Riktheni ligjin dhe institucionet, të ngjallni shpresën që po vritet

Letër e hapur Presidentit të Republikës, Bamir Topi

 

 

I nderuar zoti President!

Muajin e fundit unë dhe familja ime kemi përjetuar një sërë shqetësimesh që vijnë nga një presion gati kriminal kundër meje si gazetar, kundër familjes sime, dhe biznesit tim. Prindërit e mi janë terrorizuar nën presionin e prishjes së shtëpive nga kasnecë të dërguar aty prej kryeministrit, familja ime u terrorizua duke djegur makinën time para pallatit ku unë banoj, nën kujdesin e një drejtuesi të dyshimtë zjarrfikësish, që bënë kujdes të zhdukeshin provat e zjarrit, dhe tashmë redaksia e gazetës sime është bllokuar me policë, të cilët nuk na lejojnë të marrim as sendet personale që kemi brenda mureve. Në gjithë këtë revansh sulmesh dhe dhune psikologjike, fizike dhe financiare ndaj meje, familjes sime, profesionit tim dhe biznesit tim, është shfaqur si palë kundërshtare qeveria shqiptare. Ishte kryeministri ai që kishte dërguar njerëz të prishnin shtëpinë e prindërve të mi dhe motrës sime, ishte kryeministri ai që, kur makina ime mori flakë dhe terrorizoi gjithë familjen time, miqtë dhe të afërmit, doli publikisht në anën e zjarrvënësve duke mallkuar viktimën. Është po ashtu kryeministri që në mënyrë të papritur, një vit pasi është vendosur që kompania franceze e kartave të identitetit do të ishte fqinje në distancë me gazetën “TemA”, të kujtohet ta shpallë gjithë territorin objekt të rëndësisë së veçantë, me shpresën e verbër se kjo do të varrosë financiarisht investimet e gazetës “TemA” dhe vetë gazetën.

Ky revansh i pushtetit ndaj një medieje dhe një gazetari kritik me të nuk më shqetëson për fatin tim personal. Përvoja ime e gjatë në gazetari më bën të ndihem i qetë, por demonstrimi i urrejtjes ndaj medies në këtë formë, dhe nga institucioni i qeverisë shqiptare, është një njollë e madhe për Shqipërinë.

 

I nderuar zoti President,

Shqipëria do të jetë në prill vend anëtar i NATO-s, e cila është një organizatë që standardet e demokracisë i ka prioritet më shumë se standardet ushtarake për vende si Shqipëria. Kryeministri i një vendi të NATO-s është akuzuar dje nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju-Jork se po dhunon gazetën “TemA” dhe drejtuesit e saj. Komiteti përshkruante në mënyrë të hollësishme se si policia e qeverisë së kryeministrit Berisha në vend që të hetojë për të gjetur zjarrvënësit shantazhues të makinës sime para banesës, hyjnë dhe më bllokojnë dhe redaksinë. Nuk di sa e njihni rëndësinë e atij Komiteti, por dua t’Ju kujtoj se është organizata më prestigjioze në botë për mbrojtjen e gazetarëve, e cila rendit çdo 3 maj me rastin e Ditës së Lirisë së Shtypit dhe kryeministrat që janë armiq të medies. Zoti Berisha e ka provuar njëherë këtë klasifikim në maj të vitit 1997 dhe një rihapje e dosjes së tij me shtypin do t’i bëjë shumë dëm Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë. Kryeministri ynë ndoshta ka moshën dhe karrierën në një fazë të tillë, që mendon vetëm për hallet e tij dhe familjes së tij, por duhet t’i kujtojmë bashkërisht se është kryeministri i një vendi që po hyn në NATO dhe që ka detyrim jo vetëm për fëmijët e tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare, ku, pavarësisht se ai nuk dëshiron, jetojnë dhe fëmijët e mi, të cilët ndjehen të terrorizuar çdo ditë nga lajmet që ai prodhon kundër meje.

