Rroftë kriza (!)

 

Ajo që për pjesën tjetër të botës po projektohet tashmë si një tragjedi e paralajmëruar – kriza e afërt ekonomike në horizont – për Shqipërinë mund të shndërrohet befas në një ngushëllim qetësues.

Qeveria, e cila s’është më në gjendje të reklamojë efikasitetin e vet si çelësin që e shpëtoi Shqipërinë nga kriza, tani që kriza u bë aq e madhe saqë s’do të na kursejë as ne, mbase do ta përdorë atë si sebepin pse s’ia doli dot kurrë të sillte në Shqipëri parajsën e premtuar ekonomike.

Kjo fatkeqësi “qiellore”, tërësisht jashtë kontrollit qeveritar, mund të binjakëzohet fare lehtë me kujtesën e krizës së fundit energjetike kur u justifikua me thatësirën më të ashpër që nga koha e Skënderbeut, para një viti, nëse e mbani mend.

Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku gjashtë muaj që zhvillohet. Në fillim qarkullonte teoria e tri “mungesave” për të dëshmuar arsyet se pse kjo sëmundje importi nuk do ta prekte vendin e rreth 3,5 milionë banorëve - shkëmb graniti mes Adriatikut.

Ato ishin: mungesa e çdo industrie të rëndësishme prodhuese, që mund të goditej nga kriza në fjalë, mungesa e ndonjë lidhjeje thelbësore e tregut financiar shqiptar me atë ndërkombëtar, por sidomos, sidomos, mungesa e premisës bazë të kësaj krize që po i tërbon teoricienët anekënd botës – aplikimi, pjekuria dhe kalbëzimi i sistemit ekonomik neoliberal në formën e tij funksionale.

Shqipëria s’trashëgonte asgjë nga ky luks dhe për sa kohë ky mjerim në terren shitej si një avantazh nga ata që qeverisin, ishim të gjithë më të lumtur. Të varfër dhe të poshtëruar vërtet, por të ndërgjegjshëm dhe fare të qetë, absolutisht të qetë.

Këto dhe plot mungesa të tjera ulërinin shqip “jo krizë”, në fazën kur kriza sapo nisi të lulëzonte me naivitet filizat e saj të parë. “Jo” këndonte me bindje të plotë edhe orkestra ekzekutive në krye të vendit. Qeveria që administron paratë e mbledhura në trajtë taksash nga puna e shqiptarëve, Banka Qendrore që bën sinoptikën tonë financiare, bankat e nivelit të dytë që i xhirojnë këto para, a ju kujtohen?

Të gjithë në fillim tundnin kokën urtësisht dhe pasi rreshtonin ose nënkuptonin tri mungesat e mëdha, na jepnin sigurinë relaksuese, se të paktën vuajtjet tona një të mirë e kishin: krizën globale as që do ta ndjenim hiç.

Një ekspert çek, të cilin unë e takova vjeshtën e shkuar, teksa po flisnim për mundësinë që edhe Shqipëria të përfshihej nga kriza në horizont, hodhi sytë në rrugën pranë restorantit ku ndodheshim dhe tha: “Që të hysh në një krizë, duhet që më parë të kesh qenë jashtë saj”.

Por ndërkohë, prej afro një muaji, mund të konstatohet një ndryshim thelbësor kursi, të paktën nga sa kuptohet në deklaratat e autoriteteve. Kriza ekonomike globale këtu, nuk do të kalokërka edhe aq lehtë. Në fillim mbërritën deklaratat për një rënie eksponenciale të remitancave. Emigrantët, bletët punëtore që Shqipëria ka dërguar për të mbledhur nektar në lëndina jashtë vendit, sikur e prishën pak dorën.

Nga 1 miliard euroshi i përvitshëm, Shqipëria arriti të arkëtojë vetëm 70% sivjet, sipas vlerësimeve. Por, paratë e ndershme nuk janë i vetmi burim prurës në Shqipëri. S’ka ndonjë statistikë, por rënia botërore e fuqisë blerëse duhet t’ua ketë dhjetuar fitimet edhe trafikantëve të drogës, prostitucionit dhe armëve, ndër të cilët, patriotët tanë kanë edhe ata hisen e vet.

Dërgesat financiare s’mund të fshihet më se kanë firuar ndjeshëm dhe, dikush, dikur, u kujtua të thotë se ky është një aspekt i krizës ekonomike globale që, tërthorazi vërtet, por po e prek edhe Shqipërinë. Kriza financiare globale, në mos dukshëm, së paku heshturazi po shihet edhe tek rënia e ndjeshme e kredive, që bankat e nivelit të dytë po japin për qytetarët.

Si pa u ndier dhe pa publicitet, mund të thuhet se po vërehet një tendencë që këta të fundit të tërheqin kursimet nga bankat, të prekur nga një krizë besimi për sigurinë e parave të e tyre të investuara në banka vendore, të cilat në të vërtetë janë thjesht degë bankash të huaja që i investojnë këto para në vendet e tyre, andej nga zona e krizës.

Qeveritarë, autoritete financiare, ekspertë që më parë bënin be se siujdhesa jonë do t’i dilte përanash stuhisë financiare botërore, tani po detyrohen të pranojnë se sidoqoftë, Shqipëria do të ndjejë disa pasoja. Duke ndjekur kurbën e qëndrimeve të tyre pakmujore, nga garancia absolute për imunitetin shqiptar ndaj epidemisë globale e deri tek aktet e tanishme të kapitullimit, mund të besohet se ky është vetëm fillimi.

Shqipëria do të preket sigurisht nga ajo që pritet të ndodhë në vitin problematik 2009, por në ç’masë e deri në ç’nivel, kjo mbetet një mister, pasi askush s’është në gjendje ta thotë. Dinamika e deritanishme tregon se në radhët e ekzekutivit dhe ekspertëve që merren me prognozat tek ne, mbizotëron një inkompetencë aq e lartë, saqë gjithçka është lënë në mëshirë të fatit dhe vendi po ecën qorrazi në një monopat pa krye.

Teksa të gjitha vendet e botës po përgatiten të injektojnë shuma të mëdha që i ndajnë nga buxhetet e tyre për këtë ditë të zezë, në Shqipëri, ky proces i ndërlikuar u katandis në një fjali fare ekspres në një mbledhje rutinore qeveritare, ku u shpall premtimi se paratë e siguruara nga disa privatizime të pritshme, mbase do të mund të përdoreshin për të kuruar krizën. A thua ajo është thjesht një proces krejt i zakonshëm, ashtu si ndarja e përvitshme e çmimeve “Penda e artë” në letërsi.

Në këtë vit elektoral, kur organizatat tona politike do të duhet të shpalosin platformat e tyre, të cilat do të duhet doemos të kenë disa ingredientë të fortë ekonomikë, nëse duan të kenë vëmendjen popullore, lypsen të thuhen hapur disa të vërteta. Qeveria e djathtë në pushtet, por edhe e majta në opozitë, duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që ndoshta për shkak të inercisë së entuziazmit tonë post-komunist, s’kemi pasur kurrë kohë ta mendojmë, të bindur se gjithçka, veç ekonomisë së centralizuar, ecën. Por vërtet, teksa kapitalizmi tip far west po jeton orën e tij të zezë, cili është modeli ekonomik që do të ndjekim?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).