Mbi konfliktin Berisha-Baze

Konflikti i muajve të fundit midis qeverisë dhe gazetës “TemA” pas aktivitetit denoncues të Mero Bazes arriti pikën kulmore me djegien e makinës së Bazes dhe me nxjerrjen jashtë ambienteve të dhëna me koncesion nga qeveria të redaksisë së gazetës. Lidhur me këtë konflikt kam dëgjuar e lexuar shumë komente, më është kërkuar nga lexues të shkrimeve të mia mendim për të, madje një pjesë më janë drejtuar edhe me asi pyetjesh që quhen provokuese. Kam zgjedhur që konfliktin në fjalë ta komentoj nëpërmjet përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, sepse, siç ndodh në përgjithësi me kësi lloj pyetjesh, nëpërmjet përgjigjeve ndaj tyre dalin më qartë edhe problemet, në këtë rast ato të medies dhe raportit të saj me pushtetet e tjera në Shqipëri.

 

E para pyetje që drejtohet më shpesh është ajo e tipit: Ku e ka hallin Baze, cili është motivi i vërtetë prapa fjalëve të thëna publikisht, sepse nuk besojmë ta ketë nga principshmëria?

Jam ndër ata, që shpesh kam shkruar se e mira nuk qëndron në atë që bën, por në motivet pse e bën. Pra, motivi i vërtetë ka rëndësi për të gjykuar një veprim, veçanërisht për të parashikuar pasojat e tij të mëvonshme, sesi mund ta përdorësh nesër, p.sh. kredibilitetin e fituar me një veprim të ashtuquajtur të “të mirë” (së fundi e kam përdorur për të ilustruar ligjin për dosjet.)

Motivi i vetëm i një gazetari duhet të jetë informimi i publikut, thënia e së vërtetës publikut. Ç’mund të themi për motivin e Bazes? Po t’i besojmë Bazes, motivi është zhgënjimi te Sali Berisha, të cilin e ka konsideruar të pakorruptueshëm dhe e ka mbështetur si të tillë, si dhe nevoja për t’ia shprehur publikut këtë zhgënjim në emër të luftës kundër korrupsionit. A është i besueshëm ky motiv? Personalisht mund të dëshmoj se, në kohën e parë, kur Berisha rierdhi në pushtet, Baze e paraqiste në rrethe gazetarësh të njohur, si njeri në derën e të cilit zor se do të mund të hynin kollaj mafiozët e shumtë që kishin bërë si të tyret zyrat e Nanos apo Ramës. Megjithatë, nuk mund të ngulmoj dot se motivi i denoncimit të Bazes vjen nga ky zhgënjim. Ai, nga ana tjetër, e njeh shumë mirë ambientin e korruptuar e korruptues që mbizotëron në politikën shqiptare, dhe po ashtu, u pa se Berisha dha shpejt shenja se dyert e tij mund të hapeshin edhe nga të korruptuar, prandaj më duhet t’i lë vetes të drejtën e dyshimit, nëse motivi i Bazes është ai që deklaron. Nga ana tjetër, nuk mund të pajtohem assesi me mendimin e atyre që skualifikojnë gjithçka thotë Baze, me argumentin se motivi i tij është i mbrapshtë, pasi lidhet pikërisht me favore materiale të parealizuara nga Berisha. Përvoja tregon se kush kërkon thjesht e vetëm favore materiale, nuk armiqësohet në këtë farë feje. Po ashtu, nga krahu i qeverisë nuk ka ardhur ndonjë shpjegim i qartë dhe bindës se cilët janë motivet e mbrapshta, sipas saj, që e kanë shtyrë Bazen të armiqësohet padrejtësisht me qeverinë dhe kryetarin e saj. Sipas meje, motivet e prishjes së Bazes me Berishën janë një gjë më komplekse, që tek e fundit, i dinë ata të dy më mirë se kushdo. Neve na intereson më shumë faqja publike e konfliktit. Pavarësisht se cilët janë motivet, çështja kryesore për ne është nëse qëndrojnë apo nuk qëndrojnë akuzat që ngre Baze. Sepse shumë të vërteta mund të thuhen edhe jo thjesht për hir të së vërtetës. Fjalën e fundit, nëse janë të vërteta akuzat e Bazes, duhet ta thonë prokurorët dhe gjyqtarët, që, për fat të keq, te ne nuk kanë kredibilitet. Por mua më duket se po të ballafaqosh ato që ka thënë Berisha para se të vijë në pushtet me shumëçka që, në fakt, po bën sot, çka është edhe kryetema e Bazes në thelbin e vet, vështirë të mos i japësh të drejtë këtij të fundit në shumë gjëra që thotë.

