Koha për Agro(r)Evolucion

Bujqësia evropiane ndodhet në zgrip të një ndryshimi të madh. Ky ndryshim do të përfshijë disa sektorë, shumë forma, një masë të madhe aktorësh, individë të panumërt dhe më shumë flamuj se ata të Bashkimit Evropian. Ky proces duhet të ndodhë shpejt dhe do të përfshijë një evolucion të vërtetë në mënyrën se si funksionon bujqësia evropiane, çka pashmangshmërisht do të pasqyrohet edhe në ushqimin që evropianët por jo vetëm, do të konsumojnë.
Këto ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë axhendës së takimeve zyrtare të Javës së Gjelbër në Berlin. Ky është një nga aktivitetet më të rëndësishme në botë mbi çështjet e bujqësisë dhe ushqimit dhe pa dyshim, në top-listën e aktiviteteve të BE-së mbi këto çështje, ku marrin pjesë ministra bujqësia, anëtarë të Komisionit Evropian, ekseprtë, përfaqësues të shoqatave të fermerëve, të medias, të shoqërisë civile – politikëbërës e vendimmarrës të niveleve më të rëndësishme, jo vetëm nga Evropa por nga të gjitha vendet e botës.
Nga këto takime rezulton se sfidat kryesore të së ardhmes së afërt të bujqësisë evropiane lidhen ngushtë me rritjen e popullsisë jo vetëm të botës por dhe vetë të Evropës si dhe me planet e zgjerimit të kësaj të fundit me vende të reja anëtare. Ndërkaq, subvencionet që përfitojnë fermerët evropianë do të vijnë duke u ulur normalisht, si rrjedhojë e zhvillimit që ka arritur bujqësia e BE-së, por dhe si domosdoshmëri e një kushteve më të drejta të bisedimeve mbi tregtinë e lirë me vendet jashtë Bashkimit Evropian, veçanërisht me vendet në zhvillim e me ato që janë në kushte mjerane zhvillimi.
Nga ana tjetër, sfidat për ushqimin e të uriturve dhe konkurrenca gjithnjë në rritje sollën në tryezën e bisedimeve pashmangshmërinë e futjes në sistemin bujqësor të vendeve evropiane dhe prodhimin masiv të Organizmave të Modifikuara Gjenetikisht (OMGJ), çka paraqitet një mision i vështirë përballë publikut evropian dhe organizatave që japin alarmin mbi rreziqet që vijnë nga evoluimi i farërave të reja.

