Manual përdorimi për orën e koprifuokos

Nuk kemi kohë. Këtë fillimvit, këtu përmblidhet gjithë kredoja politike e kombit. Opozita është e shqetësuar rreth pamjaftueshmërisë së kohës për t’u marrë shenjat e duarve gjithë votuesve. Mazhoranca thotë se kemi humbur shumë kohë duke i lënë kaq gjatë në detyrë zyrtarë të drejtësisë me duart të përlyera në “komunizëm”. Nikollë Lesi nuk ka kohë për të humbur me ministra të paaftë të cilët thotë se i ka votuar po vetë. Deri edhe Eduard Shalësi thotë se koha për realizimin e tërë atyre projekteve për Tiranën, skadoi, ngaqë Berisha dhe Meta i ngulën thikën buxhetit të Bashkisë.

Në përgjithësi, ne si shoqëri shqiptare kur na kap ndonjë moment i rrallë kthjellimi mendojmë se, netëve mes grackash dhe batakçillëqesh të vogla që pamë në rrugën e pafundme deri këtu, shumë kohë kemi humbur me këtë tranzicionin. Njëzetë janari, thonë, ishte dita më e trishtuar e historisë, kriza ekonomike që pak vetë e kuptojnë po na gllabëron, dimri është i ashpër dhe në përgjithësi të gjithë kanë një ndjenjë pesimizmi për jetët e çuara dëm në pritje të një dite të bardhë që s’erdhi kurrë.

Gjithkush në mënyrën e vet, përtej nevojave personale nga ato më proletaret për bukë, ujë e drita e deri tek shqetësimet intelektuale që mezi shpjegohen, ndjen këto ditë një si mungesë kohe. I vetmi në këtë vend që duket se nuk e ka problem kohën pa kthim është Skënderbeu dhe kali i tij, që sivjet festuan me një indiferencë prej bronxi deri 541 vjetorin e asaj vdekjes që u garantoi atyre përjetësinë.

Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag. Në qarqe të kalitura militantësh por edhe zgjedhësish – nga ata lehtësisht të manipulueshmit - atmosfera e “koprifuokos” politike është thuajse një stil jetese për të cilën në kohëra paqeje ka deri deri nostalgji. Shumë njerëz kanë mall për adrenalinën që të jep rreziku, suspansën si në filmat hollivudianë dhe në përgjithësi, të jetuarit nën alarm.

Por vërtet, teksa thellë në shpirt të gjithë shqiptarët normalë ëndërrojnë që më në fund të kemi ato zgjedhjet e vërteta të lira, të drejta, pa asnjë cen dhe pa asnjë arsye ku të kapen kundërshtuesit e rezultatit të tyre, a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?

Ku ka vullnet gjendet një rrugëzgjidhje, thonë të mençurit. Nëse qëllimi ynë final është të zhvillojmë gjallë a vdekur një palë zgjedhje që të mos kenë të sharë, atëherë çdo vendim, proces apo afat institucional do të duhet ta lërë peng përkohësisht sublimitetin e vet. Arsyeja është madhore.

28 qershor? Dekret presidencial? Afat kushtetues? Po ç’janë këto pallavra. Ne që Kushtetutën e kemi shndërruar në topth plasteline edhe për çështje absolutisht banale, a thua e quajmë atë një tabu të paprekshme për një motiv ekzistencial? Si fjala vjen, nëse vjen puna për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po u shndërrua në një pengesë që këto zgjedhje të jenë sipas atij qëllimit kryesor që thamë në fillim. Dhe të mos dalë njeri e të na thotë, ne, shqiptarëve që lamë peng 18 vitet e fundit të jetës sonë mbi altarin e iluzionit për dritën në horizont, se agonia jonë do të zgjatet për shkak të një hollësie administrative. Sepse, e thamë: ku ka vullnet politik, do të gjendet një rrugëzgjidhje institucionale.

Ja sesi edhe alarmi se s’kemi kohë të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të mira është kallp dhe gjithë kjo klimë false tensioni e induktuar në mendjet e shqiptarëve për t’i bindur ata se zgjedhjet e lira mund të na shkasin prapë për duarsh, është fund e krye artificiale.

