Peshku i Qerretit dhe pilotet koreane

1. Një miku tim i ndodh e njëjta ngjarje, gati si në një film surrealist. Në fundjavë niset nga apartamenti i tij në Golem, nëpër plazh, për të mbërritur te peshkatarët e Qerretit. Nuk niset as herët, se e di që në mungesë të varkave me motor, peshkatarëve do t‘u marrë më shumë kohë tërheqja e rrjetave. Nuk niset as vonë, se e di që posa të mbërrijë peshku, do të blihet nga njerëzit si ai, që do ta shijojnë jo vetëm freskinë e peshkut të porsanxjerrë, por edhe një ndjenjë luksi tropikal që e ka ta blesh nga vetë peshkatari aty në plazh.

Mbërrin tamam më kohë, ndoshta i dyti a i treti në radhë. Ndërsa peshku nxirret nga rrjeta dhe hidhet në enët e plastikës, rrugë e shkurtër dhe e ndërmjetme për në kandar dhe ndërsa ai mendon se duhet t‘i ketë ardhur radha e të shqiptojë: "Të lutem, mund të më japësh...", peshku ka mbaruar.

"Ndërsa pres dhe tashmë kam veçuar me sy se cili do të më konvenonte, hyn herë njëri e herë tjetri jashtë radhe dhe e marrin peshkun pa pyetur pronarin, japin në fillim paratë e pastaj e matin, saora bëhet rrëmujë e në fund të asaj rrëmuje mbes unë pa peshk, duke i thënë peshkatarit që isha ndër të parët që prisja të blej".

Dhe kthehet, në ritualin e tij të fundjavës, duarthatë në shtëpi.

2. Kisha prej kohësh këtë pamje të mikut tim në kokë, dhe pamja gjeti vendin e vet ndërsa lexoja njërin prej librave më të çmuar të vitit 2008 në Amerikë, "Të veçuarit" ("Outliers&quotsmiley të Malcolm Gladwell (Little, Brown and Company, New York, 2008). Në të, autori në një analizë brilante rrëfen për njerëzit e suksesshëm të kësaj bote, duke mbështetur një vijë bazike teorike, e ajo është se suksesin nuk e determinon aq inteligjenca apo talenti (ndonëse domosdo të nevojshëm), se sa kontekstet e ndryshme ambientale, për shembull ai i kohës.

Pse janë 40 për qind e lojtarëve elitarë të hokejit në Çeki, sport kombëtar në këtë shtet, të lindur mes janarit dhe marsit? Për shkak të mënyrës së rekrutimit: kur hyjnë në ekipet e pionierëve, këtë e bëjnë në moshën nëntëvjeçare. Nëntëvjeçari i lindur në janar është më i rritur me trup, ka më shumë aftësi fizike sesa nëntëvjeçari mesatar i lindur në nëntor apo dhjetor. Atij që është më i përgatitur fizikisht, trajneri i përkushton më shumë kujdes, duke përfshirë trajnim plotësues dhe kur përfundon cikli i garave në kategorinë e pionierëve, sportisti i lindur në janar tashmë ka krijuar një avantazh të quajtur "akumulues", që bëhet "profeci e vetëpërmbushur", d.m.th. që fëmijët e janarit janë hokeistë më të mirë se ata të tetorit a nëntorit.

Konteksti kohor ka funksionuar fillimisht edhe për Bill Gates-in, themeluesin e "Microsoft"-it. Më 1968-ën, kur pakkush kishte dëgjuar për kompjuterë, ai kishte pasur akses në terminalin e një kompjuteri në shtetin e Uashingtonit, duke qenë nxënës gjimnazi. Për më tepër, autori në bazë të Gates-it, nxjerr edhe një konkluzion tjetër për kontekstin kohor: viti ideal i lindjes për të qenë i veçantë në fushën e kompjuterëve ka qenë 1955, viti i lindjes së Gates-it. I ekspozuar ndaj gjuhëve programuese kompjuterike në moshën 13-vjeçare, ai kishte krijuar përparësi të jashtëzakonshme ("akumuluese&quotsmiley që do t‘i krijonin mundësi inovacioni.

