Nis reforma, 42 spitale në skemën e sigurimeve

Spitalet kanë në dorë zgjidhjen për të shpëtuar nga kriza e medikamenteve. Me fillimin e vitit 2009, ISKSH do të shtrijë skemën në të gjitha spitalet e vendit. Kjo reformë përcakton që kryerja e tenderave të ilaçeve të menaxhohet nga vetë institucionet shëndetësore. Duke qenë se spitalet do të jenë përgjegjëse për tenderimin e medikamenteve, këto kanë të drejtën për të përzgjedhur ato ilaçe të cilat i nevojiten llojit të shërbimit që ofrohet. Kjo mendohet të jetë edhe kyçi për zgjidhjen e krizës, që aktualisht është një gangrenë e sistemit.
Reforma spitalore konsiston në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome, me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Plot 42 spitale rajonale të vendit me fillimin e këtij viti përfshihen në skemën e sigurimeve. Kjo shënon edhe startimin e reformës spitalore, zbatimi i së cilës shihet me optimizëm nga drejtuesit e shëndetësisë dhe pritet që të sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit shëndetësor ndaj qytetarëve. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, këto shërbime do të ofrohen nëpërmjet mirëmenaxhimit të kapaciteteve ekzistuese njerëzore, financiare, materiale, ku përfshihen zbatimi i kritereve të punësimit për stafin, furnizimi permanent me barna e materiale mjekësore cilësore dhe kosto efektive, për të mos krijuar mungesa apo keqpërdorime të tyre. Rritja e shkallës së shfrytëzimit të spitaleve nëpërmjet zhvillimit të metodave të reja të pagesës së shërbimeve shëndetësore, është një ndër risitë e pritshme të reformës spitalore. Ndërkohë sipas ISKSH-së, zbatimi i reformës pritet të sjellë rritjen e të ardhurave nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Gjithashtu, shërbimet shëndetësore do të ofrohen nëpërmjet synimit për privatizimin e shërbimeve ndihmëse, si dhe financimit të shërbimeve të reja. Gjithashtu, reforma synon rritjen e shkallës së mbledhjes së të ardhurave dytësore dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për përdorimin e tyre. Në kuadër të zbatimit të reformës, sipas ISKSH-së fillimisht do të ndryshojë mënyra e funksionimit dhe administrimit të spitaleve. ISKSH do të ketë kontrata të posaçme me 42 spitalet në të gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht nuk ka kontrata me spitalet, përveç një kontrate kolektive pune. Në një fazë të dytë synohet që jo vetëm medikamentet por edhe pjesa tjetër e veprimtarisë, siç janë investimet, të kalojnë në vetëadministrim nga spitali. Deri tani spitalet kanë qenë në varësi të MSH, me një mënyrë funksionimi tërësisht të centralizuar. Këto institucione kanë pasur një buxhet fiks, i cili menaxhohej nga MSH dhe nuk ishte i lidhur me eficiencën e vetë spitalit.

1 Komente

Interviste e Drejtoreshes se Pergjithshme te ISKSH-se, Elvana Hana

 

Të paktën për ilaçe nuk do të presin më të kujtohet ministri i Shëndetësisë. Teorikisht edhe korrupsion do të ketë më pak; mjekët do të maten dy herë para se të vënë një diagnozë, po kështu edhe para se të të përplasin derën në fytyrë pa të kthyer xhevap. Sepse duke filluar që nga 1 janari 2009, të 42 spitalet e Shqipërisë do të kenë mbi krye një tjetër “epror”. I cili betohet se, që ditën e parë të punës do të bëjë të qarta të tjera rregulla loje. E thënë më shkoqur vitin e ardhshëm spitalet do t’i kalojnë në varësi Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Në gjuhë zyrtare: do të kalojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. >>

