Kukësi i kthen sytë nga Kukësi

Edhe për pak vite në vijim, Prizreni do të jetë destinacioni ynë kryesor kur i drejtohemi kësaj zone, por tanimë Kukësi mund të ripërtërijë fuqitë e veta dhe të ofrojë po aq sa qendra e tij historike. Deri pas një viti, kur mendohet se do të përfundojë rruga Durrës-Morinë, të shkuarit në Kukës nuk është dhe aq kënaqësi, por ndoshta pas kësaj, mendimi ynë për këtë qytet do të ndryshojë rrënjësisht, Pasi, tashmë Kukësit nuk i mungon asgjë për t`i kthyer sytë nga... Kukësi.

Me të kaluar qytetin e Pukës, gjithçka ndryshon. Mes rrugëve gjarpërushe, ku mund të shohësh me sy të lirë segmentin rrugor ku do të kalosh një orë më vonë, vetiu të gjithë hapim xhamat, prej nga flladi i lehtë shtyn në brendësi të makinës ajrin e pastër, “të vjellë” nga lisat e hollë dhe të gjatë që dekorojnë malet përreth. E ndërkohë që peizazhi vijon të ashpërsohet mbi humnerën qindrametërshe, që shfaqet hajliazi nën rrugën e stërgjatë Pukë-Kukës, herë-herë vetëtimthi kalojnë ura gjysmë të përfunduara, a blloqe betoni: urë në ndërtim, e herë të tjera të bezdisin teksa detyrohesh t`i shohësh për nja çerek ore, kur përshkon për katër herë të njëjtin mal, derisa hidhesh në anën tjetër të tij.

Nëse ndalon në mes të rrugës, se të çahet goma e makinës apo se do të lagësh fytin me ndonjë kafe, të marrë me vete, në lartësinë 780 metra mbi nivelin e detit, të del përpara asgjëja. Atë e ndërpret rruga e ndërtuar në mes të malit, që në vetvete humbet sërish në asgjë, teksa kalon paralel nga faqja tjetër e tij, pas një kthese 180-gradëshe.

Ishim nisur në orën 10 të mëngjesit për të marrë pjesë në çeljen e vitit të ri akademik, në filialin benjamin të Universitetit të Tiranës, i cili hapi sivjet dy degë të reja. Akrepi i vogël i orës ishte mbërthyer në numrin 3, por Kukësi nuk dilte ende përpara. Ndonëse të rraskapitur nga kthesat që dukej se nuk kishin mbarim, nuk harruam të mallkonim veten për pasaportat e harruara në Tiranë, pa të cilat udhëtimi drejt Prizrenit do të ishte i pamundur. Ishte e njëjta ndjesi me atë që të shkoje në Velipojën dimërore, e të mos vizitoje dot kryeqendrën e zonës, Shkodrën, a të udhëtoje për në Delvinë, e për një arsye të çuditshme të mos kishe mundësi të shkelje në Sarandë. Në mendjen tonë prej të pavajturi në këtë qytet, dukej se Kukësi e kishte ndarë fatin e vet: I vjetri nën mburojën e pathyeshme të Fierzës, e i riu nën hierarkinë e pakapërcyeshme të Prizrenit.

“Jo keq Kukësi”, – thotë një miku ynë. – Autostrada i kalon në derë të shtëpisë, dhe universitetin e ka në qendër të tij”. Në atë çast, kuptuam se vepra të menduara për më gjerë, e të zbatuara në një qytet nën varësinë kulturore të Prizrenit, ia kishin kthyer destinacionin e historisë drejt një zone që prej “syve të mbërthyera” nga qendra andej kufirit, mund tashmë t`i përqendronte drejt vetvetes.

Pasi kaluam urën e madhe mbi Fierzë, me të cilin qytetarët mburreshin për vite me radhë, por që tani ia ka lënë hijeshinë e vetë dhjetëra urave të reja që po ndërtohen përgjatë rrugës Durrës-Morinë, Kukësi shfaqet përpara syve si një nyje në ndërtim të tre shteteve e një qytetërimi. Vështirë se shihje kosha nëpër rrugë në hyrje të qytetit, por vështirë se shihje edhe mbeturina të hedhura përtokë. Natën e parë vendosëm të mos hallakateshim dhe të shkonim menjëherë te hoteli më i njohur i qytetit, hotel “Amerika”, qendrës “operacionale” të gazetarëve gjatë Luftës së Kosovës, atëherë kur Kukësi ishte shndërruar në kryeqytetin në ekzil të shtetit që sivjet shpalli pavarësinë.

