Mitrovica ime

Edhe pse kam lindur në një qytet tjetër të Kosovës, Mitrovicën, si shumica e shqiptarëve gjithmonë e kam konsideruar timen. Mendoj që të gjithë e konsiderojmë ashtu, edhe pse këtë pjesë tonën në vitin 1999 e harruam në ditët më vendimtare për të, duke u marrë me punë tjera që kishin të bëjnë me interesa të ngushta por që në aspektin e përgjithshëm e paguam shtrenjtë. Sot gati një dekadë pasi Mitrovica vazhdon të jetë keq e më keq. U tha shumë, por nuk u bë asgjë për ta shpëtuar pjesën veriore të saj dhe për ta stabilizuar atë bashkë me Kosovën. Pjesa veriore e Mitrovicës së bashku me disa pjesë të territorit të shtetit të pavarur të Kosovës janë shpata e Demokleut për retorikën shterpe të liderëve institucionalë për sovranitetin e vendit.

 

Mitrovicën edhe pse deshën ta klasifikojnë si një konflikt të ngrirë ajo në realitet nuk qe e tillë. Për faktin se gjendja e tensionuar atje ka mbajtur vazhdimisht në tensione edhe pjesën tjetër të vendit edhe përkundër asaj që Kosova i ka qëndruar ‘besnike‘ duke mos bërë asnjë lëvizje të vetme për një dekadë. E nga ana tjetër, Serbia e ka nxehur vazhdimisht punën dhe Mitrovica asnjëherë s‘ka qenë e ngrirë, madje as atëherë kur temperaturat kanë shënuar -18.

 

Mitrovica gjithnjë ka qenë e ndjeshme, Serbia këtë e ka përdorur shpesh për ta tensionuar Kosovën në tërësi, kujtoj trazirat e marsit 2004 që i nisën duke ngacmuar Mitrovicën dhe Serbia fitoi shumë karta më pas. Këto trazira Serbia i përdori shumë shpesh edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit dhe në shumë qarqe të tjera diplomatike. Këtë kartë e përdori edhe në negociatat në Vjenë, duke arritur që hartën e Kosovës ta bëjë laramane me shumë zona të mbrojtura, duke i dhënë parashenjë etnike trashëgimisë kulturore të Kosovës që është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, si dhe me më tepër komuna serbe, se sa ndoshta edhe i kanë imagjinuar në fillim. Të njëjtën e përdori Serbia edhe në ditët e para pas pavarësisë së Kosovës, dhe nga kjo po synon të fitojë akoma më shumë. Përveç që po dëmton ekonominë tonë, ajo përmes planit gjashtëpikësh të Ban Ki Munit po synon ndarjen e Kosovës.

 

Sot, Mitrovica po përballet me sfidën më të madhe që prej pasluftës, ngase me të po bëhet ndarja e Kosovës. Plani gjashtëpikësh i sekretarit Ban Ki Mun ka filluar të implementohet. Liderët e Kosovës deklarativisht për konsum të brendshëm akoma nuk e kanë pranuar atë plan, por të gjithë e dinë që ai (edhe me miratimin e tyre edhe pse ndoshta askush se ka kërkuar nga ta) ka filluar të zbatohet dhe pasojat do të jenë fatale jo vetëm për Kosovën. Këtë shqetësim e kanë ngritur të gjithë liderët e Rajonit, madje për ironinë më të madhe më shumë e kemi vërejtur shqetësimin e Presidentit kroat, Stipe Mesiq, sesa të Fatmir Sejdiut. Liderët e Kosovës ndoshta edhe brengosen por qytetarëve nuk u kanë thënë asgjë përveç retorikës që tashmë është bërë edhe neveritëse për të gjithë që Kosova është e pavarur dhe sovrane.

 

A ka kush ndonjë plan për Mitrovicën? Kjo mendoj që do të jetë pyetja dhe dilema që parashtrohet në proceset në vijim! Ngase një plan i tillë do ta shpëtonte ndarjen e Kosovës, e me të edhe qetësimin e rajonit. Përveç planit në zbatim të Ban Ki Mun-it, që është në shërbim të projekteve serbe për aneksimin e veriut të Kosovës. Por ata prej të cilëve kërkohet një plan për Mitrovicën janë ata që qytetarët i kanë zgjedhur dhe me të drejtë presin prej tyre për ta shpëtuar veriun e Kosovës.

 

Çka do të ndodhë nëse vazhdon të zbatohet plani i Ban Ki Munit dhe nëse nuk zëvendësohet ai plan me një ide tjetër? Këto ditë ne po shohim që gjendja në terren po rëndohet shumë. Analistë dhe njohës të probleme në Ballkan po parashohin edhe një luftë të përmasave të ndryshme. Serbia do ta shfrytëzojë maksimalisht pafuqinë tonë politike, mossubjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, krizën financiare globale që fatkeqësisht e ka habitur botën dhe së fundi krizat e nxehta në pjesët tjera të botës.

 

Nëse vetëm ndodhin këto, lëvizin kufijtë. E ç‘do të bëhet me Mitrovicën?

 

Serbia zyrtarisht do ta aneksojë? Apo...? Serbia ndoshta edhe do të propozojë shkëmbim territoresh, duke i ofruar Kosovës, Kosovën Lindore, e cila edhe ashtu duhet t‘i takojë. Të dy skenarët prekin çështjen e kufijve dhe bie ndesh me parimet e Grupit të Kontaktit. Të gjithë në Ballkan kanë probleme me kufijtë dhe një përgjigje e mundshme është një "Londër e dytë", që në fakt sjell drejtësinë e shkelur në Londrën e 1913.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).