 

Po të kishte qenë kaq parimor ky Baze, do të kishte denoncuar Berishën e ‘97, kurse ai e ka mbrojtur, madje me fanatizëm.

Sipas meje, Baze ka bërë pjesë ndër ata gazetarë, që, si të thuash, kanë qenë të rreshtuar, një militant i PD. Pra, nuk ka bërë pjesë ndër ata gazetarë apo intelektualë, që e mbështesin një parti, me principin se mund ta bëjnë këtë për sa kohë që idetë e tyre përputhen me premtimet e saj, por që e braktisin atë kur shohin se këto tradhtohen. Militanti angazhohet si të thuash, nëpërmjet një betimi për mostradhti ndaj grupit. Por, edhe pse komprometohet me këtë grup, sigurisht. Sipas meje, një nga arsyet pse Baze ka mbështetur për një kohë të gjatë Berishën me fanatizëm, është edhe kjo ndjenjë e fortë përkatësie - pa dyshim e lidhur edhe me interesa, do të thosha jo thjesht materiale, por sepse kjo përkatësi i siguronte edhe një mbrojtje, edhe një status, edhe një punë etj. E keqja nuk qëndron në faktin se ka gazetarë të tillë, sepse atëherë s’ka pse t’i kishim edhe gazetat partiake. E keqja qëndron se, duke mos pasur demokraci të brendshme në partitë tona, liderët e tyre nuk u lejojnë as gazetarëve të angazhuar brenda partisë, që të sjellin informacione pakënaqësie apo të shprehin mendimin kritik brenda partisë apo edhe në gazetë, të bëjnë pra mirë punën e tyre. I duan militantë syverbër, si militantë më të rëndomtë. Personalisht, kur Baze ka filluar kritikat, e kam parë si shenjë demokratizimi të Partisë Demokratike. Dhe i kujtoj lexuesit se, në krye të herës, Baze ka bërë kujdes që të mos sulmonte liderin, por fenomene dhe grupe që i shihte të rrezikshëm edhe për atë vetë. Kujtoj se ka sulmuar faktin se PD dhe Berisha nuk po realizonin programin, sepse ndodheshin nën shantazhin e fenomeneve “Pollo”, apo fenomeni demokristian që kishin krijuar si të thuash, mikroqeveri brenda qeverisë. Sulmet ndaj Berishës dhe familjes së tij kanë ardhur më vonë dhe gradualisht, ndërkohë që kritikat e Bazes, që mund të ishin ndihmuese, janë kaluar me një shurdhësie totale të Berishës. Në fakt, një pushtetar i mirë duhet të jetë vigjilent edhe ndaj asaj që thotë kundërshtari në shtyp, e jo më një gazetar që deri dje ka qenë në krahun tënd. Kurse sipas përvojës sime, në vend të kësaj, me gazetarët “miq” që fillojnë të kritikojnë (nëse nuk arrihet blerja), ndodh heshtja dhe distancimi, pastaj diskreditimi nëpërmjet veshjes së motiveve të mbrapshta dhe pastaj akte direkte presioni e frikësimi. Problemi është se këta lloj liderësh nuk duan të dëgjojnë, të dialogojnë apo të japin kundërargumente, por thjesht të të skualifikojnë, jo vetëm pse kanë maninë e gjithëpushtetshmërisë, që i bën t’iu duket se vetëm gazetarët që u shërbejnë thonë të vërtetën, kurse të tjerët i instrumentalizon armiku, por edhe pse e kanë bërë zgjedhjen e tyre të rrugës së të keqes dhe çdo dialog apo kundërshtim i pengon dhe i vonon në realizimin e asaj që kanë bërë ndërmend. Kur ke futur në xhep lekët për një punë të mbrapshtë, vështirë se ke dëshirë të dëgjosh ata që ta kritikojnë këtë punë.

