Moti me dëborë sjell vështirësi në veri

Reshje të mëdha dëborë kanë përfshirë rajonin verilindor te Shqipërisë duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor dhe mungesë të energjisë elektrike, sidomos në zonat rurale.

Reshjet variojnë nga 30 cm lartësi në qytetin e Kukësit deri në 60 cm në zonat e thella malore.

Në orët e para të mëngjesit pothuajse të gjitha akset kombëtare të rrugëve në qarkun e Dibrës dhe Kukësit si dhe rrugët rurale kanë qenë të bllokura.

Më pas autoritetet kanë vënë në punë mjete borëpastruese dhe brigadat e riparimit të avarive në rrjetin energjitik dhe në orët e mesdites situata ka qenë më e përmirësuar, pasi dhe moti nuk ka qenë e ftohtë dhe me ngrica gjë që ka favorizuar punën për zhbllokimin e situatës.

Sipas policisë aksi kombëtar i rrugës që lidh Kukësin e Kosovën me pjesën tjetër të Shqipërisë është i kalueshëm, por duhen patjetër zinxhirët dhe pajisjet dimërore të udhëtimit.

E njëjta situatë është dhe për rrugët që lidhin Tropojën, Hasin e Dibrën me rrjetin kombëtar të rrugëve.

Pasdite edhe shumica e difekteve në rrjetin shpërndarës elektrik janë riparuar, ndërkohë që furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë normal.

Më në vështirësi janë 7 komuna në qarkun e Kukësit dhe 10 të tjera në atë të Dibrës të cilat nuk kanë komunikim rrugor me qendrat administrative.

Duke qenë se është festë nuk ndihet nevoja për udhëtime dhe me furnizime me ushqime.

Të shtunën pritet që të ketë fluks më të madh të udhëtimeve edhe të emigrantëve dhe siguria në rrugë do të varet shumë dhe nga moti që do të mbajë gjatë natës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).