Me kulaç, ose kërbaç

Qeveria pritet që t’u mohojë shërbimet publike qytetarëve që nuk marrin kartat e identitetit që në muajt e parë. Hapi i parë do të jetë “joshja”, i dyti “detyrimi”

Qeveria ka marrë të gjitha masat për të pasur garancinë se shqiptarët do të pajisen me letërnjoftimet e reja para zgjedhjeve të ardhshme. Hapi i parë është ai i “joshjes” nëpërmjet çmimeve të ulëta për letërnjoftimet. Në muajt janar dhe shkurt, qeveria do të testojë se sa interes do të ketë shqiptarët, kryesisht ata që votojnë, për t’i tërhequr në mënyrë vullnetare letërnjoftimet e reja. Ky hap u iniciua dje nga kryeministri Sali Berisha, i cili u bëri apel qytetarëve që të tërheqin letërnjoftimet e reja që do të fillojnë të shpërndahen më 12 janar, duke filluar nga Tirana. “Me marrjen e letërnjoftimit, secila familje dhe secili qytetar dëshmon se, përveç votës, është duke dhënë kontribut edhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, tha kreu i qeverisë, duke sqaruar se çmimet për letërnjoftimet janë të ulëta. Pavarësisht mënyrës sesi shqiptarët do t’i përgjigjen këtij apeli, qeveria ka planifikuar edhe hapin e dytë, tashmë shtrëngues. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar edhe më parë, qeveria pritet që të zyrtarizojë edhe sanksionet që kryesisht prekin buxhetorët, pensionistët, studentët, ata që marrin përkrahje sociale dhe emigrantët që përbëjnë njëkohësisht edhe bazën e votuesve shqiptarë. Kështu, ata që nuk do të kenë letërnjoftimet e reja nuk do të mund të kenë akses në shërbimet publike. Për shembull, buxhetori nuk do të ketë mundësi që të tërheqë rrogën e tij, pensionisti nuk do të mund të tërheqë pensionin, emigrantët nuk do të mund të kalojnë kufirin, ndërsa studentët nuk do të mund të futen në provime, në rast se nuk kanë tërhequr letërnjoftimet e reja. Ndërkohë, për sa i përket administratës shtetërore, burime qeveritare bëjnë të ditur se qeveria do të shpërndajë shumë shpejt edhe urdhrin për drejtuesit që duhet t’i urdhërojnë punonjësit e tyre që të pajisen me letërnjoftimet e reja.Reagimet Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e këtyre sanksioneve të ndryshohen në sajë të reagimit që do të ketë opozita. Vetë kryeministri Berisha në analizën e fundit të qeverisë për vitin 2008 deklaroi se, ajo që është e sigurt, është që shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje me letërnjoftimet e reja. Nga ana tjetër, ai tha se çdo vendim për sanksionet që do të ndërmerren për ata që nuk tërheqin letërnjoftimet, do të diskutohet më parë me opozitën, pasi zgjedhjet e ardhshme janë të përbashkëta dhe roli i opozitës është i patjetërsueshëm. Në rast se qeveria do të vendosë sanksionet pa u diskutuar më parë në parlament, atëherë pritet që kjo të shkaktojë edhe debate të shumta politike në vend, si dhe një reagim nga ata që do të marrin me zor letërnjoftimet e reja. Marrja e sanksioneve të ashpra ndaj atyre që nuk tërheqin letërnjoftimet rrezikon të sjellë pasoja negative gjatë votimeve, sepse votuesi detyrohet që të marrë letërnjoftimin, por për të votuar ose jo, ai është i lirë që të zgjedhë.

1 Komente

Mire qe qeveria i detyron qytetaret per te marre kartat e identitetit, per arsye propagande, per te fituar pike, po gabimet e zyrave te gjendjes civile a i kane rregulluar. Sepse Rajmondi, nuk mund te marri karten me emrin Rajmonda; apo Kurti nuk mund te quhet Kurvi, Aleksi-Alepsi, Julia-Pulia, Sehiti-Seiti, Rexhepi-Rexheti. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).