Këtu është si të ndërtosh kështjella rëre

Fituesi i "Onufri 2008", Driant Zeneli, thotë se individët duhet të shprehen së bashku, që mendimet e emancipuara të bëhen një zë. "Onufri" është i vetmi çmim institucional që për forcë zakonit quhet prestigjioz dhe i rëndësishëm. Por çfarë ndodh më pas?

I vetmi moment kur Shqipëria ka qenë bashkëkohore me botën, na thotë Drianti, është momenti i fotografisë me Marubët. Është i vetmi moment që Shqipëria ka qenë në një hap me kohën. Më tej ka pasur shkëputje të jashtëzakonshme.

Një përkufizim i tillë i ardhur nga jashtë, nga një njeri që jashtë proceseve të artit pamor, do të merrej për nihilizëm, por fituesi i çmimit "Onufri 2008", Driant Zeneli thotë se individët duhet të shprehen së bashku, që mendimet e emancipuara të bëhen një zë.

"Onufri" është i vetmi çmim institucional që për forcë zakonit quhet prestigjioz dhe i rëndësishëm. Por çfarë ndodh pas "Onufrit"? Drianti kujton se në qoftë se një çmim i tillë do t'i jepej një artisti në Francë a Gjermani, rreth e rrotull do të kishte galeristë, do të kishte njerëz që do ta kërkonin të futet në merkato.

25-vjeçari, punët e të cilit nuk janë as video, as foto, vazhdon të merret me procese të cilat janë të bazuara në relacione, në situata të ndryshme sociale.
"Dhe unë vazhdoj të jem një studiues, por jo kurrë një tregues."

Si lindën këto dy punë?

"Too late" ka lindur si një reflektim mbi kohën që ecën dhe që ne kërkojmë ta frenojmë. Marr këtë slogan dhe gërmat i vendos në një çati. Vlera për mua ishte projektimi i këtyre gërmave në tokë dhe me lëvizjen e diellit, me lëvizjen e kohës, lëvizte edhe fjala "Too late".

Ajo ditë që unë dokumentova këtë gjë ishte me erë dhe me shumë re dhe në video duket shumë mirë kjo gjë. "Too late" duket dhe zbehet shpesh herë. Është thjesht ajo kohë që është irracionale dhe jemi ne që mundohemi ta racionalizojmë atë. Ky është koncepti bazë që përdor.

Nuk dimë nëse ajo që lexojmë tek prezantimi që i bëhet punës ku flitet për "Too late" si një metaforë e vonesës së Shqipërisë ndaj proceseve që i kërkohen, është ajo që doni të thoni.

Një slogan i tillë do të ishte i varfër për një vepër arti që ka më shumë se një ide. Pikënisja ime është personale dhe pastaj shfaqet më globale.

"Puzzle" është paraqitur pa titra dhe nuk kuptohet qartë se çfarë thonë ata që mundohen t'i japin identitet figurës së bardhë.

Unë nuk e dija që "Puzzle" përfaqësohej në "Onufër", prandaj është pa titra. Është shumë i rëndësishëm relacioni midis personave, ajo që ata diskutojnë. Në njëfarë mënyre ata vihen në lojë. Unë u jap një puzzle të bardhë, pa asnjë lloj imazhi dhe i ftoj ta plotësojnë me disa pjesë të cilat po ashtu, janë të bardha.

Ata kërkojnë esencën e asgjësë tek një gjë që nuk ka asnjë gjë, sepse në fund të fundit ata vetë janë pjesë e lojës. Ata thonë ah, ç'kuptim ka kjo, duhet të ketë një kuptim, ai na ka vënë në lojë, ndoshta puzzle-it në fund do t'i mungojë ndonjë pjesë...

Këta njerëz prezantojnë shoqërinë. Rrinë rreth e rrotull tavolinës, dikush flet më shumë, dikush më pak, pastaj ndërrojnë pozicionet. Është si në shoqëri, ndërrojnë rolet, por prapë individi ngelet i njëjtë.

Në krahasim me punën "Kur të rritem dua të bëhem artist" fitues i çmimit të dytë në "Onufri 2007", vihet re një ngritje e jotja për tek konceptet abstrakte.
Videon e vjetshme mund ta quaj një album fotografik personal sepse lind nga një situatë personale.

Është një histori e tim eti, por prek shumë aspekte. Aty koncepti është dhe është shumë i fortë sepse vihet në diskutim çfarë do të thotë të bësh art, çfarë do të thotë të jesh artist, çfarë do të thotë të jesh artist social dhe në fund të vitit videoja përfundon me firmën e tim eti që vendos tek piktura e tij.

Firma nuk është e tij ama, është e imja dhe këtu thirret ideja e gjithë avanguardistëve si Manzoni apo Duchamp, të cilët çfarë do të thoshin, kush është vlera: ai që e bëri atë vepër apo unë që e mendova. Aty është edhe koncepti i kohës e cila jepet në një aspekt më social. Është një punë më narrative, kurse tek punët e sotme humbet narrativiteti.

Ku ke lindur Driant, në ç'qytet dhe çfarë ndikimi ka pasur vendi ku ke jetuar deri pa filluar ndërhyrja e shkollës në formimin tënd?

Kam lindur në Shkodër, pastaj kam ardhur në Tiranë ku kam studiuar në Lice dhe me të mbaruar Liceun në moshën 18 vjeç, jam larguar për të vazhduar studimet në Itali, në Macerata. Është një qytet i vogël studentor. Tani jetoj në Torino dhe kërkoj të jetoj me anë të gjërave që bëj, me art.

