PBDNJ, parti me bazë etnike

I dorëhequri Miço paraqet një platformë dhe thellon krizën: Duhet ta bindim minoritetin grek se jemi partia e tij

Thellohet gjithnjë e më shumë konflikti i hapur brenda PBDNJ-së. Ish-nënkryetari i PBDNJ-së, Thoma Miço, kërkon kalimin e PBDNJ-së si një parti me bazë etnike, ndërsa sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike e kundërshton ashpër platformën "Miço". Sipas deputetit Leonard Solis, PBDNJ është një parti që mbron të drejtat e njeriut dhe ka mbështetjen e OMONIA-s dhe të minoriteteve të tjera në të gjithë vendin. "Zoti Miço është i hapur dhe i lirë për ta bërë atë partiçkën e tij dhe ne s‘kemi asnjë kundërshtim. PBDNJ e ka një program të vetin dhe s‘ka nevojë për platforma të tjera", u shpreh Solis.

Platforma "Miço"

Në prag të zgjedhjeve elektorale të qershorit, ish-nënkryetari i PBDNJ-së i ka propozuar këshillit të përgjithshëm drejtues një platformë politike, që ka për qëllim kthimin e partisë në misionin e saj të vërtetë politik, shprehëse autentike e elektoratit të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Platforma "Miço" synon ndryshimin e programit dhe statutit të PBDNJ-së. Ndryshimet që propozohen lidhen me kalimin e partisë në një parti me baza etnike, për t‘u kthyer plotësisht te komuniteti grek. "Në të gjitha ambientet politike shqiptare, PBDNJ nominohej si partia e grekëve të Shqipërisë, gjë që vazhdon edhe sot, megjithëse PBDNJ këmbëngulte të theksonte se është një parti e të gjithë shqiptarëve. Sot, partia nuk ka më nevojë të bindë shqiptarët se jemi mbarëshqipëtare, por minoritetin grek se është partia e tyre", u shpreh Miço. Sipas tij, "në përpjekje për të bërë këtë, humbi në vazhdimësi mbështetjen e minoritetit grek, që e krijoi sipas shprehjes ‘shkoi për të hequr vetullat dhe nxori sytë‘".

Platforma "Miço" synon zhvillimin e ndryshimeve statutore që kanë lidhje me kthimin e PBDNJ në parti me baza etnike, të organizohet partia në jug të vendit, sidomos në zonat e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Miço ka kërkuar gjithashtu organizimin e partisë edhe në Greqi, ku sipas tij ndodhet 70 për qind e elektoratit të saj. Ai kërkon gjithashtu që të mbështetet politikisht organizata OMONIA në kërkesat e saj, duke legjitimuar kërkesat e saj dhe duke i vënë në baza ligjore e institucionale.

Kundërpërgjigjja

Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së e cilëson konceptin e krijimit të partisë me bazë etnike si të tejkaluar që në vitin 1994. "Është një vizion i ngushtë dhe i dëmshëm për partinë, minoritetin dhe vetë politikën. Ne jemi për zgjidhje problemesh dhe jo për krijim artificial të tyre, në dëm të integrimit të Shqipërisë. PBDNJ është në sinergjizëm të plotë me OMONIA-n dhe problemet e saj, por jo në konkurrencë me të", shprehet ai. Sipas Solis, ngritja e problemeve të tejkaluara tashmë është dashakeqe, aq më tepër që nuk ka asnjë terren konflikti brenda kryesisë dhe anëtarësisë. "Gabimet tekniko-administrative e ndëshkimet nuk duhet të kamuflohen gjoja me diferenca konceptimesh në rrafshin politik", shtoi ai.

Karamelo, kritika PBDNJ dhe OMONIA-s

LDLNJ: Të zgjidhen problemet,

dhe jo të krijohen pakënaqësi

"PBDNJ duhet të zgjedhë problemet e minoritetit grek dhe jo interesat e disa personave të caktuar". Kështu është shprehur kreu i LDLNJ-së, Ligoraq Karamelo. Ai e ka komentuar negativisht kërkesën e disa eksponentëve të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për ta bërë këtë forcë politike si një parti me bazë etnike. "Kjo ka për të sjellë pakënaqësi pikë së pari edhe te vetë komuniteti grek në Shqipëri, pasi do të përbëjë një minorancë", theksoi Karamelo. "OMONIA aktuale dhe sesi po funksionon tani e ka mbyllur ciklin e saj. Fakti që po i drejtohet për ndihmë faktorit të jashtëm nuk është zgjidhje, por kërkon acarime", u shpreh Karamelo. Sipas tij, këto probleme bëhen për të hequr vëmendjen nga minoriteti grek. Sipas tij, OMONIA duhet të kthehet në një organizatë gjithëpërfshirëse dhe jo si një organizatë e ndërtuar mbi interesat personale të drejtuesve aktualë. Lëvizja për të Drejtat e Liritë e Njeriut shprehet kundër çdo aksioni politik të organizatës OMONIA dhe PBDNJ-së në dëm të bashkëjetesës së minoritetit grek dhe shqiptarëve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).