Fundi i dypushtetit

Shpallja e datës së zgjedhjeve të reja e ka futur vendin pothuaj zyrtarisht në fushatë elektorale. Nëse kjo situatë politike ruhet deri në qershor, si e parashikoni realitetin politik postzgjedhor?

Në njëfarë mënyre keni të drejtë që më pyesni për situatën postzgjedhore, pra për atë që do të ndodhë pas 28 qershorit. Në fund të fundit, aty janë mbërthyer sytë e gjithë klasës politike dhe të gjithë atyre që rezultati i zgjedhjeve i prek ose kanë iluzionin se do t’i prekë drejtpërdrejt. Bile më përkëdhelet sedra që më pyesni për këtë gjë, sepse me këtë nënkuptoni njëfarë besimi që duket se ushqeni që ne mund të dimë se çfarë do të ndodhë qysh tani, pra kemi aftësinë të parashikojmë se çfarë do të ndodhë nja pesë a gjashtë muaj para se ngjarjet e atëhershme politike të vijnë.

Nga njëra anë nuk e keni keq.

Pak a shumë të dhënat që kam nga kolegë të mi sociologë dhe specialistë sondazhesh zgjedhore, si edhe nga vetë studimet e mia, ma tregojnë pak a shumë qartë tablonë e përgjithshme se si do të jenë gjërat në korrik e më tej. Por, puna është se ne flasim duke u nisur nga të dhënat e tanishme, të cilat nuk mjaftojnë. Mundet që faktorë të rinj koniunkturalë të hyjnë në lojë në muajt që vijnë dhe ta ndryshojnë situatën. Patjetër do të ketë të dhëna të reja. Faza më delikate e jetës politike në Shqipëri është periudha gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve. Këtë periudhë nuk e bart dot sistemi ynë politik. Prandaj, është e kotë të flasim qysh tani për gjendjen politike të paszgjedhjeve.

Pastaj, edhe nga pikëpamja profesionale duhet të bëjmë kujdes se po qe se i themi qysh tani të gjitha ato që mendojmë e parashikojmë, çfarë do të bëjë gazeta gjashtë muajt e mëpastajmë? Lexuesi e ka qejf pak suspensin si në romanet me detektivë, prandaj vjen çdo javë për të blerë gazetën. Çfarë interesi ka një spektator filmi kur sapo ai hyn në sallën e errët, dikush i bën nder dhe ia tregon fundin e filmit. Mërzitet dhe thotë: “Prit, mos fol, unë kam vërtet kuriozitet, por dua të pres sepse kurioziteti më jep kënaqësi, e dua ta marr vesh vetë në fund atë që do të ndodhë”.

Kurioziteti është burim kënaqësie, pavarësisht se tekstet e shenjta e konsiderojnë si një nga mëkatet njerëzore para Zotit. Pra, le të mos e vendosim qerren përpara buajve, sikurse thotë një fjalë e urtë franceze. Të kemi durim t’i shpjegojmë gjërat pak e nga pak, nga java në javë, ashtu sikurse na vijnë në ndërgjegje pa pretenduar as të bëjmë politizim të analizave dhe as të pretendojmë më shumë sesa për të dhënë mendimet që në rastin tim së paku janë ato të një qytetari të thjeshtë dhe asgjë më shumë.

Por, meqë ju më pyetët dhe kemi bashkë një kontratë që unë do t’i përgjigjem me sinqeritet çdo pyetjeje, ndofta gabim, por ama sinqerisht, po ju them vetëm ndonjë parashikim të pjesshëm.

Njëra nga partitë e mëdha të tanishme do të jetë në krye të qeverisjes. Pra, zgjedhjet dikush do t’i fitojë. Mos kujtoni se po bëj humor. E them këtë se disa parashikojnë, sigurisht nisur nga analiza të gabuara apo nga interesa personale se mund të realizohet edhe një kompromis i mundshëm PD – PS, të cilat ta qeverisin së bashku vendin përtej së majtës dhe së djathtës. Jam i sigurt se kjo nuk ka pothuajse asnjë shans se do të mund të ndodhë. Por, po ndodhi, apo edhe po qe se mendohet publikisht se mund të ndodhë, kjo do të kishte pasoja të papëlqyeshme për vendin. Do të ishte rikthim në periudhën parapluraliste.