OMGJ, akronimi i ushqimit të së ardhmes!
OMGJ-të mesa duket nuk janë më një alternativë, por një domosdoshmëri e diktuar jo vetëm nga nevoja për më shumë ushqim, por edhe nga konkurrenca në tregjet ndërkombëtare. Shtetet e bashkuara të Amerikës, një pjesë e Amerikës latine, Afrika, disa vende në zhvillim, madje edhe vende brenda klubit të BE-së kanë filluar t’u shtojnë menysë së tyre produkte OMGJ. Ato kanë kosto më të lirë, më pak humbje, më shumë prodhim dhe janë më efikase pothuajse në çdo drejtim. Kjo sjell që e ardhmja e ushqimit masiv qoftë për vendet e botës së tretë apo për evropianët, të jetë pikërisht bujqësia dhe ushqimi i furnizuar nga evolucioni gjenetik jo i natyrës, por ai i laboratorit. Siç u shpreh larg kamerave, një drejtues i lartë i Ministrisë Gjermane të Bujqësisë dhe Ushqimit: “Diçka e tillë nuk do të ndodhë sot, nesër... ndoshta, por pasnesër me siguri. Ama i gjithë procesi ka filluar ndërsa flasim. Do të kërkojë shumë punë bindëse, kujdes dhe transparencë maksimale. E megjithatë do të ndodhë”.
Ndërkaq, ish-ministri brazilian i Bujqësisë dhe Ushqimit, Roberto Rodrigues vuri theksin te përfshirja më e madhe e fermerëve në këto vendime. “Në të gjithë këtë proces nuk duhen harruar fermerët”, tha ai. Rodriguez vërejti se “ne ndodhemi këtu sot falë tyre, falë punës së tyre të vështirë dhe përkushtimit të tyre të madh ndaj nesh dhe cilësisë sonë të jetesës”. “Fermerët janë partnerët e Zotit! Sepse Zoti krijoi jetën, ndërsa ata në bashkëpunim me Krijuesin sigurojnë vazhdimësinë e saj. Të mos i harrojmë ata kur japim urdhra se si të prodhojnë me shumë dhe me çmime më të lira”, theksoi ai.
Ndërkaq, në vijim të fjalës së ish-homologut, ministri rus i Bujqësisë dhe Ushqimit, Aleksej Vassilevic Gordejev tha se duhet medoemos të mbështeten fermerët. “E kuptoj qëndrimin e politikanëve evropianë, për sa u përket mbrojtjes që ata krijojnë për fermerët e tyre”, theksoi ai. Gordejev shtoi se në të gjithë këtë proces duhet t’u sigurojmë fermerëve tanë kushte të mira jetese, sepse puna që ata bëjnë nuk është e lehtë.
Edhe vetë firmat prodhuese të farërave të modifikuara gjenetikisht dhe plehrave kimikë shtuan se procesi duhet të kishte gjithëpërfshirje në mënyrë që të rezultonte efikas.
Stefan Marcinovski, anëtar i bordit të drejtorëve të BASF Group tha se novacioni teknologjik do të funksionojë vetëm nëse të dyja palët – prodhues dhe konsumatorë – do ta pranojnë dhe do ta kërkojnë. “Është e rëndësishme të theksojmë se një pjesë e lëndëve të para të prodhuara për përdorim në energji, duhet të vijnë nga sektori bujqësor”, shtoi ai. Marcinovski vërejti se duhet të realizohet një cikël prodhues/përpunues, ku lënda parësore shkon për ushqim dhe teprica për përdorim në energji.
Jürgen Abraham, kryetar i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Ushqimit tha se novacioni teknologjik ishte një domosdoshmëri në ushqimin e botës. “Bota do të përballet së afërmi me një sfidë të madhe në sigurimin e ushqimit për popullatën nëse marrim parasysh se vetëm brenda 40 vjetësh do të kemi 9 miliardë njerëz në planet”, tha ai. Abraham vërejti se në këto kushte, novacioni është i domosdoshëm dhe që ai të ndodhë, më parë duhet lejuar të ndodhë. “Publiku duhet ta kuptojë këtë sfidë, sepse miliardat e uritur të së sotmes dhe ata të së nesërmes duhen ushqyer”, shtoi ai.
Ndërkaq, Martin Ricenhagen, president i AGCO Corporation, duke theksuar pashmangshmërinë e evolucionit në farëra dhe teknologji përballë këtyre sfidave njoftoi të pranishmit, duke u nisur nga vetë biznesi që përfaqësonte se investime në miliarda po orientohen aktualisht në industrinë e ushqimit të së ardhmes. “Vende të reja pune po krijohen ndërsa flasim. Për më tepër kjo do të thotë se kriza globale nuk ndikoi te biznesi ynë. Ne shtuam vende pune, çka do të thotë se biznesi po rritet dhe kjo nënkupton shumë edhe për pritshmëritë e këtij biznesi në të ardhmen”, theksoi ai.
Edhe industria e vajit duket se nuk do të mund t’i shmangë OMGJ-të. Mark Zenuk zv.president i Global Oilseeds tha se teknologjitë e reja në këtë drejtim po zbatohen në prodhimin e farërave nga të cilat nxirret vaji. “Kërkesa është në rritje, rezultatet janë të mira, ndaj ne jemi tejet optimistë për të ardhmen e bujqësisë”, tha ai. Sipas Zenuk, që gjithçka të funksionojë mirë dhe në mënyrë rentabël duhet pasur parasysh se është një çështje e kombinimit të një sërë faktorësh teknologjikë: gjenetikë, plehërim, mekanizim dhe përpunim.
Por, duket se teknologjia nuk mund të zgjidhë gjithçka. Dr. Eckart Guth, përfaqësues i Komisionit Evropian, theksoi se duhet marrë parasysh se bota nuk vuan thjesht nga mungesa e burimeve fizike, teknike etj., por edhe si pasojë e mungesës së kapitalit njerëzor. Ai theksoi se politika është një faktor që duhet diskutuar me po aq rëndësi sa të tjerët. “Duhet të kemi parasysh se procesi i globalizimit dhe hapjes së tregjeve është një proces i cili do të ketë fitues dhe humbës, ndër vendet që do të përfshihen”, sqaroi Guth. Ai tha se vendet eksportuese janë pa dyshim fitues, ndërsa importuesit neto janë humbësit e vërtetë. “Jam optimist për të ardhmen e zhvillimit në sektorin bujqësor dhe të ushqimit, por jam pesimist mbi mundësitë e ushqimit të 9 miliardë njerëzve në të ardhmen. Sfida të panumërta na presin”, përfundoi Dr. Guth.
Në një ndërhyrje të shkurtër mbi çështjen e OMGJ-ve dhe përditësimit teknologjik në përgjithësi, Norbert Steiner kryetar i K+S Corporation shtoi se koha ishte një faktor kyç në këtë proces. “Duhet të theksojmë se nuk na takon ne të vendosim se “çfarë” do të mbillet dhe “ku”. Por mund të sugjerojmë se “kur” duhet të ndodhë diçka e tillë”, vërejti ai.
Sipas të gjitha këtyre bisedave dhe heshtjes relative nga kundërshtuesit e OMGJ-ve, përfundimi duket i qartë: Evropa dhe ne të tjerët bashkë me të po shkojmë me shpejtësi drejt produkteve OMGJ.