Në buxhetin e 2009, zëri “spitale” ku përfshihen pagat, medikamentet e shërbimet i ka kaluar arkës së ISKSH-së. Në shërbim të kësaj detyre të re të Institutit, para fundit të këtij viti pritet të kalojë në Parlament (pasi është diskutuar nëpër komisionet parlamentare), një nen shtesë në ligjin “Për shërbimin shëndetësor”, i cili e lejon de jure këtë kalim, gjithashtu edhe që Qeveria të miratojë një vendim ku të përcaktohen detajet e këtij kalimi. Politikisht, edhe Kryeministri Berisha, edhe Ministrja e Shëndetësisë Godo, e kanë pranuar publikisht se spitalet nuk do të jenë më në dorë të kësaj të fundit. Të paktën përsa i përket pagave të mjekëve dhe stafit të spitaleve, tenderave të ilaçeve etj., etj. Madje këto të fundit nuk do ti bëjë më institucioni epror për vetë spitalet, në varësi të nevojave dhe fondeve të secilit. Çka megjithatë nuk nënkupton se ministria tani e tutje do të merret vetëm me politikat. Por të paktën me këto “andrallat” e përditshme që vetëm sa i kanë zhyrtur spitalet në kaos, (merita për këtë i takon pikërisht asaj), institucioni i lartë i ka larë duart. Kupola e ministrisë tani do të vërë veton vetëm kur bëhet fjalë për investime në spitale dhe blerjen e aparaturave. Me pak fjalë kur spitalet të kenë nevojë për shuma të kripura parash. Për të tjerat do të përgjigjet ISKSH. Dhe si për ta filluar punën mbarë, drejtoresha e këtij Instituti, Elvana Hana, tregon se mjekët tani do të kenë një kontratë për të respektuar, ndërsa drejtuesit, një institucion (pjesërisht) të pavarur për të administruar. Një model punë krejtësisht i ri. I cili, ndryshe nga sa mund të besohet, nuk do të fillojë me reformë nga themelet. Hana nuk do ta nisë me pushime nga puna dhe emërime të reja. Do të mjaftohet me ata që ka. >>

> >

> >

Nga 1 janari 2009 është deklaruar se spitalet do të kalojnë në skemën e sigurimeve. Cdo të thotë kjo?>>

Fillimisht do të ndryshojë mënyra e funksionimit dhe administrimit të spitaleve. Instituti I Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të ketë kontrata të posaçme me 42 spitalet në të gjithë vendin. Aktualisht nuk ka kontrata me spitalet përvec një kontrate kolektive pune. Fillimisht ISKSH do të nënshkruajë kontratat e nivelit të parë me drejtorët e spitaleve deri në fund të marsit 2009, ku do të përcaktohen qartë detyrimet e palëve dhe sanksionet në raste shkeljesh duke filluar që nga mitmarrja. lace wsmileyt="on">Polace> ashtu do të nëshkruhen kontratat e nivelit të dytë mes drejtorëve të spitaleve dhe stafit tjetër mjekësor. ISKSH do të paguajë mjekët dhe stafin tjetër të spitaleve si dhe do të mbulojë gjithashtu medikamentet e spitaleve. Për këto do të kemi një buxhet të përcaktuar për spitalet të cilin do ta shpërndajmë në fillim të vitit, buxhet që do të vetëmenaxhohet nga spitali. Ky lloj vetëadministrimi dhe pasja e një kontrate do të bëjnë që spitali të drejtohet drejt pacientit, për vetë faktin se nuk do të ketë kontratë në një rast tjetër. Në fillim do t’ju jepet shansi të gjithëve, por më tej do të lidhet kontratë më spitalet që do të jenë eficiente.>>

Si ka funksonuar deri tani? Në varësi të kujt kanë qenë spitalet?>>

Deri tani spitalet kanë qënë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë me një mënyrë funksionimi tërësisht të centralizuar. Pra spitalet kishin një buxhet fiks i cili menaxhohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe nuk ishte i lidhur me eficiencën e vetë spitalit. Pra në një lloj mënyre, veprimtaria e spitalit ishte larg nevojave të pacientëve. Ajo që synojmë ne përmes nisjes së kësaj reforme, është dhënia e një autonomie të caktuar vetë spitaleve të cilët do të jenë përgjegjës për furnizimin me medikamente pasi do të jenë ato vetë që do të përcaktojnë nevojat dhe do të realizojnë tenderat për ilacet. Sigurisht do të jenë të kontrolluar për përdorimin e këtyre fondeve nga ISKSH në mënyrë që ato të shkojnë për nevojat e pacientëve dhe sipas kritereve të përcaktuara nga Qeveria e Ministria e Shëndetësisë. Në një fazë të dytë, ne synojmë që jo vetëm medikamentet por edhe pjesa tjetër e veprimtarisë sic janë investimet të kalojnë në vetëadministrim nga spitali. >>