“Besoj se Kukësi është qyteti që do të pësojë zhvillimin më të madh në vend gjatë viteve në vijim”, – na thotë zëvendësdekani i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, z. Kristaq Gjyli. Konstatimi nuk mund të jetë i gabuar. Sot, për të shkuar në Kukës të nevojiten 6 orë, durim çeliku dhe stomak i fortë. Me përfundimin e rrugës, qyteti do të jetë vetëm 1 orë e gjysmë nga Tirana, por mbi të gjitha, do të jetë pika e kalimit të tregtisë drejt Kosovës, që ndodhet vetëm 20 minuta larg.

Për më tepër, Kukësi është i vetmi qytet në zonën verilindore të vendit, që ka universitet. Duke vjedhur, ndoshta, “traditën” e krijuar nga Saranda një vit përpara se të hapte dyert, ndërtesa ku strehohet filiali, ishte një spital. Qytetari më i ri i Kukësit, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, të cilit iu akordua titulli “Qytetar nderi”, na kishte paralajmëruar se mjediset mësimore nuk i linin gjë mangut ndërtesave në Tiranë.

I vendosur në afërsi të qendrës së qytetit, filaili i UT-së në Kukës, hapte dyert për 250 studentë në mjedise ku në institucionet e arsimit të lartë të vendosura në kryeqytet, qofshin publike apo private, strehoheshin minimalisht dyfishi i tyre. ”Besoj se studentët tanë duhet të mendojnë si mundësi ardhjen në Kukës”, – na thotë me humor drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo.

“Është një investim i bërë me ndihmën e shumë aktorëve, duke nisur nga pushteti lokal e deri te qeveria, – pohon nismëtari i këtij filiali, prof. dr. Dhori Kule, – tani ky filial ka tri degë: Ekonomi, Infermieri dhe Anglisht, degë që i shkojnë për shtat zonës. Mendoj se ky ndryshim do i sjellë qytetit një mundësi më tepër për t`u zhvilluar”.

“Kukësi është qytet arsimdashës, – shprehet dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, znj. Klodeta Dibra. - Gjithnjë kuksianët kanë qenë të prirur drejt arsimit, ndaj edhe fakulteti është një hap pozitiv”.

E në fakt, veprat që po ndërtohen në Kukës, duket se do t’ia shndërrojnë fytyrën qytetit verilindor. “Kukësi po kthehet në një qendër të veriut, - thotë me krenari deputeti i zonës, z. Fatos Hoxha. “Është një punë që ka nisur prej vitesh, por tanimë është kthyer në një zhvillim masiv për qytetin”, – thotë kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Hasan Halilaj.

Kukësi qëndron në lartësinë 500 metra mbi nivelin e detit, në buzë të Liqenit artificial të Fierzës. Rrugët e mirorganizuara e të gjelbëruara me pemë pakvjeçare, të japin përshtypjen e një qendre urbane të stilizuar me merak. Por, sipas banorëve, qyteti i ri është thjesht një vendbanim e jo zonë e lakmuar. Kur bie niveli i Fierzës, mbijnë mbi ujë shtëpitë e qytetit të vjetër, që është fundosur në vitin 1978, tetë vite pas shpërnguljes së banorëve. “Nostalgjia është e madhe për të gjithë ata që kanë lindur e janë rritur në Kukësin e vjetër, - na thotë Ibsen Elezi, drejtor i Arsimit në Kukës. - Sa herë që del Kukësi i vjetër, të moshuarit sidomos, por edhe të rinjtë që kanë lindur e kanë jetuar aty, rrinë duke parë me orë të tëra shtëpitë e tyre”.

Sheshi përpara bashkisë së qytetit është karakteristik. Një masë e madhe asfalti përballë bashkisë, e cila sheh andej nga ndodhet i fundosur qyteti i vjetër. Këtë periudhë ai nuk duket, në fund të fundit, fakti që qytetit nuk i mungojnë dritat tregon se uji i Fierzës nuk i lë shtëpitë e zhytura të kenë frymëmarrje e spektatorë.

