërrimit të viteve. Filmi u shfaq nga një televizion kombëtar (TV Klan). Dhe ishte thëthitës nga fillimi deri në fund.

Po ç‘është ky film? Në filmin "Gjoleka, i biri i Abazit" tregohet një copëz autentike e Shqipërisë së djeshme. Flitet me një gjuhë Rossellini-ane, gjë jo fort familjare për kinemanë shqiptare. Duket sikur ideja e neorealizmit Rossellini-ain të transferuar në kinemanë shqiptare komprometohet prej fabulës së qëmtuar në të shkuarën (ngjarja e Anagnostit zhvillohet në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, ndërsa neorealistët italianë e kishin zakon të flisnin për kohën e tyre), por nuk ka arsye ta marrim seriozisht këtë gjoja ikje prej paradigmës. Shqipëria e sotme nuk ndryshon kushedi se çfarë prej Shqipërisë së djeshme, dhe ky afermacion na sillet më i vërtetë akoma kur fjala është për strukturën psiko-mentale të shoqërisë sonë. Me fjalë të tjera, shoqëria shqiptare ka qenë e është një shoqëri e sunduar prej Abazësh, një shoqëri ku rriten veç Gjolekë shpirtgjymtuar, e një shoqëri ku çdo shpirt i lirë e çdo mendje e gdhendur refuzohen, përbuzen ose urrehen, tok me bartësit e tyre.

Po kush është Abazi, Gjoleka e të tjerët? Këtu është vendi për të shpjeguar me pak fjalë fabulën e filmit. Abazi është një banor i hinterland-it në bregun e detit tonë të jugut. I padalë. I palëçitur. I pagdhendur. Fshatar tipik shqiptar i viteve ‘30 të shekullit XX, i cili çdo prurje apo prirje moderne e shihte si një minë të vënë mú në themelet e rendit të gjërave, gjë që dukej te fakti se ai shenjtëronte jetën e izoluar pastorale të të parëve të vet, shenjtëronte doket e zakonet e ngrira, që mezi rregullojnë një bashkëjetesë primitive mes njerëzish. Dhe "virtytet" e kësaj jete të ashpër e të mjerë baritore Abazi kërkon t‘i përcjellë te fëmijët e vet, e në radhë të parë te Gjoleka, djali i tij i vetëm, të cilin e do ashtu si dinë të duan të gjithë njerëzit mendjembyllur e fanatikë: në mënyrë egoiste. Duhet theksuar kjo: në mënyrë egoiste. Prindër të tillë në asnjë rrethanë nuk mendojnë për lumturinë e fëmijëve; përkundrazi, ata mendojnë veç për kararin e tyre, të cilin e maskojnë pas merakut për identitetin, apelin e të parëve, moralin e rendin tradicional të vlerave, që për ta përbën të vjetrën që nuk vjetrohet kurrë. Këtë e ilustron më së miri një skenë e filmit, në të cilën Abazi, duke mos lexuar mirë një rreng të Gjolekës kinse të vetëvrarë, zë e vajton në mënyrën më tronditëse. Çfarë vajton? Vdekjen e të birit? As që bëhet fjalë: "Ti vare veten, mor bir, por nuk të erdhi keq për mua? Pse më turpërove në sy të fshatit, mor bir? Apo ishte pikërisht kjo çfarë ti doje? Doje të më turpëroje, apo jo?" Dhe kur zbulon rrengun, nuk gëzohet që djali nuk ka vdekur, që djali është mrekullisht gjallë, por tërbohet prej guximit të Gjolekës për të vënë në lojë të atin e për t‘i bërë naftën jetës së shpifur të fshatit, ku njerëzit nuk bënin gjë tjetër, veçse ngrefoseshin me padijen e tyre, ia nxinin jetën sho-shoqit, rrihnin gratë e fëmijët dhe urrenin fqinjët e të afërmit me mendje e me shpirt të lirë.

Anagnosti ka krijuar një sandwich: Abazi, Gjoleka, Serveti. Ky i fundit është shqiptari i kthyer nga mërgimi i gjatë në Amerikë; kthehet me mendje tjetër; kthehet në fshatin e vet, që është po ai; kthehet edhe për t‘u çelur sytë bashkëfshatarëve e bashkatdhetarëve të vet e për të sjellë pakëz modernitet në atë qoshe të harruar të botës dhe për këtë financon hapjen e një shkolle; kthehet gjithashtu edhe për ta gëzuar pjesën e mbetur të jetës në vendin e vet. Zhgënjimi është kolosal: të vetët e trajtojnë si një kodosh, si të prishur e të shthurur, madje më keq akoma, e trajtojnë si të ishte i sëmurë prej gërbulës. Abazi vetë nuk nguron ta këshillojë herë pas here të birin: mos rri me Servetin bir, e mos ia vër veshin! Gati-gati i thotë: Serveti është djalli, biri im.

