Ministri Ruli dhe... rrulat e tregut te lire

Ministri i Ekonomisë, eksperti i njohur i fushës, Genc Ruli, do të duhet të ulet sot sërish në tavolinën e Kryeministrisë, në mbledhjen e zakonshme të saj, për të paraqitur një tjetër projektvendim për tregun e karburanteve. Ai e ka deklaruar këtë pak ditë më parë. Do t‘i kërkojë Sali Berishës rrëzimin e një vendimi dhe miratimin e një vendimi tjetër. Të dyja vendimet i ka hartuar Genci, në një hapësirë kohe jo më të largët se 6 muaj. Por, ndërsa i pari "ra" pa hyrë në fuqi, i dyti është kundërshtuar ashpër nga një numër i konsiderueshëm aktorësh që preken prej tij, pa dalë ende nga dyert e ministrisë.

Çfarë ka ndodhur? Duket një rast i paprecedent që një ministri t‘i rrëzohen vendimet pa hyrë në fuqi. Në këtë rast, ministri ose ikën si i paaftë, ose kërkon (më e pakta) ndjesë publike që konsumon pa të drejtë orë të tëra pune të nëpunësve vartës dhe të ministrave homologë. Këtu mbetet i kënaqur, mesa duket, vetëm ministri Xhuveli, drafti i VKM nr. 147 (i vitit 2007), që sot përshëndetet dhe përgëzohet nga të gjithë.

Përse një VKM e re?

Problemi pothuajse është i njohur, duke qenë se kohët e fundit është mediatizuar më shumë se çdo problem tjetër. Shqipërisë i duhet të respektojë disa norma të njohura ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit, siç është edhe prania e squfurit, që emetohet nga djegia e hidrokarbureve. Ministri Xhuveli, me vendimin që përmendëm, kishte marrë firmën e Berishës për të ndaluar importimin e naftës diezel, të ashtuquajtur D2, duke filluar nga 1 janari 2009. Kjo parapërgatitje e Xhuvelit ishte konform MSA, OBT-GATT dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Kundër kësaj nuk u ndje asnjë zë, palët ranë dakord, opinioni e përshëndeti. Por vetëm kaq.

Ruli, në mënyrë të çuditshme i vuri rrulat kësaj ideje të mirë të Xhuvelit. Në korrik të vitit që shkoi, shefi i ekonomisë shqiptare e "përmirësoi" vendimin e Xhuvelit, duke lejuar përdorimin e D2 vetëm nga prodhuesi vendas. Sipas VKM nr. 1110, datë 30.07.2008, "Për cilësinë e lëndës djegëse diezel, të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, vendase", qeveria vendosi "Lënda djegëse diezel, e cila në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101941, e që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të, e prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, do të lejohet të tregtohet". Nuk do të ndalem në këtë rast në Standardin Shqiptar të ministrit, sepse kjo është një mesele më vete. Fjala është gjithsesi për naftën e Ballshit që, sikundër deklaroi Ruli në konferencën e fundit të shtypit, dallohet "për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg)". Ruli saktësoi se "përjashtimisht, për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri" dhe se kjo bëhet "në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së dhe ato që janë në proces integrimi".

Ata që qeshën më shumë me këtë argument të ministrit ishin specialistët mjedisorë, të cilët e dinë shumë mirë se sa mjedisore është nafta e Ballshit. Por ministri si ekspert nuk flet vetëm për cilësinë, ai e mbron tezën e tij me sasinë. Sipas Rulit, "vetëm 19% e tregut" do ta "pësojë" nga D2 e Ballshit dhe kjo sepse pronarët e rinj të rafinerisë "i kanë këmbët e lidhura" nga ministri dhe nuk mund të prodhojnë më shumë se 80 mijë tonë naftë. Se çfarë logjike ekonomike është kjo për një konsorcium biznesi, që ka investuar e investon rreth 400 milionë euro, këtë e di vetëm ministri!

Por le ta lemë për pak këtë argument!

Vendimi i bllokuar i ministrit Ruli

Vendimin 1110 të KM e rekomandoi si të nxituar vetë Autoriteti i Konkurrencës, i cili, si organi më i specializuar kombëtar, "ia dogji kartat" në dorë Ministrisë së Ekonomisë kur tha se "Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 1110, datë 30.07.2008, ‘Për Cilësinë e Lëndës Djegëse, të Prodhuar nga Rafinimi i Naftës Bruto, Vendase‘, në tregun e produktit lëndë djegëse diesel, sjell kufizime të konkurrencës për shkak të aplikimit të kushteve të pabarabarta të tregtimit ndërmjet ndërmarrjeve, në lidhje me produktin vendas dhe atë të importit".

Në të njëjtën linjë me rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës janë argumentet e ekspertëve evropianë. Sipas tyre, "vendimi i dytë i Këshillit të Ministrave, i cili ndalon vetëm importin e naftës D2, duke lejuar prodhimin vendas, bie në kundërshtim si me Marrëveshjen e GATT (Marrëveshja e Përgjithshme të Tregtisë dhe Tarifave) të OBT-së, në të cilën Republika e Shqipërisë është anëtare që nga viti 2000, ashtu edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe Marrëveshjen e Përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi që më 1 dhjetor 2006".

