Kur Amerika humbi logjikën

"Asnjë individ nuk mund të torturohet apo të trajtohet në mënyre çnjerëzore, degraduese dhe mizore". (art. 5, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, 1948).

 

"Përdornin një kabull elektrik, të gjatë gjysmë metri dhe të gjerë 5 centimetra.

Dinin ta përdornin mirë: maksimumin e vuajtjes, por pa lënë shumë shenja. Veshka, testikuj, shputat e këmbëve... Ditën e parë më zhdëpën në grushte. Ditën e dytë më morën në pyetje për 12 orë rresht. Ditën e tretë, 18 orë. Donin që të pranoja lidhjet e mia inekzistente me al-Kaidën në Afganistan.

Pas një jave isha gati të firmosja çfarëdolloj dëshmie: makthi im ishte brenda një kafazi prej 2 metrash me 60 centimetra; me një shishe uji për të pirë, një tjetër bosh për të urinuar dhe me klithmat e të burgosurve të tjerë që po më copëtonin trurin. "

 

Maher Arar, qytetar kanadez, inxhinier elektronik i diplomuar me nota maksimale, babai i dy fëmijëve, me reputacion të shkëlqyer në fushën e vet.
 

Por vetëm me një faj: lindur në Siri. Më 26 shtator të 2003-shit, u bllokua në aeroportin Kennedy të New Yorkut; iu sekuestrua pasaporta, iu morën shenjat e gishtërinjve dhe e mbyllën në një dhomë pa asnjë shpjegim. Nuk kishte të drejtë për avokat, dhe pas dy javësh e dërguan si një pako postare në Siri: komb aspak në simpatitë e Amerikës, dhe ku praktikohej tortura. Sipas CIA-s ishte një bashkëpunues i al-Kaedës, dhe, nën torturë, do të rrëfehej.

Interesante ishin provat, mbi të cilat bazohej rrezikshmëria e zotit Arar. Së pari, ishte shoku i një personi, vëllai i të cilit, në Montreal frekuentonte xhami ekstremiste. Së dyti, kishte kaluar një muaj në Tunizi (faktikisht një muaj pushimi te prindërit e gruas), shtet ku stërviteshin terroristët e Bin Ladenit. Dhe, së treti, motiv ky që nuk mund të thuhej, ishte arab. Kaq mjaftonte për të qenë pjesë e listës së zezë: 350 mijë emra, pak a shumë sa banorët e Durrësit.

CIA kishte autorizimin për t'i kapur kudo që ndodheshin (më spektakolari qe sekuestrimi i Abu Omarit, në mes të ditës dhe në qendër të Milanos). Më pas i çonte në Egjipt, Siri o Pakistan. Pa prova konkrete, pa të drejtë mbrojtjeje, pa gjyq, pa asnjë nga ato garancitë liberale që karakterizojnë perëndimin plak dhe që e bëjnë të ndryshëm nga al-Kaeda.

"I drogonim, u vendosnim një thes ngjyrë portokalli mbi kokë dhe i përcillnim në shtete autoritare. Miqtë tanë egjiptianë apo pakistanezë bënin punën e pistë, ndërkohë që ne shikonim torturat mbi ata fatkëqij". Përmbledh kështu operacionet e Cia-s, të quajtura "dorëzime të jashtëzakonshme", ish-agjenti Vincent Cannistraro. Në emrin e luftës kundër terrorizmit, administrata Bush, me Kondi Ricen në krye, shkallmoi 60 vite traditë juridike ndërkombëtare.

Por jo vetëm: edhe mënyra e arsyetimit e strukturave të inteligjencës u infektua nga virusi i frikës. Mjaftonin elemente të dobët për të shndërruar dyshimin në siguri, sepse ishte më mirë një i pafajshëm i skuqur me rrymë elektrike nëpër birucat e Sirisë, sesa një kaedist i lirë. Ishte, sepse tani nuk është më. Ose, të paktën, shpresohet.