A nuk e ka ekzagjeruar Baze në akuzat e tij? Sepse, megjithëse thonë se Berisha provoi se është ai që ka qenë, në fakt ai ka treguar një tolerancë, që s’krahasohet me qeverisjen e tij të parë ndaj medieve, po të kesh parasysh se shumica e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur të lidhura me socialistët. A nuk është Baze që e ka ekzagjeruar, duke e sulmuar deri edhe në aspektin fizik, për të mos përmendur sulmet familjare?

Nuk mohohet se tashmë në shkrimet e “Temës” ndjehet urrejtja personale që nuk ka qenë në shkrimet e para. Kjo ka pasuruar stilin dhe emocionet, por ka sjellë edhe përsëritjet e shpeshta, ndonjëherë të të njëjtave gjëra, edhe të fyerjeve. Kjo ka sjellë, sipas meje, edhe një lloj humbjeje të vizionit të së tërës, në kuptimin se, të luftosh sistemin e korrupsionit, nuk mjafton të akuzosh kryeministrin dhe familjen e tij, (aq më pak duke i thënë je plak e nuk e ke të gjat&eumlsmiley, pasi, sikurse e thotë edhe Baze vetë, Berisha e gjeti atë sistem dhe unë kam bindjen se, sikur nesër të ikë Berisha, (siç ka ikur edhe Nano), ne përsëri do të kemi të njëjtin sistem korrupsioni. Dhe një nga shkaqet e mbijetesës së këtij sistemi, madje i zhvillimit të tij të mëtejshëm, është se luftën si gazetarë nuk e bëjmë kundër tërë elementëve të sistemit, por e bëjmë selektive dhe shpesh vetëm kundër politikanëve të caktuar, (duke u akuzuar edhe për instrumentalizim), çka ka rezultuar terapi e dështuar, sepse tek e fundit, kemi kontribuar thjesht që një palë e korruptuar të zëvendësojë një palë tjetër.

Por kjo urrejtje e Bazes vjen nga pafuqia, do të thosha. Ajo vjen nga mosbesimi se drejtësia do të bëjë të drejtën, nga pambështetja sa duhet e njerëzve që ka të njohur në PD, nga mbështetja e pamjaftueshme e institucioneve të tjera e të vetë medieve. Dhe kjo bën që të mos i vihen re shfryrjet e urrejtjes, pasi peshon më shumë padrejtësia që e shkakton atë.

Po ashtu, e këtu u përgjigjem atyre që më kanë kujtuar sulmet e panumërta me fyerje personale e familjare që më ka drejtuar Baze në kohën kur i sulmoja idhullin e tij, Berishën, mendoj se njeriun nuk duhet ta mendojmë si të pandryshueshëm për jetë e mot. Ai ndryshon për mirë apo për keq sa në sajë të ndryshimeve që ndodhin në shoqëri, aq edhe në sajë të ndryshimeve që kanë të bëjnë me proceset e tij të brendshme të përvojës, formimit, dijesimit. Përvoja ka treguar se ata që ndryshojmë më për keq janë politikanët, d.m.th të pushtetshmit, pasi sikurse thuhet, pushteti korrupton, kurse ai absolut korrupton në mënyrë absolute.

Gazetaria e daljes jashtë kontekstit të temës së trajtuar, që shkon deri në shpifje e fyerje familjare ndaj kundërshtarit, nganjëherë në nivel basifondesh, ka qenë tipike për PD-në e qeverisjes së parë. Dukej sheshit se këta njerëz flisnin vetëm me njëri-tjetrin dhe këndelleshin, duke fyer e poshtëruar publikisht kundërshtarët, pa llogaritur se çfarë mllefi akumulohej kundër tyre. Histori e njohur e të korruptuarve nga pushteti. Nuk i ka lënë gjë mangët edhe “Zëri i Popullit” i Braçes vite më vonë. Edhe Baze e ka përdorur shpesh dikur. Përshtypja ime është se shtypi është përmirësuar në këtë drejtim, por situata konfliktuale si këto, në mungesë të një drejtësie që vepron me profesionalizëm dhe ndershmëri, e riakutizojnë fenomenin.

Baze na del se është edhe pronar mediesh, edhe investitor, edhe gazetar. A ka ai besueshmërinë e një gazetari të pavarur në këtë luftë që bën, apo kemi të bëjmë me rastin tipik të pronarëve që luftojnë për bizneset e tyre?

