Pas Berishës, INSTAT gjen rritje ekonomike 9,9% në çdo tremujor të vitit

Instituti i Statistikave, INSTAT, ka vijuar dje të pohojë qëndrimin e kryeministrit mbi rritjen ekonomike të vendit duke thënë se ajo ishte 9,9% gjatë katër tremujorëve. Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Statistikave, Ledia Dhomo, tha saktësisht se tremujori i fundit i vitit 2007 dhe tremujorët e parë të vitit 2008 kishin pasur një rritje ekonomike prej 9,9%. “Nuk kemi të dhëna për tremujorin e fundit të vitit 2008”, - tha ajo. Instituti i Statistikave tha se eksperti i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kishte konfirmuar këto të dhëna. Qëndrimi i Institutit të Statistikave mbi rritjen e ekonomike të vendit nuk i korrespondon aspak asaj që ka ngjarë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2007 dhe gjatë tremujorëve të parë të vitit 2008. INSTAT me përjashtim të publikimit të të dhënave mbi rritjen ekonomike të tremujorit të tretë të vitit 2008 asnjëherë më parë nuk ka thënë që rritja ekonomike ka qenë 9,9%. Kështu, INSTAT asnjëherë nuk ka thënë që rritja ekonomike në periudhën tetor-dhjetor 2007 ishte 9,9%, madje atë vit u tha se kriza energjitike kishte ulur me 0,5% rritjen ekonomike, e cila mund të kishte shkuar në 6,5%. Në lidhje me tremujorët e parë të vitit që kaloi INSTAT është shprehur vetëm në nëntor dhe ka thënë se rritja ekonomike për muajt e verës, d.m.th., për tremujorin e tretë, ishte 9,9%. Më herët ky institucion nuk ka deklaruar se rritja ekonomike në janar-mars apo në prill-qershor ka qenë 9,9%. Në këta dy tremujorë rritja ekonomike u godit nga kriza e ushqimeve dhe nga kriza e çmimeve në përgjithësi dhe inflacioni shkoi për herë të parë pas vitesh në 4,2%. Ishte periudha, kur çmimet e drithërave u rritën dhe ato ndikuan në rënien e shitjeve, sado e vogël që ajo ishte. Dje INSTAT tha se ai e ka ndjekur me vëmendje debatin në lidhje me shifrat e rritjes ekonomike në Komitetin e Planifikimit të Strategjive dhe konfirmon që rritja ekonomike me bazë tremujore deri në muajin shtator, duke përfshirë katër tremujorë (i katërti 2007 plus 3 tremujorët e parë 2008), është 9.9%. E gjithë kjo është sigurisht e pavërtetë sa i takon transparencës, pasi ky Institut nuk i ka publikuar këto të dhëna pas përfundimit të tremujorëve. Në anën tjetër, saktësisht rritja ekonomike e një vendi mund të jepet pas dy vjetësh. Kjo do të thotë se rritja ekonomike e vitit 2008 do të dihet me saktësi vetëm në vitin 2010. Në anën tjetër, FMN tha qartë se rritja ekonomike ishte brenda parashikimit, domethënë ishte 6%, çka në fakt është një shifër e mirë.

1 Komente

 Qe Shqiperia ka rritje te GDP/PBB, kete e kane te qarte te gjithe, mirpo qe s'po bien dakort palet aty, jo-po 6-7% , jo-po 9,9%, kjo zgjidhet se shpejti kur te dalin te dhenat e tremujorit te 4. Ajo qe eshte e rendesishme ketu eshte qe keto para qe do te çlirohen nga kjo rritje, te mos sherbejne me per rritje rrogash buxhetoresh dhe pensionesh (te pakten per 2 vjet), por per investime ne energjitik (per te mos e zoteruar vetem te huajt kete fushe), si dhe per te zbutur varferine nepermjet investimeve ne infrastrukture. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).