Intriga e filmit ka diçka prej ngjarjes së Salemit të Massachusetts-it, më shumë se tre shekuj më parë, kur djajtë e vërtetë vishnin kostume engjëjsh, e kur njerëzit me shpirt të lirë paditeshin e linçoheshin si djaj prej djajve. Ndoshta asosacjoni i Shtrigave të Salemit mund të ngjajë i kërkuar dhe haluçinant? Epo mirë, ka një asosacjon tjetër më të njëmendtë: filmi na sillet më së shumti e në mënyrë këmbëngulëse si një déjà vu torturuese, gjë që duket te kumti kryesor i tij. Ashtu si në Shqipërinë e filmit të Anagnostit, edhe në Shqipërinë e këtyre ditëve, janë Abazët ata që sundojnë; në mos janë Abazët, janë Gjolekët e rritur e të edukuar prej Abazëve, pa pasur asnjëherë mundësinë e dëshirën për t‘u rebeluar. Shqipëria e kohëve tona, ashtu si Shqipëria në filmin e Anagnostit "Gjoleka, i biri i Abazit", nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse t‘u japë munxët djemve të vet të kthyer nga Amerika, alias shqiptarëve të ndershëm, idealistë, të dijshëm e mendjehapur.

Kumt i rëndë? Hm, një art i mirë të tilla i ka kumtet.

43 Komente

Mor thuj shyqyr që na ka falur zoti dhe Servetë si puna juaj!

Shqipëria e kohëve tona, ashtu si Shqipëria në filmin e Anagnostit "Gjoleka, i biri i Abazit", nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse t‘u japë munxët djemve të vet të kthyer nga Amerika, alias shqiptarëve të ndershëm, idealistë, të dijshëm e mendjehapur.

Ja miti i ri urban si ngjizet.Vertet pas cdo diplome te marre ne West qendron nje shqiptar i ndershem, idealist dhe mendje hapur?

Ndresa filmi ishte nje krijim me finese nga Anagnosti por pa mundur te shmangte nje lloj klisheje te perdorur edhe ne filma te tjere me subjektin  ne vitet 30.

Muci thote :

Shqipëria e kohëve tona, ashtu si Shqipëria në filmin e Anagnostit "Gjoleka, i biri i Abazit", nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse t‘u japë munxët djemve të vet të kthyer nga Amerika, alias shqiptarëve të ndershëm, idealistë, të dijshëm e mendjehapur.

ata mendojnë veç për kararin e tyre, të cilin e maskojnë pas merakut për identitetin, apelin e të parëve, moralin e rendin tradicional të vlerave, që për ta përbën të vjetrën që nuk vjetrohet kurrë

I zoti i punes, dmth Anagnosti thote :

Është një vepër që përmbledh përpjekjet e Shqipërisë për t’u emancipuar, për të hyrë me vuajtjet dhe traumat e saj në rrugën e zhvillimit perëndimor.

Falë Zotit kemi një indentitet të përcaktuar qartë dhe të fortë të karaktereve, për gjëra që quhen shqiptare, qoftë në Malësinë e Veriut apo atë të Jugut. Kemi një identitet shumë të fuqishëm, edhe pse jemi një popull i vogël. Kemi çfarë t’i themi botës. Kemi një histori dramatike, por krenare. Në fund të fundit, kjo specie me një gjuhë të pashkruar, vjen në shekullin e XX me një identitet kulturor të spikatur, mendoni cc’kualitet ka. Ka jetuar mes perandorish të mëdha,rrebeshesh kryqëzatash... dhe vjen me një realitet befasues. Kemi një gjuhë që studiohet në të gjithë katedrat e gjuhësisë

Filmi nuk ka pas sukses fare ne kinemate shqiptare. Por me sa une kam pare eshte perpire krejtesisht ne shfaqjen e tij te pare ne TV, nje zgjedhje e mencur e TV Klanit qe vendosi ta transmetoje ditet e fothta te pushimit te fillim Janarit. Mire apo keq, Anagnosti eshte i vetmi regjizor qe per mendimin tim i vuri shqiptaret te analizojne dhe diskutojne me njeri -tjetrin per nje film. Xhuvani, Fatmir Koci kane bere filma keto vite, kane pas sukses por zor se kane gerricur dot masen e madhe te popullit me veprat e tyre.

Ky i fundit i Anagnostit ishte teper efektiv. Jashte mase.

Kam degjuar per familje qe jane ulur 2 here per ta pare dhe i kane thene njj-tj : Ja shife, shife si ky Abazi je dhe ti smiley

Ose njerezit me origjine nga zona e Anagnostit qe ju pergjigjeshin pyetjeve te kureshtareve : Ore po ashtu jane vertete gjerat ne ato ane ? Ate karakter kane dhe sot njerzit qe rrojne andej ?  Po ti kur ke qene i vogel njelloj i ke jetuar ato gjera etj etj

Kishte kohe qe nje veper shqiptare nuk ngacmonte shikuesin. Jo me kot, nje ujk i vjeter si anagnosti, qe ka bere Cucen e Maleve, Lulekuqet mbi mure, Perralle nga e kaluara, di ta shpoje popullin mire.

