Reforma në spitale, çfarë përfitojnë pacientët

Intervista/ Flet drejtori i Drejtorisë së Mjekut në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Gazmend Koduzi

Drejtori i Drejtorisë së Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, shpjegon risitë e sfidës që ka nisur Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në prag të tjetërsimit të shërbimit spitalor shqiptar. Sipas tij, ecuria pozitive e reformës shëndetësore në parësor dhe dëshira e madhe për të përmirësuar gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri mori vendimin për të shtrirë këtë hap edhe në sistemin spitalor. Ndërkohë që thekson se ata që do të përfitojnë një shërbim më të mirë, pa mungesa barnash dhe me protokolle të sakta mjekësore janë pacientët. Nga ana tjetër, drejtori Koduzi tregon edhe për mënyrën e financimit të spitaleve, ku nuk do të mungojnë buxhetet tradicionale, por natyrisht do të ketë financime të tjera për një pjesë të madhe shërbimesh. Ndërsa vetë spitalet, të ardhurat e tyre do të mund t‘i përdorin nga njëri vit fiskal në tjetrin, mbështetur mbi bazën e pacientit të siguruar ose jo. Koduzi thekson se të gjithë personat e siguruar do të marrin falas çdo shërbim te mjeku i familjes, barnat me recetë me rimbursim, vizitë falas te specialisti, analiza laboratorike falas, ekzaminime falas në poliklinikat dhe spitalet, shtrim dhe trajtim falas në spital për një paketë shërbimesh.

Çfarë të reje do të sjellë për spitalet dhe sistemin kjo reformë?

Efekti i reformës në sistemin shëndetësor do të vendoste një rregull në sistemin e referimit, rritje të përdorimit të shërbimeve në qendrat shëndetësore, kosto-efektivitet të shërbimeve dhe rigjallërim të spitaleve të rretheve. Në spitale do të ndryshojë mënyra e administrimit dhe funksionimit të tyre. Spitalet shndërrohen në person juridik, publik me buxhet të pavarur, i cili do të ketë mundësi kotraktuale dhe do të jetë përgjegjës për realizimin e prokurimeve. Kjo do të thotë më shumë autonomi për sa i takon përdorimit të fondeve për nevojat e spitalit e në mënyrë të veçantë për furnizimin me ilaçe. Në funksionimin si institucion, spitali do të kryejë aktivitetin bazuar në kontrata që do të jenë të nivelit të parë midis tij dhe ISKSH-së, dhe në nivelin e dytë me punonjësit e spitalit. Pra, për herë të parë, përveç kontratave kolektive të punës, do të ketë edhe kontrata personale, ku çdo personel do të dijë të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës.

Në kontratën midis ISKSH-së dhe spitalit përcaktohen shërbimet e parashikuara që ofron çdo spital (shërbimet reale), mënyra e pagesës, mbajtjes së informacionit, raportimit, metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve, treguesit e cilësisë dhe performancës, mënyra e kontrollit nga ISKSH-ja, mënyra e zgjidhjes së konflikteve, etj. Kontrata do të përfshijë vetëm ato shërbime që ofron aktualisht spitali dhe për çdo shërbim të ri që mund të shtohet do të ketë marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe ISKSH-së për financimin e tij.

Të ndalemi pak te financimi i spitaleve, sipas kësaj skeme të re. Kjo është një pikë e diskutuar jo me pak skepticizëm. Si do të realizohet financimi i spitaleve pas kontratës me ISKSH-në?

Financimi i spitaleve do të bëhet në bazë të buxhetit historik që do të thotë buxheti që ka pasur spitali, duke shtuar vlerat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe miratimet nga ana e Ministrisë së Financave. Mungesa aktuale e normativave, standardeve dhe protokolleve të mjekimit, që janë bazë për llogaritjen e kostove të shërbimeve të dhëna, pengon financimin mbi bazën e rezultateve. Për herë të parë, me VKM përcaktohen afate që Ministria e Shëndetësisë brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet dhe deri në fund të 2009-ës do të përcaktojë protokollet e diagnostikimit dhe mjekimit për çdo shërbim. Pasi të përcaktohen këto, mund të bëhet vlerësimi i spitaleve dhe i performancës së tyre.

Element i rëndësishëm është që spitali do të përdorë vetë fondet e tij dhe do t‘i bartë ato në vitin pasardhës nëse nuk i ka përdorur gjatë një viti fiskal. Gjithashtu, edhe të ardhurat e krijuara nga aktiviteti i përditshëm i spitalit do të përdoren nga vetë spitali për shpërblim të personelit dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve.

Por çfarë përfiton përdoruesi i shërbimeve nga këto reforma? Çfarë fiton pacienti?

Pacienti përfiton një shërbim spitalor të furnizuar me barna, transparent për shërbimet e dhëna dhe ku përfitohen ato. Përfiton një rregullim të lëvizjes së tij brenda sistemit shëndetësor për të marrë më të mirën për shëndetin e tij, një shërbim absolutisht më cilësor nga një staf më i motivuar.

