Planifikimi i kaosit

Prof. Dr. Artan Fuga
(Anëtar i Akademisë së Shkencave)
Mentor Nazarko
Drejtor i revistes

Planifikimi i kaosit

Është kënaqësi e veçantë që bashkë me paraqitjen para publikut të numurit të dytë të revistës "Gjeopolitika" që sapo doli në qarkullim me titull "Territori në fokus", të diskutojmë edhe për projekt – ligjin e përgatitur nga ministria e punëve publike lidhur me rregullimin e territorit.
Teksti i projekt - ligjit për rregullimin e territorit ka ardhur vazhdimisht në përmirësim. Këtë e kemi ndjekur nëpërmjet konsultimit të herëpashershëm të tij në faqen elektronike të ministrisë së punëve publike apo reflektimit të këtij debati në media. Ndjesia e mirë që merr në këto raste është se nëpunësit dhe specialistët e ngarkuar me këtë punë kanë qenë me siguri të hapur ndaj vërejtjeve dhe sugjerimeve që të tjerët iu kanë bërë, shprehje kjo si e një etike profesionale të lartë, ashtu edhe e një kompetence të sigurt në lëmin që ata veprojnë.
Na ka interesuar ky projekt – ligj jo vetëm si qytetarë të kujdesur për të pasur një hapësirë territoriale dhe të banuar sipas kritereve moderne. Larg shkatërrimeve dhe kaosit të sotëm urban që vjen kryesisht nga mbivendosja e presionit të interesave egoiste të aktorëve financiarë mbi nëpunësit dhe vendimmarrësit lokalë që paguhen nga shoqëria dhe komunitetet lokale për të mbrojtur dhe zhvilluar të mirën publike. Por edhe për dy arsye te tjera profesionale.
Së pari, kemi qenë të interesuar si redaksi e revistës shkencore "Gjeopolitika", e cila në fokusin e vet mban marrëdhëniet e gjera dhe të ndërlikuara midis politikës dhe hapësirave gjeografike e territoreve administrative e politike dhe e ndjek këtë problematikë me vëmendje të veçantë.
Së dyti, për shkak se qysh përpara dy a tre vjetësh thotë Profesor Fuga "kam marrë pjesë në një grup studiuesish për të shqyrtuar problematikat e urbanizimit në zonën turistike Durrës – Kavajë."
Vë re me kënaqësi se disa nga shqetësimet themelore që ne ngrinim në atë kohë në studimin tonë, botuar sot pjesërisht në faqet e numurit të dytë të revistës "Gjeopolitika" që promovojmë, gjejnë përgjigje në formulimet që ky tekst projekt – ligji bën sot. Për të mos u zgjatur shumë do të ndaleshim në disa nga elementet që na interesojnë më shumë.
Së pari, kombinimi i interesit kombëtar që sigurohet nga autoritetet kombëtare te planifikimit të territorit, me autonominë vendim-marrëse të pushtetit vendor. Pra kombinimi i kompetencave të autoritetit publik qendror dhe demokracisë vendore, çka eshte një problem shume i rëndësishëm dhe që ka marrë zgjidhje te ndryshme në vende të ndryshme të Balkanit dhe më gjerë, zgjidhje që shpesh rezultojnë problematike për bashkësitë lokale dhe minoritet etnike dhe kombëtare. E theksojmë këtë aspekt sepse nga studimi ynë, na rezultonte atëhere se megjithë avantazhet e pamohueshme, demokracia vendore, nën presionin elektoralist dhe të grupimeve të fuqishme të interesit, nuk ka qenë në gjendje, në nivel komunash së paku, t'i qendrojë korrekt politikave bashkëkohore të rregullimit dhe planifikimit territorial. Ky është një mendim që qarkullon fort edhe në leteraturën e sotme perëndimore. Interesi i komunitetit të ngushtë qytetar mund të vihet lehtësisht në kundërshtim të hapur me interesat e kombit dhe me kriteret standarde të mbrojtjes dhe zhvillimit të burimeve natyrore, kulturore dhe ekonomike me rëndësi kombëtare. Këtë aspekt thelbësor ekuilibrimi projekt – ligji e ka zgjidhur drejt.