Konflikti i Berishës me Bazen, më mirë të themi i qeverisë me gazetën “Tema”, ngre edhe një herë çështjen e gjendjes së pushtetit të katërt në Shqipëri në raport me pushtetet e tjera. Nuk mund të mohohet, sipas meje, se Baze, duke qenë njëherësh edhe pronar medieje, edhe përcaktues i politikave editoriale, edhe editorialist në medien e tij, bën pjesë në sistemin anormal mediatik që kemi ne sot në Shqipëri. Nuk mohohet gjithashtu, se koncesioni i dhënë është një favorizim i një medieje, në një kohë kur Berisha e konsideronte të krahut të tij. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se një sistem normal dhe sa më i pavarur jo vetëm nga pushteti politik, por edhe nga pushteti ekonomik (që në fakt janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kanë futur nën hyqmin e tyre edhe mediet), do të ishte ai që do të zhvillonte medien publike mënjanë dhe do t’i reduktonte, duke i futur në ekonominë e tregut, mediet e tjera private, duke i pastruar nga konfliktet e interesave, raportet klienteliste apo të shantazhit me pushtetin. Ngulmoj gjithashtu, se tjetër gjë duhet të jenë interesat ekonomike të pronarëve të medies private, dhe tjetër gjë politikat editoriale që duhet të përcaktohen nga borde gazetarësh dhe jo nga pronari direkt. Berisha, ndonëse ma ka mbështetur këtë ide në kohën kur isha kryetar i bordit të Radiotelevizionit Publik, më rezulton se nuk ka menduar asnjëherë seriozisht për realizimin e saj. Nuk mohohet gjithashtu, se kjo do të ishte një reformë që do të kërkonte edhe bashkëpunimin me opozitën, e cila, përkundrazi, duke pasur në dorë pjesën më të madhe të medieve private, preferoi ta lërë RTVSH në duart e Berishës dhe të vazhdonte luftën politike në mediet private pranë saj. Sot është e lehtë të thuash për Berishën se ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron, por sipas meje, duhet ngulmuar më shumë në shkaqet më të thella se pse te ne politikanët sillen si ujq, që kundërshtarin e shikojnë si një dele që duhet ngrënë, dhe jo si një të barabartë, me të cilin duhet të bëjnë dialog. Sipas meje, është një kulturë e tërë pushteti i trashëguar dhe i adoptuar në kohën tonë, që e shkakton këtë dinamikë, ku “delja” bëhet ujk, ose e sheh veten si ujk që ka përballë dele, me mendimin se mund të përdorë çdo lloj mjeti për ta ngrënë. Dua të them me këtë, se edhe nëse Berisha ka pasur seriozisht idenë e një normalizimi të medies, gjë që, për hir të së vërtetës e besoj shumë më pak se disa vjet më parë, duke u gjendur përballë një opozite, që përkundrazi, nëpërmjet këtij sistemi mediatik klientelist që kishte ngritur vetë në këmbë, kërkonte ta rrëzonte që muajt e parë, ndërroi mendim dhe filloi të luftojë me të njëjtat mjete të opozitës. Kjo sipas meje, e ka çuar gjendjen e medieve në një nënshtrim edhe më të madh ndaj pushteteve politike, si dhe në një polarizim pa hapësira pavarësie, ku edhe gazetarë të mirënjohur si kundërshtarë të socialistëve, si Baze, sot akuzohen se bëjnë lojën e tyre.

