Ina Rama, "fitorja" e parë me Bashën për Durrës-Kukës

Dorëhiqen dy gjyqtarë të Apelit: Dosja të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë

Pas katër dështimeve të njëpasnjëshme, më në fund, Prokuroria e Përgjithshme shikon një dritë jeshile për procesin gjyqësor të dosjes Durrës-Kukës. Megjithëse nuk është një vendim përfundimtar, dy gjykatësit e Gjykatës së Apelit, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca, janë shprehur se kompetencë për gjykimin e Lulzim Bashës, person i marrë i pandehur nga prokuroria për abuzimet e dyshuara gjatë ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, ka Gjykata e Lartë dhe jo Gjykata e Apelit. Në fakt, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi se kompetencë për gjykimin e Bashës ka Shkalla e Parë, pasi njoftimi i akuzës dhe marrja në pyetje është thjesht akt procedural. Ndërkaq, dy gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Ndreca dhe Bushi, janë shprehur se deputeti i akuzuar, mund të gjykohet vetëm nga Gjykata e Lartë. Ata janë shprehur disa javë më parë, kur prokuroria apeloi vendimin e gjyqtarit Sokol Tona për shtetasit Andi Toma dhe Armand Teliti. Dy gjyqtarët, gjatë këtij procesi, do të deklaronin senuk mund të hetojnë një deputet. Seanca e djeshme Dje, ka dështuar seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit, ku pritej të vendosej mbi ligjshmërinë e akuzës së ngritur ndaj ishministrit të Transporteve Lulzim Basha, për rrugën Rrëshen-Kalimash.

Shkak i dështimit janë bërë dorëheqjet e dy anëtarëve të trupit gjykues, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca. Mësohet se të dy gjyqtarët deklaruan se ishin shprehur më parë në një proces ndaj Andi Tomës dhe Armand Telit, që akuzoheshin se kishin kryer vepër penale në bashkëpunim me Lulzim Bashën dhe për të mos paragjykuar vendimin, kanë dhënë dorëheqjen. Ata u shprehën se gjykimi i ministrit tani është kompetencë e Gjykatës së Lartë. Ndërsa kryesuesi i trupit, Pajtim Hoxha, ka caktuar seancën e radhës më datën 2 shkurt të këtij viti. Ndërkaq pritet që në fund të muajit janar, të hapet procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë për Bashën dhe Andi Tomën, në lidhje me abuzimet e pretenduara nga prokuroria gjatë ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Në seancën e parë gjyqësore pritet që Kolegji Penal të vendosë nëse çështjet e tjera gjyqësore, që kanë lidhje me këtë dosje, do të kalojnë të gjitha për verifikim në Gjykatën e Lartë. Ministri aktual i Jashtëm akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderët për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve. Ai ndodhet nën akuzë së bashku me Andi Tomën, ish-drejtor juridik. Ndërsa dy zyrtarët e tjerë, Teliti dhe Saraçi, nuk janë më të pandehur, për shkak të mungesës së provave.

Proceset e Durrës-Kukës Aktet procedurale të prokurorisë, gjatë veprimeve hetimore të dosjes Durrës-Kukës, janë vënë në dyshim nga mbrojtja e të pandehurve. Në fillim, dy të pandehurit,Andi Toma dhe Armand Teliti, kundërshtuan prokurorinë për zgjatjen njëmujore të hetimit të dosjes. Gjyqtari Sokol Tona i dha të drejtë mbrojtjes, duke urdhëruar mbylljen e hetimeve brenda datës 6 dhjetor 2008. Kjo ishte "shuplaka" e parë e gjykatës për prokurorinë. Disa ditë më vonë, prokuroria mori të pandehur ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Akti procedural u kundërshtua nga avokatët me pretendimin se Basha është marrë i pandehur në një kohë që gjykata ka urdhëruar mbylljen e hetimit një muaj më parë. Argumenti është paraqitur në gjykatë. Shorti elektronik në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës përcaktoi se gjyqtarja që do të gjykonte këtë kërkesë ishte Fatmira Hajdari, e veja e ish-deputetit të vrarë në vitin 1998, Azem Hajdari. Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria kërkoi që kjo çështje të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Pas verifikimit të bazës ligjore të kërkesës, gjyqtarja Hajdari hodhi poshtë pretendimin e akuzës. Kjo ishte goditja e dytë e prokurorisë. Menjëherë pas rrëzimit të kërkesës, prokuroria kërkoi largimin e gjyqtares Hajdari. Në letër, parashtroi kërkesat dhe i depozitoi në Gjykatën e Tiranës, e cila vendosi që të rrëzojë për të tretën herë prokurorinë, duke vendosur që gjyqtarja ka vepruar sipas ligjit. Në seancën e radhës, Hajdari vendosi se Lulzim Basha nuk duhej marrë i pandehur. Vendimi ishte goditja e katërt për prokurorinë, e cila po luftonte me procedura dhe jo me prova për vërtetimin e fajësisë ndaj dy të pandehurve të dosjes Durrës- Kukës. Por më në fund, dje, togat e zeza të Apelit deklaruan nën zë se kompetencë e gjykimit të Lulzim Bashës është Gjykata e Lartë.

3 Komente

Ceshtja Basha duhet i kish kaluar me kohe Gjykates se Larte por cuditerisht keto "duhet" ligjore nuk duket se kuptohen qarte nga ata qe supozohet ti dine permendesh.

Dy gjyqtarët, gjatë këtij procesi, do të deklaronin se nuk mund të hetojnë një deputet.?

Kater shuplaka per prokuroret, si shume nuk jane!

Pingul kane me ta njul mer Lul! Te shofim se si ke per ta shit shpirtin per pisllikun qe ke bo.. A mund ti shitet shpirti 2 djajve? Kjo ngel per tu pa..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).