Skam shume komente per filmin. Secili mund ta shofi ne kendveshtrimin qe deshiron. Kendveshtrimi i Mucit eshte pak katunaresk, adoleshentesk, i percipte dhe i analist-oriented  smiley

Une them qe filmi eshte per tu pare. KAQ ! smiley

O Nexh o Nexh, rri rri dhe ha ca gjojna t'mira ti dhe na tregon prralla t'bukra. Te lexova edhe te 'xhaxhallaret e kombit' dhe mendova levdata - po s'me linte peshku t'i thoja smiley

Filmi m'u duk edhe mua per t'u pare dhe ne fakt dua ta shoh edhe vete sepse pashe vetem gjysmen e fundit. Sa mire sikur te kishim nje kinema qe jepte shpesh klasike, apo suksese te koheve te fundit.

smiley

Tu ka rregullu ty shija duke nejt ne atdhe mi.

Per gjonat e mira qe kam ngrene e ka meriten plaka ime, tezet e hallat qyfyrexhije qe adminet mi censurojne pa piken e turpit smiley pa pike respekti per kadaifin me arra, qullin me arra me gjel deti, gjelin te pjekur, taven e kosit, japraket, tavat me melci, strudelin me molle dhe kiwi dhe arra  etj etj smiley dhe rakine e kulluar te bere ne fshatin e Anagnostit !

smiley

Te uroj vit te mbare trop !

Me gjithe keto gjera te mira ju s'qenkeni shqipEtare (keto germat e medhaja TM Emi) - ca si te latinuzuar me dukeni sidomos me ato kiverat. Po per tavat me melci jam gati me u perzi me fisin tuj, kryesisht cunat e tezeve.

Flm per urimet, edhe ty te ardhte per shtat ky vit zojush!

Emi urime edhe ty meqe je ketu. R-squared sa me te medhaja inshaallah!

Trop, shum falimnerit; ty te uroj WaldChiSquared sa me te medha, jarabi...   smiley    

PS Pardje kam honger pas shuuume kohesh kukurrec, tave dheje me melci, pahhhhhce koke (Zot, te qofshim fale) dhe koka qingji te pjekme - gatu nga nje i njohur diku andej nga Bayside i Queens-it.

Pikërisht këtu e meriton të të uroj vitin e ri. smileysmiley

Ditë të atilla paç gjithnjë. smiley

Nexhi: "Kendveshtrimi i Mucit eshte pak katunaresk"

Mucit i hyn katunarlliku nga pernxherja, Nexh, megjithese dyert ia mbyll me gozhda traresh te njeriut gjoja mendjehapet kozmopolit. Anagnosti eshte profesionist (bashke me Viktor Gjiken kane qene teper te medhenj per nje vend piciruk me 1.1 milion banor si Shqiperia); ndersa Muc dereziu qe kujton se mendja e shpirti qyteterohet ngaqe lexon umberto ekon, harron se nje nga superplaget shqiptare sot eshte shpopullimi masiv i zones rurale. Me litare klisheshe dhe skemash neper kembe dhe nje kompleks te mcefet provinciali e beri ne kete shkrim zonen rurale tej e pertej anadollake, kurse te kthymit e pertejdetit te illuminum ne menyre lbyrese. Edhe happy ever after.

Sa gen i tmerrshem katunarlliku! Duhet me u check cdo 6 muj, si bejne grate per gjirin, me katunarografi, mos zgjohet si virus, se qe flen brenda nesh, as qe dsikutohet.

Filmi ishte vertete shume i bukur. Qelloi qe sapo u ulem ne tavoline mbremjen e dates 1, filmi nisi dhe nuk kemi shkembyer asnje fjale deri sa mbaroi se na perpiu.

Sa per Muçin me duket se i bini kot me qafe. Dhe emigrant, sinqerisht, e gjej te panevojshme ta tallesh n'at menyre. Edhe sikur te jete katundar (qe nuk eshte), ty si xhentelman nuk te shkon kjo gjuhe. Katunarllek dmth injorance+arrogance. Kush lexon, lexon, lexon - per mendimin tim i ka shpetuar katundarllekut.

--

Muci nuk po thote qe ata qe vijne nga amerika jane automatikisht "te ndershëm, idealistë, të dijshëm e mendjehapur..." Ne kete rast "i ardhuri nga perendimi" eshte vetem metafora brenda shkrimit (alias) per ata qe jane te ndershem e idealiste, te dijshem e mendjehapur. Muci po perdor fabulen e filmit per te ndertuar fabulen e Shqiperise sot. Dhe me duket e goditur.