Psherëtimat e ish-banorëve të Kukësit të vjetër nuk kanë shteruar as 30 vite nga përmbytja e pasurisë së dikurshme, ndonëse tani qyteti i ri është ndërtuar duke respektuar urbanistikën, e jo në bazë të traditës. “Kukësi i vjetër është në luginë, nuk e kapte era që kap Kukësin e ri, ishte në një zonë pjellore ku nuk gjeje shtëpi që nuk kishte pemët e veta dhe mbi të gjitha është vendlindja e shumicës së qytetarëve të Kukësit të ri”, – thotë z. Elezi.

Gjithsesi, ashtu si përpara 30 viteve, edhe sot, sytë e kuksianeëve janë të mbërthyer nga qyteti andej kufirit. Ora 10 e natës e gjen qytetin të qetë, me restorante të pakta të hapura, kryesisht në qendrën e tij. Nëse mundohesh të gjesh një bar apo qoftë edhe një pastiçeri për të ngrënë ndonjë ëmbëlsirë, duhet të kesh pasaportën me vete, atë për të cilën ne mallkuam veten teksa shkonim në Kukës.

“Kur dua të dal me familjen për të festuar, shkoj në Prizren”, – na thotë Gramoz Murati. E takojmë jashtë mjediseve të filialit të universitetit e rrathët nën sytë e tij tregonin se një natë më parë duhet të ketë qenë aty. “Sapo u ktheva, – na thotë, – në Kukës nuk ke ku të shkosh në darkë, ndaj ikim andej”. Ndonëse rruga është e prishur për shkak të ndërtimit të autostradës, Morina, që ndan doganierët shqiptarë nga ata të KFOR-it, është vetëm 20 minuta larg e me të kaluar kufirin, Prizreni nuk vonon më shumë se 20 minuta të tjera.

“Të gjithë kështu bëjmë”, – thotë Gramozi, duke treguar se gjithnjë Prizreni ka qenë i lakmuar nga kuksianët.

Por pjesa më e madhe e Kukësit detyrohet që të mos e shohë Prizrenin asnjëherë, e për më tepër duket se nuk i bëhet vonë në ka bare, restorante, pastiçeri, rrugë e shkolla. Kukësi është një nga qytetet më të varfra në vend, ku niveli i papunësisë shkon mbi 40 për qind.

Ndihma ekonomike që shkon për qytetin, tejkalon shumë rrethe në vend, duke bërë që harta e varfërisë të nxihet nga moskujdesja për këtë zonë.

“Nuk dua të bëj bilanc për punën që ka bërë qeveria, por Kukësi është shumë afër një revolucioni”, – thotë deputeti Fatos Hoxha, duke renditur punët publike që do të rikthejnë qytetin në hartën ekonomike të vendit. “Rruga Durrës-Kukës është një mundësi e artë që të zhvillohet zona, që të shtohen vendet e punës e tregtia, ndërkohë që kemi fatin që të kemi një universitet ku të kualifikohen njerëz të aftë, jo vetëm nga qyteti, por edhe nga zonat përreth, si edhe nga Kosova”, – thotë ai.

Kukësi i vjetër në vitin 1970 ka pasur vetëm 5 mijë banorë, ndërkohë që sot popullsia është shumëfishuar, duke e tejkaluar “pragun” e 30 mijë qytetarëve. Migrimi i brendshëm, i kryer sidomos pas viteve `90, ka bërë që varfëria të jetë problem kryesor. “Shumica presin lekët që vijnë nga fëmijët emigrantë që kanë jashtë shtetit. Këtu kështu ndodh, por më tepër fenomeni është i shpërndarë në fshatra, ku nuk kanë as kafshë e as tokë për të punuar. Po të mos ishin as emigrantët, gjysma e popullsisë do të vdiste nga uria”, – thotë Eltoni, 22 vjeç.