Si ia del?

Është e vështirë po të paktën atje ekziston një sistem, mund të përballohesh me diçka dhe e sheh arrin apo s'arrin, ndryshe nga këtu ku fatkeqësisht nuk ka institucione, galeri arti, muzeu apo fondacione që merren me artin. Kështu që ndonjëherë këtu është si të ndërtosh kështjella në rërë. Pastaj është edhe fat. Atje ku jam, jam në kërkim e sipër.

Si e sheh skenën e artit bashkëkohor?

Mendoj se po jetojmë në periudhën e shumë idealeve. Secili ka idealet me të cilat ka krijuar një botë të vetën.

Nuk është kaos ky, pasja e shumë pikave referimi?

Është kaos në njëfarë mënyrë, por në të njëjtën kohë, është një organizim i çorganizuar që funksionon. Kjo vjen nga eksperienca të ndryshme. Edhe në art kjo ndodh, ka gjithçka. Në një muze ti mund të shohësh nga piktura tek video. Përveç kësaj, edhe mënyra e të menduarit (në art) është e ndryshme. Ka artistë që prekin socialen, që merren me abstrakten, me problematika.

Kur je larguar nga Shqipëria kishe një kulturë shqiptare, çfarë vlerë mori kur u ballafaqove me botën jashtë, në një realitet tjetër?

Atë që lashë pas e kam kujtuar si jetën e një gjimnazisti që më shumë jeton kohën, vrullshëm dhe pa lexuar mirë atë që ndodh rreth e rrotull. Në momentin që shkova në Itali, nisa ta rishikoj mirë atë që kisha bërë dhe të kuptoj çfarë duhet të bëja.

Për të kaluarën s'mund të flas se është një periudhë kalimtare. Por mund të them se ka qenë një formim i cili u shformua në momentin që u ndodha në Itali. "Shformimi" ka ndodhur shumë ngadalë.

Çfarë të thotë tradita e artit shqiptar?

Është pyetje shumë delikate sepse do na duhej të futemi në historinë e artit shqiptar. (Hesht) Është absurde çdo gjë që ka ndodhur në Shqipëri dhe që vazhdon të ndodhë. Dikush duhet të ulet dhe të bëjë një histori të artit të asaj që ka ndodhur. Nuk ekziston një histori e artit shqiptar.

Kjo tregon që arti shqiptar ka humnera të mëdha, si puna e puzzle-it, ka disa hapësira boshe që duhet të formohet dhe nuk i gjendet akoma identiteti. Pastaj janë zhvillimet e shpejta që prunë lëvizjet e para që nuk kuptohen çfarë ishin moderne apo postmoderne, sepse në fund të fundit ne nuk i kemi kaluar kurrë këto problematika.

I vetmi moment kur Shqipëria ka qenë bashkëkohore me botën është momenti i fotografisë me Marubët. Është i vetmi moment që Shqipëria ka qenë në një hap me kohën. Më tej ka pasur shkëputje të jashtëzakonshme.

Atëherë çfarë të besojmë atë që thonë kuratorët treditorë që kemi artistë universalë, apo të pranojmë që zgafellat janë të frikshme?

Duhet të besojmë tek individualiteti i disa personave, si prezantues të një arti bashkëkohor. Duhet të besojmë tek individët.

"Onufri" është i vetmi çmim prestigjioz institucional. Por çfarë ndodh pas "Onufrit"? Në qoftë se një çmim i tillë do t'i jepej një artisti në Francë, Gjermani, rreth e rrotull do të kishte galeristë, do të kishte njerëz që e kërkonin, pra futet në mes ekonomia, merkatoja, ajo që është baza e artit. Galeria është në rregull me atë që pretendon. Unë pretendoj nga privatët, nga bizneset.

Ka jo pak të rinj në fushën që krijon ti që janë të pashpresë.

Rruga është që në radhë të parë të ndërtohet një mendim i ri intelektual, një mënyre e re të menduari që fillon nga individi por duhet të zhvillohet në mesin e një grupi të rinjsh. Me anë të komunikimit që është baza, këta të rinj duhet të arrijnë që të prekin ndjesinë e shoqërisë dhe të ekonomisë.

Edhe ne që jemi që jetojmë jashtë të mos kemi merkaton tonë këtu, në galeri private? Përse këta kuratorë që vijnë nuk mund të shëtisin nëpër galeri dhe të gjejnë artistë?

Duket paradoksale sepse pak më lart unë thashë që nismat lindin nga individë, ashtu si arti lind nga individualja, por në qoftë se ai ngelet tek personalja, ai vdes. Mendimet e reja dhe të emancipuara ekzistojnë por duhet të bashkohen.

Je marrë edhe me fotografinë e teatrit.

Po, ajo është, si të thuash, punë private. Nuk jam unë aty. Është një punë komerciale. Nuk jam absolutisht unë. Është një ndër punët që arrij të mbijetoj. Sepse nëse do ta mendoja artin si mbijetesë do të më kthehej në një manierë, në një gjë shumë të rëndë.

Nga kjo lind depresioni, kur artisti kërkon të mbijetojë dhe e sheh që falimenton. Dhe këtu vjen ajo shprehja e Samuel Beket që thotë: të bësh artistin dmth të rrezikosh të bësh një person tjetër, pra të falimentosh.

Dhe unë kam kërkuar të shoh qartë pjesën racionale dhe irracionale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).