Qytetar në Athinë

Intervistë me aktorin Karafil Shena, emigrant ekonomik në Greqi

 


Ka disa vite që Karafil Shenës fati po i buzëqesh atje ku ai donte. Të bënte zanatin që kishte në Shqipëri, aktor. Faqet e shtypit shqiptar në gjithë këto vite janë tejmbushur me intervista të artistëve “si e kapërceva kufirin”, “një shqiptar i famshëm në....”, një shqiptar trondit skenat e....” e kështu me radhë. Intervista jonë me Karafil Shenën, nuk merr shkas nga punët e mbara që po i ecin me ofertat në kinemanë greke. Jo. Është një rrëfim krejt i zakonshëm, vërtet për kapërcimin e kufirit dhe jetën për pak kohë me identitet të rremë, po që zbulon edhe një mënyrë “lineare” të të mbijetuarit në një vend të huaj. Edhe atëherë kur jeta duket se rrjedh normalisht, emigranti ndjen se duhet të luftojë për të drejta qytetarie në... Greqi.

Në çfarë rrethanash u larguat 15 vjet të shkuara?

Në atë situatë të rënduar të viteve ’90, vëllai i gruas, i ikur klandestin në Itali, më dërgon dhuratë një “Audi”. Ishte viti i ri, 1993. Me këtë makinë udhëtoj për një vizitë tek motra ime në Laprakë. Aty i vodhën xhamin e parë. Mora një plastmas, e ngjita. Gruaja dhe fëmijët u mbuluan me një batanije në cep të sediljes ku nuk i zinte era kurse unë do ta ngisja makinën deri në Durrës duke e parë rrugën nga vrima e plasmasit.

Atëkohë kishte plasur një epidemi vjedhjesh, shkatërrimesh, grindjesh. Mu bë i padurueshëm qëndrimi. Atdheu në disa raste merr kuptim të ndryshëm, për kategori të ndryshme. Isha aq i shokuar saqë pak mendoja për “patriotizëm”. Më ishte rrënjosur mendimi që në Shqipëri nuk bëhej më asgjë për së mbari dhe kjo varfëri e gjithanshme do të na merrte fymën për një kohë të paparashikuar.

Greqia ishte vendi më i afërt. Dija afro 50 fjalë në gjuhën greke...

Kapërcimi i kufirit, një fat i përbashkët për shumë shqiptarë në atë kohë, është megjithatë një përvojë unike për secilin. Me ju si ndodhi?

Herën e parë më kthyen në kufi ushtarët grekë. Provova prapë. Kalova. Nuk do ta harroj rrugën Korçë-Follorinë ku gjatë gjithë kohës mendoja: ku po shkoj. Ikja në tym. Kisha vetëm dy numra telefoni në një bllok të sajuar, vetëm dy, tani kam shumë, një bllok e më shumë. Zbrita në Athinë. Gjeta një mik nga Saranda, gjeta një punë dhe një vendstrehim.

Si ishte kontakti i parë me qytetarinë greke?

Aty ku unë banoja quhej Kolonaq, lagje ku banonin aristokracia e Athinës, por unë nuk kisha marrë vesh se ku isha. Kur mësova më mirë gjuhën, kur vendasit më pyesnin nga isha dhe ku banoja, dhe u përgjigjesha në Kolonaq, me habi reagonin: “Bravo agori mu” (bravo miku im). Kisha gjetur një garsonierë të lirë në një bodrum pallati.

Komshinjtë e mi ishin Marusa, rreth të 60-ve, në njërin krah, dhe në krahun tjatër, Lica që bashkëjetonte me mikun tim. Një ditë më thotë: “Në fillim, Fili, do të qethesh, por në mënyrë moderne. Dhe së dyti duhet të bëjmë diçka që mos të prezantohesh si shqiptar, se banorët grekë të pallatit do të mbledhin firma e do të të zbojnë, dhe po u padite në polici rrezikon të të dëbojnë. Do prezantohesh si italian, i ardhur me punë në Athinë.

Ju shpëtoi identiteti i rremë nga “fshesat greke”?

Ramë dakord që Lica do të më prezantonte si italian nga Bari. Një moment i them që nuk e njoh gjuhën italiane. Kurse Lica ma kthen: “Mos u shqetëso miku im, askush nuk di italisht këtu. Por mendo për emrin që do të thërrasim.” I thashë se kisha dëshirë të quhem Filipo, e të thirrem shkurt Fili, siç thirrem edhe tani, nga Karafil, Fili.

Problemi ishte Marusa. Nuk duhej ta merrte vesh që isha shqiptar. Me Marusën na binte shpesh të pinim kafenë në oborrin e përbashkët. Unë gjithë kohës heshtja ose përdorja nga një fjalë greke me theks italisht. Pas kësaj sa herë hapja derën për në punë, Marusa dëgjonte bravën dhe dilte, më përshëndeste, më uronte punë të mbarë.