3. Megjithatë, as këto përparësi akumuluese nuk mjaftojnë. Në rastin e Gates-it, konteksti shoqëror ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm. I rritur në një familje të kamur, në shkollën e tij të mesme ishin nënat ato që mblodhën paratë vullnetarisht që gjimnazi të kishte akses kompjuterik.

Por, as ky kontekst shoqëror nuk mjafton, thotë autori. Mbrapa çdo suksesi fshihet një punë e madhe, apo siç dëshiron të shprehet ai, mbi dhjetë mijë orë përvojë praktike. Gates, në momentin kur kishte braktisur studimet në vitin e dytë të fakultetit, tashmë kishte krijuar një përvojë dhjetëmijëorëshe, duke punuar në orët e vona, para agut, ndërsa terminali kompjuterik i gjimnazit rrinte i papërdorur.

Rastësia duhet të përcillet me punën, nënvizon Gladwell, duke marrë një shembull tjetër, në një lëmi krejtësisht tjetër. Grupi "The Beatles" arriti piedestalin muzikor për shkak të një rastësie. Në Hamburg, limanin e rëndësishëm gjerman, të njohur me zonën e bareve dhe prostitutave, hyri në modë muzika e grupeve të muzikës ‘jazz‘ dhe ‘rock‘. Klubet e natës (të cilat punonin edhe ditën) kishin nevojë për zbavitje muzikore, dhe detarët e Hamburgut kishin vënë kontakt me kolegët e tyre të portit të Liverpool-it në Britani. Kur lindi grupi "The Beatles" në këtë port anglez, ai u angazhua në njërin prej bareve të Hamburgut, 8 orë në ditë, 7 ditë në javë, për mbi tetë muaj rresht.

Në momentin kur mbërritën famën, "The Beatles" kishin rrahur tashmë shtegun e 10 mijë orëve praktike.

4. Miku im i peshkut, megjithatë, më ra në mend kur u përmendën pilotët koreanë, dhe rekordi i tyre i zezë i rrëzimit të aeroplanëve të udhëtarëve.

Gladwell i hyri një analize të arsyes pse "Korean Airlines" kishte rekordin e rënies së avionëve gjatë disa viteve me radhë, dhe në fund analiza doli kulturologjike. Në traditën koreane (si dhe të shumë popujve të Lindjes së Largët) ekzistojnë shumë nuanca në komunikim mes shtresave të ndryshme shoqërore. Në gjuhën koreane ekzistojnë shtatë rrafshe të ndryshme komunikimi, varësisht prej statusit shoqëror, dhe kjo u manifestua edhe në bordin e avionit, ku i subordinuari nuk mund të komunikonte me pilotin në adresim të drejtpërdrejtë, siç e kërkon natyra e punës. Në vend që të flitej, për shembull, se pritet një valë shiu, do të përshkruhej se si meteorologët po e ndihmojnë këtë rrugëtim. Dhe rezultati i kësaj aviokompanie, pas një investigimi të thellë, ishte se avionët po rrëzoheshin për shkak të konfliktit kulturor, mes traditës së të shprehurit te koreanët, dhe nevojës së drejtpërsëdrejti të të folurit në anglishten komanduese të pilotëve (problemi u zgjidh me një trajnim të pilotëve në anglishte komanduese).

Ku hyn miku im i Golemit?

Sikundër koreanët, ai solli në konkurrencën për peshk një traditë tjetër kulturore, atë të pritjes në radhë, dhe kërkesës me "të lutem...". Në atë zallahi, javë për javë, do të mbetej dhe mbetet ende pa peshk.