Bujqësia që furnizon energjinë
Luhatja e çmimeve të naftës dhe nënprodukteve të saj, si dhe pakësimi i natyrshëm i rezervave botërore të djegësve fosilë, kombinuar me sfidat e ndotjes ka bërë që qeveritë dhe korporatat të kërkojnë rrugë alternative të prodhimit të karburantit. Biokarburantet janë një nga çështjet e nxehta të diskutuara gjatë Javës së Gjelbër në Berlin. “Por sigurisht, ushqimi mbetet parësor”, theksuan të njëjtët që folën për nevojën e prodhimit të energjisë nga masa e gjelbër. Ndërkaq, vetë Gjermania, parashikon që shumë shpejt rreth 10% e energjisë së prodhuar në vend të vijë nga sektori bujqësor. Përfshirja prodhimit nga OMGJ-të dhe përdorimi i mbetjeve bujqësore duket se do të jenë gjeneratorët kryesorë të “energjisë së re”.
Procedua teknike tingëllon në dukje e thjeshtë. Bimët fermentohen dhe nga to nxirret kryesisht etanol, i cili përdoret më pas si lëndë djegëse. Karburanti me bazë bimore, i quajtur ndryshe biokarburant, kushton më lirë se karburantet tradicionale, por kultivimi i bimëve për këtë qëllim, ka sjellë automatikisht zvogëlim të sipërfaqeve të disponueshme për produkte të përcaktuara për ushqim.
Por, së fundmi publiku u njoftua se në rritjen e fundit botërore të çmimeve të ushqimeve gjatë vitit 2008, kanë ndikuar një sërë faktorësh, mes të cilëve edhe shndërrimi i bujqësisë të disa vendeve nga prodhuese e ushqimit në prodhuese të energjisë. Faktorë të tjerë ishin kërkesa në rritje me popullsinë e globit, ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit si p.sh. rritja drastike e konsumit të mishit në Kinë, si dhe përmbytjet apo katastrofat e thatësive si pasojë e ndryshimit të klimës.
Madje, vetë Komisioni Evropian i ka rënë kambanës së alarmit në mënyrë tragjike. I cituar në Deutsche Welle, Louis Michel, Komisari i BE-së për zhvillimin dhe ndihmën humanitare tha se çmimet e mallrave ushqimore nuk do të kthehen më kurrë në nivelin e dikurshëm dhe rritja e tyre e mëtejshme nuk mund të ndalet nëse nuk merren shpejt masa kundërvepruese. “Kjo i tejkalon mundësitë e Komisionit dhe të Bashkimit Evropian. Këtu kërkohet veprimi i gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ndërkaq, kundërshtarët dhe skeptikët e energjisë që vjen nga sektori bujqësor, përfshi këtu një sërë ekspertësh ndërkombëtarë, theksojnë se më e keqja mund të ndodhë në vitet që do të vijnë kur ndonjë krizë e mundshme e karburanteve, do ta shndërrojë biomasën në një material me qëllim lëndët djegëse dhe jo ushqimin.
Megjithatë, e ardhmja e afërt duket se do të marrë pikërisht drejtimin e prodhimit të një sasie të konsiderueshme të energjisë së përdorur nga bujqësia, kombinuar me shtrirjen masive të OMGJ-vve. Disa nga pjesëmarrësit në Javën e Gjelbër në Berlin theksuan se e ardhmja e afërt e BE-së në çështjet e bujqësisë dhe ushqimit, jo vetëm që do ketë karakter evolutiv, por pritet të ndodhë edhe ndonjë “revolucion” aty këtu.

