Intelektualët dhe betimi i Hipokratit

Hipokrati i Kosit (ishull në Greqi), është quajtur edhe Babai i Mjekësisë. Nuk është rastësi që Betimi i famshëm i tij ka mbetur pothuajse i pandryshuar në versionin modern që prej viteve 300 Para Krishtit. Preambula e Betimit origjinal të mjeshtrit të mjekësisë fillon: “Unë betohem përpara Apollonit, Asklepiusit (perëndisë së shëndetit) dhe përpara gjithë perëndive Shëruese ...që sipas zotësive dhe gjykimit, do ta mbaj ketë Betim” Versioni modern i Betimit është krejtësisht i njëjtë me atë antik, përveçse në këmbim të emrave të perëndive, qëndrojnë fjalët: “Betohem përpara Të Plotfuqishmit, përpara familjes sime, mësuesve të mi dhe miqve, se sipas zotësive dhe gjykimit, do ta mbaj këtë Betim..”
Ne, që i përkasim kohëve moderne, mund të justifikoheshim me emrat e perëndive dhe ta mbanim Betimin e Hipokratit si një shenjë përkujdesje ndaj antikitetit magjepsës, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Me dhjetëra dhe qindra breza njerëzish, dijetarësh dhe mjekësh që krijuan vlerat e kohëve moderne, e ruajtën Betimin jo për nostalgji, por me vlerën e një thesari përdorues që nuk mund të harrohet, madje e çon shkencën e mjekësisë atje ku ajo e ka zanafillën: në Humanizmin, në Mbrojtësen e madhe të Njeriut, atë që Grekët e vjetër e kishin kuptuar shumë herët dhe që i përkushtuan perënditë më të rëndësishme të tyre, siç ishte Apolloni i madh.
E gjithë kjo retorikë e domosdoshme më vjen sepse, dashje, padashje i rikthehem temës sonë të mbetur gjithmonë në mes: mjekësisë dhe situatës së saj. Para pak javësh unë botova një shkrim mbi mjekësinë shqiptare, duke e parë atë në aspektin vrasës të saj… Komentet ishin pa shumë ngjyra: Po dhe Jo…. Dua të flas mbi vlerësimin e dytë, sidomos mbi disa argumente mbrojtëse që më zuri veshi. Për të mos ta ngatërruar lexuesin, po përsëris se gjykimi im për situatën e mjekësisë në Shqipëri është shumë pesimist, se mjekësia është shumë e korruptuar dhe rastet e mjekëve korrektë që janë jashtë kësaj popullate të korruptuar, janë të pakta. Por duke qenë se ky shkrim u bë edhe duke përmendur rastin e mjekut Ylli, i cili u godit nga një pacient në mënyrë absurde dhe pa asnjë motiv negativ nga ana e mjekut, mua më ranë në vesh dy lloj reagimesh: Nga njëra anë, ajo e mjekëve, të cilët (edhe ata më korrektët), u ndjenë të fyer dhe nga ana tjetër ajo e (pseudo) intelektualëve shqiptarë, që e ndjenë veten të ofenduar në logjikën e tyre qytetare dhe që në vend të shqetësohen për gjendjen dhe nivelin e frikshëm që ka marrë korrupsioni në mjekësi, shqetësohen se a ishte apo jo momenti për të folur mbi këtë temë.
E para ka të bëjë me mënyrën se si ne e gjykojmë punën tonë, pozicionin që mbajmë ndaj saj, raportet njerëzore të familjarizuara deri në atë gradë, sa bëjmë kompromis edhe me të keqen. Pra, unë u stërtrishtova dhe u bëra akoma më shumë pesimiste kur ndjej se vetë mjekët mundohen ta ruajnë statusin e tyre antihuman për hir të mbijetesës së vogël, për hir të kompromisit afatshkurtër, për hir të sindromës së “bashkëfajtorëve”. Nëse ndonjë ditë, do të bëhet një hap ndryshe në mjekësi, kjo patjetër duhet të vijë nga vetë mjekët. …Në këtë rast… a mundet?
Në rastin e dytë, kur në mes janë intelektualët (për lehtësi në shkrim, po i quaj të till&eumlsmiley, cilat janë premisat?
Jo kot dhe pa bazë flas për këtë qëndrim. Një mikesha ime më tregoi se një grup i tillë ishin pikërisht ata që nuk e pranonin kritikën ndaj sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe e konsideruan shkrimin tim të mëparshëm, shumë të rëndë… Mesa di unë, intelektualët kanë prirje ta marrin me shumë seriozitet çdo gjë që ata mendojnë se është kundër të mirës në shoqëri….dhe kjo i bën ata të mundësojnë ndryshimet duke udhëhequr prirje dhe lëvizje të forta sociale… Pyeta mikeshën time se a i kanë parë miqtë e saj spitalet tona dhe si i kanë përjetuar kurimet në to. Ajo më tha se ata i bëjnë vizitat mjekësore jashtë vendit…(!)
Kjo se ç’më kujtoi ca histori të vjetra shqiptare ku intelektualët më të ndritur të këtij vendi e kanë përjetuar vuajtjen nga larg, pa e provuar atë…Megjithatë, për të mos rënë në krahasime të nxituara, rivërtetoj edhe njëherë se ne nuk kemi ende një shtresë intelektuale të vërtetë, e cila do të mund të përballet dhe të sfidojë realitetin. Kjo që kemi është një gjysmë-shtresë, lloj hibridi i paorientuar dhe i pamundur për të bërë ndryshime, i aftë të vegjetojë, por jo të reagojë… Ndërkohë që dëgjoja mikeshën time, më vinin ndër mend rastet jo të rralla të njerëzve që vijnë e ankohen në zyrën time, më kujtohej burri nga Elbasani të cilit dy vjet më parë i vdiq e shoqja për gabimin e mjekut, kolegia ime që rropatet ditën e natën duke përjetuar çuditë e spitaleve dhe mjekëve me vëllanë e sëmurë. Ndërkohë, shumë nga të ashtuquajturit qytetarë, nga kompleksi i lëkundjes së statusit të tyre sipërfaqësor, nuk shikojnë se si e paguan njeriu i thjeshtë, ai i pamunduri për t’u mjekuar jashtë, vlerën e shëndetit të tij. Kjo shtresë e vetëvlerësuar, për fat të keq është një tjetër element që mban peng edhe mundësinë e krijimit të një klase të vërtetë intelektuale në Shqipëri…Nuk dua të jem e padrejtë, por mendoj se ka ardhur koha që të merremi seriozisht me padrejtësitë që po i shkaktojmë vetë dhe mos harrojmë se shumë të mençur që ndërtuan botën për së mbari nuk i konvertuan më kot fjalët e Hipokratit të lashtë me përgjegjësinë, që mjekët duhet të mbajnë “përpara familjes, mësuesve dhe bashkëkohësve”.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).