Ndahemi nga Kukësi rreth mesditës, duke ndjekur edhe një herë ato pak rrugë të mirëvendosura, përpara se të iknim. Duke mos pasur dëshirë për të numëruar mbi një mijë, pasi kaluam urën në Fierzë, filluam të bisedonim pambarimisht, në mënyrë që kthesat dhe humnerat të zhdukeshin nga mendjet tona. Edhe për pak vite në vijim Prizreni do të jetë destinacioni ynë kryesor kur i drejtohemi kësaj zone, por tanimë Kukësi mund të ripërtërijë fuqitë e veta dhe të ofrojë po aq sa qendra e tij historike. Deri pas një viti, kur mendohet se do të përfundojë rruga Durrës-Morinë, të shkuarit në Kukës nuk është dhe aq kënaqësi, por ndoshta pas kësaj, mendimi ynë për këtë qytet do të ndryshojë rrënjësisht. Pasi, tashmë Kukësit nuk i mungon asgjë për t`i kthyer sytë nga... Kukësi.

 

8 Komente

“Është një investim i bërë me ndihmën e shumë aktorëve, duke nisur nga pushteti lokal e deri te qeveria, – pohon nismëtari i këtij filiali, prof. dr. Dhori Kule, – tani ky filial ka tri degë: Ekonomi, Infermieri dhe Anglisht, degë që i shkojnë për shtat zonës. Mendoj se ky ndryshim do i sjellë qytetit një mundësi më tepër për t`u zhvilluar”.

 

ehe edhe pak anglishtja do shpallet gjuha zyrtare ne Kukes... Gjysmen e kuksit e ke Londinez..    smiley

 

 

artikull me shume kontradikta ....smiley

Un vajta para 2 vjetesh (kisha 10vjet  qe isha larguar) ..kalova vetem 24 ore ..popullsia qytetare kuksiane mu duk teresisht e zevendesuar nga te "panjohur" .. si per ta konfirmuar kete nje lope shetiste mes qytetit ..

Ne lokale kishte vetem burra.. ne nje restorant ku ftova nje kushuriren time ..per habi mesova se ishte hera e pare qe ajo dilte ne restorant ne Kukes dhe ndihej ne siklet.. .. e vetmja gje qe mund te them eshte se ka nje bukuri nayrore  dhe ka shpresa   me rrugen e famshme Durres Kukes .. keto elemente gjithsesi bashke me degen e UT atje nuk mjaftojne te rigjenerojne qytetin. Tradita sjell perparim, dhe evulim ..shume qytete te vogla si Kukesi tashme e kane humbur traditen si pasoje e zevendesimit te popullsise per shkaqe ekonomike nderkohe qe ajo tradite e brishte qe kishin kriujuar ne realitetin komunist me renien e ketij te fundit doli taman si nje farse..

 

me vjen keq.

Ty te vjen keq per Alidea apo Kuksin fcb?? 

Mos u merzitni se shume shpejt do futet tradita e east London with cockney accent..   hihihii  U orait mate..  smiley

sigurisht per kukesin,se alidea me sharmin qe ka jo vetem qe nuk eshte bere per te ardhur keq por..............................

Kukesit iu hoq identiteti qe kur  e bene "kukes  te ri" ..

E sakrifikuan per Hodrocentralet ..nje qytet qe kishte historine e tij.

Ne kemi vertet tradita ne shkaterrimin e se kaluares e mire apo e keqe te jete ajo. No MEMORY 

Ca eshte ky shkrim i sheqerosur, si me qene shkrujt nga ndonje i huaj, qe se ka haberin e jetes ne shqiperi. Kesaj i thone me fluturu me pras kuksianet tani.

E kane idene keta se sa e veshtire eshte jeta dhe perspektiva per qytetet shqiptare qe nuk jane ne rrezen Tirane-Durres apo hic !!!

Tallen me miletin e keto shkrime tralalala !

Ju 10sha mu ne Universitet !

uau sa e tmerrshme te jetosh ne kukes. kukesi ai eshte si te gjithe qytetet e provinces. dhe shkrimi thote nje te vertete qe se hedh poshte kush dhe i lumte gazetarit, normalisht nuk kemi aq te afte, qe ka kapur nje fakt: kukesi eshte malesi e prizrenit. dhe ka qene gjithnje. te gjithe ne kukes jane nga fshatrat, s'ka kukes te vjeter as te ri. traditat e lumes ruhen pa merak. shyqyr qe shtetit shqiptar i ra ne mend me kthy kryet anej e mos po ndihmon me i rizhvillu traditat, qe kane nisur te ringjallen qe besa.

kukesi ma ka heq mendjen kur isha heren e fundit andej (ne tetor). me ka lene nje shije pune te mrekullueshme, ndoshta edhe pse e dua fort. ngado kantiere. deri ne caje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).