Së dyti, ajo çka na ka interesuar në këtë aspekt lidhet me garantimin e kompetencave të qarkut në planifikimin dhe rregullimin e territorit. Ka qenë fare evidente për ne gjatë studimit në fjalë se ka ardhur koha që të ketë një përputhje sa më të saktë midis kufijve të një zone të gjerë gjeografike dhe territorit administrativ. Sikurse ka mëse njëqind vjet që këmbëngulet nga autorët më në zë në këtë fushë, çdo shpërputhje midis këtyre dy hapësirave, sikurse shprehet fort mjeshtri i Shkollës së Cikagos, Luis Ëirth, (i rimarrë në faqet e numurit të dytë të revistës son&eumlsmiley krijon pengesa në dinamikat e zhvillimit, prodhon korrupsion dhe shkatërrime të burimeve dhe pasurive natyrore. Qarku është sigurisht më afër konceptimit dhe zgjidhjes së disa problemeve të mprehta të rregullimit territorial në unitetin e një zone gjeografike sesa të gjitha komunat dhe bashkitë e marra veç e veç e që shtrihen në territorin e tij. Kjo hallkë e dytë e vendimmarrësve është jetike për rregullimin e territorit dhe e përshëndes që rikonfirmohet në këtë projekt - ligj.
Së treti, projekt – ligji jep zgjidhje të vendosura për pjesëmarrjen e publikut, të qytetarëve dhe të aktorëve të interesit në konsultimin e politikave dhe vendimmarrjeve të autoriteteve përkatëse lidhur me rregullimin e territorit. Masat e parashikuara normativisht lidhur me këtë gjë iu japin fund në planin ligjor spektakleve mediatike ku kjo proçedurë kaq e rëndësishme në planin politik zëvendësohet nga mbledhje me miltantë apo me pensionistë të rastësishëm. Qytetari ka vend të vihet në qendër të politikave të komunikimit dhe të transparencës vendimmarëse jo si individ i zhytur në një masë anonime njerëzish, por si aktor interesash krejt të përcaktuara.
Së katërti, është me shumë vlera që territori në këtë projekt – ligj nuk është parë thjesht si hapësirë dy-dimensionale, por shumë më gjerë sesa kaq, pra edhe si një hapësirë simbolike vlerash shpirtërore dhe kulturore, edhe si burim pasurish natyrore, edhe për vlerat turistike, sikurse përmbledh edhe dimensionin e tretë të hapësirës, lartësinë, që gjykoj se mbërthen në vetvete të gjitha krizat e marrëdhënieve midis hapësirës dhe shoqërisë, e bashkë me të problematikën e nivelit të pastërtisë së ajrit, të zhurmave, sikurse e trajton territorin edhe si peisazh, etj. Humbja e vëmendjes ndaj problemeve të mprehta të lartësisë e bën të dështuar edhe planin më të mirë rregullues për territorin si shtrirje dy-dimensionale. Ky kuptim i gjerë është i domosodoshëm për t'u mbajtur parasysh në zbatimin e këtij ligji.
Ai i shpëton gjithashtu trajtimit të gabuar që bazohet te ngatërrimi kaq i përhapur në të folurit publik te ne midis hapësirës rurale dhe zonave bujqësore. Sikurse e trajton me kompetencë studiuesi i sotëm Marsel Jollivet, i rimarrë edhe në faqet e këtij numuri të revistës, me pëlqimin e vet, thjeshtësimi i hapësirës rurale dhe trajtimi i saj thjesht si hapësirë bujqësore, do të ishte ekonomikisht një proçedurë administrimi katastrofike për ekonominë e sotme.
Sidoqoftë, nuk mund të mos përfundojmë duke shprehur shqetësimin e një rreziku eventual, i cili mund të kërcënojë vendimmarësit lokalë gjatë zbatimit të këtij ligji të ardhshëm. Ka dy mënyra për t'a zbatuar një ligj apo një normë. Mënyra e parë është për t'a zbatuar mbi një realitet që tanimë ekziston. Mënyra e dytë, ka të bëjë me strategjinë për t'a zbatuar duke pasur parasysh një perspektivë tjetër nga ajo që na shfaq shpesh brutalisht realiteti i sotëm. Nëse këtë ligj, që e konsideroj shumë pozitiv, vendimarrësit do t'a zbatojnë brenda logjikave që na imponohen sot në planin demografik dhe urbanistik, atëhere, pavarësisht përmbajtjes së vlerësueshme të tij, me të nuk do të bëjmë tjetër veçse do të planifikojmë kaosin, do të legjitimojmë kaosin e sotëm demografik dhe urbanistik. Do të ndodhemi përpara atij fenomeni të dhimbshëm që në logjikat e shkencave sociale e quajmë "racionalizim i absurdes".
Cdo standardizim racional ligjor i një situate reale kaotike, të ndërtuar keq, nuk jep veçse rezultate perverse duke legjitimuar një realitet që në fakt nuk duhet legjitimuar, por ndryshuar, transformuar.
