Konkurrenca: Qeveria të kthejë vendimin për naftën D2

Autoriteti i Konkurrencës e konsideron vendimin e qeverisë, i cili i jep të drejtë kompanisë Armo të tregtojë naftën e cilësisë D2, në kundërshtim me rregullat e konkurrencës së tregut. Ky autoritet i rekomandon ekzekutivit të shfuqizojë vendimin, pasi ai prish konkurrencën në tregun e hidrokarbureve në vendin tonë.

Qeveria, në korrik të këtij viti, me vendimin numër 1110 lejon tregtimin e naftës së cilësisë D2, e cila nxirret nga vendburimet që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, produkt që tregtohet vetëm nga kompania e privatizuar Armo. Ndërkohë që, në mars të vitit të kaluar qeveria shqiptare miratoi një vendim “Për cilësinë e lëndëve djegëse, benzinë dhe diezel”, nëpërmjet të cilit, duke nisur nga 1 janari i vitit 2009 ndalonte shitjen e këtij produkti nga kompanitë e importit dhe tregtimit të karburanteve në Shqipëri.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave ndalonte tregtimin e naftës D2, pavarësisht nëse kjo është me origjinë vendase apo e importuar, për arsye që lidhen kryesisht me mbrojtjen e mjedisit. Por, me vendimin e këtij viti, nga ky kufizim u përjashtua prodhimi vendas, i cili përpunohet dhe tregtohet nga shoqëria Armo.

Qeveria i ka dhënë afat kësaj shoqërie tre vjet për të reduktuar sasinë e squfurit në karburante. Ky vendim ngjalli reagimin e Shoqatës së Hidrokarbureve, përfaqësues të së cilës gjatë seancës dëgjimore me krerët e Autoritetit të Konkurrencës kërkuan nisjen e një hetimi ndaj këtij vendimi, pasi sipas tyre thyente rregullat e konkurrencës së ndershme në treg.

Përfaqësuesit e saj kërkuan gjatë takimit të fundit të vitit të kaluar ndërhyrjen e menjëhershme dhe ligjore për të rregulluar tregun dhe për të vënë në pozita të barabarta konkurrence të gjitha subjektet e licencuara në importimin e tregtimin e lëndëve hidrokarbure. Ata ishin thirrur në një seancë dëgjimore për të shpjeguar pozicionin e tyre në treg, pasi sipas një hetimi të autoritetit, ky treg karakterizohej nga kufizimi i konkurrencës,gjë që ndikonte në mbajtjen e çmimeve në nivele të larta.

Por, nga të akuzuar, tregtarët e mëdhenj të karburanteve u shndërruan në akuzues dhe fajësuan qeverinë për shkelje të këtyre rregullave. Ekspertët e Konkurrencës shqyrtuan vendimin e qeverisë dhe nëpërmjet një njoftimi zyrtar të bërë publik për mediat, i rekomandojnë asaj të shfuqizojë vendimin nr. 1110, i cili lejon tregtimin e naftës së nxjerrë në Shqipëri dhe ndalon importin e D2-shit nga operatorët e tjerë të tregut.

Shoqata e Hidrokarbureve e ka dërguar këtë vendim edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e tij. Sipas tyre, vendimi i korrikut të vitit 2008, përveç rregullave të tregut shkel edhe marrëveshjet me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Marrëveshjen e Përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi që me 1 dhjetor 2006.

Tregu i D2-shit

Në tregun shqiptar konsumohen rreth 400 mijë ton naftë e cilësisë D2. Nga kjo sasi, rreth 300 mijë importohet nga kompanitë dhe 100 mijë hidhen në treg nga kompania prodhuese Armo. Përfaqësuesit e kompanive importuese pretendojnë se me vendimin 1110, shoqërisë Armo do t’i kalojë automatikisht edhe pjesa prej 75% e tregut, që zotërohet nga këta operatorë, pra kompania do të zotërojë 100% të tregut të naftës së cilësisë D2. Importuesit thonë se me këtë vendim mund të falimentojnë, megjithëse çdo vit derdhin deri në 260 milionë euro si detyrime fiskale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).