Vlera e parave që do të shpërndahet për spitalet, si do të përcaktohet?>>

Fillimisht fondi për spitalet do të përcaktohet në bazë të buxhetit historik që do të thotë buxheti që spitalet kanë patur ndër vite me shtesat e caktuara vit pas viti sipas planifikimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe miratimeve të dhëna nga Ministria Financave. Për momentin nuk mund të kemi një ndarje tjetër të buxhetit pasi aktualisht ka një mungesë të theksuar sa i takon normativave, standardeve dhe protokolleve të mjekimit, të cilat janë themelore jo vetëm për matjen e kostove të një shërbimi, por nga ana tjetër janë po aq themelore për matjen e performancës së shërbimit të një spitali apo për vlerësimin e sistemit shëndetësor të vendit në tërësi. Spitali i Durrësit, I cili është I vetmi spital që financohet aktualisht nga skema e sigurimeve ka zhvilluar disa standarte por vetëm në mënyrë fragmentare. Duke qenë i vetmi spital në skemë ai nuk jep dot pasqyrën e sistemit spitalor shqiptar. Prandaj është e nevojshme që në nivel kombëtar të përcaktohen disa normativa bazë, duke filluar nga numri i spitaleve apo mjekëve për banorë, sa shtretër apo infermierë duhen për çdo mjek, etj. Këto janë normativa të domosdoshme dhe që ekzistojnë sot në çdo vend në Botë. Pasi të kemi këto normativa, të cilat do të përcaktohen brenda vitit 2009, ne do të jemi në gjendje të vlerësojmë dhe financojmë më mirë sistemin tonë spitalor dhe shëndetësor në përgjithësi.>>

E përmbledhur, ISKSH deri dje kishte në varësi shërbimin parësor(qendrat shëndetësore), barnat e rimbursueshme, ekzaminimet e shtrenjta dhe spitalin e Durrësit si project pilot, tani I shtohen të gjitha spitalet. Cfare kompetencash i mbeten Ministrisë së Shëndetësisë? >>

I mbeten kompetenca shumë të rëndësishme. Ministria e Shëndetësisë do të hyjë më në fund në rolin e saj legjitim që është politikëbërja. Ministria e Shëndetësisë do të përcaktojë ato norma e standarte të spitaleve që kanë të bëjnë me protokollet e mjekimit, pra mënyrën se si duhet trajtuar një sëmundje e caktuar apo një tjetër, kanë të bëjnë me përcaktimin e numrit të mjekëve për banorë, numrit të shtretërve etj. Këto standarte e norma Ministria e Shëndetësisë do ti caktojë e do ti monitorojë në vazhdimësi e do të vendosë më tej targeta të reja. Ato do të jenë tejet të domosdoshme edhe për financimin nga ana e ISKSH-së, pasi mbi bazën e tyre do të jepen fondet për spitalet, do të vlerësohen dhe kontraktohen spitalet. >>

Por Ministria e Shëndetësisë do të jetë përgjegjëse në fazat e para edhe për investimet në spitale dhe blerjen e apraturave, ndërsa në ISKSH kalon pjesa e pagave, sigurimeve, medikamenteve dhe e shpenzimeve operative.>>

A mund te ndodhe nje lloj coroditje mes spitaleve duke pasur mbi koke nje isksh dhe nje ministri? A do të ishte më mirë t’I kishit të gjitha ju, pra skema e sigruimeve?>>

Nuk do të ketë coroditje në spitale për faktin që do të kontrollohen nga dy burime nga Ministria për standarded dhe normat dhe nga ISKSH për përdorimin e burimeve të financimit. Por thelbi i reformës është qënia autonome e spitalit dhe veprimi si i tillë, të paktën për pjesën e medikamenteve në fazën e parë. Autonomia do të sigurojë patjetër një menaxhim më të mirë pasi do të jenë përdoruesit në këtë rast edhe menaxhues të fondeve, jo sikurse ndodh tani ku përdorimi I fondeve bëhet shumë I centralizuar nga Ministria e Shëndetësisë me fonde të pakta dhe nevoja të stërmëdha, duke sjellë një humbje të realitetit të nevojave të popullatës. Nuk janë të pakta rastet kur janë hasur në disa spitale stoqe ilacesh të caktuara dhe mungesa themelore në medikamente të tjera. Kjo ka ardhur si pasojë e planifikimeve të bëra në Ministri që ishin të ndryshme nga kërkesat e bëra nga disa spitale. Këto fenomene mund të eleminohen me dhënien e autonomisë spitaleve në përdorimin e këtyre fondeve.>>