E themi këtë sepse prej mëse njëzet vitesh ne ndodhemi përpara një proçesi kaotik, i cili ka ardhur edhe si pasojë e shpërpjestimeve demografike e ekonomike kolosale të kohës së totalitarizmit, edhe si pasojë e ligjit përvers për tokën, edhe si pasojë e mungesës së shtetit për periudha pak a shumë të gjata që e kthyen vendin në gjendje natyrore për ditë e muaj e vite të tëra, edhe si pasojë e keqkuptimit kulturor për jetën urbane të ngulitur në mendjen e popullsisë rurale, mbijetuar me vite në kushte të rënda jetësore.
Sikurse e parashikon studiuesi amerikan Ezra Park, një referencë e padiskutueshme e mendimit sociologjik dhe filozofik mbi hapësirat sociale, për rrjedhojë, ne ndodhemi përpara faktit të grumbullimeve demografike që iu ngjanë "bashkësive vegjetative". Kjo ka të bëjë me një ngulje të popullsive në hapësira shumë të ngushta urbane, pak a shumë me të njejtin nivel popullsie si ato të Rripit të Gazës në Palestinë,çka sjell dy pasoja të rënda negative. Së pari, ngushtimin e frymëmarrjes në hapësirat urbane rreth qyteteve të mëdha kryesisht në zonën Tiranë – Durrës dhe prodhon atje tension social dhe kulturor, përpos problemeve ambientaliste. Cfarë i ka bërë pothuajse të pajetueshme kushtet njerëzore atje.
Njohim me dhjetra e dhjetra individë të elitës kulturore që po i largohen qytetit të Tiranës për të jetuar jashtë tij. Është fillimi i një proçesi që më vonë do të marrë me vete mijëra njerëz. Dhe këta janë individë me kërkesa të larta, të cilat pas njëzet a tridhjet vjetësh do të t'i ketë shumica e qytetarëve. Nuk mund të urbanizohen qytetet me shijet e popullsisë rurale të sapoardhur në qytete dhe me kërkesat e saj, ndërkohë që ajo, me meritë e me të drejtë, sapo i ka shpëtuar "baltës" ku e kishin pas detyruar të jetonte. Së dyti, braktisjen e territoreve kombëtare nga popullsia që ka sjellë dëme të pallogaritshme ekonomike, natyrore dhe të pasurive të kombit. Nëse ne do të urbanizojmë apo planifikojmë rregullimin e territorit mbi këtë bazë përqendrimesh demografike të sotme, kaotike, gjendjeje natyrore e vegjetative komunitesh që instinktivisht mblidhen në zona të përqendruara për t'u mbrojtuar, thjesht për të mbijetuar, ne do të jemi jo vetëm në kundërshtim me interesat e brezave të rinj të nesërm që do të lindin mbi bazën e realiteve urbane, pra me kërkesa të reja, por edhe në kundërshtim me rentabilitetin ekonomik kombëtar, apo me vetë atë që po ndodh sot në shoqëritë perëndimore, pra me ripopullimin e hapësirave rurale. Nuk do të bënim tjetër veçse do të "racionalizonim kaosin" dhe duke bashkuar normën ligjore racionale me kaosin real nuk do të prodhonim veçse efekte perverse e absurde që do t'i vuajmë për një kohë shumë të gjatë. Mos të harrojmë se sotpërsot popullsia po zhvendoset paradoksalisht dhe përkohësisht në kahje të kundërt me mundësitë e punësimit dhe të burimeve natyrore. Po shkon drejt zonave të papunësisë dhe të një bote virtuale. Kjo kundërshti do të jetë burim krizash ekonomike dhe financiare afatgjata që sot amortizohen nga faktorë të tjerë me veprim të përkohshëm.
Në të kundërt, na duhet që këtë ligj për rregullimin e territorit t'a zbatojnë brenda strategjive afatgjata të një përqasjeje krejt tjetër të marrëdhënieve të ardhshme midis popullsisë dhe territorit dhe modeleve ekonomike të së ardhmes.
Këto analiza e shqetësime do t'i gjeni të zhvilluara në numurin e dytë të revistës "Gjeopolitika" me titull "Territori në Fokus". Ishte një kënaqësi që në këtë numër bashkëpunuam me Donika Capin e Universitetit Marin Barleti që prezanton në këtë numër një ese mbresëlënëse, apo me Dr. Besnik Aliajn e Universitetit Polis, autor i një libri themelor mbi kapitalizmin informal shqiptar dhe pasojat e tij në territor, Artan Hoxhën e Institutit Bashkëkohor që me ekspertizën e vet ka lënë gjurmë në shumë ligje apo projektligje akoma në diskutim dhe Artan Lamen, një njohës i apasionuar i problemeve të territorit dhe me cilësinë e funksionarit publik.