Por, kjo e peshkut, në fakt, mbindërtohet me një metaforë më të analizuar nga autori. Gladwell i hyn statistikës së vrasjeve në një regjion të prapambetur të Kentucky-t, dhe arrin në konkludim çfarë kanë mundur të mbërrijnë analistët në Kosovë a Shqipëri gjatë dhjetë viteve të kaluara; shumica sish janë vrasje që nuk kanë të bëjnë me përfitim material. Në Kentucky, në fund të shekullit XIX, në Sicili apo hapësirën shqiptare (në sensin etnogjeografik të fjalës), kemi të bëjmë me "kulturën e nderit", d.m.th. ku vrasja bëhet për ta mbrojtur "emrin dhe nderin personal apo të familjes", paçka që e tëra, si në Kentucky, ashtu edhe në Kosovë, mund të ketë filluar, ashtu si filloi, kur një lopë hyri në bahçen e komshiut dhe shkeli mbi zarzavate. Dhe, si në Kentucky ashtu edhe në Kosovë, pengimin e vrasjeve të reja nuk do ta bënte rendi dhe ligji, por frika nga ndëshkimi kthyes i familjes së viktimizuar.

Me një kthim retrospektiv etnografik, Gladwell citon analizën, sipas së cilës në Kentucky janë vendosur fillimisht emigrantët nga kufiri skocez-irlandez, njerëz që nuk kishin pasur tokë pune dhe që mbijetonin si blegtorë. Me të arritur në Amerikë, përsëritën ambientin e tyre të lënë pas, duke vazhduar traditën blegtorale, përfshirë edhe traditën kulturore, të dhunës (njeriu që kultivon një hektar grurë nuk frikësohet se do t‘ia vjedhin frytin e punës natën; njeriu që ka dhjetë dhen duhet t‘i mbrojë me pushk&eumlsmiley.

Miku im i peshkut, i mësuar me jetën e Tiranës, kishte harruar kontekstin primar kulturor të hapësirës sonë, atë blegtorale, që dikton shumëçka, prej mënyrës së qeverisjes në Kosovë e deri te shitblerja e peshkut në Qerret.

5. Por, a do të thotë kjo se jetojmë në një botë, ku si metafora e Qerretit, suksesi diktohet prej thyerjes së rregullave, gjegjësisht të imponimit të kulturës së të fortit?

Gladwell rekomandon një rrugë krejtësisht tjetër, dhe e vë në pah shembullin më eklatant të transformimit në një shoqëri të dhunës, një shkollë të mbështetur mbi ethosin aziatik të punës që, duke u vendosur në Bronksin jugor, nxjerr nga fukarallëku me qindra fëmijë, të cilët, përndryshe do të mbeteshin pre e rrethit të tyre kulturor, të mungesës së arsimit, të punëve të pakualifikuara, të pagave të ulëta.

Përkundër talentit, rastësisë historike, valëve të ndryshimeve revolucionare, formula e ethosit të suksesit mbetet e njëjtë: për dallim prej fëmijës amerikan, që shkon në shkollë mesatarisht 180 ditë, ai korean i bën 220, ndërsa ai japonez 243 sish.

Fjala është për kulturën e punës, e ky libër është një rrëfim i mrekullueshëm për të.

1 Komente

Sa ka ndryshuar bota... dhe në kaq pak vjet!

Dikur thoshin se duhet të hash peshk, pasi ka fosfor, dhe të ushqen trurin, të ndihmon memorjen, pra logjikën.

E pra sot, edhe në mungesë të peshkut të Qerretit, mjafton të lexosh një të vetëm libër: "Të veçuarit" ("Outliers&quotsmiley të Malcolm Gladwell (Little, Brown and Company, New York, 2008) dhe s'të duhet gjë tjetër për t'u ndërgjegjësuar.

Lum ne për kohën që kemi krijuar me këto duart tona. Edhe një Peshk  (ama me tru) mjafton, bile edhe tepëron, të të rrëfejë udhën drejt  tufës së Peshkatarëve - nga ata me rrjeta të vërteta në dorë, paçka se ai i pari përdor një rrjetë Made in WWW.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).