Qesharakët

Një “fitore” e madhe është arritur për vendin tonë në fundvitin që lamë pas. Pas shumë ditëve, javëve, e muajve besimi të verbër tek njëri-tjetri tanimë udhëheqësit e PS dhe PD nuk ia kanë më besën njëri-tjetrit. Kështu, sa për hir të opinionit publik, i cili me varfërinë që e ka pushtuar, më shumë i ka sytë nga kutia ku dalin më shumë se reklamat, udhëheqësit, se sa nga gjeli i detit, PS dhe PD nuk i miratuan në kohë të ndryshme Ligjin për Prokurorinë dhe Kodin Zgjedhor, por në një ditë Ti më jep këtë mall, unë të jap këtë mallin tjetër. Në këtë rast malli janë ligjet, që nesër do të kenë të bëjnë me prokurorët, do të ketë të bëjnë me zgjedhësit, me ty, me mua. Sigurisht edhe me Berishën e Ramën. Ky pazar qesharak, i realizuar jo në ndonjë buzërrugë fshati, jo nga katundarët e rrëgjuar që s’e lëshojnë pulën pa e shitur me gjithë vezët që do të shtrohen pas dy vjetësh, u bë në mes të Tiranës, në mes të Kuvendit, nga ligjvënësit shqiptarë dhe në sy të së gjithë shqiptarëve. Pa më të voglin hezitim, pa më të voglën breje ndërgjegje, pa skuqje e pa turp. Ata i dhanë, këta e blenë. Nuk kishte kohë për veresie. Ishin harruar rrahjet e shpatullave pas zezonës së Gërdecit dhe më pas ndryshimi “historik” i Kushtetutës (këtu kishte besim, kishte veresie; merr fillimisht rrahjen e shpatullave, jep më pas kodin spanjoll), ishin harruar gjasme kërcënimet e ndërsjella, sepse në Kuvend ishte radha e votimit të bashkimit të madh, natyrisht për Shqipërinë, për reformat dhe për integrimin. Ishin harruar deklaratat e zëshme për ligjin e prokurorisë, se si ai ligj shkatërronte drejtësinë, mbyllte pavarësinë dhe sillte arrogancën dhe presionin. Pa treguar mirë se ku u ndryshua ky ligj, u nxituan ta votonin, ta blinin, ta shkëmbenin me mallin tjetër, kodin zgjedhor, që besojnë se aq shumë u hyn në punë.
Ligji për prokurorinë e bën Berishën dhe të tijtë shumë herë më të fortë. Përse një prokuror, sado i ndërgjegjshëm të ketë qenë deri tani, sado shumë ta dojë dhe dëshirojë të drejtën, sado të jetë i përkushtuar karshi shtetit, do të duhej të çonte veten dhe familjen drejt një lloj sakrifikimi, kur asnjë nga pushtetet politike në këtë vend, nuk bën ndaj tij as kujdesin mbrojtës më të vogël. Përse ky prokuror do të duhet të ndeshet edhe me dhunën e kartonit të maxhorancës dhe opozitës, marrë së bashku. Ai natyrshëm do të zgjedhë pajtimin me të keqen, ashtu si kanë bërë edhe shumë e shumë institucione të tjera. Dhe pas kësaj, e keqja do të jetë e institucionalizuar në Shqipëri, me votat konsesuale të Ramës dhe Berishës. I pari shkatërron gjithë balancën e institucioneve, duke i dhënë Berishës atë fuqi që ai nuk e mori nga shqiptarët në ’94, kur ishte në kulmin e pushtetit të tij, dhe duke përfituar vetëm në letër dhe në mendjen e këshilltarëve të tij fitoren absolute në zgjedhje, ose shkatërrimin e ish-aleatëve, apo edhe të aleatëve aktualë; I dyti shkatërron gjithë Shqipërinë dhe nuk i jep llogari askujt, fal vetëm një kod, që në fakt e ka sërish të tijin  për të kënaqur sytë e errësuar të gjasmekundërshtarit dhe bëhet i shumëpushtetshëm, në të gjitha aspektet, së fundmi duke siguruar edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë se nuk do të mund të preken dot nga asnjë hetim.
Këtu nuk kemi as politikë të re, as politikë të vjetër. Kemi dy matrapazë, që po japin e po marrin me njëri-tjetrin, që po shesin e po blejnë nën tavolinë, ndërsa mbi tavolinën e mikrofonave flasin për ndryshimet e mëdha, për pataten që do bëhet sa bostani kur të fitojnë ata, për rrugët që u bënë me Frymën e Shenjtë e për të tjera si puna e Gërdecit që mund t’i ndodhte kujtdo.
Këtu thjesht është bërë një pazar i rëndomtë, që do të shitet si konsensus i madh, e padiskutueshme kjo. Rama ka mbyllur sytë për prokurorët, Berisha nuk qeshi më me kodin zgjedhor. Dhe të dy, ia dorëzuan “armën” njëri-tjetrit në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, sepse nuk i kanë më besë njëri-tjetrit. (Apo ndoshta e njohin aq mirë tjetrin sa të mos i kenë më besë?!) Kush do të dalë i fituar nga ky pazar? Ndokush mund të thotë ai me fatin e budallait (sepse në këto pazare politike të urgjencës, s’ka fillestar&eumlsmiley, ndokush tregtari më i zgjuar, por ndokush mund të dyshojë se pazari i fundit i këtij viti mes të dyve, mund t’i nxjerrë bashkërisht të humbur.
Gjithsesi, ata nesër do të na përshëndesin nga ekranet sërish,  me mendimin e kthjellët se nuk janë bërë qesharakë, e se shqiptarët do të vijojnë me durimin që i karakterizon, të dëgjojnë ofertat e reja të ardhura nga dialogët dhe monologët e Ramës dhe Berishës.

1 Komente

Shitja e Rames tek Berisha tregon se zgjedhjet e 2009 do te jene me te mirat e bera ndonjehere ne Shqiperi; Kjo per faktin se ne Shqiperi zgjedhjet jane kontestuar tradicionalisht nga Opozita e cila humbte. Ne kete rast, do te duket sa e veshite dhe po aq qesharake  nese Rama do te humbase ne qershor dhe do te kontestoje zgjedhjet ! Ky do te jete kulmi ! sepse atehere LSI do t'i kthehet e do t'i thote se ishte Rama  ai qe u shit tek Berisha per 30 aspra dhe se ai mban pergjegjesi per "katrahuren" e zgjedhjeve ...

Atehere ka 2 rrugedalje : ose PS fiton zgjedhjet, dhe s'ndihet shume - atehere do te ndihet LSi, te cilesh automatikisht do t'i preken interesat; Ose Rama humbet dhe iken me bisht nder shale, siç thote populli, sepse ai s'do te kete me as sy e as faqé per te dale publikisht e te shaje Berishen per zgjedhjet, njeriun me te cilin e gatoji kete sistem zgjedhor ...

Prandaj, ne rast problemesh zgjedhore, paradoksalisht dhe per here te pare ne bote, pergjegjese do te jete Opozita e cili s'diti/s'deshi/ te mbronte interesat e veta

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).