Ka shume te rinj (dhe te vjeter) te ndrshem dhe te dijshem sot ne Shqiperi qe perplasen me nje mur injorantesh e "katundaresh" (shpesh te lindur ne Kryeqytet) te cilet jo vetem qe nuk lirojne rruge apo pranojne keshille (le me bashkepunim) por i denigrojne te ndershmit, i tallin idealistat deri ne poshterim. Ju qe andej nga Bota e re ndoshta nuk e kuptoni, por ketu ekziston nje rezistence e prekshme ndaj te rese. Njerezit ndihen te kercenuar nga ai apo ajo qe sjell nje eksperience ndryshe, dhe i perveshin menget (edhe pa ndergjegje) per ta bere tjetrin si vetja, per ta bere te luaje me rregullat e lojes sic jane. Mentaliteti i rrumpalles, i "u bone ti me fol!" etj si keto jane gjera qe ketu jetohen perdite. Nuk i shpiku Muci keto, vetem sa po i ve ne dukje.

Blend, nuk ke koncept te drejte per katunarllikun. Eshte antonimi i qyteterimit. Ato qe thua ti kane te bejne me kulturen dhe edukimin (arsimi perfshire). Dikush mund ti kete keto dy te fundit me tepri dhe nuk ka te paren. Ti nuk ke faj per mosdallim te ketyre, sepse ato i ndan nje membrane e holle gjysem e pershkueshme dhe jane te ndervaruara, plus dhe mbi te gjitha, se ne kohen kur ti do ndjeje vertete morseten e katunarizmit (sundues tere jeten ne Shqiperi), fatmiresisht ike qe andej. Kjo qe ti ndjen tani eshte si trupi i vaksinuar ndaj nje semundjeje. Ti vjen i plote dhe "me license" kunder mykut katunaresk. Muci kujton se po thote ndonje gje te madhe me shabllonin fiks (filmin nuk e kam pare, por emri i regjisorit eshte super-garanci per cilesi) qe anadolli rural shqiptar vjen te ndricohet dhe emancipohet nga dikush prej oksidentit. A e di sa te vjetra jane keto klishe ne letersine shqipe, Blend? Letersia jone eshte "cite" me to (TM sol nox). Ka qene nje roman me emrin "Aferdita", psh, pasuar nga "Aferdita perseri ne fshat" (flas per kohe kur as ti as une nuk kishim lindur). Tip zonja nga qyteti & shoqja nga fshati. Keto klishe i merr Muci ne ato paragrafet me lart duke harruar anen tjeter te medaljes qe vlerat tona rurale qe ekzistojne (pa pat nevoje per asnje mesia nga oksidenti) po bjerren per dite; ka erozion toke dhe njerezish.

Mucin do isha i fundit qe do e denigroja. Ai eshte nga skrapari, ka pra nje avantazh kozmik, dhe kocken (me nje pjese te madhe mishi) do ja ruaj gjithe jeten. Por ca gjera duhen thene ndonjehere.

Blendi, "Mentaliteti i rrumpalles, i "u bone ti me fol!" nuk besoj se ka ardhur nga Abazi apo Gjoleka... prandaj është e kotë që çdo shembull negativ t'ja mvishni çeçenve dhe bathorsave... sidomos kur këto përgjigje i ndeshni në Ambjentet ku punoni smiley

Edrus, me lexo mire se s'me paske kuptuar fare. Nuk po flitet fare per fshatin. Fshati nuk hyn fare ketu pervecse si metafore. Po flitet pikerisht per ambientet ku punojme.

Po mer Pooooooo, po Muçi me Abazët e bën krahasimin....

Po Muci nuk flet fare per shqiperine rurale, flet per shoqerine shqiptare. Ku e e lexon ti qe ka ofenduar vlerat tona rurale?

PS. Ka dhe nje ironi te madhe ketu, qe i indinjuar nga ofendimi i katundit ta shash, "katundar". smiley

Si mor nuk flet per Shqiperine rurale? Po per ke po flet, per metropolin?

Une nuk po shaj Blend. Po mundohem me arsyetu. C'ke me konceptet sot? Katunar (pa "d", se me "d" i puth dhe i vej ne krye e siper) nuk eshte sharje. Eshte cilesim, veti, mendesi.

Sigurisht qe po flet per metropolin. S'e paske lexuar fare me duket.

Ashtu si në Shqipërinë e filmit të Anagnostit, edhe në Shqipërinë e këtyre ditëve, janë Abazët ata që sundojnë;..."

Nuk sundon zona rurale emo.

Ky i fundit është shqiptari i kthyer nga mërgimi i gjatë në Amerikë; kthehet me mendje tjetër; kthehet në fshatin e vet, që është po ai; kthehet edhe për t‘u çelur sytë bashkëfshatarëve e bashkatdhetarëve të vet e për të sjellë pakëz modernitet në atë qoshe të harruar të botës dhe për këtë financon hapjen e një shkolle;

Blendo, e myllim ketu?

Blendo, kot po nxehesh. Ato qe do me thon Muci jane nje gje, titulli eshte nje gje tjeter, ato qe mollois jane nje tjeter. Ai po mollois per pshatin. Tochka do thoshte rusi!

