Galeria blen 3

Galeria Kombëtare e Arteve i shton koleksionit tre vepra artistësh bashkëkohorë Çuli, Oseku, Bajo. Asnjë kriter për blerje edhe pse autorët shqiptarë ofrohen për pako gjë: çmimi më i shtrenjtë 40 mijë lekë. Drejtori Shima: "Galeria jonë katandiset me 1 milion lekë një herë në 5 vjet, që të blejë tre vepra. Në Shqipëri është një gjë e madhe sepse njerëzit nuk janë mësuar të blejnë art. Arti nuk është pjesë e jetës së shqiptarit."

Galeria Kombëtare e Artit i shtoi koleksionit të saj gjatë vitit 2008, tri vepra. Të përzgjedhurit Perikli Çuli, Ali Oseku dhe Arben Bajo janë emra që ende vazhdojnë të japin kontributin e tyre në artin shqiptar. Arsyeja se pse janë zgjedhur këta autorë është vetëm ekonomike.

Vepra "Triptik" e Ali Oseku është ajo që i ka kushtuar më shumë GKA-së, plot 40 mijë lekë të reja dhe të trija së bashku janë blerë për 100 mijë lekë.
Për drejtorin e GKA, Rubens Shima, këto janë shifra qesharake për vepra të artit bashkëkohor.

Cilat ishin kriteret e blerjes së këtyre veprave; përse këta të tre dhe jo të tjerë; përse autorë shqiptarë bashkëkohorë dhe jo të traditës; kur është bërë për herë të fundit një blerje nga GKA? Janë disa nga pyetjet që Shima mundohet t'iu përgjigjet.

Mbi ç'kritere u bë më në fund kjo blerje?
Ka një komision që quhet Komisioni i Blerjeve i cili përzgjedh atë lloj krijimtarie nga ekspozitat e bëra në GKA ose në funksion të linjës ekspozicionale që do të ndërtojë galeria.

Mendohet të blihen vepra të bëra në periudha të ndryshme për të cilat në vitet e shkuara është treguar mosvëmendje duke krijuar boshllëqe. Kur të ndërtohet linja e galerisë "narrativa e historikut të artit shqiptar", që do të ekspozojë përvojat artistike në të cilat ka kaluar arti shqiptar, ka autorë të rëndësishëm që nuk kanë vepra brenda Galerisë Kombëtare të Arteve ose kanë pak.

Kjo është një nga kriteret e blerjes së një vepre arti nga galeria.

Ndodh që një autor të realizojë një ekspozitë ose është pjesëmarrës në një aktivitet të rëndësishëm veprën e të cilit Galeria mendon se duhet të jetë pjesë e koleksionit të artit.

Përse autorë bashkëkohorë dhe jo të traditës?
Kur blihet një vepër arti nuk ka lidhje autori. Ka autorë veprat e të cilëve kushtojnë shtrenjtë dhe Galeria nuk ka mundësi financiare për t'i blerë.

P.sh galeria nuk ka vepra të Ibrahim Kodrës, për arsye se një vepër e Kodrës kushton 15-20 mijë euro. Nëse do të blesh një autor të rëndësishëm sot në botë, pjesë e artit bashkëkohor, për ta pasur në muze çmimi fillon nga gjysmë milioni dhe shkon deri në tre-katër milionë euro.

Kuptohet, këto çmime dhe ky sistem arti për një vend si Shqipëria duken si në një film fantashkencor megjithatë kështu është sistemi i artit sot dhe kështu funksionojnë gjërat në botë.

Galeritë janë institucione që duhet të mbledhin vepra arti, është detyrë e tyre funksionale me qëllim që ta kapin artistin dhe ta pikasin kur është në karrierë e sipër. Sepse dihet që kur një artist është në kulmin e karrierës së tij edhe çmimet janë jashtëzakonisht të shtrenjta.

Ne nuk kemi mundësinë të jemi pjesë e ankandeve ndërkombëtare sepse nuk kemi buxhet dhe me një milion lekë të reja në vit, të jesh pjesë e ankandeve për të blerë vepra arti është qesharake.

