Një vit për kompozitorin Bartold

2009-a në fushën e muzikës i kushtohet gjermanit që konsiderohet si Mozarti i shekullit XIX

Viti 2009 në fushën e muzikës shpallet si viti i Feliks Mendelson Bartoldit, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh. Bartoldi (Feliks Mendelssohn Bartholdy), konsiderohej si Mozarti i shekullit XIX. Ai lindi në Hamburg, më 3 shkurt 1809. I frymëzuar prej influencës së letërsisë, pikturës, muzikës dhe filozofisë, Bartoldi më me insistim se çdo intelektual tjetër i kohës u vu në kërkim të gjetjes së rrugëdaljes nga dilema e artit të romantizmit. Duke drejtuar rivënien në skenë të "Pasioni i Johanesit" të J.S. Bachut në Berlin, në vitin 1829, Bartoldi themeloi edhe rilindjen e shekullit XIX. Si drejtues i orkestrës së Lajpcigut, ai e shndërroi qytetin në një qendër të rëndësishme të kulturës evropiane. Aktivitetin e tij Bartoldi e zgjeroi edhe në shumë qytete kryesore të Evropës, si në Londër e Paris dhe në një sërë qytetesh të mëdha në Gjermani: në Berlin, Lajpcig, Frankfurt. Në vitin 1843, në Lajpcig ai ishte bashkëthemeluesi i Konservatorit të parë të muzikës në Gjermani. Në të njëjtin vit ai u vlerësua edhe si qytetar nderi i Lajpcigut. Në vitin 1844 Bartoldi drejtoi gjashtë koncerte simfonike në Londër dhe ekzekutoi premierën e veprës së tij, "Ëndrra e një nate vere". Krijimtaria muzikore e Feliks Mendelson Bartoldit i përfshin të gjitha zhanret e muzikës fetare dhe asaj instrumentale e popullore të kohës. Ai ka kompozuar simfoni, pjesë për piano, këngë, muzikë korale, kantata. Feliks Mendelson Bartoldi ndërroi jetë në Lajpcig më 4 nëntor 1847.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).