Nuk behet metropoli me dhjete vjet. Ne tirane gjen stepat dhe tundrat rurale te importuara, "ne nje shtrajce leshi ndene gune/ per t'ia sjelle Lidhjes se Shkeimtareve", tha. Kupton? Muci kujton se po shpalos ndonje kozmopolitanizem dhe emancipim te thekur, por ne fakt anashkalon faktin e madh qe civilizim ne shqiperi eshte ne fakt perparimi rural - edhe ne sheshin Skenderbej. Ky perparim nuk behet me implante; eshte model i deshtuar ai tashme. Ato enderra u permbysen ne kete dekaden e fundit.

je katnar tirone
shpine e ke ke brryli
nonen ta qujne nexhi
baben ta qujne dyli

hihihihi

boll mo se na cmenet duke u zi smiley

 

po merr hakun e "kafes" e?... po dasem dhe blog pa sherr s'ka mi... smiley   osht fjala urt... c'u kuptu masanej... 

Mbyllni squpin dhe shifni filmin !

Kjo eshte keshilla qe do ti jepja Mucit.

Dhe mos ti ngeli hatri. as juve. Sepse e di sh mire ai vete tek ai emsioni me komente fotosh qe ben, sesi nje foto shikohet nga kendveshtrimi i nje personi e nga ai i nje tjetri. Se si nje cope arti apo joarti fotografik, merr kuptim ne baze te botekuptimit, perceptimit, logjikes, shijes, mentalitetit, thjeshtesise, dhe dimensionit mendor te nje personi te caktuar.

Andaj, freno pak para se te nxjerresh konkluzionet me te rendomta dhe siperfaqsore per nje veper  o Muc. Hiq dore nga shabllonet per nje veper qe nuk eshte shabllon. Shaje po deshe, levdoje, por mos u nxito te sillesh si Sali berisha qe cdo gje do ta lidhi me qeverisjen e tij sepse ajo eshte gjeja e pare qe i vjen ndermend. Se aty kishte shume me teper nga konkluzionet qe ka qit Muci per mendimin tim modest, jo artistik.

Ah, ke vendos me me vdek sot, Blend! (Ne fakt po te falenderoj me vete  smiley  )

Momenti kur ne Shqiperi NUK DO SUNDOJE ZONA RURALE, duhet te shenohet ne kalendar si me i rendesishem se vete 28 Nentori!!!

Anagnosti ka marre nje cope nga realiteti material, kulturor, zakonor, shpirteror  te  vieteve 30 dhe e ka perpunuar me gjuhe artistike.Koordinatat gjografike te cojne ne fshtrat e afer Bregut ndersa prerja artistike targeton nje realitet tipik shqiptar te raporteve eter dhe bij, perplasjen  mes te rese dhe te vjeteruares qe mbahe ne kembe premes kodeve zakonore te trasheguara brez  pas brezi. Ka shume qesendi, humor, skena groteske (grate me dylbi neper dritare) sherre por edhe ashpersi,dhimbje njerzore dhe deshire per te dale nga carku i fatit dhe kodeve te trasheguara prej te pareve.

Pa dyshym qe regjisori aludon edhe per te sotmen, per preplasjen mes lokales dhe globales, tradites dhe te rese, oksidentit dhe orientit , si mendesi dhe kulture jetese.

Nje kurbetli i kthyer ne fshat qe u tregon bashkefshtareve per qytetin perendimor me drita dhe femra te bukura mua mu duk si nje linje klishe te perdorur edhe ne ndonje film tjeter.  Pikerisht ky kurbetli i gjesdisur i "ngre" mendjen Gjolekes  dhe i tregon njekohesisht edhe shtegun per t ja mbathur nga humbetira e fshatit dhe shpetuar nga diktati  mbytes i te  atit te mbrujtur me frymen e tradites dhe kodeve zakonore.

Morali: fryma e diktatit, mbytja e cdo shprese per ndryshim dhe hapsire te lire qe secili te beje ate qe ndjen dhe kerkon koha,  ka vetem nje rezultat: larg nga ky vend, larg nga kjo toke!!

Linja at-bir eshte nje vezhgim i holle psikologjik i mentalitetit tradicional shqiptar dhe menyres se si e vjetra kerkon te modeloje sipas shembelltyres se saj te rene qe aspiron dicka me ndryshe.

Filmi eshte nje afresk i bukur i jetes shqiptare tradicionale dhe me nota aktuale. M.Nano ka kapur vetem nje aspekt por pa e zhvilluar idene e tij.Gjerat nuk jane kaq te smplifikuara: te ndriturit dhe idealistet perqeshen e ju vihen brylat. Ceshtja eshte se perse ata qe jane idealiste, me ide oksidentale dhe te prirur per ndryshime, lodhen kaq shpjet apo,  me sakte, i pershtaten mjedsit dhe cajne perpara pikrisht duke notuar ne ujra te pista?? Psh djemte simpatike dhe imazhi shpresedhenes i PD-KOP-i?.Ku jane revolucinaret e rinj, luftetare te nje Shqiperie ndryshe??

