Ina Rama sfidon Berishen: Jo hetimit per Tom Doshin

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të mos fillojë procedim penal ndaj deputetit socialist Tom Doshi, i cili u kallëzua penalisht nga Zyra e parandalimit të pastrimit të parave. Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të dikasterit qendror të akuzës, të drejtuar nga Ina Rama. Pasi ka marrë në dorë kallëzimin që lidhej me veprat penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së pasurisë”, prokuroria ka vendosur për mosfillimin e hetimeve për deputetin Doshi. “Është mosfilluar procedimi penal nga ana e prokurorisë në lidhje me veprën e ‘pastrimit të parave’, për shkak se në periudhën kur pretendohet se ishin krijuar këto para, ligji i kohës nuk e parashikonte këtë vepër penale. Për sa i përket fshehjes së deklarimit të pasurisë apo (deklarimit të rrem&eumlsmiley kjo vepër është amnistuar, për një pjesë të deklarimit të viteve 2005-2006, vepra penale e ‘deklarimit të rremë’ është amnistuar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme. Zyra e parandalimit të pastrimit të parave e kallëzoi deputetin dhe për fshehje të pasurisë të vënë gjatë vitit 2007. Lidhur me këtë fakt, prokuroria ka bërë verifikime pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Ky institucioni ka konfirmuar faktin se për vitin 2007, shtetasi Tom Doshi ka deklaruar të gjitha detyrimet dhe pasuritë që disponon. E gjendur përballë këtyre fakteve, prokuroria ka vendosur të mos nisë hetimet ndaj Doshit.
Kallëzimi
Tri ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, dërgoi për ndjekje penale deputetin socialist Tom Doshi, për akuzat e “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurive”. Sipas kësaj zyre, deputetit Doshi ka bërë deklarim të rremë të pasurisë së tij. Deputeti ka deklaruar një pasuri me vlerë prej 10.5 mln USD, që sipas DPPP-së është dy herë më e madhe sesa vlera e pasurisë që Doshi disponon sipas regjistrave publikë. Në kallëzimin e saj, Zyra e parandalimit të pastrimit të parave ka konstatuar se deputeti socialist nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për blerjen e pasurive të paluajtshme, si sipërfaqe toke, vila e shtëpi. Sipas institucionit që merret me parandalimin e pastrimit të parave, Doshi ka bërë deklarim të rremë sa i përket blerjes e më pas shitjes së kompanisë “Qumështi Ajka”; blerjes së kompanisë “Prodhime Farmaceutike”. Por duket se verifikimet kanë shkuar dëm, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka vendosur për mosnisjen e hetimeve ndaj Tom Doshit.

1 Komente

Hetuesia paska marre persiper edhe punen e gjykates me sa duket. Jo vetem kaq, por vendosin vete njehere nqs nje person eshte i fajshem apo jo, dhe pastaj fillojne hetimet. Tragji-komedia e drejtesise shqiptare "strikes again"...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).