Nga ana tjetër ky lloj funksionimi aktual ka edhe një të metë tjetër. Askush nuk e kontrollon përputhshmërinë midis nevojave dhe blerjeve sepse do të thotë që Ministria të kontrollojë vetveten. Me këtë ndryshim, do të kemi një shërbim ndaj pacientit nga spitali autonom në përputhje me nevojat e pacientit, natyrisht brenda fondeve të limituara, por ama do të kemi një institucion që do të kontrollojë këtë përdorim fondesh. ISKSH ka një kontratë sociale me pacientët pasi janë ata që paguajnë kontribute të destinuara për shëndetësinë dhe si institucion është I interesuar ti shërbejë sa më mirë dhe me një cilësi sa më të lartë atyre.>>

Ju flisni për një autonomi të kufizuar të spitaleve. Sa e kufizuar? Nga kush?>>

Jemi në një fazë ku gjithcka është e centralizuar sa I takon mënyrës së funksionimit të spitaleve, prandaj hapi për një lloj autonomie të spitaleve është shumë i rëndësishëm pasi përmbys një sistem në administrimin e spitaleve. Pra është braktisur një administrim i centralizuar dhe i hapet rruga një administrimi me autonomi.  Në momentin e parë kjo do të jetë e kufizuar. Autonome do të jetë pjesa e financimit që do të kalojë nëpërmjet ISKSH-së dhe do të administrohet e gjitha nga spitali. Sigurisht spitalet do të raportojnë për përdorimin e fondeve në ISKSH, I cili do të jetë institucioni që do t’u kalojë atyre buxhetin vjetor.>>

Pjesa që i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë mbetet ende e centralizuar, pra në këtë kuptim kemi të bëjmë me një autonomi të kufizuar pasi administrohet vetëm një pjesë e fondeve nga ana e spitalit, por me tu përcaktuar normat dhe standartet edhe kjo pjesë do të kalojë të vetadministrohet nga spitali. >>

Ne aspektin politik, Ministria e Shendetesise qe i eshte lene ne dore aleateve, tani kalon pjesa më e madhe e menaxhimit të sistemit nga institucioni juaj. A kemi të bëjmë me një vendim politik?>>

Kemi të bëjmë me një vendim me begraund ekonomik për mirëpërdorimin me eficiencë të fondeve të shëndetësisë. Por natyrisht është vullneti politik që merr përsipër reformët e këtyre përmasave dhe vullneti poltik është i qeverisë, ku natyrisht ministria e shëndetësisë është e përfshirë. Ky hap ka lidhje me sistemin shendetesor. Duhet kuptuar se skema e sigurimeve shëndetësore është një skemë që funksionon sot në Botë, pra në këtë kuptim nuk kemi të bëjmë me një shpikje shqiptare. >>

Si do të jetë paketa e shërbimeve dhe a do të jetë tërësisht falas për të siguruarit? >>

Paketa bazë do të jetë falas për të gjithë kontribuesit dhe personat që përfitojnë mbrojtje nga skema e sigurimeve. Personat aktivë, por të pasiguruar, duhet të paguajnë për shërbimin. Janë të përcaktuara tarifat për këtë kategori, që do të jenë shumë transparente. Përjashtim do të bëjnë shërbimet e urgjencës, që do të garantohen falas për të gjithë popullatën. Ne do të krijojmë një rrjet në të gjithë spitalet, që do të identifikojë përfituesit e shërbimeve dhe do të dallojë të siguruarit nga të pasiguruarit. >>