Edhe kur kthehesha vonë, me të ndjerë derën, fliste nga brenda “Fili, u ktheve?”, merrte përshëndetjen time “kalinihta” dhe pastaj flinte. Ditët kalonin, më bezdiste paraqitja si italian, pasi dhe shumë të njohur aty rrotull ose ishin shqiptarë ose arvanitas që flisnin shqipen e vjetër dhe doja të shkëmbeja dy fjalë shqip. Plasa.... Një mbasdite gjej Marusën në oborr. Më fton për kafe. Filluam muhabet kot, për motin, punën e lloj-lloj temash të parëndësishme.

Në një moment vendosa që t’ia them me greqishten e italianizuar: “Marusa, mikja ime, do të them diçka, por nuk do të më keqkuptosh. Dua të të them...që nuk e kam bërë me ndonjë qëllim të keq, por...unë nuk jam...” Nuk e mbarova fjalën kur ajo vuri dorën e saj mbi timen dhe më thotë: “E di, biri im, e di”. Kishte kohë që e dinte dhe nuk kishte dhënë asnjë shënjë për të mos më lënduar. Kjo është një nga ato historitë që më ka bërë shumë përshtypje në Kolonaqin aristokrat.

A të mungonte teatri?

Në verën e vitit 1995, në Athinë, unë punoja kamarier në barin “Rozalia”. Më kishte ardhur edhe familja. Kisha vendosur fëmijët në një tavolinë dhe aty ngjitur një çift që u kisha shërbyer më pyet: “Çfarë gjuhe është ajo që u fole fëmijëve?”. “Shqip” i them. Burrit i ndriti fytyra dhe tha ëmbël: “Sa e bukur qënka”. Në bisedë mësova se ai merrej pak me art. Pas disa ditësh më pyet i interesuar: “A të mungon teatri?”

“Më mungon –i them – por tani për tani duhet të mbijetojmë.”

Një mbasdite ai njeri më lë në dorë një numër. Vrapova te telefoni dhe në anën tjetër del pronari i një teatri. I mungonte një aktor dhe miku i tij i kishte thënë se unë mund të isha njeriu i përshtatshëm për ta zëvendësuar. Ishte qershor 2000. Kishin kaluar 6 vjet. Ky burrë fisnik dhe zemërmadh quhej Perikli Koroveshi, përfaqesues i të majtës greke, deputet, që kishte ngrënë shumë vite burg, për shkak se kishte dalë kundër Juntës ushtarake në Greqinë e Papadhopullit.

Edhe sot është deputet i SINASPIZMOIT - e majta e moderuar në Greqi. Mesa mora vesh më vonë, Perikliu ishte me origjinë shqiptare (arvanitase) dhe mund të ketë ndodhur edhe tek ai “thirrja e gjakut”. Edhe nga pamja ai të ngjan me një burrë nga Kosova apo nga Tropoja.

Më në fund këmba ime preku përsëri skenën e teatrit me një rol të dorës së dytë por qëndroja në skenë për 50 minuta. Pastaj vjen një rol në filmat grekë “Mirupafshim”,grek, “Brazilero”, role si joprotagonist, role të dyta në “Mbreti”, “Mali përpara” i cili në vitin 2008 mori pjesë në Festivalin e Selanikutdhe pret të dalë së afërmi në kinematë greke.

Me këtë rol emri juaj është lakuar për çmim, por që ju nuk mund të kandidoni, ashtu si asnjë aktor shqiptar që jeton prej vitesh në Greqi, që luan në një prodhim grek, pikërisht ngaqë nuk keni kombësi greke...

Është e vërtetë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një problem personal. Për të kandiduar për çmim në një festival grek duhet të kesh patjetër shtetësinë greke.

Është i njëjti problem si ai i parakalimit të nxënësve të shkëlqyer me flamurin grek?

Është pothuajse e njëjta gjë. Kjo është rregullore që asnjë grek me shtetësi shqiptare, pjesë e zonës etnike greke, nuk mund të konkurrojë se nuk ka shtetësinë greke. Kjo ngjarje, që unë ia thashë miqësisht një mikut tim dhe ai e bëri një shkrim, hapi polemikë në tetor- nëntor në gazetat kryesore të Athinës. Qëndrimi ka qenë pozitiv. Për të kuptuar mesazhin intelektual të shkrimeve po ju tregoj një detaj.

Më kërkojnë të prononcohem në shtyp rreth problemit dhe unë iu përgjigjem: “Ju lutem, nuk dua të merrem më me ngjarjen, jam lodhur. Më duket sikur është tepruar.”