Përkundrazi, nëse marrim disi një formulë të vjetër politike, të largët prej më se një shekulli, atë të dypushtetit, them se qershori do t’i japë fund dypushtetit, ku partia në fuqi ka në dorë qeverinë, pra pushtetin qendror, dhe opozita e tanishme simbolikisht më e pranishme në Kuvend, ka në dorë pushtetin vendor në kryeqytet.

Ky dypushtet do të përfundojë.

Këtë mund ta themi qysh tani me siguri të plotë. Paszgjedhjet do të na gjejnë më në fund me një situatë të qartë politike:

Opozita do të jetë opozitë.

Pushteti do të jetë pushtet.

Sistemi do të normalizohet.

 

Presidenti i Republikës ka zgjedhur një rrugë të rrallë për të bërë të mundur dekretimin e ligjit të lustracionit pa firmën e tij. Si e komentoni këtë veprim të Presidentit? A mund të këtë ndikim në zbatimin apo zhvillime të tjera që lidhen me këtë ligj?

 

Unë do të kisha parapëlqyer që Presidenti ose ta kishte firmosur, ose ta kishte kthyer edhe një herë mbrapsht në Kuvend këtë projektligj, si ta kishte menduar ai, pa asnjë problem, njërën nga të dyja, ose ta firmoste, ose ta kthente pas, si të donte, sesa të mos i ushtronte fare të drejtat (detyrat) e tij kushtetuese, sikurse ndodhi.

Nuk e di dhe nuk mund ta di se çfarë e ka penguar për t’i ushtruar të drejtat e tij sovrane. Nuk dua bile as ta marr vesh se cilat ishin këto arsye apo të hamendësoj arsye pa asnjë bazë apo thjesht duke u nisur nga ndonjë frazë e thënë në media. Si me njëfarë stazhi në komunikim që jam, nuk u besoj fjalëve apo deklaratave publike të askujt, duke i marrë si gjykime të sigurta. Janë vetëm të vërteta të sinqerta të mundshme.

Nuk kam dëshirë të bëj analiza të gjata për këtë punë, sepse tani jemi përpara një fakti të kryer.

Përse do të doja që Presidenti t’i kishte ushtruar të drejtat e tij “për” ose “kundra” ligjit sikurse do ta kishte menduar vetë ai? Sepse ky qëndrim do të më ngjallte sigurinë e gëzuar se vullneti i tij është krejt i lirë, se askush, asnjë rrethanë dhe asgjë nuk e pengon në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese, pra se kemi të bëjmë me një politikë të atij niveli që bazohet jo te kalkulimet e ndryshme pragmatike, te analiza e pasojave, e rrethanave, por vetëm te imperativi kategorik kantian: “Unë duhet ta bëj këtë gjë dhe unë e bëj se është detyra ime! Për pasojat nuk kam shumë interes”.

Kjo është liria që themelon moralisht dhe juridikisht sovranitetin e vendimmarrjes dhe të lirisë së nëpunësit. Tjetër është politikani, tjetër nëpunësi më i lartë i shtetit. Liria e vendimmarrjes së këtij të fundit nuk pengohet nga asgjë. Asnjë rrethanë nuk mund ta pengojë vendimin presidencial për të ushtruar kompetencat e tij.

Politikani nuk mund ta kufizojë Presidentin edhe kur këto dy identitete ndodhen brenda një njeriu të vetëm.

“Vullneti, - thotë Emanuel Kanti, - nuk pengohet nga asnjë rrethanë e jashtme, por vetëm nga vetë vullneti”.

Ndofta nuk kuptohem, por nuk ka fare rëndësi. Nuk mund t’ju them juve: “Nuk përgjigjem para pyetjes suaj se mund të kem pasoja keqkuptimi nga publiku. Çfarë rëndësie kanë pasojat?”

