Pagat, ja sa rriten nga 1 maji 2009

Zbardhet skema e rritjes së pagave për vitin 2009. Duke filluar nga 1 maji i 2009, 104 mijë punonjësit e administratës do të kenë një rrogë mesatare prej 460 mijë lekësh. Nga ana tjetër, në të gjithë administratën është parashikuar që të mos ketë rrogë nën 210 mijë lekë. Duke filluar nga kjo datë, edhe 2 mijë infermierë do të kenë një rrogë mesatare prej 306 mijë lekësh, ndërsa 4 mijë mjekë, me rritjen e re, rroga mesatare që ata do të marrin do të jetë 480 mijë lekë. Kështu, sipas buxhetit të ri, pagat dhe pensionet gjatë vitit 2009 do të pësojnë sërish rritje. Ndryshe nga vitet e mëparshme, për herë të parë qeveria ka vendosur që vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve të hyjë në fuqi në datën 1 maj dhe jo në korrik. Mjekët dhe arsimtarët do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa përsa u përket pensionistëve, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit. Sipas specialistëve në Ministrinë e Financave, me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndiejnë dyfishimin e rrogave. Pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme prej 10 përqind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 përqind, e cila garanton përfundimisht dyfishimin e pensioneve të tyre. Gjithashtu, rritje të madhe krahasuar me vitet e mëparshme do të pësojë edhe ndihma ekonomike. Për rritjen e kësaj të fundit, qeveria gjatë 2009 do të zhvillojë një politikë sociale konstante, ndërsa administrata shtetërore do t'u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej vetëm 6.2 përqind të prodhimit të brendshëm të vendit. Rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 përqind. Në buxhetin e qeverisë, sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave. Duke nisur nga 1 maji i 2009, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 përqind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Në këtë mënyrë, fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës do të rritet me 10 përqind. Ndërsa për sektorin e shëndetësisë qeveria ka vendosur që pagat të rriten mesatarisht me 12.3 përqind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave do të rritet me 2.6 përqind. Gjithashtu, në buxhetin e këtij viti është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 16.4 miliard lekësh i kontigjencës dhe i fondit rezervë. Ky fond është i përbërë nga 2 miliard lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, 8.4 miliard lekë kontigjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 6 miliard lekë kontigjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontigjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit.

Rritja më e madhe e pagave

Rritjen më të madhe të pagave, ashtu siç edhe është parashikuar, do ta përfitojnë mjekët me rreth 26%, ndërsa infermierët do të përfitojnë një rritje page nga 9 në 13 përqind. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, rritja e pagave ka marrë në konsideratë edhe efektin e inflacionit. Rritja mesatare për të gjithë buxhetorët është 12 përqind. Mirëpo, këtë vit, për shkak të anëtarësimit në NATO, prioritet në rritjen e pagave do të kenë dhe Forcat e Armatosura, ndaj të cilave do të aplikohet një rritje e pagës së përmuajshme në rreth 19 përqind. Po kështu, për shkak të rëndësisë që ka marrë mbrojtja e pyjeve, policia pyjore përfiton rritje page 17 përqind. Ndërsa, sistemi arsimor parauniversitar do të ketë një rritje page 14%. Me këto ritme rritjeje të pagave të buxhetorëve, qeveria është duke zbatuar një strategji të saj të reflektuar në programin 4-vjeçar për politikën e rrogave të punonjësve buxhetorë. Në themel të kësaj strategjie është rritja e përvitshme e pagave në administratën publike, ku përparësi do të kenë pagat e ulëta, duke synuar që në fund të këtij viti, raporti mes pagës më të lartë dhe më të ulët në administratën publike të jetë 1 me 5.

Strategjia për pagat minimale

Qeveria shqiptare në strategjinë e saj të pagave ka deklaruar se, do të ketë rritje periodike edhe për pagën minimale në sektorin privat. Vitin që shkoi qeveria ka miratuar rritjen e pagës minimale për sektorin privat dhe atë shtetëror, duke e çuar atë në 17 mijë lekë nga 16 mijë që ishte më parë. Nga viti 2005, paga minimale është rritur me plot 3 mijë lekë. Kjo masë është marrë nga qeveria, pasi është studiuar tregu i pagave në sektorin privat dhe atë shtetëror dhe ka për qëllim më së shumti rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, pasi rezulton të jetë zëri më problematik në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, ka tashmë një skemë shpërblimesh për punonjësit buxhetorë në përputhje me rezultatet në punë. Ata punonjës që kanë performancë më të mirë në ushtrimin e detyrës përfitojnë deri në një pagë shpërblim. Për të zbatuar këtë politikë çdo institucion buxhetor do të krijojë një fond të posaçëm prej 5 përqind, me të cilin do të bëhen politika në lidhje me shpërblimet buxhetore.