 

5 Komente

Tema themelore per zhvillimin e vendit. Shkrim shume i mire. Shkrimi bie nga nje shprehje ne te si e nje politikani te rendomet: 

"Nuk mund të urbanizohen qytetet me shijet e popullsisë rurale të sapoardhur në qytete dhe me kërkesat e saj, ndërkohë që ajo, me meritë e me të drejtë, sapo i ka shpëtuar "baltës" ku e kishin pas detyruar të jetonte."

Pra procesi i  cvendosjes kaotike qenka i drejte madje kaos pruresit paskan merite ne kete proces.

Shyqyr qe po vihet rregull ne ate kaos ndertimesh aty. Mendoj se ndertimet ne plazhin e Durrsit, duhet te nderpriten, te mos jepen me leje ndertimi aty, boll jane ndertuar aty, dhe se investitoret duhen drejtuar me ne veri, pas Currilave.  

Dakord...kur te mbaroj shpia ime atje...pastaj mos lejoni me asnje ndertim smiley

U tha dhe u be Pjer.

-------

Artikulli ne nivel shume me te larte se "analizat' qe jemi mesuar te lexojme ne shtypin e diertanishem...por gjithsesi me duket pak si ne "vakum" kur mundohet te mati nepermjet 'elites kulturore Shqiptare"...dhe kur flet per nje "realitet demografik"...qe..qe duhet kundershtuar??

Dakord me 90% te artkullit...po si mund te kundershtosh...realitetin demografik? Artikullshkruesi flet shume ne abstrakt kur mundhet te arsyetoj se faji eshte i te ardhurve qe kan sjell kaos dhe se zhvillimi i ri duhet bere duke...ndryshuar realitetin demografik qe ka perqendurar popullsine ne Tirane-Durres.

S'ma mbush mendjen kollaj...se une nuk njof ndonje mekanizem qe te ndryshosh...realitetin...pervec kerpudhave te ndonje tipi qe mbase dhe nuk rriten ne Shqiperi....ose metodat e Xhaxhit Enver. Po metodat e Xhaxhit enver nuk i ndjekim me...sot ka levizje te lire demografike...dhe s'e vendos as ligji dhe as Maliqi kte pune por tregu i lire.

Zgjidhja gjithnje duhet filluar nga pranimi i realitetit...dhe te nisesh NGA realiteti...jo kundra tij.

Pak "elitar" qendrimi...

 Mbaroje shpejt, para veres. Mos nis tjeter, se ka per ta fshire qeveria e re, pas korrikut 2009.

Ohu...ngjit me vilen e Edvinit eshte smiley S'e kam merakun ke qiveria e re jo

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).