FMN mbi reformat dhe të ardhmen

Këshilli Drejtues i FMN përfundon vlerësimin e gjashtë dhe përfundimtar sipas Marrveshjes për Uljen e Varfërisë dhe Rritje Ekonomike (Poverty Reduction & Growth Facility) si dhe Marrveshjes për Fondin e Ofruar (Extended Fund Facility) me Shqipërinë dhe miraton kalimin e 3.6 milion dollarë amerikanë

Njoftim për shtyp

Këshilli Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi sot vlerësimin e gjashtë dhe përfundimtar të ekonomisë Shqiptare dhe garancive financiare sipas Marrveshjes për Uljen e Varfërisë dhe Rritje Ekonomike dhe Marrveshjes për Fondin e Ofruar. Përfundimi i këtij vlerësimi mundëson kalimin e një shume prej 3.6 milion dollarë amerikanë, shumë që mbulohet nga dy marrveshjet në fjalë. Këto dy marrveshje 3-vjeçare me një vlerë gjithsej prej afërsisht 25.4 milion dollarë amerikanë u miratuan më 1 shkurt 2006.

Pas diskutimit mbi Shqipërinë në Këshillin Drejtues, zoti Murilo Portugal, zëvendës Drejtor Ekzekutiv dhe Kryetar i Përkohshëm i Këshillit, u shpreh si vijon:

“Autoritetet Shqiptare duhet të vlerësohen për punën e tyre të mirë në drejtim të programit të mbështetur nga Fondi. Ndjekja prej tyre e politikave të shëndosha ekonomike dhe përparimi në reformat themelore i kanë mundësuar Shqipërisë që të ketë norma të larta rritje dhe inflacion të ulët. Fuqizimi i administratës tatimore, përfundimi i afërt i privatizimeve dhe përmirsimi i kushteve për sipërmarrjen janë veçanërisht për tu përshëndetur.

Megjithatë, kriza ekonomike botërore dhe turbullira financiare kanë rritur rreziqet teksa po rritet presioni si pasojë e uljes së dërgesave të emigrantëve, uljes së eksporteve dhe shtrëngimit të huadhënies. Për të kaluar këtë situatë nevojitet zbatimi në vazhdimësi i politikave të shëndosha ekonomike, dhe përkushtim i palëkundur ndaj reformave. 

Konsolidimi i mëtejshëm fiskal është kyç për forcimin e qëndrueshmërisë të ekonomisë. Politika më e shtrënguar fiskale që autoritetet kanë premtuar për 2009-ën do të ndihmojë në uljen e nevojave për huamarrje nga ana e shtetit në një periudhë problematike. Kontrolli i shpenzimeve, shtyrja e uljes së pagesave të kontributeve shoqërore, dhe rritja e çmimit me shumicë të energjisë elektrike deri në një pikë ku të mbulohet shpenzimi i prodhimit, do të mbështesin pozicionin e duhur fiskal.

Në të ardhmen afatmesme reforma të mëtejshme fiskale do të krijojnë hapsirë për shpenzime për zhvillim duke mbajtur njëkohësisht qëndrueshmëri makroekonomike. Rregullat fiskale do të jenë mjete të rëndësishme ku të bazohet politika fiskale, të forcohet disiplina fiskale dhe të ulet huaja publike. Gjithashtu, nxitja e të punësuarve për të qënë pjesë e sistemit të pensioneve do të ulë evazionin.

Korniza ekzistuese monetare, që përfshin një bankë qendrore të pavarur dhe një kurs këmbimi të lirë, ka punuar mirë për ekonominë dhe vazhdon të jetë e përshtatshme. Qëndrueshmëria e sektorit financiar Shqiptar mbështetet mbi siguresa të rëndësishme dhe përparsi natyrale. Për tu përballur me rreziqet e ardhëshme do të jetë e nevojshme mbikëqyrja e vazhdueshme, e hollësishme si dhe bashkërendimi i mirë me mbikëqyrësit e huaj të bankave që veprojnë në vend. Përmirsimi i kohëve të fundit i mekanizmave për sigurimin e likuiditetit është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i shpejtë i ligjeve dhe kushteve të reja për falimentimin dhe garancitë në rastet e huave do të forcojnë përgatitjen para krizës.

Përparimi thelbësor në përmirsimin e punës së ndërmarrjeve publike, veçanërisht të ndërmarrjeve elektrike, është një përparsi e rëndësishme e reformës. Fillimi i suksesshëm i privatizimit të ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë ishte një hap përpara dhe përfundimi i shitjes së OSSh-së do të ofrojë një mundësi për të pakësuar vjedhjen e energjisë, dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm në planin afatmesëm.

Njoftimi në anglisht mund të lexohet në adresën e mëposhtëme:
http://www.imf.org/external/np/sec/pr/2009/pr0916.htm
 

2 Komente

Shume diplomatik Fondi smiley

 FMN, keshtu ka qene gjithmon kur ka leshuar deklaratat vjetore apo 6-mujore.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).