Gjithsesi, duke pasur parasysh këtë kulturë dhe, në kontekstin e saj, prirjen e Berishës për pushtet absolut, d.m.th. për kontroll të të gjithë pushteteve (që e gjej po aq të rrezikshme edhe tek lideri socialist Rama), e vë shumë në pikëpyetje mundësinë reale të realizmit të projektit që kam shtjelluar edhe publikisht më se një herë. Një fuqizim i RTSH dhe një futje në treg e medieve private nuk mund të kryhet pa u shoqëruar me një demokratizim të partive, të gazetarisë e shoqërisë civile në përgjithësi. Në kushtet aktuale, forcimi i RTSH dhe dobësimi i privatëve do të mund të kryhej vetëm nëpërmjet vënies së RTSH nën kontrollin e ekzekutivit, dhe eliminimit të medieve private kundërshtare (ose kthimit të tyre në shërbëtore të qeveris&eumlsmiley. Kurse me sistemin që kemi, ka sado-kudo pak më shumë hapësira lirie shprehjeje. Shembulli i Bazes është ilustrim i kësaj. Sikur Baze të ishte gazetar i RTSH, do të ishte censuruar me kohë. Pra, pavarësisht se kjo media, kështu siç e kemi, është shprehëse e interesave të atyre që i kam quajtur shpesh “oligarkë”, të cilët nuk lejojnë, për interesat e tyre, të kalojë çdo gjë nëpër ekranet apo gazetat e tyre, përsëri ky sistem krijon më shumë hapësirë se çka mund të na mbetet po të realizohej projekti im me një lider si Berisha (apo edhe si Rama). Duket se duhet të presim një klasë tjetër politike dhe po ashtu një shtresë tjetër ekonomike, tjetër shoqëri civile dhe tjetër kategori gazetarësh, që të realizohet projekti im, i cili gjithsesi, mendoj se është më i drejti. Por, nga ana tjetër, vë në dukje se edhe Baze sot mund të bëjë pjesë në përjashtimet që përforcojnë rregullin. Prirja e përgjithshme dominuese e gazetarisë është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrit që vjen nga lart, ku me “lart” duhet të kuptojmë jo të vërtetën, por ndërthurjen e interesave të pushtetit politik me atë ekonomik, që gjithnjë e më shumë po lidhen me njëri-tjetrin e po bashkërendisin interesat në dëm të lirisë së medieve. Dhe po kaloi pa u dënuar padrejtësia që po kryhet ndaj gazetës “TemA”, do të pësojmë një hap edhe më mbrapa në lirinë e medieve.

9 Komente

 Fatos, me pelqen qe futesh ne rradhen e atyre qe dine te harrojne dhembet e thyer (Arben Imami) drurin para kalamajve (Prec Zogaj) e te tjere si keta. Kjo pune do bythe te medha, qe ta durosh shqelmin ne prapanice, gje qe jo te gjithe e kane.

Tani duhet të presim artikullin e Temës: "Mbi konfliktin Rama-Lubonja" smiley

Ky Fatos Lubonja mbetet njishi Gasetarise Shqiptare, ose Opinionisti me i sakte.

 

 

Me te vertet , kete e shikoj si njeriun,qe jeta e ka perplas kaq shume here pas muri, edhe perseri eshte me dinjitet.

 

Hallall Lubonja,

 

Respekte Germani.

Per mendimin tim, konflikti Baze-Berisha eshte nje sherr i hapur dhe i paster per pazare te prishura.

Lubonja perpiqet me kot ta justifikoje me arsye e motivime te tjera.

Baze i detyrohet Berishes per shumecka qe zoteron sot: kapitalet dhe asetet, emrin, pushtetin, e keshtu me rradhe. Pra shumecka nga ato qe e perkufizojne ate si individ ne sferen publike i detyrohen marrdhenies se tij ne Berishen.

Por edhe Berisha i detyrohet dicka Bazes, ashtu sic i detyrohet dicka shumekujt, pasi ardhja ne pushtet dhe mbajtja e tij kerkojne krijimin e nje rrjeti sa me te gjere mbeshtetesish e bashkepunetoresh.

Ne kete logjike, Baze, nga pozita e vasalit te forte (apo te pakten te veteperceptuar si i tille) i kerkon Berishes, kur ky hipen serisht ne pushtet, shperblimin e merituar per besnikerine e shfaqur ne sa e sa rrethana.

Pikerisht mbi percaktimin e shperblimit (ne sasi e cilesi) lind, per mendimin tim, konflikti mes tij dhe Berishes.

Per te kuptuar natyren e shperblimit duhet te kuptojme fushat e interesit te z. Baze. 

Tani, Baze eshte:

1. gazetar/opinionist/njeri i mediave

2. biznesmen ne fushen e mediave

3. mik/besnik/keshilltar i Berishes (kryesisht ne fushen e mediave, por jo vetem)

Shperblimi i kerkuar, afermendsh, duhet te kete patur te beje me konsolidimin e pozitave te:

1. Bazes-njeri i mediave, ne sferen e mediave,

2. Bazes-biznesmen, ne fushen e biznesit,

3. Bazes-keshilltar, ne rrethin e atyre qe kane, apo duan te kene ndikim ne vendimet e kryeministrit (ne fushen e mediave, por jo vetem).

