Kreu i FMN-së bën thirrje për ristrukturimin e sistemit bankar

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, tha se pa një ristrukturim të sistemit bankar nuk mund të ketë rigjallërim ekonomik. Zoti Strauss-Kahn i bëri komentet në një forum të zhvilluar në Universitetin Georgetown të Uashingtonit.

Zoti Strauss-Kahn tha se kriza e tanishme është e veçantë pasi ajo është globale dhe po prek të gjitha ekonomitë e mëdha të botës. Ai tha se ajo që filloi si një krizë bankare në Shtetet e Bashkuara, u përhap me shpejtësi deri në situatën e tanishme ku në botë nuk ekziston më krediti i nevojshëm dhe ku ekonomitë në Europë, Azi dhe në kontinentin amerikan po tkurren.

"Kjo do të vazhdojë për sa kohë që sektori financiar nuk ristrukturohet, çka do të thotë se në një farë mënyre ai duhet të zvogë lohet dhe një pjesë e tij duhet që thjesht të eliminohet. Duhet të rivendoset besimi duke pranuar të gjitha humbjet e pësuara nga bankat. Pa u bërë kjo, besimi nuuk do të rikthehet."

Strauss-Kahn, ish ministër i financave i Francës, është dakord me paketat e stimulimit financiar që po zbatohen në Europë, në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara. Por ai tha se vetëm rritja e shpenzimeve qeveritare nuk mjafton.

"Nëse nuk ka një ristrukturim të sistemit bankar, atëhere të gjitha paratë që do të përdoren për stimulin ekonomik do të përfundojnë në një vrimë të zezë."

Me rëndësi thelbësore për ristrukturimin e bankave, tha zoti Strauss-Kahn, është eliminimi i të gjitha kredive të këqia. Ai mbështeti propozimin për krijimin e një banke speciale për absorbimin e miliarda dollarëve kredi të këqia që ndodhen në sistemin bankar amerikan.

Në përpjekje për të nxitur ristrukturimin, qeveria amerikane u ka dhënë bankave miliarda dollarë. Megjithatë, krediti vazhdon të jetë problematik dhe operacionet normale të kreditimit nuk kanë rifilluar.

Bankieri i investimeve, Roger Altman thotë se gjatë krizës financiare 17-mujore sistemi bankar i tipit perëndimor ka falimentuar. Sipas tij, teprimet financiare dhe shtrëngimi i kreditit e kanë dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme modelin amerikan se si duhet të funksionojë një ekonomi tregu. Zoti Altman thotë se kriza ende nuk ka përfunduar.

"Kjo është një spirale që po e zhyt sektorin financiar në një gjendje të tillë ku po shtrohet çështja e nacionalizimit të bankave. Është e vështirë të jesh optimist për atë çka ne e konsiderojmë tradicionalisht sistem bankar."

Nga ana e tij, zoti Strauss-Kahn kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë global për të luftuar krizën. Ai tha se mbetet shumë punë për të realizuar premtimet e bashkëpunimit të bëra në muajin nëntor në Uashington nga udhëheqësit e 20 ekonomive të përparuara dhe në zhvillim.

1 Komente

Roger Altman thotë se gjatë krizës financiare 17-mujore sistemi bankar i tipit perëndimor ka falimentuar. Sipas tij, teprimet financiare dhe shtrëngimi i kreditit e kanë dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme modelin amerikan se si duhet të funksionojë një ekonomi tregu. Zoti Altman thotë se kriza ende nuk ka përfunduar.

Pules s'i ka ardh hala veza te bitha. AngloSaksonet po bien si dengje me leshra si ne Mbreterine e Bashkuar ashtu edhe ne Shtetet-qe-duan-te-jene-mbreteri e Bashkuara. Mbani syte ne FX rates per GBP dhe USD. Jim Rogers thote qe Mbreteria e Bashkuar ka falimentuar. US is next

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).