Gjel bir gjeli

Këtë fund viti thash' të ha një gjel të pjekur. Të mirë. Jo sorollop ngrehur mbi pleh. Jo bastard që këndon mbytur. Pra jo gjel bir gjeli. Por tamam gjel nga ai që një herë po kakarisi në Myzeqe bën të ulin kokat me nderim pulat në Mirditë.

Vajta në treg, e zgjodha fisnikun, kapedanin, kokoroshin, e tunda disa herë mirë e mirë nga frika se mos kishte brenda zara çeliku nga ata që katunarët j'a fusin fisnikëve bashkë me shukat për t'i rritur peshën, e bleva, e solla në shtëpi, e poqa.

Shtrirë. Televizori përballë.Ohoho. Mbi tepsi një Gërdec me mish.

Po a të lënë gjel bir gjelat të hash gjel ?! Bah !

Mbi ekran dy përshëndetje të larta një pas një. Përshëndetjet patetike, të rrafshëta, të pa sinqerta, më bënë të më rrëshqasë nëpër tru ideja se e mira do ishte gjelin me gjith' tepsi ta flak në kosh. Por i dhashë karar për më vonë. Jo sepse u lëkunda, sepse përtova.

Sakaq, një tjetër gjel bir gjeli i famëshëm m'i erri sytë. Ishte njëri nga ata që llomotisin dhe gërvishtin bajagi rrjedhshëm, por prej vitesh nuk u mbahet mënt asnjë llaf që tu ket' zën' vënd. Sepse zhgarravitjet dhe kakaritjet e para pothuaj njëzet viteve të shkuara, krahasuar me të sotmet, janë më identike se dy zero shkruar njëra pas tjetrës në kompjuter. Një të parë këtë mënxyrë publike vendosa mishin të mos e hedh në kosh por nga dritarja. Por as këtë s'e bëra. Jo sepse s'desha, as sepse përtova, por sepse s'e kisha aty të famshmin ta hidhja atë vet' nga dritarja.

Kështu mendja m'u largua disi nga mishi. Por, sidoqoftë, momenti kur, të pa fajshmit gjel, i cili kur kishte qënë i gjallë ishte krejt i pa rëndësishëm, ndërsa tani i vdekur dhe i pjekur aq i dobishëm, i lavdishëm dhe i shijshëm, do duhej t'i ngulja dhëmbët, s'kish si të mos vinte. Dhe erdhi. Mirpo, një çast para se t'i ngulja dhëmbët, kur sapo i kisha ngulur sytë, ndodhi e para pengesë serioze; Kujtimi i trishtë se aq mish sa kisha përpara në atë moment, një herë e një kohë nuk e hante sepse nuk mund ta kishte gjithë lagja gjatë një jave. Megjithatë, me zor të madh, bëra si bëra e largova mendjen nga ajo përsiatje e zymtë. Dhe prita pak.

Por prita kot. Sepse pas pengesës së parë serioze ja behu hataja kur për dreq më zunë sytë mbi ekran dy karagjoza që qeshnin me të madhe me humorin e vet. Në çast pata ndjesinë se dikush ma kapi e ma tundi trastën e stomakut në dy qoshet si kapet një thes për tu kthyer përmbys. Gjithçka e përgatitur me aq kujdes nga bashkëpunimi i kimisë së trurit me atë të stomakut, në çast u bë lëmsh. Gjel bir gjelat e humorit kishin qënë tyça fare. Atëhere ç'bëra ?! Që pamja e mishit të mos më ngjallte kujtime dhe ndjesira të trishta, u ngrita mënjanova tepsinë e mishit  që të mos e kisha më para syve.

Por ende pa u shtrirë dëgjoj një të trokitur në derë. Komshiu. Po te digjet tenda e ballkonit, më tha. Ika me vrap i hodha një kovë ujë tendës që kishte marr zjarr nga fishekzjarret.

Megjithatë, pavarësisht nga dëshpërimi jo lehtësisht i neglizhueshëm por gjithsesi provizor i djegjes së tendës, makar edhe me zor, mishi duhej ngrënë.

