Rikonturohet grupi hetimor për Gërdecin, ja prokuroret dhe hetuesit e rinj

Grupi hetimor i GerdecitDorëheqjet dhe ngritjet në detyrë kanë pakësuar në numër edhe grupin hetimor që heton tragjedinë e Gërdecit. Largimi i fundit ai i drejtuesit të këtij grupi si dhe drejtorit të Kontrollit dhe ndjekjes Penale, Zamir Shtylla ka çuar në 14 numrin e hetuesve që hetojnë këtë tragjedi. Largimi nga detyra e disa muajve më parë të Arben Frashrit pasi u emërua në një post më të lartë të Policisë së Shtetit ka startuar ikjen nga grupi hetimor të hetuesve.

Ndërkohë pas afro 10 muajsh hetim në krye të këtij grupi është emëruar Sokol Stojani. Madje ai mban edhe postin e drejtorit të Kontrollit dhe ndjekjes Penale në prokurorinë e Përgjithshme. Këto dy poste vijnë për Stojanin pas dorëheqjes së Zamir Shtyllës.

Grupi i ri hetimor
Aktualisht janë 14 hetues, 5 prokuror dhe 9 oficer të policisë gjyqësore që bëjnë pjesë në grupin hetimor të tragjedisë së Gërdecit. Dosja e cila hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme tashmë do të analizohet nga drejtori i ri i Kontrollit dhe ndjekjes Penale Sokol Stojani, nga prokurori i këtij organi Alfred Progonati, prokuror Arqile Koça, si dhe Kujtim Luli. Gjithashtu edhe nga oficerë të policisë së shtetit por edhe të prokurorisë së Tiranës dhe të Krimeve të Rënda.

Largimi i oficerit
Emërimi në detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut Durrës ka larguar nga grupi hetimor i Gërdecit oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda. Hetues i dosjeve më të rëndësishme në organin që punonte, Arben Frashri ka hetuar për disa muaj edhe tragjedinë më të madhe të ndodhur në vend atë të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.

Dorëheqja e prokurorit
Një nga prokurorët më me eksperiencë, drejtor i Kontrollit dhe Ndjekjes penale në prokurorinë e Përgjithshme dha dorëheqjen nga kjo detyrë. Por duke larguar nga posti që mbante Zamir Shtylla la bosh edhe postin e drejtuesit të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit.

Dorëheqja e Zamir Shtyllës
Zamir Shtylla, drejtori i Kontrollit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme i ka paraqitur dy ditë më parë kryeprokurores Ina Rama letrën e dorëheqjes së tij. Nuk është shkruar asnjë motiv në këtë dorëheqje, por pas hyrjes në fuqi të ligjit të dosjes, prokurori që heton Gërdecin, ishte një nga zyrtarët që do të shkarkohej menjëherë. Ndërkohë, burime nga organi qendror i akuzës bënë të ditur se letra në tavolinën e kryeprokurores ka mbërritur para orarit të skadencës së dekretimit të ligjit të dosjeve nga Presidenti Bamir Topi. Ndërkohë që edhe kryeprokurorja ka pranuar dorëheqjen e tij duke vendosur në postin e Shtyllës, Sokol Stojanin.

Grupi hetimor i Gërdecit

1. Sokol Stojani, drejtues i grupit hetimor
Pa dyshim një nga prokurorët më të zhdërvjellët dhe më me emër pas viteve 90-të. Anëtar i grupit hetimor në vrasjen e Azem Hajdarit. Sokol Stojani së fundi edhe drejtori i Kontrollit dhe ndjekjes Penale në prokurorinë e Përgjithshme dhe njëkohësisht edhe drejtues i grupit hetimor të Gërdecit. Ai vjen pas dorëheqjes së Zamir Shtyllës.

2. Arqile Koça
I njohur si pedagog në Fakultetin Juridik por edhe një nga anëtarët e grupit hetimor për vrasjen e Azem Hajdarit. Arqile Koça është një emër mjaft i rëndësishëm në prokurorin shqiptare. Ai do të mbahet mend edhe për një atentat i mbetur në tentativë që i është bërë në vitin 1997.

3. Alfred Progonati
Ka hetuar dosje të rëndësishme. Prokuror në drejtorin e Kontrollit dhe të Ndjekjes Penale tashmë i duhet të hetojë së bashku me kolegë të tjerë të organit qendror të akuzës tragjedinë e Gërdecit.

4. Kujtim Luli
Një nga prokurorët më të vjetër në Prokurorinë e Përgjithshme. Ka kaluar në dorë një numër çështjesh me rëndësi të veçantë. Tani do të jetë pjesë e grupit hetimor ku do të hetojë tragjedinë e Gërdecit.

5. Arben Dollapi
Për vite ka qenë drejtues në prokurori, ndërsa tani është prokuror në një nga organet e akuzës më të mëdha në vend. Është i vetmi prokuro që ka hetuar nga fillimi shpërthimin në Gërdec.

6. Arjan Muça
Drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit. Do të jetë pjesë e grupit hetimor për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit.

7. Ardian Çipa
Shef i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Është një nga pjesëtarët e grupit hetimor i tragjedisë së Gërdecit.

8. Perlat Vatoci
Oficer i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, bënë pjesë në grupin hetimor të Gërdecit ku së bashku me kolegët e tij do të bëjë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

9. Bledar Çeliku
Oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është një nga pjesëtarët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit.

10. Tefik Sulejmani
Oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë bënë pjesë në grupin hetimor i cili do të bëjë të mundur zbardhjen e shpërthimit të depove të municioneve në Gërdec.

11. Ermal Milori
Oficer i Policisë Gjyqësore, seksioni i Prokurorisë Tiranë. Ka hetuar dosje të rëndësishme në organin e akuzës së kryeqytetit. Ndërsa tani në bashkëpunim me kolegët do të zbardh tragjedinë e Gërdecit.
12. Arjan Muçaj
Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimeve të Rënda. Në dorë ka kaluar dosje me vepra penale të rënda, ndërsa tani i duhet të zbardh tragjedinë e Gërdecit.

13. Ibrahim Hoxha
Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda. Në bashkëpunim me kolegët e tij do të hetojë dhe do të zbardh tragjedinë e Gërdecit.

14. Hamza Plaka
Oficer i policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda. Do të jetë bashkëpunimi me kolegët e prokurorisë dhe të policisë ku më pas do të bëhet e mundur zbardhja e tragjedisë së Gërdecit. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).