I ketij lloji besoj se do te kete qene edhe shperblimi i kerkuar nga Baze.

Konflikti, per mendimin tim, lind nga mosplotesimi i njeres apo disave prej kerkesave te z. Baze, nga ana e Berishes ne pushtet.

Keshtu p.sh., mesa mbaj  mend nga leximi i mediave, Berisha e emeron Bazen drejtor te keshillit mbikqyres te RTSH-se, apo dicka e tille, duke filluar plotesimin e ambicjeve te pikes se mesiperme numer 1., por edhe frustron haptazi ndonje kerkese ekonomike te Bazes-biznesmen, si p.sh. rasti i shtypjes se materialeve per llogari te institutit te shendetit publik te Elvana Hanes (mbese nga gruaja e Kryeministrit).

Gjithashtu edhe pozita e Bazes-keshilltar (per mediat dhe jo vetem) vjen duke u lekundur e dobesuar. Kjo ndoshta jo per vullnet te drejteperdrejte te Berishes, por sepse edhe ne kete rrafsh marrdheniesh konkurrenca brenda llojit sa vjen e forcohet e ashpersohet, me daljen ne skene te orientimeve dhe personazheve-vasale te rinj e me ambicje dhe energji te reja e agresive.

Ne kete pike, i shqetesuar, me te drejte, per te ardhmen e tij ne te treja drejtimet e lartpermendura, z. Baze fillon te rrise trysnine ndaj kryeministrit me qellim qe ta nxise (ne mos detyroje) kete te fundit t'ja vere veshin kerkesave te vasalit te tij.

Dhe kete e ben me ato mjete presioni qe ka ne dispozicion:

1. njohurite, deri diku te detajuara, qe ka mbi  ceshtje te brendshme te ngrehines se pushtetit te kryeministrit, 

2. emrin e tij, si opinionist i mireinformuar per faktet qe kane te bejne me Berishen (si kurtizan i oborrit te tij)

3. median qe zoteron, gazeten Tema

Fatkeqesisht per te, rrjedha e ngjarjeve ashtu sic e njohim, deshmon se strategjia e Bazes eshte e gabuar.

Ai jo vetem qe nuk e nxit (e aq me pak e detyron) Berishen t'ja plotesoje kerkesat, perkundrazi, me escalation-in e shkrimeve dhe akuzave te tij zgjon tek kryeministri fillimisht bezdisje, pastaj acarim dhe se fundi zemerate te hapur.

Zemerata e Berishes kulmon me vendimin per ti hequr vasalit te tij ato privilegje qe ai, me mbeshtetjen dhe pelqimin e prijesit te tij, gezonte deri me sot si biznesmen (mjediset e Temes dhe te shtypshkronjes ne pronesi te Bazes) dhe si keshilltar dhe njeri i afert i kryeministrit.

Pra Berisha vepron sipas logjikes feudale, "une ti jap dhe po une ti heq, po me cave koken, sic po ben ne kete periudhe".

Keshtu e shikoj kete ceshtje une, si lexues i shtypit te perditshem, ndaj edhe nga ky kendveshtrim nuk pajtohem me Lubonjen qe thote se Baze po i kundervihet Berishes sepse qenka i zhgenjyer nga ky i fundit per punen e luftes kunder korrupsionit.

Baze mund te kete ndonje konflikt me Berishen (me ke nuk do te kishte konflikt ai?); por Berisha nuk ka asnje arsye te kete ndonje konflikt me Bazen. Kryeredaktori i faqeve te Temes nuk ka ku ta gjeje rendesine qe te behet shqetesim konfliktual per ish-shefin e tij.

Bazes do t'i pelqente qe Berisha te kishte konflikt me te; edhe po turfullon nga pamundesia per ta siguruar kete konflikt! 