Dhe ndërkohë që prisja riekuilibrimin e vetvetishëm të lëngjeve të stomakut, në ekran, mes një ahengu mishi e pilafi përzjerë me flamuj, pashë një lukuni kombëtaristash që hanin e pinin e bënin humor. Tek përpiqesha të saktësoj a ishte a s'ishte humori i tyre më i trashë se qafat e tyre të dhjamta të rrudhta, thash' me vete; Ah sa me fat jemi ne shqiptarët që Perëndia e do Shqipërinë kaq shumë ! Sa e madhe është Shqipëria ! Në sa pak copa është ndarë ! Sepse, po t'i biesh lapsit të bësh hesap sa do ishte katandisur e mjera vit pas viti me si e xhvasin këta lloj horrash që mbahen për kombëtarista, sot Shqipëria, ja nuk do ekzistonte fare, ja do ishte katandisur sa një lajthi. Për numurin e copave më mirë mos pyet. Po të mos ishte Shqipëria e zgjedhura e Perëndisë ?! Edhe Venezuelës edhe Kamerunit do t'ia kishin dhuruar horrat nga një nahie Shqipërie. Këtu e harrova fare gjelin. Lajthia më degdisi tek një simotra e saj, bajamja. Kur po kaloja një ditë nga Roskoveci bleva diku një qese me bajame. I thashë shitësit; Ke ndonjë makineri për t'i thyer këto ? Vetëm këtë makineri kam unë për të thyer kokrra e për të prerë koka, tha shitsi me një zgërdhitje surratore të pa deshifrueshme nga asnjë psikanalist. Dhe nxorri që poshtë banakut një sëpatë të re me teh të ndritshëm, myk të rëndë, dhe bisht të verdhë. Përfytyrimi me sëpata të mprehta dhe koka gjel bir gjelash kombëtaristë më tmerroi fare. Pas kësaj feksjeje makabre, mund të ndodhte që gjeli të më hante mua, por unë gjelin kurrsesi.

Thonë se oreksi nuk vjen vetëm duke ngrënë por edhe duke u tmerruar. Prandaj  vendosa të mos ia shqit sytë ekranit derisa të horrorizohesha n'at' far' feje sa oreksi të më vinte.

Një pas një u çfaqën në ekran disa emra "të mëdhenj" kryesisht të fushës së Artit. Nisën secili të mburret. Njëri se librin ia kishin botuar në Europë. Tjetri se kishte dhënë koncert në Amerikë, etj. etj.. Asnjëri nuk përmendi Librazhdin, Ersekën, Kukësin, Tropojën, a makar Vlorën, Shkodrën, apo Korçën ! Këtu shpresa se tv-terrori kombinuar me tv-horrorin që ky i fundit të ndillte të bekuarin oreksin mu zbeh fare kur vura re' se nga çasti në çast distanca mes meje dhe mishit të pjekur nisi të rritej me shpejtësinë e dritës. Dhe sytë, që normalisht do duhej t'i ishin ngulur mishit të gjelit, ndërruan drejtim, iu ngulën mishit t'im që ishte ngritur puçka-puçka nga tmerri i gjel bir gjelave të Artit të cilët namin para se ta kenë në Shqipëri e kërkojnë jashtë.

Por prap' s'u epa.

U hodha në një kanal të djathtë. O nëne - o nëne ç'pate që më bëre, më mirë të kishe bërë një kërcu të ishe ngrohur për dimër. Ky zagari i djathtë po jepte një soc-film. Me nder filmi ishte nga ata më të pështirët. Mbi kokat e zgjyrave komuniste të cilët po vigjëlonin mbi ca letra rreth një "vepre armiqësore", nga muri vigjëlonte juda diktatori. Atypëraty më lindi ideja të bëja diçka të ngjajshme si ajo që bëri njëri i cili përfundoi mbi dhjetë vite në burg; t'a flakja një kofshë mishi mbi portret duke bërtitur, na merre, festo edhe ti o legen.

Këtu, ngaqë oreksi dhe mishi mu dukën po aq larg ndaj njëri-tjetrit sa djathtizmi dhe gjel bir gjeli pronar i atij televizioni, desha të pështyj mbi gjel, por e lashë, sepse thash me vete; Lëre aman, e ç'taksirat kanë mishi dhe tepsia të ndoten nga pështyma e pa pastrueshme që e meriton mbi surrat një gjel bir gjeli.