E di si mu përgjigj: “Shiko, nuk është problemi se ti nuk më intereson si emigrant, por më shumë më intereson qytetërimi im. Nuk lejoj si gazetar, si qytetar, si intelektual, që në Greqinë e vitit 2008 të fyhet njeriu, t’i mohohen të drejtat. Lufta ime, detyra ime, është të përpiqem për ruajtjen e demokracisë të vendit tim.” Nuk kisha çfarë t’i thosha. Fola. Biseda me të me kujtoi edhe detyren time si aktor, si qytetar.

Nuk ndryshoi gjë por u ndjeva i mbështetur nga opinioni, aq sa ministri i Kulturës Greqisë premtoi, që në Parlament do të çohet një draft për të ndryshuar ligjin aktual. Pra, jam i kënaqur që kontribuova, për të ardhmen, për ata që do të vijnë pas meje, për fëmijët tanë.

Si i përjetuat ngjarjet e fundit në Greqi?

Tani banoj në Lagjen Eksarqia ku në të kaluarën ka qënë epiqëndra e rënies së diktaturës së Papadhopullit. Me të lidhet historia moderne e Greqisë. Këtu nisën ngjarjet e fundit, pas vrasjes së të riut 17-vjeçar Aleksadro Grigoropullos. Këtu, në mbrëmjen e sotme u plagos rëndë një polic.

Këtu, nga ku jemi tani, mund të shikosh lulet tek vendi ku u vra i riu dhe u plagos polici. Këtu, në krahun poshtë, është Politekniku, nga nisin për çdo vit protestat e rinisë në kujtim të dhunës së ushtruar në vitet ’70 ndaj shkëndisë për liri. Pra shkurt, jemi në zemër të ciklonit që është gati të shpërthejë edhe tani.

Vrasja e të riut ishte preteksti i nisjes së rebelimit, shkaqet janë edhe më të thella. Pas atyre skandaleve të Manastireve, të përfshirjes së klasës politike në afera korrupsioni, qëndrimi qytetar i bëri thirrje politikës: “Ndal, jo më”. Nga kjo ngjarje duhet të shqetësohet jo vetëm Greqia, por të gjitha vendet e Europës, veçanërish duhet tëshqetësohet Shqipëria, vendi im.

Nëse këtu thuhet se problemet janë tre herë të vështira, në vendin tim janë tridhjetë e tre herë më të vështira.

Është 4 janar, akoma në kohë për urimet e Vitit të Ri...

I uroj bashkëkombasve të mi mëndjekthjelltësi para zgjedhjeve të 2009-ës nga ku do të vendoset për rrugën që do të ndjekë vendi ynë në të ardhmen. Shqipëria përparoftë dhe shpresojmë në përsosjen e demokracisë që të mundësohet edhe rikthimi ynë në vendin që e duam e na merr malli aq shumë. U takofshim të gëzuar në Atdheun e përbashkët!

1 Komente

Kishin kaluar 6 vjet. Ky burrë fisnik dhe zemërmadh quhej Perikli Koroveshi, përfaqesues i të majtës greke, deputet, që kishte ngrënë shumë vite burg, për shkak se kishte dalë kundër Juntës ushtarake në Greqinë e Papadhopullit.

Edhe sot është deputet i SINASPIZMOIT - e majta e moderuar në Greqi. Mesa mora vesh më vonë, Perikliu ishte me origjinë shqiptare (arvanitase) dhe mund të ketë ndodhur edhe tek ai “thirrja e gjakut”. Edhe nga pamja ai të ngjan me një burrë nga Kosova apo nga Tropoja.

E njoh këtë njeri përmes televizorit. E dija që mund të kishte prejardhje shqiptare, po nuk isha i sigurt deri tani.

Është vërtet njeri i madh. Para disa muajsh kishte folur në parlament mbi vrasjet e extrakomunitarëve në përpjekje për të kaluar kufirin për të hyrë në BE. Pasi deklaroi se numri ishte shumë i madh për të dhënat e sotme i kërkon qeverisë të marrë masa.

Është anarkist i deklaruar, jeton në një shtëpi të thjeshtë në atë lagjen ku jeton edhe Karafili më duket. I ka zët policët. Madje tani deklaron i kënaqur që ka mundësi t'i vërë nën urdhra gjë që ia lejon përkatësia e vet sociale si deputet.

Një shprehje lapidar që ka thënë, kur e kishin marrë në polici ka qënë: Kur isha para policëve i pata frikë ata, po më shumë kisha frikë policin brenda vetes. Do duhet të vrasim policin që kemi brenda vetes.

I uroj suksese më tej Karafilit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).