Një udhëtim në Piramidën e MASH

 

Gjendja e keqe dhe mjerimi në mjediset shkollore, ka si shkak shpërdorimin e subvencioneve

 

Po të shkosh në gjithë Shqipërinë, në shkollat e arsimit parauniversitar (shkolla 9-vjeçare e gjimnaze, kopshte etj.) gjendja është e vajtueshme, pa dyshim. Nxënësit vazhdojnë të mësojnë në shkolla të

parikonstruktuara ku u rrezikohet edhe jeta, me një denduri në klasë në parmasa jo humane, pa llogaritur terrenet e munguara apo te degraduara. Kjo është ajo që e shohin të gjithë, jo vetëm në shkollat e rretheve të largëta, në fshatrat e humbur, por edhe në shkollat e Tiranës, me përjashtim të disa ndryshimeve. Prapaganda qeveritare jep vetëm suksese, internet në çdo shkollë, por me pak punë gazetarësh del në shesh menjëherë gënjeshtra.

Kjo është ana e jashtme e proçesit të edukimit, që duhet të sigurojë shkolla, por po të futesh në mësim si mësuesit, do të shikosh që një pjesë e madhe nxënësish janë ende të pa pajisur me libra shkollorë. Mendoni pastaj për rezultatet e tyre, kalueshmërinë fiktive, cilësinë dhe nivelin e ulët.

Me ardhjen e Z. Berisha në pushtet u duk sikur MASH e kishte për zemër proçesin e liberalizimit, këshilluar prej vitesh nga Banka Botërore. U morrën edhe vendime të rëndësishme qeveritare ( mars 2006) që bënin liberalizimin, pra lejonin konkurrencën e lirë e të ndershme që do të sillte cilësi dhe njëkohësisht i jepnin nxënësit subvencionin, që ishte caktuar në buxhetin e shtetit për ta nga të ardhurat e taksapaguesve shqiptarë.

Dhe dihet: në të gjithë botën bëhet çmos që nxënësit të marrin falas librat pjesërisht ose tërësisht, por kryesisht në gjithë vendet përreth nesh, pasi qeveritë e Greqisë, Malit të zi, Maqedonisë, Kosovës, Rumanisë, Bullgarisë etj., një pjesë e të cilave duan të hyjnë në Europë,  kanë prioritet edukimin jo me fjalë, por me ndihmë konkrete atij që do të edukohet dhe do të jetë e ardhmja e vendit.

Mënyra se si i degjeneruan në 2007-2008 Vendimet e Qeverisë e Udhëzimet e MASH dhe

M. Financës për  dhënien e subvencionit, tregon se ata janë bashkë me qëllimin po të përbashkët,  për mashtrimin e prindërve dhe nxënësve. Mjafton që Kontrolli i Shtetit të shikojë fondet e dhëna realisht për subvencionin në vite (le të shikojë edhe vitet 2003, 2004, 2005).

Në 2006, është dhënë rreth 90% e detyrimit të subvencionit ndaj nxënësve.

Në 2007, është dhënë rreth 50% e detyrimit të subvencionit ndaj nxënësve.

Kurse në vitin 2008, gati nuk është dhënë fare subvencioni…

Të djegur nga viti 2007, një pjesë prindërish nevojtarë, që nuk u kompensuan në 2007, nuk i pajisën dot fëmijët me libra, jo se nuk duan që fëmijët e tyre të shkollohen, por se nuk kishin mundësinë monetare për ti blerë ato.

Pikërisht këto rregullon shteti në vendet demokratike, që kanë përparësi edukimin e nxënësve. Në të kundërt, te ne shteti me mënyrat e maskuara të tij, duke mos dhënë pjesën më të madhe të subvencionit, duke i futur paratë në kanale të tjera, bëhet një nga penguesit më të mëdhenj të proçesit të edukimit.

 

Reforma,  liberalizimi  duhet të vazhdojë

Po të shkosh në shkolla dhe të bisedosh me prindër, mësues e nxënës, plus artikujve në shtyp, jo rrallë do të marrësh vërejtje objektive për librat që janë futur në sistemin 9–vjeçar, pas reformës.

Jo të gjithë librat alternativë që janë në shkollë  janë të mirë dhe shpesh librat që janë më të zgjedhur,  nuk janë më të mirët.

Detyra e MASH, pas përzgjedhjeve të librave me komisione tërësisht të varur  me mësues militantë të mbledhur në plazhin e Durrësit (që të kujton arsimimin e gjyqtarëve nën hijen e  plepave), është analiza e thellë e teksteve të futur në shkollë,  me specialistë të pavarur, të njohur, me emër, që do të ribënin vlerësimin dhe do të largonin ata që nuk arrijnë standardet.

Ky do të ishte një veprim parimor, që do të largonte një pjesë tekstesh të dobët metodikisht e shkencërisht, në dobi të edukimit të nxënësve, të cilëve iu bëhet një dëm i jashtëzakonshëm, që do ta paguajnë në vite. Dëmi më i madh i bëhet shoqërisë.