Një poeteshë tha; Kur isha jashtë shtetit më tha një mik; Si ka mundësi që një vend kaq i vogël si i juaji të nxjerri një poezi kaq vigane sa e jotja ?! Mir' që s'isha duke përtypur mish në gojë se do t'ia flakja të gjithin gjel bir gjeles mbi fytyrë drejt nga bullçinjtë dhe do bëja helaq gjith' shtëpinë.

Ashtu i shtrirë u zhyta përsëri në përsiatje,

Eventet e njërit prej viteve të pas luftës ?! Bukuri ! Ç'bukuri a tu shoftë ! Ky paska thirrur vetëm komunista të rrjedhur, gërrxho, mbetje fatkeqe të luftës brenda llojit. O gjel bir gjeli, o zgjyrë e re, po pse o lake' ekranesh, s'pati në atë vit rrahje, spiunime, internime, burgime, pushkatime ?! Si e do ti ?! Ta lë gjelin, të ha ty me gjith' televizorin ?

Një tufë gjel bir gjelash mbi ekran, kampionë genetikë të nënështrimit, frikës, sahanlëpirjes, konformimit që po flisnin për përndjekje dhe kompensime mu duken tamam si copat e pa prekura të mishit mbi tepsi.

Vështroj si i çmendur un' mishin e zi

Dhe brenga më shpon porsi thikë në gji

17 Komente

Veshtroje me shume edhe mishin e bardhe

 do shohesh se ketij vendi vdekja i vjen verdalle

Jemi Ypi & Spiropali, askush s'mund t'na ndali, shkruaj te shkraujme, te dali ku te dali.

Shtrirë. Televizori përballë.Ohoho. Mbi tepsi një Gërdec me mish.

Nuk quhet qe eshte vit i ti ky derisa te jeni llamba-gjelo-Gerdecosur juve te dy. Tani qe shkruat nga nje artikull njeri pas tjetrit, tani po qe quhet Vit i Ri. Babagjyshi i te vjetrit mund te ike pa merak tani.

La e me la cifti i Gerdecosur, jeni ju pa jemi ne, bjeri ti biem, n'dasem te Malos, ne mos njeri tjetri moj Melken do ta marre, etj.

P.S. E perseriti Peshku komentin se u eksitua shume. smiley

Yp, je bere i merzitshem.

PS Shpresen e fundit e kam te ndonje pershkrim udhetimi nga Shqiperia.

hihih

hihih

Beri ke kafazi i arte nje reportazh per skraparin Ypi, Cimo

Po se kane nxjerre online ata.Kane nxjerre vetem pogradecin smiley 

http://www.balkanweb.com/kafazi06/video/...

Ti bejme nje email te na qisin dhe skraparin smiley

E nejse ke reportazhi tha dicka te llojit : Skrapari eshte me kodra e gerxhe e male, por po ta shtrish del sa Kina smiley smiley 

 

Nuk di cfare po i hedhin ujit aty keto kohet e fundit, Nexh. Edhe Mucit ia kishin sjelle nje gjys bajge ketu te peshku, por u hoq si teme (hallall admini).

Eshte problem kur ke alergji nga bullshiti!

Une,dhe sigurisht dhe Muci dhe Ypi pime uje te blere ne shishe o Cimo.

Qelibar eshte uji. I kulluar.

Asigjo si kane hudh ujtit smiley

Por pikerisht me kohen ujrat kthjellohen ene shef robi i cike ma qarte, ate qe aty ka qene, qysh ne krye te heres.

Ajt mos u merzit kot tani per Ypsin smiley

Shtrirë. Televizori përballë.Ohoho. Mbi tepsi një Gërdec me mish.

Krahasim makaber, ngado qe ta vertisesh. Ma zvjerdhi leximin e shkrimit.

 Ore, kush e di si behet ai smiley "nje njeri qe shkul floket dhe ulerin sepse nuk e imagjinon dot sesi njerzit vazhdojne te shkruajne budallalleqe"?

Une shpresoja qe Ypi ta kishte mbledhur mendjen te mos shkruante me smiley

 oho leje fare, e gjeta vete shortcut-in :N@ smileyçau ;|{Tr@pin

Haha, s'ka parser që mund ta kapi fellësinë e kësaj

Ha ha ha ha Yp, je i madh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).