Kola: Gjatë 2008-ës, 4 mijë biznese më shumë dhe fare pak falimentime

QKR, rrit praninë e bizneseve me kapital të huaj, që operojnë në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve ka bërë dje bilancin e shifrave për vitin që sapo lamë pas. Kreu i këtij institucioni, Tom Kola, gjatë një konference për shtyp bëri bilancin e subjekteve të regjistruara për periudhën 2007-2008. Kola tha se në vitin 2007 janë regjistruar rreth 13 mijë biznese, në 2008 të paktën 4 mijë më shumë, rreth 17 mijë biznese të reja. Një rritje të konsiderueshme kanë pësuar dhe bizneset me kapital të huaj. Drejtori i QKR-së flet dhe mbi shifrat e bizneseve të falimentuara, që për vitin 2008 rezultojnë të jenë modeste në raport me numrin e bizneseve që operojnë në tregun shqiptar. Situata rezulton të jetë optimiste dhe për vitin 2009. Sipas kreut të QKR-së, parë kjo në raport me parashikimet mbi ritmet e rritjes ekonomike të vendit, që nuk tregojnë sipas tij, në asnjë rast prekje nga kriza. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, Tom Kola, është shprehur se duke parë numrin e madh të bizneseve që janë regjistruar, nuk mund të flitet për momente krizë. Sipas tij, gjatë vitit 2008 janë regjistruar 17,773 biznese, duke e krahasuar këtë shifër me vitin 2007, janë regjistruar 4,488 biznese më shumë, që do të thotë se kemi një frymë të mirë për biznesin. "Në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas ka pasur edhe një rritje të investimeve të huaja në krahasim me vitin 2007", tha Kola. "Duke iu referuar statistikave në vitin 2008, kanë falimentuar vetëm 20 biznese, numër i cili është i papërfillshëm në krahasim me numrin e bizneseve, të cilat janë regjistruar pranë zyrave tona", tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Kjo shifër, sipas Kolës, nuk duhet ngatërruar me numrin e bizneseve të ç'regjistruara, për të ndryshuar formën ligjore të biznesit. Sipas tij, duke u bazuar mbi statistikat e vitit të kaluar pritet të kemi të njëjtin ritëm rritjeje të regjistrimit të bizneseve gjatë vitit 2009, që do të thotë se nuk kemi momente krize.

Gjatë 2008 u regjistruan 17.773 biznese të reja

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, gjatë vitit 2008 u regjistruan 17.773 biznese të reja. Kola, duke informuar mbi përparimin e biznesit shqiptar gjatë vitit 2008 në krahasim me 2007, tha se "gjatë vitit 2008, u regjistruan pranë këtij institucioni 17.773 biznese të reja, ndërsa 13.285 biznese në 2007, pra 4.488 biznese më shumë se një vit më parë". "Një rritje të dukshme të investimeve të huaja në Shqipëri ka patur gjatë vitit 2008, duke shënuar regjistrimin e 608 bizneseve me kapital të huaj, ndërsa në vitin 2007 numri i tyre ka qenë 219, pra ka një rritje prej 300 përqind në krahasim me një vit më parë", nënvizoi Kola. Ai theksoi se "numri i bizneseve të falimentuara gjatë vitit 2008 është rreth 20 biznese, një shifër e papërfillshme në krahasim me numrin e bizneseve të reja të hapura në vendin tonë".

Çregjistrimi i bizneseve nuk është falimentim

Nëse një biznes çregjistrohet nga QKR, kjo nuk do të thotë se ai ka falimentuar.

Duke sqaruar lidhur me këtë koncept që aplikohet pranë QKR-së, Kola u shpreh se, "çregjistrimet nuk kanë të bëjnë me falimentimin. Gjatë vitit 2008 janë çregjistruar 676 biznese, ku 60% e të cilave, pra rreth 400 biznese janë shndërruar nga persona fizikë në persona juridikë". Sipas tij, në bazë të ligjit në mënyrë që të ndërrohet forma ligjore e një biznesi duhet bërë çregjistrimi nga person fizikë, që të kalojë në person juridik. "Pjesa tjetër e mbetur e shifrës prej 676 bizneseve, pra 20%, ka të bëjë me transferime të bizneseve nëpër familjarë për arsye të tyre, ndërsa pjesa tjetër rreth 130 janë persona që kanë emigruar. Këto të dhëna janë bazuar mbi pyetjet e përgjigjet, që kanë dhënë këto biznese gjatë momentit të aplikimit pranë QKR-së", tha drejtori i këtij institucioni.