E përçarë, e dobët, e paqartë dhe kompleksive, e majta shqiptare përbën në këtë teatër, shëmbëlltyrën e atyre personazheve që në festivalet e filmit marrin zakonisht çmimin “aktori më i mirë jo-protagonist”. Një alternativë që duhet të gjenerojë shpresë dhe të rizgjojë ëndrrat e humbura të një kombi, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë vetes rolin e tellallit të fatkeqësive. Jo demokraci me çdo çmim. Jo shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga e keqja – e cila jo domosdoshmërisht ka një emër frymori por që sigurisht është një mënyrë inferiore të menduari. Në kushtet e tanishme, hiq “vallen e shpatave” Rama-Meta, e majta në këtë vend duket se preokupim kryesor ka krijimtarinë e një terminologjie të re tek e cila më parë ka nevojë që të nisë të besojë vetë ajo.

Por kurrë s’është vonë për të qëmtuar mes rreshtave kaotikë të urgjencave të ditës mesazhin e palëvizshëm të aspiratave që kanë njerëzit e tu. Nëse ka barriera për t’u kapërcyer dhe sfida për t’u vënë gjoksin, nuk është koha ajo që përbën problem për një popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet. Nëse ekziston një aspiratë që ka sot nevojë për artikulim, është pikërisht kjo. Për çështje të mëdha që na kanë bërë ta humbim kohën në trajtën e saj më tragjike të shprehur në jetë njerëzore, shanse që s’kthehen më, lumturi të varrosura një herë e përgjithmonë dhe një gjeneratë pa shpresë e rrugëdalje, të dashur njerëz që kurdisni orën e kombit, ne s’e kemi luksin e të mos paturit kohë.

12 Komente

Artikulli me pelqeu; asnjehere ne fakt nuk del koha per te perfituar nga cdo mundesi qe te hap pushteti, per te mbyllur gjithe punet, reklamuar cdo centimeter asfalt te shtruar, po sidomos koha per te kopsitur punet qe te kesh sa me pak surpriza vitin tjeter nuk del kurre. Ndersa koha per te ndrequr gabimet eshte kohe qe s'na takon ne te vdekshmeve sepse sipas llogaritjeve te mia duhet te pakten 3 vjet per te ndrequr nje gabim trashaman - llogarine agregate po ua le juve.

Per te mos rene dakort me frymen qe kritikon artikulli, eshte plotesisht normale dhe madje e nevojshme qe te kerkojme planifikim me te mire dhe lejim te kohes se duhur per te zhvilluar procese te shendosha politike apo ekonomike. Per te mos rene dakort me optimizmin, nuk di se sa dime dhe mundemi, institucionalisht, te kerkojme gje nga ata qe na taksojne buken e perditshme. Ceshtja eshte pak rrethore. Une per vete them te mos votoj fare smiley, si menyre komunikimi.

Nga ana tjeter, metafora e koprifuokos nuk ma mbushi mendjen hic.

Zotit autor,

"popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet".

Kur e paska çuar  kohën dëm për marrëzira populli shqiptar?  Paskan ndodhur çudira dhe nuk dikam gjë fare?

Mendoj se koha personale e çuar dëm e marros njerinë, por  nuk mund ti faturohet sëmundja personale nje  populli apo një kombi, ooooo  marrrok i "demokracisë".

Kur e paska çuar  kohën dëm për marrëzira populli shqiptar? 

Si te duket per shembull "45 vjet fanar ndricues ne buze te Adriatikut"?

 

 "....Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag....

....a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?...."

 

Pikerisht, kjo eshte. Persa kohe nuk ka shtetare te pavarur nga partite, qe te organizojne zgjedhje te drejta dhe jo te zhdrejta siç i organizojne PD e PS, kjo frike do te ekzistoje gjithmon, duke e bere shqiptarin gjithnje e mosbesues ndaj partive kryesore dhe ujqerve te politikes.

Ujku i zi, 45 vitet e Shqiperise ishin plot pune e djerse, djerse te  cilen e dogjen dhe e vodhen pjellat  e shemtuara si ujqrit e Serbonazifashistit Berisha. Edhe dinjiteti i njeriut ishte njemije here me i lartë sesa eshte sot dinjiteti i skupidhicave dhe i rrumpjelëve të Klanit Serbonazifashit. 

Por unë nuk do ta besoja se ka ndonje shqiptar (perveç atyre që janë konvertuar në serbë bile edhe me transfuzion gjaku) qe të besojë se populli shqiptar ka bërë gjëra të kota për 45 vjetë.  Ti Ujk i zi, vërtet mendon se 45 vjeë ishin të kota???

