Poezi

Prej hiri të kuq
Dhimbja flet shkurt
rrallë e më rrallë.

Mavjosur në vargje
lëngu i vrertë i saj.

Rit’i lashtë i vargëzimit
hedh gjithçka në zjarr.

Humbjen përgjoj,

                           vetëm
ngazëllim i mbyllur,
                           i heshtur.

 

Hiri, në fund të vetes hiri
në të kuqe të ndezur.

 

 

Gjysmë dënesë, gjysmë e qeshur

Oh ky shkrim,
mpiksje dënese
e thatë,
e tmerrtë,
e patretshme.
Këndojnë në mish të therura të mprehta,
maja thike drejtuar nga vetja.
Shtrëngoj në mbidurim
krahët e mi të prerë,
Shqisa thellë kërkon
hajmalitë e fjalëve
oh thelbi i tyre i zbrazur,
o pafajësi sterile!
Kokrra të çuditshme në lëkurë,
kokrra dënese
shpërthejnë
në të qeshura sizmike.

Flutur uji

 Flutura le dritë në kthinat e brishta

asgjë më nuk i rikthen pafajësinë.
Zemra tundohet më  lehtë
helmi shket i pandjeshëm
Ajo është e bukur tek hyn
si prej vese
n’ajrin
e ftohtë,
flatron lehtë…
Bota ime e dredh.
Bie në gotën e ujit,
ethshëm pij pa e menduar.
Fluturat më ledhatojnë fytin
                                        lumturisht.
Zëri im bëhet fluturim’ i saj.

 

Ëndërr toke

 
Anije e gjelbër ujërash të bardha,
të pushton agimi,
të dredhin tërmete të thellë…
të regëtijnë velat
në tokën e çelur, të pamatë,
ku ti, ëndërron të nisesh.

 
Vetëm njëherë

 
Do jetë e njëjta gjë,
njeri që udhën pret
të shtrohet.
Si të presësh një çast,
si të presësh një jetë,
një herë të vetme
do nisesh vërtet!

 

Ora e këngës së natës

Oshëtijnë,
kremtojnë e gremisen.
Janë thirrje të largëta.
Është ora e këngës së natës.
Me zërin e saj,
ajo thith gjakun tim,
por ka tingullin
më të ëmbël
nga të gjithë zërat.
 

Përsëri duke ujitur terr.
Mes bregut të fjetur të saj,
yjet rrinë pezull
si të mbyturit e vetëm.
Hijet mbrehin kuajt e mungesës,
pluhuri i nisjes ngrihet në re.
 

Kur era hesht e udhët fshihen.

Trishtim, vetmia. I sillen rrotull zogj
të murrmë e bien trullosur në pellg të kujtimit.
Zbrazëti, vetmia. Të gjitha orët shënojnë

të njëjtën orë, ndërsa nata me natë ndërrohet.
Pa kthim vetmia, një nisje që nuk di
kur ka zënë fill. Era i prin të përparojë.

Gëzim i një zëri të qartë brenda marrëzisë;
vetmia ime – plotërinë drejt meje synon.

 
Lëngim i pavaj…

 Një fije dritë mes hijeve.
Lëngim i pavaj.
Mërgim monoton
në përhumbje
të panatyrshme.
Heshtje,
n’atë dehje lulëkuqesh.
O gjumë
i lidhur me leshrat e hireve
në mërmërimat e gumave,
ku prehet fjalëfryma ime
lehonë;
pas të mëndurave të hirta të agsholit
a pas djersitjeve të shkrumbit!
 

Grua

Humnerë,
unë ty të avitem përherë
sepse je një grua, si unë.

 Kur të mbështetet qielli në bark,
yjet të mbushin cit me parandjenja.

Tek të shoh aq të qetë,
të përhershme,
s’më duhet të mbështetem tek ti,
as t’i ankohem gjithësisë
për gratë që sillen si humnera.

E di, trupi i një gruaje
është plot luspa e gjembakur ajo nuk do.

E di, shpirt i një gruaje
ju ngjan me brumë lotësh e gjaku,
humbisni teksa futni duart për t’i dhënë formë.

E di?
Ajo – gruaja,
në bark përzien ujë dhe rrufe,
në buzë ka ëndrra, në qumësht zemrën
kurse me duar i jep formë gjithçkaje.

5 Komente

Shume bukur, mariklena...

"Gjysem denese, gjysem e qeshur" dhe titulli "Kur era hesht e udhet fshihen" - bukur.

Dhimbja flet shkurt
rrallë e më rrallë.

Mavjosur në vargje
lëngu i vrertë i saj

  besoj ne mirkuptimin e autores per t'iu drejtuar emigrantit,me komentin tim .

***

 

Nga ky cikli  vecoj si me te mirat  "Ora e kenges se nates" "...kur udhet fshihen" do te qe nje poezi e mundshme nese nuk do ishte perseritur  ne nje poezi (te shkurter) 4 here fjala "vetmia" e cila e kthen poezine ne nje monotoni.... te panevoje.  Ndersa vargu era prin te perparoje-per mua poetikisht (dhe jo vetem poetikisht , nuk ben sens).

lengim i pavaj eshte poezi e perfillshme. Por qe duket sikur vazhdon panevoje tek poezia "grua" .  Zgjedhja e fjaleve , vendosa e vargjeve njeri nen tjetrin ndonje here  humbasin komunikimin. Nderkohe qe  njera poezi vazdhon tek tjetra duke e spjeguar te paren. (gje kjo qe nuk duhet te ndodhe)

Vargjet shpesh humbasin komunikimin me njeri tjetrin, lexuesi humb komunikimin me poezine. Ne disa raste disa prej vargjeve vijne si deklarata, te shkeputura nga teresia e poetikes.

....

Nese autoria eshte ne fillimet e saj, i uroj... duke besuar ne ate c'ka premton (pretendon).

Ndonese vargjet vijne si te ngjeshura, ka midis tyre  hapsira  boshe pafund. 

Vargjet e bukura "metafora" mbtet jetime nga vargu pasues.

(fjala mish, perseritet shpesh ne te dy ciklet- dhe  mua me tingellon si fjale e keqe, fjala mish, fjala therje, fjala gjak,)

... megjitheate ka mungese te theksuar kominikimi  kjo lloji poezie qe rednim ta quajme rendom "hermetike"

elinda

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).