Investimet, digjen paratë e tenderëve

Plot 16 institucione shtetërore nuk kanë mundur të realizojnë prokurimet brenda vitit 2008. Fondi i djegur përllogaritet në afro 2.7 milionë dollarë

Plot 16 institucione kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të fondit të vënë në dispozicion nga buxheti i vitit 2008, i cili konsistonte në realizimin e investimeve nëpërmjet kryerjes së prokurimeve përkatëse. Vlera, e cila nuk është përdorur, arrin në afro 2.7 milionë dollarë, ndërsa ndër institucionet që kanë humbur “kafshatën” nga mospërfundimi në kohë i procedurave të tenderëve, në vendin e parë renditen Drejtoritë Rajonale të Rrugëve, të varura nga Drejtoria e Përgjithshme. Në fund të muajit nëntor, disa institucione i bënë kërkesë qeverisë që të shtyjë më tej afatin e përfundimit të prokurimeve, afat ky që ishte shtyrë një herë nga Këshilli i Ministrave deri në fund të muajit dhjetor. Por kjo nuk u mor parasysh në mbledhjet e kaluara të qeverisë, ndërsa tashmë duket se fondet të cilat duhet të kishin hyrë në listat e shpenzimeve, tashmë janë djegur plotësisht. Institucionet përgjegjëse justifikohen me vonesat për shkak të procedurave që parashikojnë tenderët, si dhe me mosafrimin e kompanive për shkak të fondeve të vogla limit, të vëna në dispozicion nga buxheti i vitit të kaluar. Në listën e atyre dikastereve shtetërore që aplikuan mbi kërkesën për shtyrje të afateve lidhur me realizimin e prokurimeve është edhe vetë Kuvendi i Shqipërisë. Lista është më e gjerë, pasi pjesë e kërkesave është bërë tashmë edhe Ministria e Drejtësisë, si dhe disa prej institucioneve në varësi të saj.

Institucionet

Në listën e atyre institucioneve që nuk kanë respektuar afatin ligjor, me qëllim realizimin e investimeve të parashikuara, një vend të konsiderueshëm zë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e cila mendohet të ketë mosrealizim investimesh për këtë vit në masën 20 për qind. Nuk mundi të shpenzojë të gjitha paratë nga fondi i buxhetit edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si dhe Inspektorati i Ndërtimit dhe i Urbanistikës Kombëtare. Duket se mosrealizim plani për investimet nga fondi i buxhetit ka edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lidhur me Degën Doganore të Tiranës. Bëhet e ditur se kjo degë ka ende një shumë të madhe të fondit për investime pa shpenzuar, shumë kjo që nga Këshilli i Ministrave është kërkuar të realizohet brenda datës 31 dhjetor të këtij viti.

Arsyet

Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e dikastereve të shtetit justifikohet me faktin se dështimet në procedurat e tenderimeve janë edhe arsyet e mosrealizimit në kohë të investimeve të parashikuara me fonde nga buxheti. Pretendohet se edhe në rastet kur janë shpallur njoftimet për tenderë, nuk ka pasur oferta të përshtatshme, ose ofertuesit nuk kanë qenë të interesuar. Megjithatë, shumë prej institucioneve që nuk kanë realizuar planin e shpenzimeve për investime presin me padurim marrjen e një vendimi të dytë nga ana e qeverisë, i cili do të tejkalonte datën 31 dhjetor, për t’u dhënë kështu një mundësi të dytë drejtuesve të institucioneve përkatëse që të përfitojnë  kafshatën e premtuar nga qeveria që në miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2008. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, atëherë fondi konsiderohet i djegur. Por tejkalimi i afatit për vitin tjetër, edhe nëse realizohet, përbën shkelje të dispozitave ligjore, çka siç duket i intereson qeverisë për t’u mburrur me investime, pasi në listën e institucioneve jokorrekte janë edhe shumë dikastere që merren me investime publike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).