Grupet e punës janë duke punuar për të përcaktuar paketën bazë të shërbimeve, që do të përfshijë shërbimet kryesore që spitalet ofrojnë sot. Viti 2009 do të jetë një vit tranzicioni, që do të thotë se kjo paketë shërbimi do të zhvillohet në atë mënyrë që të jetë uniforme për të gjithë Republikën. Shërbimet dhe aksesi i popullatës në to duhet të jetë sa unifrome në të gjithë vendin. Hapi tjetër është përcaktimi i kostos së kësaj pakete. Pasi të kemi detajuar kostot, do të vlerësojmë sa hapësirë kemi për ta zgjeruar shërbimin në vitin 2010. >>

A është i mjaftueshëm buxheti juaj për të marrë edhe spitalet në skemë?>>

Megjithë rritjen e përvitshme që qeveria ka dhënë për shëndetësinë në masën 10-11% cdo vit, buxheti nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, sepse pranohet gjerësisht që shëndetësia është e nënfinancuar. Shëndetësia merr 2.9% të GDP, ndërkohë që mesatarja e vendeve të rajonit është rreth 6%. Nga ana tjetër nevojat në rritje të popullatës për shërbim shëndetësor, krijojnë probleme me financimin prandaj reforma do të nisë nga një organizim, menaxhim dhe administrim më i mirë i fondeve, në mënyrë që pa ndihmën e të tjerëve(organizatave të ndryshme) nëve vetë të jemi në gjendje të themi në cfarë niveli është shëndetësia jonë nga ana e performancës dhe cfarë financimi real kemi për këtë performancë. >>

Disa spitale aktualisht kanë borxhe të prapambetura. Si do të përfshihen ato në skemën e sigurimeve shëndetësore?>>

Është e vërtetë që shumë spitale janë të mbytura në borxhe ndaj të tretëve, ndaj ndërmarrjeve shterërore, gjë e cila nuk duhet anashkaluar. Këto borxhe janë të krijuara nga një mënyrë tjetër organizmi, kur Ministria e Shëndetësisë ishte përgjegjëse për spitalet. Spitalet si entitete autonome të sapokrijuara do të ishte mirë ta fillonin veprimtarinë e tyre pa këto borxhe. Natyrisht ato duhet të shlyhen nga entiteti juridik(MSH) që i ka krijuar ose mund të merren përsipër nga qeveria, por kjo do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.>>

Po sektori privat a do të mund të rimbursohet nga ISKSH?>>

Përfshirja në skemë e ofruesve privatë të shërbimeve ende nuk parashikohet në ligj, por do të parashikohet në ligjin që është duke u punuar për sigurimin shëndetësor dhe që pritet të dalë së shpjeti. Përfshirja e privatëve është një domosdoshmëri, sepse sjell edhe kosto më të ulëta dhe konkurrencë, por për momentin ekziston problemi i mosakreditimit të klinikave dhe spitaleve private që përbën edhe një rrezikshmëri të madhe për pacientin. Edhe këtu kemi boshllëqe të theksuara, qoftë për sa i takon kuadrit rregullator, qoftë për sa i takon kontrollit të tyre. Nëse mekanizmat e akreditimit nuk funksionojnë, përsëri do të mungojë një hallkë e rëndësishme e sistemit. >>

Tani që i morët ju në dorë spitalet a do të zgjidhen hallet e spitaleve, a do të dalim nga kriza?>>

Nuk mund të pretendojmë se nga kjo situatë dramatike, gjithcka të zgjidhet me 1 janar 2009. Por besoj se do të ketë një shërbim më të mirë fillimisht sa i takon medikamenteve, sepse që në hapin e parë, nevojat që do të plotësojnë spitalet do të jenë më afër pacientëve, pasi kjo pjesë e vendimmarjes kalon tek spitalet. Sigurisht fondi është ai që është por do të përdoret për nevojat më jetike që kanë spitalet. Nga ana tjetër do të kemi më pak korrupsion, sepse njerëzit do të jenë përballë rregullave shumë më të qarta se ç’janë sot. Mjekët do ta dinë se veprime të caktuara do të shoqërohen me sanksione të përcaktuara në kontratë. Për diagnoza të gabuara, për sjellje jo etike, për mitmarrje, do të ketë sanksione të qarta. Sigurisht vitit 2009 do të jetë një vit tranzicioni por ky hap duhej ndërmarrë për ti hapur rrugën një mënyre të re funksionimi të spitaleve tona e të shërbimit shëndetësor në tërësi.>>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).