"Katundarizmi" i pare si mendesi e prapambetur,  eskluzivisht i mbrujtur ne ZONEN RURALE eshte ide e gabuar kryekeput.Pasi shpallem armiq shqiptaret qyetare -te botes, vllehet antishqiptare, intelektualet kozmopolite, filogreket, filoitalianet, myslymanet fondamentaliste etj.  tash u erdhi radha katundareve qe perbejne 55 % te popullsise!! C behet keshtu?? Po kush po mbetet shqipetar dhe mbartes i shqiptarizmes dhe qyteterimit??

"Katundarizmi" si mentalitet dhe psikologji, pa perkatesi gjeografike,  ne Shqiperi ka formen e  Orientalizmit dhe   merr trajten e Fis-Klan-Ortakeri -ky eshte mekanizmi qe ve ne  levizje shoqerine shqiptare te varfer ne kapital social dhe ku pema e sherbimit per te miren publike duket si nje bime qe nuk hedh dot rrenje.

O cuna, o cuna!

Komenti i Nexhit kishte vlere per mua sepse, sic e permend edhe vete, perpiqej t'i vinte gjerat ne nje perspektive me te gjere se sa artikulli i Nanos. Metafora e Anagnostit mbetet e thjeshte (gje qe evidentoi Spiritusi) vetem nese duam ta mbajme te thjeshte: idealistet mendjendritur perkundrejt dallkaukeve anti-zhvillim. Nuk dua te bej dialektike - se s'do ta beja mire - por elementi 'tradite' nuk mund te hiqet menjane me nje levizje te dores; pa te jo vetem qe nuk do te ishim me 'shqiptare' por pa te as inovatoret nuk do te kishin terren per te ngritur dhe testuar idete e tyre. Tradita shqiptare nuk eshte prindi i dhunshem dhe mbytes ... por Nanos i rreh tjeterkund, tek 'Abazet e sotem' politike dhe 'Gjoleket e rritur dhe edukuar prej Abazeve' po prape politike, tek pjesa me e krimbur e Tiranes, qe po ta mendosh nje minute me shume ka lidhje te forta me perendimin dhe me 'idete e reja'.

Prandaj nje Burke do te na ndihmonte ne, qe te rene ta kalonim ne siten e tradites me te mire - dhe sita duhet te jete Nano me shoke ... qe ne fakt rrezikojne te mbeten Sefere te habitur, te ngecur ne mes pa permbushur rolin e filtruesit. Se ja, cfare principesh te reja na perktheu Nano? Cilat jane ne fakt idealet qe po mbyten?

Sa per burokratet, e sa per biznesmenet, Nano ndoshta mund te perfitonte po te vegjetonte me shume rrotull tyre e me pak rrotull politikes. Ndoshta aty do te shikonte se patriarkalizmi eshte i konkuruar vetem prej inovatorizmit idiot dhe se zhvilluesit e Shqiperise se sotme jane shume me te vertete, shume me shqiptare, por ndoshta shume me te paqarte sec duhet per te ecur me te sigurte. A jane Gjoleke keta? Po Nano, a mos po i keqidentifikon si Sefere?

Gjoleka iku diku larg dhe Anagnosti nuk na e zgjidhi hallin. Por Nano, duke e perkthyer 1-1 metaforen, hoqi simboliken pa shtuar asgje, duke i hequr ne fakt fuqine imazhit.

Po keshtu eshte kur punet i bejne burrat - edhe pjelljen e kombit.

Po keshtu eshte kur punet i bejne burrat - edhe pjelljen e kombit.

Me duket se u hap nje teme tjeter ketu me Nenat, Tezet dhe Hallat e kombit.

Shakate menjeane, dakort me Trop & co. se perkthimi i kesaj metafores 1-1 s'te le shume te diskutosh, por ndoshta me gjere do pare si nje shqetesim per mungesen e harmonise shoqerore ne Shqiperi. Problemi ne Shqiperi eshte se nuk eshte vrare shume mendja per kete lloj harmonie. Zogu interesohej per te sipas te gjitha gjasave aq sa per te mbajt pushtetin, kursei diktatura edhe modernitetin edhe harmonine u perpoq ta fuste me dhune duke mos arritur as njeren as tjetren. Dhe kuptohet qe te rinjte nga jashte me te vjetrit brenda nuk eshte thelbi i ketij konflikti. Thelbi eshte se shqiptaret nuk e kane vrare shume mendjen per administrimin e shoqerise se tyre. Shume shume dine te administrojne mire vetem punet e fisit.

Halla Çimo... tani m'erdh nërmen filmi (sepse më erdhi ndërmënd batuta dhe nuk po e kujtojsha... Marta!