Kjo duhet të ishte detyrë prioritare, urgjente për zbatim e stafit të ri ministror, por çuditërish kemi vetëm heshtje!

Ministria ende nuk ka caktuar datat se kur botuesit do të sjellin për konkurim libra që plotësojnë linjat e tyre në sistemin 9-vjeçar, në vijim të proçesit të lirë të hapur demokratik dhe cilësisë (ky lajmërim vitet e mëparshëm është bërë nga gushti deri në tetor, pra deri gjashtë muaj para).

Kjo datë e konkurrimit për çdo vit ka qënë nga 7 deri në 31 mars.

Mos Ministria ka lajmëruar miqtë me të cilët janë lidhur nëpunësit e saj, ndërkohë që të tjerët duhet ta marrin vesh sa më vonë që të jetë e mundur? Ky lajmërim i ndryshëm për botues të ndryshëm, shkel kushtin e barazisë.

Si duket Ministri i ri ende nuk e ka parë se ku çalojnë problemet...

Reforma në Gjimnaz

Dihet që në çdo vend normal ku nuk shkelen parimet e demokracisë, reformat vazhdojnë, pavarësisht ndryshimit të qeverive apo stafeve. Botuesit që janë sipërmarrës, kanë investuar në ndihmë të  një proçesi të shpallur, liberalizimit të librit shkollor. Ata kanë kualifikuar stafet shkencërisht e didaktikisht, kanë marrë literaturë, programe të informatizuar, në dobi të hartimit të librave, në ndihmë të proçesit mësimor. Investimi i tyre ka kosto reale e nuk mund ta nëpërkëmbësh.

Dihet që programet, kurrikula, shpallen nga MASH dhe opinioni publik, ndërsa botuesit, autorët janë në pritje të programeve të gjimnazit të ri, 3-vjeçar.

Por ç`po ndodh? Heshtje e plotë  nga MASH edhe për këtë problem.

Mos do të vazhdohet me sistemin 4-vjeçar që ka qënë përkohësisht? (kjo të duket e vërtetë pasi në shtatë muaj që kanë mbetur, zor se përgatiten, konkurrojnë, përzgjidhen shtypen e shpërndahen libra të rinj, ndërkohë që Banka Botërore, e cila ka ndjekur proçesin në të gjitha republikat lindore i linte minimalisht 12 deri 18 muaj kohë përgatijes së një teksti).

Do të ishte një zgjidhje për momentin pasi ata libra janë përgatitur nga specialistët më të mirë, dhe kanë reflektuar pjesën më të madhe të vërejtjeve me shkrim bërë nga grupe mësuesish të ngarkuar nga MASH 2006 – 2007 (libri i MASH i vlerësimit), dhe ndërkohë:

-                                  Përgatiteshin mirë dhe saktë programet,

-                                  Vlerësoheshin  librat nga Komisionet pranë MASH, në transparencë, jo me metodat mafioze që ekzistojnë sot, me kode të gënjeshtër dhe vlerësime të gënjeshtërta, gjoja në dobi të paritetit.

Flitet  edhe dëgjohet deri nga kryeministri, që librat edhe mund të përkthehen, veçanërisht ato të shkencave ekzakte.

Instituti i kurrikulave  ka vite e shto muaj, që është paguar me paratë e taksapaguesve dhe specializuar etj., që të përgatisë kurrikulën e re të gjimnazit. Ku do të shkojnë këto programme që presin prej muajsh miratimin në ministri? Ky vendim është një problem madhor, një praktikë që edhe kur e ka zbatuar ndonjë vend i Europës për ndonjë gjuhë të huaj (lëndë të veçant&eumlsmiley, përsëri është kthyer mbrapsht, duke e përgatitur përsëri librin në vend. Pra nuk shkon, është absurditet. Kaq poshtë paskan rënë specialistët e mësuesit shqiptarë, shkencërisht e metodikisht sa nuk qenkan më të aftë të përgatisin libra? I kanë përgatitur që nga koha e I. Qemalit, Nolit, Zogut, Enverit, edhe pas demokracisë.

Mundësia që të gjenden libra të gatshëm, sipas kurrikulave të ISP, nuk ekziston, veçse, nëse MASH do bëhet sipërmarrës, do të blejë të drejtën e librave, të bëjë kurrikulën në bazë të librave që do të përkthejë, duke urdhëruar nëpunësit të ç`bëjnë kurrikulën që kanë bërë.

Në Shqipëri gjithçka është e mundur. Kushedi si është gjendur ilaçi që këto para të degdisen në fushatë zgjedhore, se ndryshe me këtë problem nuk kishte pse të merrej deri dhe Berisha!

Është një proçes jo dinjitoz që po kryhet në heshtje të plotë, pa pjesëmarrjen e publikur, armatës së mësuesve, të specialistëve e botuesve.

Deri kur do të vazhdojë kjo heshtje?

Edhe sikur nesër MASH dhe Qeveria të bëjë shpallje, procesi është tërësisht i kompromentuar.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).