Rritjet në shifra

-Të ardhurat e pensionit për pensionistët në qytet do të rriten nga 112 mijë lekë në vitin 2008, në 123 mijë lekë më 1 maj 2009

-Të ardhurat e pensionit të pleqërisë në qytet do të rriten nga 100 mijë, në 122 mijë lekë

-Të ardhurat e pensionit për invalidët do të rriten nga 80 mijë, në 110 mijë lekë

-Më 1 maj të vitit 2009 nuk do të ketë rrogë në administratë nën 210 mijë lekë

-12 mijë infermierët dhe 4 mijë mjekët e vendit, duke filluar nga data 1 maj do të kenë një rrogë mesatare prej 306 mijë lekësh

-4 mijë mjekët në datën 1 maj do të marrim një rrogë mesatare 480 mijë lekë

-44 mijë mësuesit e vendit duke filluar nga maji i vitit 2009 do të marrin një pagë mesatare prej 460 mijë lekësh

-104 mijë punonjësit e administratës në vitin 2009 do të kenë një rrogë mesatare prej 460 mijë lekësh

-7 700 milion lekë është fondi i përcaktuar nga qeveria për rritjen e pagave dhe pensioneve

-107 000 veta është numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2009, sipas të cilit është përgatitur buxheti i shtetit i vitit 2009

Buxheti i Sigurimeve Shoqërore

Buxheti i sigurimeve shoqërore për këtë vit:

1. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.

Të ardhurat, gjithsej 67 109 milion lekë;

Nga të cilat:

-kontributet 49 622 milion lekë;

-transferimet nga buxheti i shtetit 17 487 milion lekë;

-shpenzimet 67 109 milion lekë.

Përcaktimi i pagës minimale

-Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet.

-Këshilli i Ministrave ka të drejtë të përcaktojë një kontribut të veçantë minimal për personat e vetëpunësuar në bujqësi dhe kategori specifike të personave të vetëpunësuar.

-Diferenca midis kontributeve të veçanta me kontributin minimal, mbulohen nga subvencionet e buxhetit të shtetit, por jo më shumë se kufijtë e transfertave të përcaktuara në këtë ligj.

-Për vitin 2009, teprica e të ardhurave, sipas degëve të sigurimit shoqëror, do të përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

Skema e sigurimit suplementar

Të ardhurat, gjithsej 4 546 milion lekë;

Nga të cilat:

-kontributet 190 milion lekë;

-transferimet nga buxheti i shtetit 4 356 milion lekë;

-shpenzimet 4 546 milion lekë.

Buxheti i Sigurimeve Shëndetësore

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2009 është:

Të ardhurat, gjithsej 23 133 milion lekë;

Nga të cilat:

-kontributet dhe të tjera 6 379 milion lekë;

-transferimet nga buxheti i shtetit 16 754 milion lekë;

-Shpenzimet 23 133 milion lekë.

Programi i punësimit do të zbatohet në 23 rrethet e vendit

Planifikimi i fondeve për nxitjen e punësimit

Rreth 200 milion lekë janë në dispozicion të punëmarrësve që do të aplikojnë gjatë këtij viti për programet e nxitjes së punësimit. Këtij fondi i shtohen edhe projektet e mbartura nga viti i kaluar, që shkojnë rreth 46 milion lekë. Për programet e reja janë plot 151 645 598 lekë në dispozicion të punëdhënësve. Aktualisht, fondi buxhetor për programet e nxitjes së punësimit është ndarë sipas tre VKM-ve përkatëse dhe zbatohet për 23 rrethe të vendit. Sipas vendimit për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programeve të praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë, brenda apo jashtë vendit, synohet përfshirja e punëkërkuesve të regjistruar në institucione publike apo private. Në bazë të këtij vendimi, punëdhënësit publikë janë të detyruar t'i marrin falas në mjediset e tyre këta punëkërkues, në raport me personelin e administratës, sipas skemës për çdo 50 vetë personel, 1 praktikant. Punëdhënësit privatë përfitojnë një financim mujor nga zyra përkatëse e punësimit, në masën 100 përqind të nivelit bazë të pagesës së papunësisë për çdo muaj praktikë të punëkërkuesit. Të njëjtën masë financimi marrin edhe punëkërkuesit e papunë që përfshihen në këtë program. Ndërkaq, me anën e programit të punësimit nëpërmjet formimit në punë, synohet formimi nëpërmjet punës të personave të pakualifikuar profesionalisht. Punëdhënësi përfiton financim në masën 70 përqind të kostove të trajnimit, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe 50 për qind të kostove të trajnimit për ndërmarrjet e mëdha. Kursantët punëkërkues të papunë përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs në masën 50 përqind të pagesës minimale në shkallë vendi për gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Vendimi për masën dhe kriteret e përfitimit nga programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi, synon përfshirjen në tregun e punës të personave që janë në vështirësi për ta gjetur atë. Punëdhënësi që në këtë rast punëson me kontratë njëvjeçare, punëkërkues të papunë në vështirësi, përfiton një financim në masën 100 përqind të sigurimeve shoqërore, pjesa e punëdhënësit dhe financim për katër muaj të pagës minimale në shkallë vendi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).