P.s: Luftën ndërmjet brezave... të së resë dhe të prapambeturës,  e ka trajtuar realizmi socialist (Zonja nga qyteti, "msusat" etj etj) dhe tani ju dukërka sikur qënka risi?... sa vjeç janë kta analistat mer bab?

e di si tha njoni ktu te peshku? vetem ktij, Mucit, tha, ia lejoj te foli nga lopet e Sukthit te lufta ne Vietnam...  smiley  (s'e tha tamom kshu, e, po meqe ishim te bert verria...  smiley  smiley  )

PS: sidoqofte, Mucin e kemi "tonin", mos e cyt mo po deshe.

Çimo, unë jam rehat se nuk njof asnji (në shtëpi aspak tv dhe gazeta shqip)... ene kur nuk pys për Blendin dhe Llukanin që kena nji jetë që njifena tashmë, kujton se më bëhet vonë për ata që s'i njof? smiley

Nje here e kam pa ne jete, ne TV, Mucin... ishte me shall, me floket qe gjermoni do i thojte "schuechtern"... i mungonte nje llulle si e Arshi Pipes, per tu bo intelktual 100 perqindsh. Pooor te rrime shtremet e te flasim drejt: ka gjuhe te bukur dhe te pasur, fjalor te pasur (nuk i pelqej perdorimin e tepert te shprehjes "par excellence" sidoqofte; ndersa e adhuroj per fjale te tilla si "teklif", "calltis" dhe mbi te gjitha, mbi te gjitha, per fjalen madheshtore "berihaj&quotsmiley; ka pas shkelqyer se bashku me Fatos Lubonjen ne nje leterkembim te hapur dikuuuur, shume heret... eh, qe atehere rrodhi shume uje e shumecka tjeter, Ed-o. Per te dy.

E para M. Nano eshte jashte fushes se tij te kompetences per te bere analiza me karakter psikologjik dhe sociologjik te shoqerise se sotme shqiptare duke marre shkas nga filmi.  Keshtu qe ky person nuk mund te flase per "strukturen psiko-mentale" te shoqerise sone ne ate menyre qe e ben!

E dyta, per vlerat artistike dhe sa i arrire apo jo ka qene ky film, Mustafai mund te flase si nje shikues i rendomte dhe asgje me shume.  Nuk eshte hera e pare qe ky i ashtuquajturi analist merr guximin per te bere kritikun e filmave, te programeve televizive etj.

E treta, filmi trajton ngjarje dhe situata te Shqiperise se viteve '30 dhe se shpetimi nga kjo gjendje vjen nga nje emigrant i kthyer nga Amerika.  Vendi i enderrave nuk ka qene i tille sic eshte sot.  Amerika eshte e madhe dhe nuk eshte vetem New York.  Fermeret e jugut kane qene shume  konservatore bile kjo gje vihet re edhe tani. E njejta gje mund te thuhet edhe per vende te tjera perendimore qe ne vitet '30 nuk eshte se kane qene te gjitha fusha me lule ku behej cdo gje dhe nuk pyetej per babain apo gjyshin dhe dajen.

E katerta, revolucioni qe e ka qejf Mustafa cegevara, zakonisht fillon nga periferia/masat/puntoria/fshataria dhe vjen ne qender, zhvillimi, modernizimi dhe emancipimi i shoqerise fillon nga qendra dhe shtrihet drejt periferise. 

E pesta, filmin e pashe dhe me pelqeu, megjithate ka nje prirje te regjisoreve dhe skenaristeve ketyre viteve per te theksuar te "keqijat" brenda nesh per te bere interesant filmin tek te huajt qe vetem keto gjera ju interesojne.  Me shume kete e kam vene re tek disa filma aman-o-zot, si "Tirana viti 0" prodhim i vitit 2000 ne mos gaboj etj.

E gjashta, cdo gje kerkon kohen e saj, lereni Shqiperine te qete me keto lloj pacavure shkrimesh qe bejne keta njerez, pasi nuk ka shume qe ka dale ne liri, ndryshe nga te tjeret qe kete liri e kane pasur me kohe dhe ju ka mundesuar te bejne ne vendet e tyre ato qe bene.

Shkrimi me siper vetem se na jep nje argument me shume per katunarine dhe provincializmin e Mustafait.  Si dikur ne kohe te xhaxhit kur nje i ri nga fshati shkonte ne shkolle te larte ne Tr. apo ushtar ne nje qytet te madh dhe kur kthehej kerkonte te bente "reforma", dhe behej qesharaku i fshatit, ashtu duket edhe Mustafai.  Ka ra ne sheher burri i botes dhe kerkon te beje sheher gjithe Shqiperine.  Qellimi eshte i mire, menyra katunareske dhe qesharake...

Shkrimi me siper vetem se na jep nje argument me shume per katunarine dhe provincializmin e Mustafait.