Të gjithë pacientët që futen në sistem do të identifikohen mbi bazën: i siguruar ose jo. Me ligjin aktual të sigurimeve shëndetësore, e gjithë popullata është e siguruar, mjafton që të vërtetojë që i përket njërës prej kategorive të mëposhtme: fëmijë 0-14 vjeç, student, ushtar, pensionist, i punësuar, i vetëpunësuar, i papunë, me asistencë sociale, invalid, veteran, grua shtatzënë. Pra, të gjithë personat e siguruar do të marrin falas çdo shërbim te mjeku i familjes, barnat me recetë me rimbursim, vizitë falas te specialisti, analiza laboratorike falas, ekzaminime falas në poliklinika dhe spitale, shtrim dhe trajtim falas në spital për një paketë shërbimesh. Personat e pasiguruar do të paguajnë tarifa transparente të bëra me dije që në fillim të shërbimit. Përjashtim bën shërbimi i urgjencës, që do të jetë falas për të gjithë popullatën.

Pra, i gjithë sistemi shëndetësor financohet nga një pagues i vetëm i aktivitetit të tij, që është ISKSH dhe financimet për investime kapitale dhe pajisje nga Ministria e Shëndetësisë. Hapat e tjerë të afërm janë përcaktimi i normave, standardeve, protokolleve të mjekimit dhe kostove të shërbimit me qëllim që shëndetësia shqiptare nga financimi për burime (buxhetim historik) të kalojë në financim për produktin që jep, si edhe partneriteti publik-privat.

Me hapat e ndërmarrë, arritjet e deritanishme dhe me vullnetin e qeverisë për të reformuar sistemin shëndetësor shqiptar çdo person që punon në shëndetësi dhe që do marri shërbim shëndetësor mund të thonë me plot gojën "Yes, we can".

2 Komente

Reforma ne spitale ?

Zv/misnitri i Shëndetësie,  Arben Ivanaj shfaqet duke bërë skena striptizmi.

Ja cer perfitojne shqiptaret nga Godoqeverisja !

Qeveria vendos hapjen vitin e ardhshëm akademik të universitetit mjekësor

- Universiteti i mjekësisë do të harmonizojnë si udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore, me menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore.  Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, hapjen në vitin e ardhshëm akademik të universitetit të mjekësisë, si pjesë e reformës për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në vend.  “Në dekada, por edhe më gjatë ka ekzistuar edhe një hierarki në këtë sistem, midis komponentit universitar të saj dhe komponentit strikt mjekësor. Modelet më të pajtueshme sot, janë modelet universitare. Universiteti i mjekësisë do të harmonizojnë si udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore, me menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore, sikundër do të diversifikojë ose do t’i përgjigjet larmisë së madhe të kërkesave e shërbimeve,” u shpreh Kryeministri.  Duke vlerësuar se për ngritjen e universitetit të mjekësisë ekziston tashmë një bazë solide, me fakultet e mjekësisë, me një numër të konsiderueshëm studentësh dhe një ekip pedagogësh me eksperiencë, Kryeministri Berisha kërkoi njëherësh edhe shqyrtimin e modeleve të suksesshme në vende të tjera.    “Ekziston një bazë e fuqishme, një ekip me shkallë të lartë profesionalizmi dhe eksperiencë të madhe. Sot, në fakultetet dhe degët e mjekësisë janë rreth 5500 studentë. Pra, ka një korpus të gjerë studentësh dhe pedagogësh. Në vetë natyrën e punës në këtë fakultet edhe numri i pedagogëve është i konsiderueshëm dhe duhet të jetë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të nisë punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet. Një udhëtim faktmbledhës është organizuar kohë më parë në Austri. Po ashtu Gjermania ka modele të tilla. E rëndësishme është se ky universitet të nisë punën vitin e ardhshëm akademik. Ai do të jetë një kontribut i madh në reformën e sistemit shëndetësor që ne kemi nisur.” Kryeministri tha se universiteti, fillimisht, do të ketë mbështetjen financiare të qeverisë për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike.  “Faza e parë do të ketë një mbështetje të gjerë, për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike, ku autonomia dhe pavarësia e tij financiare do të jetë shumë më e madhe. Por fillimit universiteti ka nevojë për një ndihmë e mbështetje të fuqishme buxhetore, si edhe çdo gjë e re. Duhet të kemi parasysh se kjo mbështetje është jetike si për mësimdhënien, ashtu edhe për klinikat, për diagnozën, kurimin, shërimin, riaftësimin e të sëmurëve.”  Kryeministri Berisha e konsideroi ngritjen e universitetit mjekësor një vendim në kohën e duhur, i lidhur ngushtë edhe me reformën në sistemin shëndetësor, për të cilën cilësia e shërbimit shëndetësor dhe rajonalizimi i plotë i tij mbeten dy objektivat më madhore të saj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).