Vendimi i parë i Obamës si kryetar shteti, është bllokimi i burgut famëkeq, Guantanamo, dhe ndalimi i mënyrave heterodokse (përkthim: torturuese) të Cia-s. Presidenti i ri, në fjalimin e 20 janarit, u shpreh se nuk ekziston një kontrast midis sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Përkundrazi, historia e demokracisë ka demonstruar që të dytat janë kusht i domosdoshëm për të parën. Duket sikur kanë kaluar shekuj që kur Bellingeri, (krahu i djathtë i Kondi Rice-s), shprehej që Traktati i Gjenevës (firmosur edhe nga Amerika), është "arkeologji juridike".

Lufta e së mirës kundër së keqes, aq e dashur për doktrinën e klanit Bush, na trashëgoi një botë më të përgjakur. Për më tepër, mënyra se si kjo luftë u zhvillua, bëri më të vështirë dallimin se ku qëndronte e mira, dhe ku e keqja.

Shënim i autorit: (burimi kryesor për këtë artikull është raporti final i komisionit të hetimit, që Parlamenti Europian aprovoi mbi "dorëzimet e jashtëzakonshme" të kryera në Europë nga CIA. Gjithashtu, edhe libri i spikerit të këtij komisioni, zotit Claudio Fava, "Djemtë e mirë". Këshilloj përzemërsisht leximin e "Quei bravi ragazzi", Claudio Fava, Sperling & Kupfer. Italisht).

5 Komente

 Me ne fund, shtypi shqiptar po flet per çmendurine amerikane, nderkoh qe mediat perendimore kane kohe qe flasin per shkeljen e ligjit nga agjentet e CIA-s. 

Guantanamo, juridikisht quhet i mbyllur, por de fakto flitet se do te qendroje i hapur dhe nje vit gjersa te sistemohen te burgosurit e pafajshem. Portugalia, thyu akullin duke e njoftuar qeverine amerikane se do t'mirrte disa nga ata, por vetem duke i studiuar dosjet nje per nje. Te njejtin mendim shprehen dhe dy-tre shtete europiane, qe ne fillim te studionin dosiet e pastaj te vendosnin se ke do merrnin.

"Ne nuk mund te marrim derra ne thes" , u shpreh njeri nga dipllomatet e EU.

Eltoni ka te drejte te flase se eshte ne shqiperi. Per ne ketu ne amerike si rezultati atij "kablit elektrik"  dhe te atyre "qe dinin ta perndornin mire ate", nuk kemi patur nje 11 shtator tjeter ne amerike. Me shume akoma si rerzultat i atij kabllik eletrik filluam te udhetojme normalisht  ne avione e shkojme ne zurat ne katin e 150 te kullave pa friken se ndonje Muhamet Atta tjeter do te na vriste. 

Uroj te mos ndodhe gje tani qe u hoq kabli elektrik dhe u ndalua perdorim i tij

SHBA-ja eshte xhandari i popujve! Kete gje ne Shqipetaret e kemi ditur qe kur kemi shkuar ne shkollen fillore. Keshtu qe keto gjera qe thuhen tani nuk na bejne fare pershtypje.

Ashtu eshte Berber ashtu ka thene dhe Nancy Polosi dhe Herry Read, Ashtu thote dhe Veliaj :0

Elton, je 2 vjet Mbrapa dhe 3 jave Anash. Ky Arari, pasi i rropi shtetit kanadez nja 10 milion dollare (ca nga ato jane edhe taksat qe me kam paguar une smiley )per vuajtjet e tij ne burgjet siriane, tha ti rripte edhe ndoca miliona Amerikes. Trimat amerikane i thane qe nese futet ne territor amerikan do te arrestohet si terrorist ne baze te dokumentacionit top-secret qe disponojne, dhe ky vellai i dashur sirian e qepi. Tani nga nje kanadez tjeter qe eshte ne Guantanamo kane dale histori te tjera per kete kingun. Update yourself!

Mess with the best, die like the rest!

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).