TP, cfare rendesie ka per ty edhe per ne argumentet e katunarise se Mustafait? Perse nuk merreni me shkrimin po rrini merreni me personin? Kapja pas personit mos te ben ty edhe te tjere me te qyteteruar?

Ok për filmin. Bi dakort me Nexhmozën se o gocë tirone ene vesh nallone.

Muçi ka parë vetëm një dimension. Aty shpalosen përveç mentalitetit provincial edhe bukuria folklorike e popullit (ka aq shumë këngë në atë film sa ia nxirrnin mallin kujtdo (sidomos ndonjë labeje smiley). Përveç kësaj ka shumë dimensione të karaktereve që përhapen bukur nëpër film, ka bukuri shqiptare aty brenda. Pëjkë.

Serveti o i çikë i stisur... sidomos kur flet angëllisht para bashkëfshatarëve. smiley.

Për të vazhdu Edrusin dhe sandwitchin e Muçit (tyrp ky element i përdorur për analizën, sandwitch thotë...) kam parë një serial të quajtur "college" nga taljoni shumë vite më parë. Aty ata studentat e akademisë ushtarake i mbushën mendjen kapterit të akademisë se ishte "sallam" dmth pjesa më e shijshme e "sandwitchit". Kshu o dhe Nano, tip sallami...

 

PR teper e mire, sidomos me muhabet Nexhi smiley.  Do e vere ndonje, a eshte vene ne video google, ta shohim dhe ne katundaret qe s'e kemi pare?

Nexho, bej sevap edhe me nis naj kopje te filmit me poste smiley Filmi duket vertet interesant dhe do kisha deshire per te pare realizimin e filmit dhe menyren sesi eshte shtjelluar tema e filmit.

Po merrem me shkrimin dhe personin o Ujk.  Po sigurisht.  Nuk mund te vazhdoje kjo pune gjate me keto lloj shkarravitesish qe kemi sot ne Shqiperi qe bejne lemsh dynjane duke shkruar per gjera qe as nuk ja kane idene pervec ca gjerave te pergjithshme dhe propagandes dylekshme qe nuk e harrojne. 

M. Nano, eshte nje katunar, nje provinacial dhe qe e ndjen kete gje, prandaj edhe shkrimet e tij jane ashtu sic jane.  Ky ka idhull, model, shpetimtar Edi Ramen.  Ndersa ka armik, ne cdo rrethane dhe per cdo gje Sali Berishen.  Pse?  Sepse provincialit Mustafa ja kane marre mendjen "hiret" dhe "zbukurimet" e  metropolsit Edi Rama.  Per te Rama eshte modeli qe ky gjithmone ka enderruar.  Ndersa Berisha eshte nje provincial si Mustafai, por qe ky e ka zili pasi ndryshe nga Mustafai Berisha arriti shume si ne profesionin e tij ta pare, si ate te mepasem si politikan, dhe Mustafai nuk e pranon kete.

Por mendoj qe dalengadale do largohen nga faqet e gazetave dhe ekranet televizive keto lloj analistesh.  Dikur ne fillim vitet '90 ishin ata qe quheshin intelektualet, qe shkruanin ne shtypin e kohes, ku bejne pjese shume politikane te sotem, pastaj doli rraca e analistit dhe opinionistit, por e keqja eshte se keta jo vetem qe nuk jane te profesionit apo qe afrohen me te, por edhe flasin qe nga problemet gjate shtatzanise dhe deri tek fluturimet kozmike. Normalisht keta do zbythen dhe do ju lene vendin atyre qe kane arsimin dhe pergatitjen e duhur.  Do dalin punditet e mirefillte, kritiket e filmave dhe te artit te mirefillte, do ju jepet hapesira e duhur akademikeve e keshtu me rradhe.

 

J : "..ka bukuri shqiptare aty brenda". Kjo eshte vlera me e madhe e filmit. Disa plane jane magjepse shqiptare. Nje lloj bukurie eshte dhe vete profili i Abazit, vete  lidhja abaz - gjoleke. I lumte Anagnostit. Ky film do jete nje vlere edhe pas 30 vjetesh.

Keshtu si flet Muçi del te jete Abaz edhe vete. I gjithe ligjerimi i tij aty te çon. Nje njeri qe ben vetem monologje, qe flet ne veten e pare vazhdimisht dhe "qe i bie me nje vrime" perveçse i vaket nga ana intelektuale behet dhe i merzitshem. Le te lexoje Hannah Arendt mqs i ka shume qejf filozofirat dhe te kuptoje se arroganca, edhe pse ne rrafshin intelektual, eshte premise per shfaqje diktatoriale.

Shkrimi interesant. Filmi eshte vertet shume i bukur. 

Eshte nje nga filmat me te bukur te viteve te fundit. Persa i perket shkrimit, mendoj se mund te behen komente ,por jo te ofendohet autori i shkrimit,sic ka bere ThougthPolice apo ndonje tjeter. ThougthPolice mos te behet si polici,personazhi i portokallise.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).