Kosova feston të parin vit të ri si shtet

Nata e ndërrimit të viteve në Kosovë është kremtuar në atmosferë festive.

Udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës kanë thënë se ky Vit i Ri është i vecantë pasi për herë të parë festohet në Kosovën e pavarur.

Ardhja e Vitit të Ri në Kosovë është shoqëruar me shpërthim të madh fishekzjarresh.

Të gjitha qytetet e Kosovës, e sidomos Prishtina janë veshur me petkun festiv.

Një numër qytetarësh e kanë pritur natën e ndërrimit të vitit në sheshin Nënë Tereza në kryeqytet ku është mbajtur një koncert me yjet e muzikës argëtuese, organizuar nga kompania e telefonisë mobile IPKO.

Nuk kanë qenë të paktë as qytetetarët që natën më të gjatë të vitit e kanë pritur në ambiente hoteliere, ndonëse çmimet kanë qenë mjaft të larta.

Por shumica e kosovarëve kanë preferuar që Vitin e Ri ta presin në rrethin familjar.

Patrullime shtesë të policisë janë vërejtur në të gjitha qytetet e Kosovës.

Policia ka mobilizuar të gjitha kapacitetet, përfshirë ato rezervë për të siguruar që nata më e gjatë e vitit të kalojë e qetë.

Në mesazhet e tyre për Vitin e Ri, udhëheqësit kosovarë kanë vlerësuar se viti 2008 ka hyrë në histori si vit i realizimit të aspiratës për shtet të pavarur dhe sovran.

Mesazhet e udhëheqësve

Duke përkujtuar se pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 53 shtete, presidenti Sejdiu tha se bota demokratike dhe liridashëse po vazhdon ta mbështesë Kosovën në përballimin e sfidave të shumta në procesin e shtetndërtimit.

Ai theksoi se me shpalljen e pavarësisë, nuk kanë përfunduar të gjitha vështirësitë politike, ekonomike e sociale të Kosovës.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci në mesazhin e tij të urimit për Vitin e Ri tha se viti 2008 do të kujtohet si moment kulmor kur populli i Kosovës u ngrit dhe zuri vendin e vet në familjen e shteteve sovrane.

Kreu i qeverisë premtoi se 2009-a do të jetë vit i përmirësimit të mirëqenies sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Kosova hyri në vitin 2009 me shkallë të lartë të papunësisë, mbi 40 përqind e popullsisë aktive është e papunë, ndërsa rreth 12 përqind jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 1 euro në ditë.

Qytetarët thonë se tani që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prioritet për vitin 2009 duhet të jetë zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë dhe e varfërisë.

Ndërkohë familjarët e rreth 2000 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në natën e ndërrimit të motmoteve kanë kërkuar zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).