Ky revansh i tij i muajve të fundit dhe përpjekja e tij për të personalizuar një betejë ekstreme dhune me një gazetar dhe një gazetë, ka ngjallur po ashtu shumë reagime në shtypin ndërkombëtar përfshi titujt më prestigjiozë të Evropës. Revista “Der Spiegel”, që është ndoshta më prestigjiozja e Evropës, e kishte dje shkrim kryesor në edicionin e saj online. Shuma gazeta perëndimore kanë cituar lajmet e agjencive që kanë pasqyruar deklaratën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe lajmet me burim nga Shqipëria. Ky kthim vëmendjeje nga Shqipëria për lajme të tilla na bën keq të gjithëve. Por, që bota të mos fillojë të merret me problemet tona, institucionet tona duhet t’i ndalin fenomene të tilla.

Unë nuk di si t’ia shpjegoj një kolegut tim në Perëndim faktin që u bënë tri ditë që gazetarët e gazetës “TemA” dhe stafi i saj nuk lejohet të hyjnë në redaksi. Gazetarët shkojnë çdo ditë para policëve dhe shpërndahen duke punuar me laptopët e tyre thuajse rrugëve në përpjekje për të mbijetuar gazeta, e cila ka reduktuar faqet dhe natyrisht cilësinë, pasi është e detyruar të redaktohet jashtë redaksisë, pa arkivin dhe mjetet e saj të punës, për të cilat ka investuar. Nuk mund t’ua shpjegoj publikisht gjithë meskinitetet që kanë shoqëruar këtë brutalitet të pushtetit ndaj meje dhe gazetës sime, pasi për ta krijohet që në fjalitë e para imazhi i një vendi primitiv, pa ligj dhe institucione, ku hakmarrja dhe revanshi bëjnë ligjin.

Nga ana tjetër, kam pasur këto ditë qindra dhe mijëra mesazhe nga lexues të gazetës online, kryesisht të rinj, dhe ajo që më bën përshtypje është se shumica e reagimeve të tyre mbyllen me fjalinë: “Në këtë vend nuk mund të jetohet”. Kjo gjë më trishton shumë, pasi duket se unë ndjehem fajtor më shumë se qeveria ime për këtë ofshamë dëshpëruese të tyre. Kur në faqet e internetit bëjnë xhiro pamje makabre të makinës sime mes flakëve, apo policë të stërpërforcuar për të ruajtur sigurinë kombëtare nga disa djem e vajza, shumica e të cilëve janë nën 30 vjeç, gjithkush mendon se është i tepërt në këtë vend.

Sulmet ndaj meje, familjes sime, profesionit tim, dhe biznesit tim, janë nga ana tjetër një shembull ndëshkimi për gazetarinë kritike në Shqipëri. Kryeministri, që qëndron pas gjithë kësaj fushate, bën kujdes që të mos fshehë gjurmët. Dhe këtë e bën me vetëdije. E bën me vetëdije që kolegët e mi të tjerë ta kenë të qartë se ç’po ndodh dhe nga kush po më ndodh. Ai po bën kujdes të trembë shumicën duke përqendruar sulmet dhe hakmarrjen mbi një gazetë dhe mbi një gazetar që i kanë hapur atij për një vit më shumë telashe se ka mundur t’i hapë opozita për tre vjet. Duke derdhur urrejtjen e verbër të tij dhe pushtetit të tij mbi ne, ai kërkon t’u tregojë të tjerëve fatin që i pret, nëse sillen si ne. Dhe konteksti i frikësimit të gazetarëve është më i rëndë sesa vetë dhuna dhe revanshi mbi mua dhe gazetën time. Frika që shkakton ky gjest bën shumë herë më tepër dëm sesa mbyllja e gazetës “TemA” me policë, djegia e makinës apo tentimi për prishjen e shtëpive të familjarëve të mi. Në një vend ku një kryeministër ndeshet me një shantazh të hapur, siç është djegia e makinës së një gazetari para shtëpisë së tij, ky kryeministër, qoftë dhe duke kafshuar gjuhën, duhet të dalë në anën e medies për të frikësuar banditët. Kryeministri im doli në anën e banditëve duke më mallkuar mua. Kjo do të ngelet gjatë në kujtesën e gazetarëve shqiptarë, por kam frikë se do të mbetet gjatë dhe në kujtesën e banditëve shqiptarë dhe ata do të përsërisin skena të tilla me gazetarë të tjerë.

