Rinia manipulohet nga my space dhe you tube

Perceptimet globale dhe virtuale të medias sipas Bruce Williams. Profesori amerikan i historisë së artit dhe sociolinguistikës tek studentët e filmit veçon aspektet negative të epokës dixhitale. Williams: “Njerëzit po humbasin thellësinë e mendimit”

Dje në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias “Marubi”, pedagogë të kësaj akademie dhe të Universitetit Evropian të Tiranës, diskutuan për perceptimet globale dhe virtuale të medias. Ai që duhej të ishte një diskutim për të gjithë mediumet, devijoi në një diskutim mbi shtypin dhe median elektronike, duke lënë krejt në harresë - në një mjedis ku merret një formim për kinematografinë - pikërisht kinemanë.

Të pranishëm ishin drejtori i Institutit të Medias, Remzi Lani, pedagogët e Universitetit Evropian Henri Çili dhe Elvis Hoxha, regjisori Kujtim Çashku, si dhe profesori amerikan Bruce Williams.

Si diskutime në modë, edhe ky takim kokë më kokë me studentët, u fiksua pas temës për erën e internetit dhe influencën në jetën e përditshme, në disa nivele; për tejngopjen me informacion dhe nevojën për të qenë i orientuar në zgjedhjen e këtij informacioni.

“Si mund të krijohet një fuqi balancuese tek individi në mënyrë që ai ta dallojë të vërtetën?” ishte pyetja që shqetësonte pjesëmarrësit në panel.

Për Kujtim Çashkun shoqëria e sotme moderne është një spektakël i madh, një rreth i madh virtual, ku të gjithë jemi pjesë e një kafazi që na çon drejt humbjes së kohës dhe jo drejt së vërtetës.

I ftuar ishte edhe profesori amerikan Bruce Williams, studiues i historisë së artit dhe sociolinguistikës në Universitetin “William Paterson”, Nju Xhersi, i cili ndodhet në Tiranë për disa leksione në Akademinë Marubi”. Williams trajtoi influencën e internetit tek të rinjtë si një armë që u vret imagjinatën. Në këtë takim ku pritej që më shumë të flitej për kinemanë si një media,Prof. Willams ishte i vetmi që u ndal tek kjo e fundit. Duke folur për aspektet negative të epokës dixhitale, në intervistën e mëposhtme pranon se ai vetë nuk i ka shpëtuar dhe nuk mund t’i shmanget kësaj rrjedhe që është bërë e jetës së përditshme.

Prof. Williams përse ndodheni në Akademinë Marubi?

Bashkëpunimi im me Akademinë e Filmit dhe të Multimedias “Marubi” ka nisur që kur është hapur kjo shkollë në vitin 2005. Jam ftuar për të mbajtur disa seminare. Është hera e pestë që vij. Gjatë këtyre seminareve kam trajtuar çështje nga më të ndryshmet duke filluar që nga avangarda latino-amerikane e viteve 30, kinemaja e pavarur, studime për dhe Billy Wilder. Ndërkohë që po përgatis me stafin e “Marubit” një seminar përregjisorin australian Peter Weir.

Gjithsesi janë çështje të ndryshme nga ato që trajtuat sot në lidhje me kulturën e komunikimit, e të shkruarit dhe të imazhit.

Ajo që më bën përshtypje është se studentët janë të orientuar vizualisht në shoqëri, por jo vizualisht të orientuar drejt filmit. Kjo bën që të jenë të prirur drejt një kënaqësie të shkurtër dhe të menjëhershme. Letërsia dhe mënyra tradicionale e komunikimit në USA ka pësuar ndryshime të mëdha. Mund të them se niveli i të lexuarit tek studentët është shumë më i ulët në krahasim me çfarë ka qenë në vitet ‘60. Dhe është të lexuarit që e e zhvillon më shumë dhe më shpejt imagjinatën.

Sot kinemaja është zhvendosur në sallonet e shtëpisë ku filmi mund të ndiqet në kompjuter. Çfarë erozioni shkakton ky kapërcim.

Besoj se ndryshimi më i madh ndodh në nivel emocional. Sigurisht që unë kam nostalgji për eksperiencën kolektive të të parit të filmit në kinema. Ishte diçka shumë emocionuese. Ishim shumë të përqendruar në atë çfarë po shihnim. Por si një historian dhe teoricien i kinemasë unë parapëlqej aksesin dhe kontrollin që kam kur filmin e shoh në kompjuter. Me këtë rast po e them që unë nuk shkoj në kinema. Jam shumë i zënë, po punoj për një projekt që më detyron të shoh disa herë filma të caktuar.

Mundet që kjo të jetë një mënyrë negative se si media ka ndikuar tek unë.

Ajo që po ndodh sot dhe në këtë moment që flasim, është manipulimi nga “my space” dhe “you tube” media që ua kontrollojnë përjetimet deri në atë pikë, sa ata distancohen nga procesi i spektatorit.

Ju si do ta përkufizonit rrezikun që na vjen nga numri i madh i sistemeve mediatike dixhitale?

Rreziku më i madh është njëkohësisht edhe fuqia më e madhe, e cila pengon thellësinë e mendimit, çka i çon njerëzit drejt një vështrimi sipërfaqësor të botës dhe sendeve. Dhe në të njëjtën kohë, nëse dikush e përdor median ashtu si duhet, në mënyrë pozitive pra, ajo mund të jetë një mundësi e mirë për të zbuluar.

1 Komente

Ajo që po ndodh sot dhe në këtë moment që flasim, është manipulimi nga “my space” dhe “you tube” media që ua kontrollojnë përjetimet deri në atë pikë, sa ata distancohen nga procesi i spektatorit.

Jutubi m'ka manipulu 'ne mu qe kisha bo be' mos pijsha mo "viski me koka-kolle" smiley

Mas k'saj videos, http://www.youtube.com/watch?v=-WCeH74urns, sidomos m'asi ja mora vesh llafet, e kuptoj shume mire se ku e ka llafin ky profesori i jashtem! smiley

Ja te pacha!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).