Procedurat e regjistrimit të bizneseve për 2009

Ndërsa lidhur me avancimin e procedurave të regjistrimit të biznesit gjatë vitit 2009, Kola u shpreh se "në bazë të statistikave të viteve 2007-2008 parashikoj që edhe gjatë këtij viti të ketë të njëjtin ritëm rritjeje, gjë që është shumë pozitive për ekonominë shqiptare". Qendra Kombëtare e Regjistrimit është institucioni i vetëm për regjistrimin e biznesit në Shqipëri me një ndalesë, ku kryhen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, përfshirë dhe regjistrimin për efekt të taksave në nivel kombëtar dhe vendor, për sigurimin shëndetësor e shoqëror, si dhe për Inspektoriatin e Punës. QKR filloi punë më 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, e mbështetur nga Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit, të financuar nga SHBA. Gjatë muajve janar-nëntor 2008, në sportelet e hapura në 27 bashki të vendit nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) u regjistruan rreth 18 mijë biznese.

QKR-ja, faqe elektronike për kontrollin e dosjeve të bizneseve

Të gjitha bizneset kanë tani një mundësi të re për të kontrolluar në mënyrë elektronike (online) dosjet e tyre, të krijuara që nga 1991. "Qendra e Regjistrimit të Biznesit ka hapur këto ditë faqen e internetit për këtë qëllim", tha dje drejtori i QKR-së, Tomi Kola. Sipas tij, në këtë faqe bizneset jo vetëm që mund të kontrollojnë në formë elektronike dhe online dosjet e tyre historike, por edhe skanime të dokumenteve, vendime të gjykatës, që lidhen me aktivitetet e regjistrimit të biznesit. Të gjitha dokumentet janë bashkangjitur me dokumentet e regjistrimit që kanë zyrat e tatimeve. Por gjithashtu, mund të merret i njëjti informacion edhe për çdo ekstrakt historik të bizneseve edhe në një nga sportelet e shërbimit të QKR-së. QKR e ka hapur këtë shërbim të ri, nisur nga fakti se gjatë procesit të skanimit të dosjeve dhe krahasimit të tyre, janë evidentuar një sërë problemesh me të dhënat, që janë si rrjedhojë e ngjashmërive në emra dhe mungesës së një sistemi të përbashkët numërimi ndërmjet gjykatës dhe organeve tatimore, disa nga vendimet e gjykatës që i përkasin një subjekti mund t'i jenë bashkangjitur një subjekti tjetër. Me këtë shërbim, QKR është e gatshme që, pas kërkesave nga bizneset, të arrihen të korrigjohen të gjitha defektet gjatë proceseve të mëparshme të regjistrimit të bizneseve në vite, kur procesi kalonte nga Gjykatat, në zyrat e tatimeve, shërbimeve shëndetësore, sigurimeve etj.

Çdo biznes i ri regjistrohet automatikisht edhe në tatime

Falë një marrëveshjeje të nënshkruar me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, tashmë çdo biznes i ri mund të regjistrohet automatikisht edhe në tatime. Kjo marrëveshje mes dy palëve synon shkëmbimin e të dhënave të regjistrit tregtar në procesin e regjistrimit të biznesit dhe regjistrimit fiskal. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen për shkëmbimin e informacionit mes tyre. Nga ana e tyre, tatimet do të vënë në dispozicion të QKR-së, të gjitha të dhënat për regjistrimet fillestare, për ndryshimet për çdo biznes, të cilat tashmë do të kryhen vetëm nga QKR-ja, i cili është organi i vetëm regjistrues. Në bazë të marrëveshjes, me miratimin e një aplikimi për regjistrimin e një biznesi të ri, regjistruesi i QKR-së do të bëjë të mundur që sistemi elektronik i QKR-së të gjenerojë një numër unik identifikimi (NIPT), i cili do të aplikohet për biznesin e regjistruar në fjalë. Me gjenerimin e NIPT-it, QKR-ja duhet t'i sigurojë DPT-së, në mënyrë elektronike, të dhënat e duhura për regjistrimin fiskal të subjektit të saporegjistruar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ofruar në këtë proces të ri, të gjithë eksperiencën pozitive të grumbulluar në vite në këtë fushë, duke u bërë partnere i qenësishme e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Regjistrimi, në një ditë dhe vetëm me 100 lekë

