Kafshët në zoo. "Obama hope" në Tiranë

Revista Courrier Japon fton 100 fotografë nga bota që të jenë dëshmitarë të shpresës, se si ishte vendi i tyre më 20 janar, ditën e betimit të presidentit amerikan. Bevis Fusha përfaqëson "albanian hope" me portrete të kafshëve në Kopshtin Zoologjik në Tiranë

Më 18 dhjetor 2008 revista ndërkombëtare me qendër në Tokio e quajtur "Courrier Japon", nëpërmjet kryeredaktorit të saj Yoshiaki Koga, ftonte 100 fotografë nga bota që të jenë dëshmitarë të historisë:

"Ju do të dokumentoni vizualisht atë ditë kur presidenti i zgjedhur Barack Obama do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Askush nuk e di nëse ai do të jetë përgjigje për shpresat, por unë ndjej dhe shpresoj, është shpresë për ndryshim dhe shpresë për ditë më të mira."

Duke besuar se ato që fotografët kanë parë dhe kanë ndjerë - gëzim, hidhërim, shpresë, dëshpërim - gjëra që nuk do t'i sprovonin edhe nëse do të zgjedhnin një profesion tjetër, "Courrier Japon" u thotë se "kudo që të jeni atë ditë, do donim të shihnim atë që ju shihni. Na tregoni çfarë do të thotë shpresë për ju."

Me këto "dëshmi" të 20 janarit 2009 nga 100 vende të botës, kjo revistë do botojë albumin me titull "The Day of Change 1/20".

Ndër këta 100 fotografë është ftuar nga Shqipëria Bevis Fusha, i cili pikërisht dje ka fiksuar "modelin" e shpresës që gjen dhe ndjen në vendin e tij.

Nëpërmjet tij, në mënyrë indirekte edhe Shqipëria merr pjesë në këtë projekt të çuditshëm që ka si qëllim të tregojë se ç'ndodhi në botë ditën kur presidenti më i rëndësishëm i globit, Barack Obama u betua për marrjen e misionit të ri me dorën në bibël.

"Ne do të donim që të fotografonin diçka që ata e shohin si "ndryshim" me temën e "shpresës" kudo që të ndodhen ditën e 20 janarit, kur Barack Obama, në të njëjtën ditë, nis një histori të re.

"Obama" është një arsye përse ne vendosëm atë ditë, por në fakt ky projekt nuk është tamam për të, është për atë që ju do të shihni si "ndryshim" po atë ditë", thuhet në ftesën e projektit japonez - Japonia përfaqëson një treg me interes të gjerë në botën e artit, dhe akoma i panjohur dhe i pashfrytëzuar mirë nga artistët e botës përtej saj - i cili synon t'i paraqesë botës një ide krejt të vetën dhe uron që 20 janari të jetë një ditë shprese edhe për fotoreporterët.

Revista ka nënshkruar marrëveshje me fotografët. Disa nga pjesëmarrësit janë Tamara Abdul Hadi, Carlos Litulo Max Sher, Olivia Arthur, Davin Ellicson, João Pedro Marnoto, Giovanni Marrozzini, José Figueroa, Ernesto Bazan, Julio Bittencourt, Samuel Bollendorff, Stanley Greene, Ëolfgang Müller, Yuri Kozyrev, Simon Roberts, Ektor Dimisianos, Arthur Dressler Mark Leong, Stephen Dupont, Andrei Liankevich etj.

Për Bevisin, dita para "gjahut" të 20 janarit nuk i kishte dhënë akoma subjektin, ngjarjen që do të tregonte, a më mirë të thuhet s'kishte ngjarje që mund të ndërthuren me shpresën. "Këtu çdo gjë s'duket shpresëdhënëse. Mendoj që të bëj Kopshtin Zoologjik, që ka shumë nevojë për shpresë në të ardhmen."

Në fund të ditës, së djeshme Bevisi kishte mbyllur hesapet me "Obama hope" në Tiranë. Bëri kafshët në zoo. S'donte të bënte njerëzit. "Sot, më shumë më erdhi keq për kafshët. Njerëzit duken pothuaj të pashpresë këtu. Dhe kafshët janë reflektimi më i mirë i faktit që njerëzit e varfër "argëtohen" me skamjen e një kafshe pothuaj "të skllavëruar". Tema e shpresës më lidhej më mirë me Kopshtin Zoologjik, i cili pret të riinvestohet prej vitesh."

Bevis kujton se editori i Courrier Japan pat thënë se nuk ka rëndësi që ngjarja të lidhet domosdoshmërisht me Obamën. Prandaj edhe e zgjodhi "portretet" e kafshëve të parkut zoologjik në Tiranë: dy dhelpërushe që duken gati për t'u ngrënë apo thjesht nuk dinë ç'të thonë përballë njëra-tjetrës dhe koka e një gamileje që ka dalë nga një frëngji si për të marrë ajër. Në gojë mban një panine.

Mesazhi i Bevisit ndërsa dërgonte këto foto - fotografia e tij ka një ballafaqim konsekuent me botën - sadoqë që Shqipëria është një vend që nuk ofron ngjarje në kuptimin që i jepet sot kronikës mediatike - ishte ky: "Sot s'ka ngjarë asgjë e veçantë. Po të dërgoj disa foto të kafshëve të mjera."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).