Kjo do të thotë se, duke qenë anëtare e OBT-së, Shqipëria është e detyruar të respektojë rregullat e parashikuara në këtë marrëveshje, ku një nga më kryesoret është "ndalimi ose kufizimi i përgjithshëm i importeve", i cili, sipas nenit 11 të Marrëveshjes së GATT-OBT, nuk mund të bëhet as me kuota, as nëpërmjet kërkesave për licencim të importit apo eksportit, apo masave të tjera kufizuese në tregti. Edhe në rast se ky ndalim apo kufizim do të ishte i justifikuar (sipas nenit 20 të po kësaj marrëveshje GATT-OBT, i cili parashikon kufizimet e tregtisë për arsye të mjedisit, mbrojtjes së njerëzve, kafshëve, vlerave historike, kulturore e arkeologjike etj.), sërish ky ndalim apo kufizim duhet të mbajë parasysh një element thelbësor në marrëdhëniet tregtare: mosdiskriminimin e produktit të importit ndaj atij vendas.

Këtij detyrimi, ministri i Ekonomisë shqiptare nuk do të ketë mundësi t‘i japë përgjigje sot, në mbledhjen e radhës së qeverisë, kur me vendimin e ri (në njoftimin zyrtar, Ruli thotë se është projektligj) ai ka parashtruar se "Projektligji ... parashikon se ARMO, si prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, do të kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra, 80 mijë tonë naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t‘i shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli u çmimit të D2 në tregun rajonal".

Edhe për këtë "zgjidhje alla ruli" ka kundërshti ligjore dhe logjike. Ekspertët e tregut me të drejtë shtrojnë pyetjen: A mund të jepet një ekskluzivitet i tillë? Nëse jepet, a duhet të certifikohet nga Autoriteti i Konkurrencës? A krijon kosto shtesë për konsumatorët ose deformon tregun?

Ish-kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Zef Preçi, tha dje se enti duhet "të përcaktojë metodikën përkatëse të përllogaritjes së kostos dhe, mbi këtë bazë, të fiksojë normën e fitimit për një periudhë të dhënë kohe, që duhet të miratojë qeveria". Dakord! Por ky është një rrul tjetër në rrugën e kompanisë privatizuese, që e dëmton jo vetëm atë, por edhe tregun e lirë. Kush e ka të drejtën e fiksimit të normës së fitimit në një treg të lirë?!

Përfundimi?

Edhe vendimi që del zot nga zyra e z. Berisha nuk do ta zgjidhë ngërçin e tregut të hidrokarbureve, i cili i prek pa përjashtim të gjithë, edhe operatorët ekzistues, edhe operatorët që hyjnë si të rinj në këtë treg pas privatizimit të ARMO-s. Zgjidhja mbetet të negociohet mes të gjithë operatorëve. Kjo, sepse kompanitë e licencuara ligjërisht nga shteti u janë përgjigjur të gjitha detyrimeve ligjore dhe kanë investuar kapitale të konsiderueshme në transportin detar e në ngritjen e depozitave bregdetare dhe të brendshme. Vetëm në Porto Romano, pas vendimit përkatës të qeverisë, janë investuar në pontil dhe në depozita (depozitat kanë kapacitet jo më pak se 20 mijë tonë karburant për çdo kompani) mbi 200 milionë euro, të cilat tashmë, pas Vendimit të Qeverisë, rrezikohen të dalin jashtë funksionit.

Po me të njëjtën logjikë kompanitë importuese dhe tregtuese kanë investuar në rrjetin e shpërndarjes së karburanteve brenda vendit (në rreth 980 pika të shitjes me pakic&eumlsmiley rreth 400 milionë euro investim (një pikë shitje pakice kërkon mesatarisht 400 mijë euro investim). Vendimi i sotëm (nëse nxitohet të firmoset), do të dëmtojë edhe marrëdhëniet e qeverisë me ndërkombëtarët, sidomos me BE-në, sepse, sipas ekspertëve, neni 19, paragrafi 2 i MSA-së, parashikon ndalimin e çdo lloj kufizimi sasior dhe masa me efekt të njëjtë me kufizimet sasiore për importet nga Komuniteti Evropian drejt Shqipërisë. Ashtu si edhe në rastin e rregullit të OBT, ky detyrim nuk është strikt, pasi kufizimet mund të lejohen (neni 42 MSA) vetëm në kushtet e mbrojtjes së mjedisit, jetës së njerëzve, moralit, rendit publik etj. Edhe në këtë rast, aplikimi i kësaj dispozite lejuese për kufizimin në tregti nuk duhet të jetë diskriminuese midis produkteve të importit dhe produkteve të ngjashme vendase.

A dëgjon nga ky vesh qeveria dhe ministri Ruli?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).