Së fundmi, do të desha të përdornit autoritetin tuaj që këto konflikte që burojnë nga urrejtja e verbër e pushtetit ndaj medies të marrin fund dhe të kanalizohen në rrugë institucionale. Hakmarrja në një vend nuk merr fund kurrë, nëse nuk i hapet rrugë ligjit. Nëse kryeministri nuk zbaton vendimet e gjykatave, nëse prokuroria nuk vepron ndaj atyre që na pengojnë të futemi në redaksi për të vazhduar punën, nëse policia nuk gjen kush djeg makinën time para syve të fëmijëve të mi për të më shantazhuar, nëse kryeministri nuk ndëshkon njerëzit e frymëzuar prej tij që shkojnë për të frikësuar prindërit dhe familjarët e mi aty ku jetojnë, atëherë ky nuk është shtet anëtar i NATO-s, por një vend primitiv, ku sundon hakmarrja dhe revanshi. Dhe fatkeqësisht ky nuk është tipar i gjithë shoqërisë shqiptare, nuk është tipar i shumicës së saj, nuk është as tipar i shumicës në pushtet, por i një pakice që ka marrë peng pushtetin e saj. Dhe ne s’kemi pse ndëshkohemi prej tyre. Ndjehem keq, kur miq dhe kolegë të mi hezitojnë të ngrenë zërin, për shkak të klimës politike mbytëse që është krijuar në Shqipëri pas ndryshimeve kushtetuese për t’u artikuluar politikisht. Ndjehem keq, jo se më duhet mbështetja e tyre, por se atyre iu duhet të tregojnë se janë qytetarë dinjitozë të këtij vendi. Ky denigrim kolektiv që po i bëhet debatit politik në Shqipëri, po krijon një hendek të madh mes debatit të shoqërisë jashtë politikës dhe debatit mes klasës politike. Shoqëria shqiptare po di të debatojë dhe të artikulohet shumë herë më mirë se Shqipëria politike, dhe ky është një ngërç i madh që duhet ta zgjidhim.

 

Zoti President,

Unë dhe gazetarët e mi po presim rrugëve të kthehemi në zyrat tona, dhe të vendosim marrëdhënie institucionale me shtetin shqiptar. Ne deri tani po i bindemi ligjit, po kërkojmë kompromise dhe me ata që kanë urrejtje të verbër ndaj nesh. Ne kërkojmë prej jush të inkurajoni institucionet të qëndrojnë përballë këtij shantazhi që nuk drejtohet vetëm ndaj nesh, që nuk drejtohet vetëm ndaj lirisë së shtypit, por dhe ndaj çdo fryme individualiteti dhe vlere institucionale në Shqipëri. Dikush këtu do t’u mbushë mendjen shqiptarëve se është Zoti dhe nuk e ndal askush. Dikush këtu do të marrë pozitat e Zeusit që ka në dorë gjithë rrufetë për të ndëshkuar ata që nuk do, por ajo kohë ka marrë fund. Inkurajoni institucionet të zbatojnë ligjin, inkurajoni gjykatat dhe prokurorinë të mos bien pre e presionit politik, dilni dhe flisni publikisht për tendencat negative dhe njollosjen e imazhit të Shqipërisë, kur këtë e bën dikush që është në pushtet, dhe kështu do t’u jepni shpresë shqiptarëve, do t’u jepni shpresë të rinjve të dëshpëruar nga kjo situatë se ky vend ka shpresë. Ajo nuk mund të mbahet peng nga urrejtjet kanunore, politika tribale dhe mendësi që vonojnë rrugëtimin tonë drejt Perëndimit.

1 Komente

Mero !

Pse i drejtohesh Bamirit ( enkas po e them jo Presidentit ) ?  E ke cun lagjeje dhe mund te te ndihmoje ?

Cer pret nga ai ? Jam shume kurrioz .

Une te jap votem time se me mediat nuk duhet te kruhet as perendia, por zor se do nxjerre gje nga qulli Bamiri qofte dhe me petkun President .

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).