 

Pamvaresisht nga motivimi i dyshimte i Bazes, cfare po i ndodh atij eshte shprehja e perseritur e urejtjes dhe hakmarrjes primitive, dispropricionale dh e irracionale te Berishes pe kedo te cilin qofte edhe per nje cast e ka konsideruar prane tij apo te besueshem. Kjo eshte logjika e cdo diktatori psikopat e maloku qe i konsideron te tjeret jo si individ e qenie njerezore me te mirat dhe tekeqijat e tyre por si objekte apo vegla per tu perdorur per kete apo ate qellim meskin dhe qe duhen zhdukur nga faqja e dheut me fis e fare nese bejne qofte edhe me te voglin devijim nga qendrimi i liderit.Kete ka bere Berisha me te gjithe ata qe i qendrojne prane sot dhe qe nuk do te hezitoj ta bej perseri "again and again".Cfare lubonja nukguxon ta thote eshte se ne zgjedhjet e 2005 edhe ai si Baze ndihmoi pa kursim per mashtrimin e madh per rehabilitimin dhe "lustracionin" e figures se berishes per gjoja ndryshim te natyres se tij vrasese dhe vecanerisht  ne genjeshen me te madhe qe u eshte SERVIRUR  shqiptareve me gjoja pamundesine korruptuese te berishes. Berisha si nje njeri medioker e primitiv tregoi shume shpejt ne karrieren e tij politike se kishte thellesisht te ngulitur be psiken e tij te korruptuarit nga pushteti "power" dhe ne 4 vitet e fundit kuptoi (mesa duket me ndihmen e femijeve dhe te miqve te tij mafioz) qe te kesh e te mbash pushtetin arbitrarisht e forcerisht te duhen edhe paret. Une equaj qesharake genjeshtren tjeter se Berisha1 ishte i pakorruptueshem-kujtoni vetem trafikun shteteror te naftes dhe greminen e firmave piramidale-por deri ne vitet e fundit aika qene mjaft finok per ti fshehur gjurmet e tij dhe askush nuk i ka hyre per te ndjekur fillin mafioz te parave te naftes, armeve dhe firmave piramidale te atyre viteve dhe shpresoj qe neser per te miren e shqiptareve te pakten te ndjeke pasurine e ???paligjshme te familjes berisha e me gjere te fisit e miqesive mafioze te tyre. Se fundi perseri Lubonja qe mesa duket mendon se perben ndergjegjen e kombit vazhdon te hedhe balte mbi Ramen jo per ndonje aresye e "motivim" te forte por duket se me te njejtin mentalitet si Berisha per ti shkuar deri ne fund rruges se nisur te urrejtjes patollogjike e irracionale dhe deshires shkaterruese ballkanike.

O Studenti , te flasim si studenti studenti d.m.th.

 

Cdo kush do ta kuptonte,qe Baze ka konflikt inetresash, edhe ceshtje bussinesi eshte prishur me Salen,eshte shume e thjeshte.Edhe Lubonja nuk e mohon kete gje, ose me sakte nuk i intereson.

Une pelqej kendveshtrimin qe i ben Lubonja ketij problemi, eshte shume i sakte, edhe me te vertet shume i arrire, qe keto opinionistat e tjeter, nuk ia afrohen as tek maja gishtit.

 

Cme intereson mua bie fjala si populli thjeshte, Qe Baze ka trathtuar salen per leke apo per pushtet edhe ngaqe ai ka qene njeri i afert i Sales, te vertet e tij Nuk Vlejn???

Fakten nuk kane shume nevoje per tu kuptuar,Fasllici ( asnjeri nuk e hane, qe ska pasur korrupsion),blen tokat e fshatarve te shkrete, me 1mij leke m2 edhe po aty behet , Fix fare tek toka e tij, beht PArk Energitik.Merr si keshilltare Kunatine Lulzim Bashes,qe ishte emigrant ne Kosove, pas Lulit.Pa iu futur, ne thellesi lidhjeve te tij me shitje energjie etj etj,Kaq me mjafton mua te kuptoj,qe ketu mban ere muhabeti.Nuk po merrem me me te tjerat, Gerdeci, Armo,bla bla

 

 

Po te mos kishte qene me Meron, ky Fasllici as nuk do te ishte permendur fare, Se Mediat e tjera, jane te shitura, ashtu sic ishte edhe Baze me pare, ose mund te jete tani.Mund ta kete blere Rama, se leket si mungojne.Kjo pastaj ka te beje, me karakterin e tij si gazetare, jo me Lajmin.

 

Fakti mendetet......Iku Baze, ia moren shtypshkornjen apo ia dhane. vari lesht.

 

 

gjithsesi i ke bere shume analize, korrekte ceshtjes Studento.