Për pasojë, besoj se nuk do të ndikojë me ndonjë mënyrë ky veprim mbi ecurinë e këtij ligji. Ai do të bëjë rrugën e vet që do të jetë shumë e ndërlikuar. (Do të ketë të drejtë për avokat dikush që do të dalë para pesëshes që do të bëj lustracionin? Do të ketë instancë apeli?) Por, për sa më sipër unë jam shprehur disa herë në faqet e gazetës suaj, drejt e me sinqeritet, në kontratë vetëm me të vërtetën dhe me parimin imperativ kantian: “Unë do ta them këtë!”

Për të mos e zgjatur më tej këtë analizë që mund të ishte shumë e gjatë, le të kthehem pak te Kushtetuta e sotme.

Ka formulime të saj që sa më shumë i sheh, aq më shumë konstaton perversitetin logjik të tyre. Merrem me tekstin e Kushtetutës, sepse thuhet se qëndrimi u mbajt në përputhje me Kushtetutën. Shihni se çfarë monumenti juridik e rregullon jetën tonë:

 

Neni 81: “Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij”. Do të kisha dashur t’ua jepja studentëve të mi në lëndën e logjikës këtë formulim për ta korrigjuar në ndonjë orë të gëzuar seminari. Shikoni se çfarë thotë: “Presidenti shpall”. Pra, roli i Presidentit qenka vetëm të shpallë sikur me qenë tellall i Kuvendit. Çfarë injorimi që bën teksti i Kushtetutës autoritetit presidencial!

Shihni më tej: “... e shpall ligjin e miratuar”. “Kontradiksion logjik i paparë”, - do të thoshte miku im, Arian Çani. “Ligj i miratuar!” Po me “ligj” atje nënkuptohet fakti se ai ka kaluar tanimë votimin e Kuvendit, pra nuk kemi përse themi “i miratuar”. Pastaj termi “i miratuar” nuk ka kuptim sinonimik, tjetër është miratimi dhe tjetër votimi.

A po flasim shqip apo unë nuk di shqip më? E kam fjalën për shqipen juridike, të kuptohemi.

Neni 81, në mënyrën më brutale, nuk i lë asnjë shteg Presidentit. Nuk ka ku lëviz: “Presidenti shpall”, - thotë ai, a thua se Presidenca është redaksia e revistës “Fletorja Zyrtare”. As lart, as poshtë, as tërci, as vërci, brenda 20 ditësh duhet të shpallësh ligjin!

Por, pak më poshtë gjërat paraqiten ndryshe.

Shihni se çfarë paradoksesh:

Neni 85: “Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë”.

Uau!

Neni pararendës, 81, thoshte se “Presidenti e shpall ligjin...” pra, jepte një gjykim kategorik, në formën e një domosdoje logjiko-juridike, pa i lënë Presidentit asnjë mundësi tjetër. Pra, nuk kishim të bënim aspak me një gjykim disociativ, alternativ (ose, ose). Kurse neni 85, krejt tjetër, thotë të kundërtën, pra i jep Presidentit të drejtën për ta kthyer ligjin për rishqyrtim...”

Shikoni, shikoni se çfarë thotë teksti më tej: “Presidenti e kthen ligjin”, - thotë. Por, ai nuk është bërë ende ligj, sepse një tekst pa kaluar nga Presidenti dhe pa u shpallur në “Fletoren Zyrtare” nuk hyn në fuqi, pra nuk është ligj ende.

Çfarë ligji kthen Presidenti kur teksti që kthehet prej tij nuk është ende ligj sepse nuk ka hyrë në fuqi? Një ligj që është bërë ligj, pra kur ka hyrë në fuqi, nuk ka Zot që e kthen, veç ligjvënësit, pra vetë Kuvendit. Termat janë bërë lëmsh. Duhet kuptuar në fakt që Presidenti kthen projektligjin, jo ligjin, sepse një tekst që nuk ka hyrë ende në fuqi, nuk mund të quhet ligj.

Po prisni se ka ende ushtrime të tjera logjike për të bërë.

Neni 84 shpreh se “Ligji quhet i shpallur në qoftë se Presidenti i Republikës nuk i ushtron të drejtat e parashikuara...”

Cilat janë “të drejtat e parashikuara”?