Atëherë sa ju ka kushtuar secila vepër?
Një nga këto vepra, "Triptik" e Ali Osekut, kushton rreth 400 mijë lekë të vjetra. Kjo mund të quhet edhe vepra më e shtrenjtë. Megjithatë është një çmim jashtëzakonisht i vogël, për një artist në karrierë. Për një artist të rëndësishëm 400 mijë lekë është nën normalen për të blerë vepra arti.

Para kësaj në ç'gjendje keni qenë me fondin e blerjeve?
Blerja e fundit ka qenë në vitin 2002 dhe prej asaj kohe nuk më rezulton të jenë bërë më blerje.

Galeria Kombëtare e Arteve ka vakuume në koleksionet e saj, në pamundësi financimi kanë kaluar vite të tëra pa blerje. Momenti i dytë është që institucionet shtetërore nuk kanë krijuar fonde për blerjen e veprave të artit. Për të arreduar zyrën shpenzojnë miliona, ama kur vjen puna për të blerë një vepër arti nuk e shohin të arsyeshme.

Dhe ndodh që gjysma ose shumica e institucioneve mbajnë nga pas vepra të realizmit socialist. Kjo ndodh sepse shumica e mentalitetit të funksionimit të kësaj shoqërie akoma nuk e ka kuptuar që një institucion shtetëror, duke filluar që nga më fatkeqët që është Bashkia e Tiranës që nuk hedh asnjë lekë për artin, e duke vazhduar te gjithë institucionet, nuk krijojnë fonde për blerjen e veprave të artit.

Po marr përsipër të tregoj si funksionon një vend si Franca. Ka fondin nacional, ka fondin e bashkisë dhe fondin rajonal për blerje të veprave të artit. Të treja këto institucione me buxhete shumë të mëdha blejnë dhe pasurojnë muzetë e tyre.

Ndërsa Galeria jonë katandiset që të ketë një milion lekë një herë në 5 vjet, që të blejë tre vepra. Dhe kjo në Shqipëri është një gjë e madhe sepse njerëzit nuk janë mësuar të blejnë art. Arti nuk është pjesë e jetës së shqiptarit.

Si do t'iu vejë halli veprave të fondit të GKA që jua kanë marrë institucionet shtetëtore dhe i përdorin si dekor?
Këto kanë qenë dikur pjesë e fondit të galerisë, galeria ka qenë dikur pjesë e sistemit komunist ashtu siç kanë qenë shumë gjëra të tjera dhe një pjesë e këtyre kanë mbetur që prej asaj kohe, jo nëpër shtëpitë e partisë, jo nëpër vilat e pritjes.

Tani kemi nisur t'i evidentojmë, t'i dokumentojmë, po kthejmë mbrapsht normalisht ato vepra që nuk mund të ekspozohen më. Që kryesisht janë vepra të realizmit socialist.

2 Komente

Drejtori Shima: "Galeria jonë katandiset me 1 milion lekë një herë në 5 vjet, që të blejë tre vepra. Në Shqipëri është një gjë e madhe sepse njerëzit nuk janë mësuar të blejnë art. Arti nuk është pjesë e jetës së shqiptarit."

 

Shko mer kellire !

Njerezit mezi nxjerrin muajin me te ardhurat qe kane ti i fut nje : Ne Shqiperi lulet i hane gomeret !

A ka bërë ndonjë aktivitet GA që t'i paraqesë autorët e rinj dhe të vjetër dhe nëpër botë?
Natyrisht, që me 1milion në çdo 5 vjet është e pamundur të presësh as biletat e avionit, por meqë rrojmë në erën e internetit të paktën një sit zyrtar të GA ku të pasqyronte të gjitha punimet e tyre. Duke u bërë promovuese e tyre një kohësisht bëhet dhe ndërmjetëse ndërmjet blerësve të mundshëm dhe autorëve. Nëse ndonjë Kinezi apo rusi do t'i pëlqente ndonjë pikturë, ja bënte porosinë direkt GA e cila mund të shiste veprat me një çmim në të cilin të justifikohej dhe puna e saj.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).