Adriatik,

Per fat keq une mendoj ndryshe nga ty. Per 45 vjet populli shqiptar harxhoi energji dhe kohe per interesat e nje kaste (ne mos per ato te nje njeriu te vetem) te cilet nuk kishin as deshiren dhe as kapacitetin per t'iu pergjigjur aspiratave te tij. Kur flet per dinjitet, mos e ke fjalen per dinjitetin e atyre qe perfunduan burgjeve, te atyre qe thane keneta me pune te detyruar, te atyre qe lane kockat nentoke ne minierat e Spacit? Apo mos e ke fjalen per dinjitetin e atyre qe spiunonin te tjeret se nuk mendonin sic donte "nena parti"; per dinjitetin e radheve te gjata per te blere vezen, qumshtin, domaten dhe ndonjehere edhe prreshin (sigurisht keto radhe nuk mund te quheshin humbje kohe se ndryshe ngordhje per te ngrene)? Le te mos harrojme edhe dinjitetin e atyre qe punuan tere jeten dhe nuk kishin asgje te tregonin ne fund te jetes vec rropatjeve ne aksione.

Nderkohe a nuk ishte ai Serbonazifashisti Berisha doktori personal i atij "patriotit" qe e coi vendin nga fitorja ne fitore? Po keta qe ia japin dhe ia marrin pushtetin njeri tjetrit a nuk ishin nipat dhe mbesat e atyre qe i benin fresk "patriotit" deri dje? A nuk jemi ne qe menjehere sapo u liruam nga zinxhiret e "dinjitetit" kemi 18-te vjet qe nuk ngopemi me te vjedhur dhe shkretuar ate vend? Ku u zhduken gjithe keta njerez dinjitoze dhe fisnike?

Po ndoshta ti ke te drejte, duhet ta kete fajin autori i shkrimit qe nxin historine.

Nuk me shkoi mendja se do pergjigjeshe me kaq arsytim te ekuilibruar, por, nese vertete ishte nje bisede e ekuilibruar dhe e kulturuar kjo jotja, atehere me lejo te drejtohem dhe te them se ato cka thua jane shume te verteta. Dhe ne fund nuk mund te rri pa folur edhe per pjeset e mira te kohes se popullit shqiptar.   Kur degjoj qe cdo gazetar, shkrues, botues, filozof shkojne pas avazit konformst duke vjelle vrer, balte dhe te pegera mbi nje histori pune 45 vjecare atehere u jap "te drejte" te gjithe shqiptareve qe ne se jane shqiptare te vertete te largohen nga ai vend i mallkuar mijra here.

Pastaj komunizmi dhe socializmi nuk jane gogole. Sa per dinjjitetet njerzore, sinqerisht e shpreh se kurba e tyre ka ardhur duke u ulur keto 18 vjete.  Eshte e kote te japim shembuj.

E perseris se nuk mendova se do shkruaje i qete.  Ndofta je i pari qe me ben te mendoj se njerzit do te ulen nje dite dhe  do ti thone te vertetat e asaj kohe pa urrejtje dhe pa mllefe. Ashtu si eshte e pabesueshme se ka gjera ne bote qe jane pa asnje te mete, e pabesueshme eshte edhe se ne bote ka gjera qe jane pa asnje  te mire.

Shqiptaret s'kane pse ta shquajne vehten e tyre per te vecante nga Bota.

Adriatik,

Faleminderit edhe ty, sidomos qe po e vazhdon kete debat ne menyre shume te kulturuar dhe denjesisht!

Nderkohe urrejtjet dhe mllefet shqiptareve me shume se cdo gje tjetret po ua injekton politika, dhe politikanet qe nuk i meritojme. Sepse nuk besoj se nuk dine ta shohin te kaluaren ne menyre te ekulibruar dhe per ate qe ka qene, porse keta qe "gatuajne" te tashmen perpiqen t'ua trazojne si te mundin. Kam pershtypjen se edhe autori i shkrimit kur flet per humbje kohe, ndoshta per kete e ka llafin; humbjen e kohes me politikane qe nuk kane asnje interes tjeter vec interesave te tyre.

cfare do me thene Koprifuoko?

Urime per shkrimin, nuk po hyj te ato qe jane thene sepse nuk do u shtoja nje presje. Po e kam lexuar te njetin shkrim ne gazeten Shekulli dhe me rezulton se nuk ishte i plote. A thua s'ka pasur Kohe Koçua ta  botoje te gjithin. Apo ajo pjesa qe flet per Meten dhe Ramen dhe opoziten nuk mund te permendet ne kete kohe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).