Ato pra, ta shpallë “ligjin” ose ta kthejë “ligjin” mbrapsht vetëm një herë. Shikoni se si kanë luajtur me fjalët, i quajnë këto prerogativa si “të drejta” të Presidentit. Ato janë të drejta, por të shpallura me ligjin si kompetenca të tij, ato përbëjnë edhe detyra të tij. Janë më shumë detyra sesa të drejta.

Pra, Kushtetuta i lejon Presidentit një gjë që nuk ia lejon asnjë nëpunësi tjetër. Të mos plotësojë detyrat e veta kushtetuese.

Norma ligjore shpall lirinë e daljes normative të aktorit veprues juridik nga detyrimi për të zbatuar normën ligjore!

Është njësoj sikur rregullorja t’i thotë një mësuesi: “Mësuesi e mbet ose e kalon një nxënës. Kur mësuesi nuk i ushtron këto të drejta (që në fakt janë më shumë detyra), atëherë nxënësi kalon vetiu!”

Si është e mundur që një kushtetutë t’i lejojë nëpunësit kryesor të shtetit të mos kryejë detyrat e tij! Këtu përgjegjësinë në fakt e ka Kushtetuta dhe jo Presidenti. Edhe i vendos detyra, por edhe e lejon t’u shmanget atyre.

Dhe të mos i ngatërrojmë realitetet juridike dhe normative me realitetet diskursive. Nuk thotë Kushtetuta se Presidenti mund të heshtë ose se ka të drejtë a detyrë të heshtë.

As të heshtë e as të flasë.

Nuk e përmend këtë si detyrë apo të drejtë.

Thotë se vetëm ka të drejtë të mos zbatojë detyrat (të drejtat) e tij kushtetuese!

Pra, nënkupton se mund të mos firmosë, por edhe ky veprim nuk përjashtohet se ka vend të shpjegohet. Pra, nuk e detyron Kushtetuta Presidentin të heshtë. Duhet shpjeguar para Kuvendit akti i mosfirmosjes.

Shihni perlat që vijnë pas, mos u lodhni edhe pak.

Neni 85 shprehet: “Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

Kush janë këta anëtarët e Kuvendit? Ne njohim “deputetë” si term politiko-juridik, kur ja tani na dalin edhe anëtarët e Kuvendit! Apo i lejon sinonimet e papërcaktuara gjuha juridike e shqipes së sotme? Po kështu mund të themi: “Ata që ulen në kolltukët e sallës së Kuvendit në seancat e tij”, “ata që kanë të drejtë të votojnë në Kuvend”, e sinonime të tjera që nuk do të shprehnin veçse rënie të gjuhës juridike drejt letrarizmave.

Por, nuk është kjo gjë që ka më shumë rëndësi. Ka rëndësi gabimi logjik në çdo frazë. “Dekreti i Presidentit (i cilit Presidenti?) për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

Si e “humbet fuqinë dekreti i Presidentit?”

Ai nuk e humbet fuqinë sepse po ta humbiste fuqinë, “ligji” do të konsiderohej si i pakthyer asnjëherë mbrapsht.

Duhet thënë se dekreti ka mbetur në fuqi përderisa ligji është rivotuar. As nuk e ka humbur fuqinë dhe as nuk merr fuqi të reja. Ka qenë një dekret që ka plotësuar objektivin dhe misionin e tij, por nuk është shfuqizuar apo ka humbur fuqinë.

O Zot!

A ka dallim në shqipen e sotme juridike midis fjalës “shfuqizim” dhe “zbatim” kur bëhet fjala për një ligj?

E frikshme jetesa brenda këtij kaosi semantik juridik të tekstit që rregullon jetën tonë, që duhet ta mbajmë në xhep, nën jastëk dhe ta nënvizojmë me laps në dorë.

 

Me ratifikimin nga Greqia të MSA-së duket se integrimi në BE i Shqipërisë hyn në një fazë të re. Cilat mund të jenë përfitimet dhe sfidat e ardhme? Sa afër “ëndrrës” evropiane jemi realisht?

 

Ratifikimi nga ana e Greqisë e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit është pa dyshim diçka pozitive. Por, nga kjo fazë deri në realizimin e “ëndrrës” evropiane është një oqean i tërë për të kaluar.

