Përse të mos kemi Art Rebel edhe në Shqipëri?

Arti rebel (Rebel Art nga anglishtja) është një formë e re të shprehuri artistik që po gjen shumë vend në artin bashkëkohor botëror, por që në Shqipëri mungon në çdo formë të tij. Dhe është pikërisht mungesa e kësaj forme artistike në një shoqëri si kjo e jona, që bën të lindë pyetja krejt natyrshëm: “Përse nuk kemi edhe ne artistë që duan të shprehen me revoltë për atë që po ndodh në universin shqiptar?”.
Arti rebel është një përkufizim, të cilin kritikët dhe historianët e artit të tanishëm botëror ia atribuojnë atij lloj arti, i cili ka për qëllim të vetëm të përcjellë tek vëzhguesi ose lexuesi mesazhe të ngarkuara me ide që reflektojnë situatën politike, shoqërore, artistike por edhe atë morale. Deri këtu, asgjë e re për sa i përket detyrës së lartë që artistët i kanë vënë vetes si përcjellës të të vërtetave të pathëna.
Por, ndryshe nga rrymat avant-gardiste pararendëse të cilat në thelb gjithnjë kanë dashur të rikrijojnë peizazhin e botës nëpërmjet artit, këta, rebelët përdorin imazhe të njohura nga ne, nëpërmjet medias së shkruar apo elektronike dhe kështu të përcjellin pothuajse gjithmonë nëpërmjet aktivizmit shoqëror atë çka nuk shkon në botën e tanishme. E gjithë kjo bëhet në mënyrë që imazhet apo objektet e krijuara nga këta artistë të tronditin vëmendjet tona si qytetarë të botës nga varësia e vazhdueshme dhe e konsumit të lajmit, të përtypjes por jo të tretjes së informacionit që vjen tek ne nga burime të cilat na kondicionojnë se si duhet të sillemi, të ndjejmë, të vishemi apo të reagojmë përpara situatave të ndryshme që lindin gjatë përditshmërisë mediatike. Një realitet mediatik, që zhvesh shikuesin nga ndjenjat reale dhe e kthen atë në një përdorues kronik të tragjedive dhe shokueses. Artisti anglez Banksy, këtë e shpreh qartë në një imazh tepër emocional, ku makina mediatike merr përparësi në shfaqjen e imazhit të një vajze të plagosur që qëndron e çoroditur mbi ca rrënoja të shkaktuara mbase ngado ndonjë lufte. Ajo qëndron përpara mjekëve të Kryqit të Kuq, të cilët presin Ok-in e producentit për t’i dhënë vajzës ndihmën e parë aq të nevojshme. Kjo vepër arti tregon në mënyrë hiperbolike pangopshmërinë e medias për imazhe sa më tronditëse të cilat tanimë janë bërë aq të shpeshta, sa ne vëzhguesit i tresim ato me ëmbëlsirën tonë gjatë drekës a darkës pa na bërë shumë përshtypje.
Në kohën që jetojmë, kthimi në celebritet është bërë një dëshirë pothuajse jetësore saqë ne mundohemi të bëjmë çka mundim për të fituar pak famë sado jetëgjatë të jetë ajo. Ne bëjmë aq shumë përpjekje për të arritur këtë, sa shpesh harrojmë që mbase nuk jemi të prirur për atë që kërkojmë. Andy Warhol profetizoi që në të ardhmen, të tashmen tonë, ne do të kishim të gjithë një copë famë 15 minutëshe, por mbase nuk ia merrte mendja se do të ndodhte kaq shpejt dhe kjo gjë do kthehej në obsesion. Artistë si Banksy pikërisht këtë kërkojnë, të luftojnë me artin e tyre rebel.
Për mua, një definicion më i qëmtuar do të ishte se ky art që vepron në mënyrë politike është si një lloj subkoshience e cila kërkon që NE të zgjohemi përpara padrejtësive që ndodhin në lagjen tonë, qytetin tonë, vendin tonë apo edhe në Irak apo në ndonjë vend tjetër të planetit Tokë. Duke rikthyer edhe njëherë tek artisti aftësinë e humbur prej shumë vitesh të profetizuarit për mënyrën se çfarë impakti pozitiv apo negativ kanë vendimet dhe mendimet tona në ambientin që na rrethon. Për ata që e dinë, ishin pikërisht këta artistë që në fillim përdorën artin e tyre dhe ngritën vendqëndrime për protestat e tyre kundër luftës në Irak, mu përballë parlamentit anglez e gjetkë nëpër botë. Mbase kjo aftësi nuk mund të thuhet se kishte humbur krejt tek artistët, por vetëm nëpërmjet artistit rebel ne kemi tani një forcë të tillë sa të godasë makinën globaliste me komponentët e saj të fuqishëm të konsumizmit, surplusit mediatik e materializmit të pafre, të cilët bindshëm kanë mbërthyer të gjithë botën. Tani për tani, me sa di unë, këta artistë nuk i kemi (të paktën tek piktorët, skulptorët a filmbërësit).
Ajme, veprimin më të madh ky lloj arti e ka pasur në vendet të cilat janë aktorët kryesorë që i japin formë botës që jetojmë. Ne shoqëri të cilat, vende si Shqipëria mundohen t’i kopjojnë në forma të gatshme në shumë fusha të jetës pa marrë parasysh efektet që mund të ketë. Dhe kështu, shpesh nëpër ekspozitat e bëra edhe tek ne gjejmë shpesh forma të huazuara të të shprehurit figurativ. Mjeshtëria nuk mungon edhe në huazim dhe padashur të them emra, mund të them se shumë artistë kanë arritur një shkallë artistike të lartë huazimi. Por prapë ajo çka shihet, pra format e të shprehurit shqiptar mbetën tek shumë artistë thjesht në prizmin e të kopjuarit se sa të krijuarit të formave tërësisht personale, edhe pse me leksik të huazuar. Herë-herë duke rrezikuar të kthejnë këtë formë huazimi në një model Kitsch të të shprehurit. Mbase Grinbergu këtë kishte parasysh kur fliste për rrezikun e Kitsch-it në artin modern dhe kontemporan.
Mbase, dhe kjo duhet kuptuar për shoqërinë ku bëjmë pjesë, fakti që ne kemi pasur pak shkolla mendimi artistik (ose le të themi një ose dy ecejake gjatë gjithë plot 96 vjetëve që ekzistojmë si shtet), dhe prapë këtu duhen bërë vlerësime reale për vendin që ato zënë në formimin artistik të artistëve tanë. Pasi sado të pavarur të jenë artistët, ata prapë janë deri në një farë pike produkte të shoqërisë që jetojnë. Raushembergu, një nga etërit e pacelebruar të artit rebel por jo të “rebelizmit” si formë të shprehuri artistik, gllabëronte gjithfarë idesh për të treguar atë që duhej të thoshin lëvizjet e reja artistike, produkte këto të konsumizmit të pas luftës së dytë botërore, për të cilat ai shpesh bëhej flamurtar në arenën ndërkombëtare. Një nga shprehjet që tregon opusin dhe bindjet e tija si një nga nismëtarët e pavetëdijshëm te këtij lloj arti është se “detyra e artistit është të jetë dëshmitar i kohës së tij”. Në këtë mënyrë për të mos u vënë dhe faj artistëve të rinj shqiptarë, për të cilët është e drejtuar më së shumti kjo analizë me spunto nga arti rebel, mbase të bësh Kitsch, të hash, të shikosh, mendosh e të marrësh frymë globalizmi është produkt i kësaj kohe që jetojmë. Pra nëse nuk na duket çudi të shohim Big Brother, E Diell, Processi Sportiv, Opinion, këngë në BBF me versione bullgare, maqedonase a ku di unë, a modele flokësh, celularësh, makinash, të puthuri, të kërcyeri, të shkruari sms, të dehuri e për më tepër mosidentifikimi me veten tonë si shqiptarë për nevojat tona shpirtërore por më shumë me atë çka vjen nga jashtë, atëherë ne nuk duhet të kemi nevojë për art rebel.
Por mbase duke prodhuar Art Rebel, gjenerata e artistëve të rinj do të bënte të njëjtën gjë që pararendësit e tyre bënë me abstrakten, impresionizmin, ekspresionizmin, realizmin, konceptualizmin a ku di unë çfarë importesh që thjesht për konsum kanë qarkulluar nëpër galeri për 18 vjetët e fundit. Ajo që do të më “kënaqte” mua do të ishte rizgjimi tek të gjithë ne nëpërmjet një lloj arti, qoftë ai rebel apo diçka tjetër, të emocioneve reale dhe personale.
Kjo, në mënyrë që të mos ndodhë në Shqipëri ajo që Warholi tha për vitet ‘60 në Amerikë, ku ëndrra amerikane dominonte filozofinë e jetës: “Gjatë viteve ’60, mendoj se njerëzit harruan se çfarë ishin emocionet. Dhe që atëherë, ata nuk janë kujtuar më për to”.

