Rama vetëm me prapa-vijë

Partia e Edi Ramës është në kaos. Qëndrimet egocentriste të kryetarit trevjeçar të saj, vendimet e sojit "vetë Ali e vetë kadi", moskonsultimi me asnjë prej figurave kryesore të partisë, por vetëm me nivelin e dytë e më poshtë, bindja që po i krijon vetes se ai është një Obamë shqiptar (pavarësisht ndonjë kontradikte me Veliajn për kët&eumlsmiley, ka sjellë një pështjellim dhe moskoordinim idesh e qëndrimesh tek disa prej atyre që dikur mbaheshin dhe i mbanin si pararojë e mendimit dhe lëvizjes në Partinë Socialiste. Brenda 24 orësh, Ben Blushi, ish-ministër, ish-kryetar grupi, ish-sekretar politik në PS dhe Pandeli Majko, ish-kryeministër, ish-kryetar grupi e ish-sekretar i përgjithshëm, aktualisht deputetë të PS-së, japin dy qëndrime diametralisht të kundërta për një nga çështjet më thelbësore dhe më të debatueshme të politikës së majtë; qëndrimin e Partisë Socialiste, pas zgjedhjeve të qershorit, me kë do të jetë aleate ajo.

Blushi, në një emision televiziv lë "të lirë" mendimin se pas zgjedhjeve, Partia Socialiste mund të kishte edhe një koalicion me Partinë Demokratike, pa Sali Berishën. Sigurisht, kushtëzimi inteligjent që i vendos Blushi bashkëpunimit, është i pamundur, të paktën për këto zgjedhje, por gjithsesi ideja e "pse jo" së bashkëpunimit me PD-në, është një sfidë e madhe që PS i bën elektoratit bazë të saj. Eshtë një formë e sloganit "përtej së majtës e së djathtës", ku me pak fjalë shprehet bashkëpunimi mes PS dhe PD.

Dhe ka të paktën një vit që mes Ramës dhe Berishës, respektivisht kryetarë të PS dhe PD ka marrëveshje dhe bashkëpunim; duke nisur që nga ndryshimi i Kushtetutës, vetëm pak kohë pas tragjedisë së Gërdecit, e duke përfunduar ndoshta me bashkëpunimin paszgjedhor. Edhe fushata e ndërmarrë së fundmi nga Bashkia e Tiranës pas rrëzimit të buxhetit, ku më së shumti akuzohet LSI, mund të jetë një shenjë se herën e tretë votat për buxhetin e pandryshuar sërish nga Rama, do të gjenden tek anëtarët demokratë të këshillit bashkiak. Po të vëresh me kujdes, sulmet e lidershipit të PS-së dhe Bashkisë së Tiranës synojnë konkluzionin se me LSI-në, PS-ja nuk bashkëpunon dot. Në fjalorët dhe fjalorthët e përdorur nga Rama dhe të tjerë anash tij, LSI dhe Meta janë shumë më shumë herë të sulmuar se sa Berisha dhe qeveria. Duke harruar, apo bërë sikur, se deri në qershor Berisha është në fakt armiku i këtij vendi dhe rrjedhimisht edhe kundërshtari i vetëm i PS-së.

Një bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së nuk përbën ndonjë çudi. Përveç bashkëpunimeve, tashmë të njohura mbi dhe nën tavolinë, përveç përfitimeve të bëra publike për të dy palët dhe rrjedhimisht edhe kapjes së njërit nga tjetri, bashkëpunimi mund edhe të maskohej nën zërin e reformave, të qetësisë politike, të ecjes përpara të vendit, të një Shqipërie të re përtej së majtës e së djathtës. Me shembujt tashmë të gatshëm; Gjermaninë, numrin një të Europës, dhe Kosovën, numrin e fundit të saj.

Por fitorja më e madhe në këtë rast për të dy, do të ishte çlirimi nga "kokat" e shquara dhe trazirat që u sjellin në partitë respektive. Sepse në këtë rast, Rama do të punonte me prapavijën, ndërsa Berisha me "truprojat"; Rama do të shpëtonte nga blushët, ndërsa Berisha nga jo të klonuarit.

Majko në një intervistë në median e shkruar, ishte kategorik në bashkëpunimin e ardhshëm të PS-së pas zgjedhjeve, duke përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PD-në dhe duke pohuar se koalicioni mund të bëhej me gjithkënd tjetër. Pra, Majko në sinqeritetin karakterizues të tij, ka pohuar me shkrim, atë që gjithkush nga të majtët e thjeshtë e pohon përditë; bashkëpunimin paszgjedhor mes PS dhe LSI, dy forcave të majta, pasi sipas të gjitha gjasave asnjë prej të dyjave nuk arrin dot të fitojë e vetme 71 deputetë.

Por kjo nuk pranohet absolutisht prej Ramës. Të paktën deri në këto momente. Bindja e verbër e tij, e firmosur edhe në Kushtetutë, është të jetë ai mëkëmbësi i Berishës, i pavarur nga asnjë institucion dhe kryetar mbi të gjitha institucionet. Në pamundësi të kësaj, ekziston edhe "varianti PD", ku digjen shumica e emrave të përveçëm në PS dhe mbetet vetëm emri i Ramës dhe prapavijës. Fobia që duket se ka Rama ndaj LSI dhe Metës, ka infektuar edhe ish-pararojën e PS-së. As Blushi e as Majko, e as të tjerë, nuk guxojnë të flasin hapur për një bashkëpunim paszgjedhor me këtë parti, duke u përpjekur të ulin edhe tonet. Sepse edhe ata të majtë të vërtetë që janë në PS nuk mund të ecin me idenë poshtëruese; të përpiqemi ta zhbëjmë LSI për të marrë 71 vota, nëse nuk i marrim të flasim për bashkëpunim.

Në këtë rast, PS e Ramës ia kalon PD-së së Berishës dhe votimi më fitimprurës për vendin do të ishte që Rama-Berisha së bashku të mos i merrnin 71 vota, ashtu siç thotë edhe opozitari i përjetshëm Spartak Ngjela.

2 Komente

Bindja e verbër e tij, e firmosur edhe në Kushtetutë, është të jetë ai mëkëmbësi i Berishës, i pavarur nga asnjë institucion dhe kryetar mbi të gjitha institucionet. Në pamundësi të kësaj, ekziston edhe "varianti PD", ku digjen shumica e emrave të përveçëm në PS dhe mbetet vetëm emri i Ramës dhe prapavijës. Fobia që duket se ka Rama ndaj LSI dhe Metës, ka infektuar edhe ish-pararojën e PS-së. As Blushi e as Majko, e as të tjerë, nuk guxojnë të flasin hapur për një bashkëpunim paszgjedhor me këtë parti, duke u përpjekur të ulin edhe tonet. Sepse edhe ata të majtë të vërtetë që janë në PS nuk mund të ecin me idenë poshtëruese; të përpiqemi ta zhbëjmë LSI për të marrë 71 vota, nëse nuk i marrim të flasim për bashkëpunim

 Loja e Rames eshte BLLOF i vertete. Nese ai nuk arrin te fitoje i vetem zgjedhjet, ka per t'u djegur perfundimisht ... dhe si po duken gjasaj, disfata e Rames per qershorin 2009 eshte pergatitur dhe parashikohet kollaj. Fushata e ardhshme do te jete me e kushtueshmja, me shuma kolosale parash qe do te levizin dhe beteja do te perfundoje perpara dates se zgjedhjeve : jam i sigurte se tendenca e fituesit do te merret vesh kohe perpara nga opinioni publik

Leftua erdhi, tani prisni policin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).