Kemi shumë gjëra për të bërë.

Shumë gjëra për të mos bërë.

Dhe shumë gjëra për të korrigjuar.

Derisa të plotësojmë kriteret bazë që kërkon Bashkimi Evropian në të gjitha fushat e jetës. Ky poçes është zgjatur kaq shumë sa në opinionin publik është bërë një rutinë të folurit për këtë projekt, pa ndonjë interes të veçantë të treguar nga ana e njerëzve. Po kështu, Evropa është kaq e pranishme në Shqipëri, sa pasi të realizohet edhe liberalizimi i vizave, ka njerëz që nuk dinë më se çfarë të kërkojnë prej këtij procesi. Sidoqoftë, ky i fundit është bërë në dukje shumë më i gjatë se më parë, sepse ai do të lidhet me futjen atje të të gjitha vendeve të rajonit njëherësh, me konsolidimin juridik të pavarësisë kosovare, me demokracinë lokale dhe etnike në rajon etj. Pastaj, sot Evropa ka probleme, sepse nuk po ia mbërrin as të aprovojë një traktat të shkurtuar të funksionimit të saj, jo të mendojë hëpërhë për t’u zgjeruar drejt zonës sonë gjeografike. E më në fund, kjo krizë globale financiare që na ka pllakosur! E pastaj me euroskeptikët irlandezë, çekë, polakë etj. Ka shumë ujë për të rrjedhur. Mos të harrojmë gjithashtu se me ligjin e lustracionit ne jemi tashmë një shtet sipas modelit të “demokracisë së shumicës”, dhe jo sikurse ishim deri më tani: “shtet i së drejtës”, pavarësisht rrethanave dhe gjykimeve lidhur me atë ligj që nuk po i ritrajtoj këtu sepse përbëjnë diçka tjetër. Të paktën, parashikohet kështu për pesë vjetët e ardhshëm nga ligjvënësi.

Ai e di këtë punë.

Janë dy koncepte

3 Komente

Tani, meqe Prof.Fuga eshte akademik, filozof i certifikum, une paskam pak komplekse per t'iu kundervene, po nuk mundem te rezistoj...  

Përse do të doja që Presidenti t’i kishte ushtruar të drejtat e tij “për” ose “kundra” ligjit sikurse do ta kishte menduar vetë ai? Sepse ky qëndrim do të më ngjallte sigurinë e gëzuar se vullneti i tij është krejt i lirë, se askush, asnjë rrethanë dhe asgjë nuk e pengon në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese, pra se kemi të bëjmë me një politikë të atij niveli që bazohet jo te kalkulimet e ndryshme pragmatike, te analiza e pasojave, e rrethanave, por vetëm te imperativi kategorik kantian: “Unë duhet ta bëj këtë gjë dhe unë e bëj se është detyra ime! Për pasojat nuk kam shumë interes”.

Po sigurisht, qe i ka ushtruar kompetencat e veta...Pro, kunder, abstenim... nder te treja, ka zgjedhur nje opsion... Ku eshte vullneti i vesuar ketu? Sa per opsionet, ato i percakton Kushtetuta, dhe jo Prof.Fuga. E ne vijim, nuk do doja te isha nder studentet e Fuges dhe te debilosesha me detyrim-percaktim nga ato ushtrimet llogjike qe Fuga sugjeron....

E shkreta Kushtetute, vetem se nuk ka goje te ulerase... E filloi ekzistencen e vet si geisha, po ta kishin lene minimumi me kaq...joooo, mantenute, kurtizane, prostitute bordellosh, e pastaj rrugesh...keq e me keq e trajtojne kellirat...i fusin edhe ndonje llangosje qe te mbaje edhe ca vrimosje deri sa keta mostrat te shuajne te tere epshet e tyre kompleksivo-vrimore... 

Kujtese e mire ajo puna e ndryshimeve te pritshme ne Bashki por mbase eshte pak si heret per te folur per kete. Sipas LSI-se, Rama po kerkon nje marrveshje me Berishen qe te garoje pa e lene kreun e Bashkise.

hahahahaha Normal qe Ram anuk do ta leri kreun e bashkise. Kjo dihet boterisht.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).