Fillimi, mesi dhe mbarimi i gjithe kundershtimit dhe sulmit rrugaceror dhe pa fakte te Mero Bazes kunder Berishes dhe njerezve te tij, ka te beje vetem me tenderat dhe favoret e tjera qe Mero, priste te merrte nga Berisha dhe PD-ja ne pushtet.  Thjesht interesa financiare (jo te ndershme) te nje pseudo-gazetari.  Ka te drejte "studenti" me siper edhe per synimet e Meros qe te vazhdonte te ishte nje njeri i afert i Berishes, dhe rrjedhimisht te kishte influence gje qe do t'i sillte ketij personi favore te pamerituara.

Nese e keni ndjekur Meron gjate dy-tre viteve te fundit, pershkallezimi i sulmit dhe prishjes se tij ka ardhur gradualisht, ne varesi te mos fitimit te tenderave dhe presionit per t'i hapur rruge. 

Beri nje shit-blerje te dyshimte te gazetes se tij, tek nje biznesmen qe kerkonte leje per kazino ne Tr.  Ne ate kohe e vuri Berishen dhe qeverine ne qender te sulmeve te opozites dhe Erion Veliajt, pasi e akuzonin qeverine se i kishte dhene leje nje biznesmeni qe bleu nje gazete afer saj.  Pavaresisht qe kjo ishte nje "dallavere" e Meros, balten e mori qeveria mbi vete.

Mesyu institucionet e shtetit per te perfituar tendera, qe sipas Meros i meritonte pasi kishte kontribuar per PD-ne, ku ato qe u bene me te dukshme per publikun ishin tentativat e Meros per te marre tendera tek ISKSH-ja dhe Ministria e Arsimit qe drejtohej nga Pollo ne ate kohe.  Kur u zbyth ne babezine e tij per te marre tendera ne menyre te pandershme, filloi sulmin por jo mbi Berishen direkt, por ata poshte tij, drejtoren e ISKSH-SE, Pollon etj.  Kete e bente ne nje menyre shume te peshtire, si dikur ne kohe te monizmit qe qarkullonte ne popull nje fjale (me gjase e nxjerre nga Sigurimi) qe "uji turbullohet ketu poshte, atje lart tek burimi del i paster", se medemek per ndonje padrejtesi dhe te keqe qe behej kishte pergjegjesi brigadieri a kryetari kooperatives, pasi Enveri dhe udheheqja nuk dinin gje, keshtu dhe Meroja ne shkarravinat e tij ne ate kohe thonte qe, Berisha nuk di gje, keta poshte e genjejne.  Ne fakt Berisha informohej dhe mbante shenim te gjitha tentativat e Meros per te vjedhur shtetin dhe marre favore te padrejta.

Bente edhe perpjekje te tjera per ta ndrequr me Berishen duke sulmuar ata qe mund te ishin kundershtaret e Berishes ne PD.  Sulmonte Topin dhe ata qe mund te ishin mbeshtetesit e tij, tani ben sikur perkrah Topin dhe kerkon ndihme nga ai.

Kur Berisha vendosi ta largonte perfundimisht kete tender-lepires, atehere ky filloi nje fushate shpifjesh dhe sharjesh pa asnje fakt dhe te vertete, pervecse emrat e njerezve qe permendte.  Ne fakt kjo i solli perfitime.  Menjehere doli ai qe i paguante keto shpifje, Edi Rama.

Ne fakt Meroja nuk kishte faj, pasi kerkonte te zbatonte modelin socialist dhe me shume atij te Edi Rames per te korruptuar mediat.  Edi Rama dhe socialistet kur ishin ne pushtet, ju jepnin tendera dhe favore te tjera pronareve te mediave qe ishin pro tyre, dhe korruptonte ata qe nuk ishin me ta po me kete menyre.

Per te mos shkuar me gjate per kete njeri qe eshte turpi i gazetarise shqiptare, modeli se si nuk duhet te jete nje gazetar, kjo gazetari qe perdoret per te shantazhuar pushtetin per te bere para ne menyre te pandershme, kjo gazetari qe interesin e publikut e ka hedhur ne hale me kohe, nuk meriton asnje mbeshtetje, por ne te kundert denoncim te saj. 

Prandaj mua me habit Lubonja qe eshte nga analistet e pakte qe e ka denoncuar me kohe kete sistem te korruptimit dhe kapjes se medias gje qe sjell shume pasoja te tjera.

Pavarsisht interpretimeve qe komentatoret i bejne Meros, Lubonja mendoj se ka te drejte ketu.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).