Pagesa për secilin nga shërbimet e ofruara nga QKR-ja për regjistrim ose përditësim të dhënash është vetëm 100 lekë. E gjithë kjo përbën një kosto të madhe të shkurtuar për biznesin. Sipas një studimi bërë pak kohë më parë nga Banka Botërore, kostoja e regjistrimit të një biznesi në Shqipëri shkonte në rreth 647 dollarë. Kjo përllogaritje doli në bazë të një sondazhi të bërë nga Banka Botërore: "Të bësh biznes në Shqipëri", ku kostoja prej 647 dollarësh për regjistrimin e biznesit është nxjerrë pa llogaritur shpenzimet e tjera për licencimin etj. Po kështu, kjo kosto i përket vetëm pengesave finanicare zyrtare që kërkonte administrata dhe jo shpenzimeve të noterëve etj. Tashmë, kostoja e regjistrimit të një biznesi ka zbritur vetëm në një dollar. Kjo nuk përfshin pagesat për noterët që do të çertifikojnë statusin e sh.p.k dhe aktin e themelimit. Në këtë mënyrë, përveç 646 dollarëve që i përkasin shpenzimeve për administratën, QKR-ja gjatë këtij harku kohor ka arritur që të eliminojë thuajse totalisht edhe shpenzimet e tjera që çdo biznesi i shkojnë për noterët etj, duke e bërë mjaft të madhe eliminimin e kostos së regjistrimit.

Pas QKR-së, edhe lejet dhe licencat në një qendër të vetme

Biznesit shqiptar do t'i lehtësohen procedurat për pajisjen me leje dhe licenca. Krijimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit ka qenë frutdhënës në lehtësimin e procedurave dhe si pasojë brenda këtij viti do të hapet edhe Qendra Kombëtare për Licencimin e Biznesit. "Shumë shpejt licencat do të përqendrohen në një qendër të re, që do të jetë e ngjashme me atë të regjistrimit të biznesit, që do të jetë Qendra Kombëtare e Licencimit, e cila me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit, biznesmenët do të pajisen, që nga lejet profesionale e deri te licencat", është shprehur kështu pak kohë më parë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.

4 Komente

 Shyqyr me ne fund, para se te ikin nga pushteti, PD po e shkurton proçesin burokratik, qe i sillte verdall bizneset shqiptare dhe te huaja. Ia vlen ta kujtojme per mire, vetem per kete gje. 

Artikull kaotik!

Se pari, QKR nuk duhet te beje interpretimi ka apo ska krize, kjo i takon tjeterkujt.

Se dyti puna e QKR nuk matet me numrin e bizneseve te regjistruara apo cregjistruara po me cilesine e sherbimit qe ofron.Fakti qe nje biznes regjistrohet ne QKr me me pak shpenzime nuk eshte merite e QKR po e nje vendimi politik.

Cdo analize  reale do jepte shifra per kohen e regjistrimit mesatar per cdo biznes, kohen e cregjistrimit, kohen per ndryshime, me vlera mesatare, percentile etj. Nese kane kapur perpjekje per regjistrime te rreme do ishte nje e dhene tjete interesante.

Plus

Bo Bo cfare idiotesh kemi ne drejtim te institucioneve. Ben analize matematikore shifrave te bizneseve te regjistruara apo te falimentuara, ngateron rritjen e investimeve te huaja me rritjen e regjistrimit te bizneseve me pronar qytetar te huaj, etj etj. Ore po edhe Fazllici krijoi 5 biznese qe ne 2006-ten, por nuk investoi asnje leke per 3 vjet resht. Fakti qe krijoi 5 biznese po nuk beri asnje aktivitet do te thote se jane rritur investimet e huaja me 5 Here???? 

Na paskan falimentuar vetem 20 biznese dhe keto perbejne 0.000003 % te numrit total te bizneseve, pra sipas ketij teveqeli, qe nuk e ka fare per detyre kete gje, kjo eshte e paperfilleshme.  Po mire, po sikur disa nga keto bizneset e falimentuara te ishin fjala vjen AMC-ja, Vodafoni, Cimento ne Fushe-kruje, Metalurgjiku i Turqeve ne Elbasan (Kurum me duket), Coca Cola etj , prape do te ishte e paperfilleshme??????

hihih

Berbero,

Ky TOM-i e ka pas emrin THOMA , ene per tu bo perendimor e ka bo TOM , si amerikan demek.

Imagjinoje vete.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).