Ngujim

Lajmi që dëgjova para dy ditësh, gjatë emisionit të lajmeve të mbrëmjes, në njërin prej kanaleve televizive më të njohura të vendit, është tejet tronditës: në Institutin e Fëmijëve të Ngujuar, kushtet e jetesës janë alarmuese dhe (kulmi!), këto kohët e fundit, fëmijët po i mbajnë me ushqime banorët zemërgjerë të Poliçanit. Sigurisht, qeveria aktuale që, para tre vjetësh, mori nismën e lavdërueshme të hapjes (më në fund!) të këtij institucioni përkujdesjeje e mirërritjeje të domosdoshëm për kushtet e Shqipërisë në kontekstin mesjetar të dukurisë në fjalë, d.m.th. të gjakmarrjes dhe, rrjedhimisht të ngujimit, pra, qeveria do të nxitojë, pas këtij lajmi tejet tronditës, të marrë masat e nevojshme, pa harruar të ndëshkojë personat përgjegjës, për përmirësimin e situatës; gjithsesi, pavarësisht zgjidhjes që do t'i jepet, problemin e ngujimit të institucionalizuar të këtyre fëmijëve unë kam dëshirë ta trajtoj në një këndvështrim tjetër.

Meqë ngujimi është pasojë e gjakmarrjes, më e thjeshtë dhe më e arsyeshme do të ishte që, për të zhdukur pasojën, të eliminohej shkaku. Por, meqë shkakun asnjë qeveri e djeshme, e sotme dhe, me gjasë, e ardhshme në Shqipëri nuk ka qenë, nuk është dhe, me gjasë, nuk do të jetë e zonja ta eliminojë, le të më lejohet të arsyetoj duke u futur në një hulli tjetër, jo kombëtare, por ndërkombëtare. Po shpjegohem:

Sipas mendimit tim modest prej qytetari të shqetësuar (dhe jo analisti gjakftoht&eumlsmiley ka të ngjarë të ekzistojë një lidhje midis gjakmarrjes, pra, edhe ngujimit, me mundësinë ose pamundësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga disa biseda që kam pasur e kam me miq të huaj, kryesisht nga dy-tre vende të Bashkimit Europian, më është krijuar përshtypja, gati bindja (qoftë ajo e gabuar!), se sikur Shqipëria të arrijë më në fund t'i përmbushë të tëra detyrimet për t'u gdhirë, një ditë të bukur, anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian, do të mjaftonte ekzistenca e dukurisë së gjakmarrjes, par edhe të ngujimit, që asaj t'i dilte përpara një pengesë ndoshta e pakapërcyeshme në prag të integrimit europian. Përse vallë mendoj se mund të ndodhë kështu? Përgjigjja është e thjeshtë: Përfytyroni sikur, pas integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ata shqiptarë që janë në gjak me po aq shqiptarë, në mos më shumë, për t'i shpëtuar hakmarrjes, në vend që të ngujohen brenda vendit, të shkojnë (nevojë për viza nuk do të ken&eumlsmiley e të fshihen në vendet e tjera të Bashkimit Europian; me siguri, ata që kanë gjak për të marrë do të shkojnë t'i kërkojnë e t'i gjejnë (nevojë për viza nuk do të ken&eumlsmiley për t'i vrarë atje ku kanë shkuar, le të themi, në mes të Londrës, Parisit, Romës, Berlinit etj. Meqenëse, me sa di, ne, shqiptarët jemi ende i vetmi komb që praktikojmë sistematikisht gjakmarrjen dhe, rrjedhimisht, ngujimin, merreni me mend se çfarë risie të rrezikshme mund të sjellim për shoqërinë në vendet e Bashkimit Europian! Lexuesi im mund të pretendojë se po e teproj me përfytyrimin tim të sëmurë. Unë i them atij se uroj vërtet të jem i gabuar, veçse nuk duhet harruar se Bashkimi Europian do t'i ketë analizuar të tëra të dhënat mbi Shqipërinë para se të hapë dritën jeshile për futjen e një vendi jashtëkomunitar si ajo në gjirin e tij. Prandaj jam i mendimit se qeveritarët tanë të djeshëm (që mund të vijnë prapë në pushtet), të sotëm (që mund të qëndrojnë edhe nesër në pushtet) e të nesërm (që s'do të lënë gur e shkëmb pa lëvizur për ta ruajtur pushtetin edhe të pasnesërmen) duhet ta trajtojnë këtë çështje me seriozitetin më të madh, aq më tepër që bëhet fjalë, para së gjithash, për jetë njerëzish dhe jo vetëm për një integrim të ardhshëm në një bashkësi me ligje e rregulla të rrepta. Me gjithë përpjekjet e mia gati mbinjerëzore, nuk arrij ta kuptoj dot përse, deri tani, ky problem dramatik fort kompleks nuk i ka shqetësuar thuajse fare qeveritarët tanë të djeshëm, të sotëm e të nesërm, politikanët tanë të të gjitha ngjyrave, tingujve, aromave, shijeve dhe gjinive, por shpresoj se lajmi i pardjeshëm dhe, modestisht, shkrimi im i sotëm do t'i shtyjnë jo vetëm të veprojnë me ngut të madh për të ndrequr gjendjen rrëqethëse të fëmijëve të Institutit në fjalë, por edhe të mendojnë seriozisht për pengesën që, me gjasë, do t'i nxjerrë dukuria e gjakmarrjes, rrjedhimisht edhe ajo e ngujimit,  Shqipërisë në rrugën e saj të gjatë e të mundimshme drejt integrimit në Bashkimin Europian.

1 Komente

Edmond, problemi i gjakmarrjes dhe rrjedhimisht ngujimit eshte nje plage e tmerrshme e shoqerise sone. 

Kete kendveshtrim te problemit qe ke trajtuar ti, shpresoj ta kesh bere me "sarkazem" dhe jo seriozisht.  Dhe nqs eshte bere seriozisht, atehere kthehemi tek artikulli i saktivistas ... mjerisht, ne kete rast vertetohet katerciperisht .

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).