4 Komente

Prandaj eshte dhe e rendesishme marrja e masave per ndalimin e mbipopullimit, siç i kane ndermarre Kina dhe vendet e zhvilluara nepermjet shperdarjes falas te prezentativave, inxheksionet kundra shtatzanise (çdo 3-6 muaj), pilulat kundra shtatzanise etjera masa. Nese mbipopullimi  do te vazhdoje me keto ritme, nuk eshte çudi qe luftrat te shtohen, sidomos ato lokale. 

Mendoj se nje mase per ti dale te keqes perpara, persa i perket shterimit te karburanteve, do te ishte shtrimi i linjave te trenit elektrik dhe tramvajeve; duke lidhur ne nje te ardhme te larget tere qytetet dhe qytezat me linja te tilla. 

Belgjika, po punon mire gjer me tani ne kete drejtim, duke shtruar dhe shtuar shinat per tramvaje ne çdo cep e çdo qyteze. 

Majr e ka Qafmolla. Doktorat knej nga Tironto pasi dulin n'pension hapin naj ferme. Dje kom taku njonin qe me shiti nji kavanoz me mjolt.

"Por, duket se teknologjia nuk mund të zgjidhë gjithçka. Dr. Eckart Guth, përfaqësues i Komisionit Evropian, theksoi se duhet marrë parasysh se bota nuk vuan thjesht nga mungesa e burimeve fizike, teknike etj., por edhe si pasojë e mungesës së kapitalit njerëzor. Ai theksoi se politika është një faktor që duhet diskutuar me po aq rëndësi sa të tjerët. “Duhet të kemi parasysh se procesi i globalizimit dhe hapjes së tregjeve është një proces i cili do të ketë fitues dhe humbës, ndër vendet që do të përfshihen”, sqaroi Guth. Ai tha se vendet eksportuese janë pa dyshim fitues, ndërsa importuesit neto janë humbësit e vërtetë. “Jam optimist për të ardhmen e zhvillimit në sektorin bujqësor dhe të ushqimit, por jam pesimist mbi mundësitë e ushqimit të 9 miliardë njerëzve në të ardhmen. Sfida të panumërta na presin”, përfundoi Dr. Guth."

Ja dhe paragrafi per tu theksuar

Qafe, ke filluar po e saktivizon median e lire e te mosvarme

sa mire kom bo una qe i kom rezistu temtimit "me bo shpi te re 3-katshe"!!!! e shifni pra se sa me ronsi osht Toka e lire?

Per mua problemi qendron ne menaxhimin urbanistik,  ne vendin tone te pakten. Mendoj qe per popullsine qe kemi ne kto momente dhe duke pare edhe statistikat e rritjes se popullsise (gjithmone ne vendin tone) nga sot e deri ne 30 vjet, akoma nuk eshte ndjere nevoja per te pasur "toka te lira" per shfrytezim bujqesor. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).