10 Komente

Pra peshku ka deklaruar "Jihad on globalism", apo më duket mua?

Me ju, me ju dhe unë.

Ky artikull shumë mirë mund të kthehej në art rebel, vetëm duke i ndryshuar pak titullin: Pse mtin nuk kemi art carderr a të fshiqva udhët?

 

Jihad on globalism...ose...

"Jeyhaad um dynialluk"

e keqja eshte qe nuk shtrohet as pyetje llogjike e tipit "pse nuk kemi artiste" po shtrohet "pse te mos kemi art rebel...". wtf, pse te mos jemi te lumtur te gjithe fundi fundit?

Nejse,

titulli

eshte detaj.

 

problemi qendron. arti qe kemi eshte sa per te kaluar klasen.

Unë mendoj se në Shqipëri na duhen edhe bananet dhe arrat e kokos.

Bile duhet shkruar edhe një artikull, mundësisht tek Gazeta Shqiptare:

Pse të mos kemi banane dhe arra kokoje edhe në Shqipëri?

Pasi me të parat mund të fillosh një revoltë të vërtetë, nëpër rrugë, ashtu si Parizianët që ju hidhni plloçat mbi kokën e policëve në 1968.

Kurse me të dytat, në se revolta nuk ja arrin qëllimit, mund të revoltohesh kundër vetvehtes...

Pse të mos kemi banane dhe arra kokoje edhe në Shqipëri?

Xixa, me kujtove dicka qe pashe dje nje televizion shqiptar ku, fale zotit, kemi plot lajme nga bota pa asnje tentative qofte edhe humoristike per te bere lidhje me realitetin tone - ne Trafalgar Square te Londres ishin mbledhur mijera vete per te festuar nje pervjetor (nuk me kujtohet cilin) te filmit Monty Python's Flying Circus duke bere muzike me arra kokosi. Tani, nje art i tille si filmi satirik-parodik, vertete qe do artiste, po do edhe publik qe e riben veten kur perplas ne turme dy gjysma arre kokosi... Veza apo pula, nuk e di, po duhet me i pas parasysh te dyja.

Bile mund të rifillosh nga e para, duke ju ndrruar rendin instrumentave të revoltës!

edro problemet qendrojne te gjitha, puna eshte se jo te gjithe dine t'i shtrojne...prandaj i keshilloj atyre qe shtrojne pyetje qe fillojne me "pse te mos kemi/jemi..." te njejten recete qe jep edhe xixa, tre here mbas buke

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).