Fitorja e heshtur e Kosovës mbi nacionalizmin e dhunshëm etnik

Nga Elizabeth Pond*, “Christian Science Monitor”

Politika e joshjes funksionon. Njësoj sikurse edhe zgjedhjet demokratike. Dhe është e mundshme që dhuna dhe urrejtja e kamotshme të zvogëlohet. Këto janë mësimet që janë nxjerrë nga ajo qoshja e harruar e botës, në Serbi dhe në Kosovë.

Politika e joshjes është fuqi magneti e Bashkimit Evropian. I bën vendet e tjera të rajonit të synojnë anëtarësimin në klubin evropian të paqes dhe prosperitetit - madje, edhe me çmimin e bërjes së reformave të dhimbshme demokratike.

Qeveria e re e Beogradit, me gjithë insistimin se pavarësia e Kosovës është e paligjshme, e ka detoksikuar këtë çështje dhe tani është duke vepruar në mënyrë më pragmatike dhe jo aq ideologjike.

Me gjithë insistimin se pavarësia e Kosovës është e paligjshme, Serbia e ka zhvendosur këtë çështje nga skena e nxehtë politike në atë të ftohtë ligjore te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Dëshmia tjetër e këtij ndryshimi dramatik erdhi në fund të 2008 dhe fillim të 2009 në pjesën më të dhunshme të Kosovës, në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Nëntë vitet e fundit, territori në veri është udhëhequr de facto nga bosët serbë, të cilët kanë lidhje si me ultra-nacionalistët në Beograd dhe në mënyrë ironike edhe me kontrabanduesit shqiptarë.

Por, në dhjetor të vitit të kaluar, pas disa betejave diplomatike të kombeve të Bashkuara, qeveria serbe lejoi zbarkimin e EULEX duke dhënë sinjale se do të bëjë atë që i takon për të ofruar një ambient të përshtatshëm dhe joarmiqësor në veri të Kosovës.

Dhe me këtë hap u konkretizua edhe bashkëpunimi midis Beogradit dhe Bashkimit Evropian në Kosovë. Po të përsëriteshin politikat e së kaluarës, ekstremistët serbë dhe ata shqiptarë do të hidhnin në ajër paqebërjen e durueshme të shqiptarëve dhe serbëve të moderuar. Do të orkestronin përplasje etnike, që shumë shpejt do të mund të nxisnin një qark të ri të hakmarrjes.

Por, herën e fundit kjo nuk ndodhi. Gjatë incidenteve të fundit të vitit në veri të Mitrovicës, agjentët civilë serbë madje kanë ndërhyrë në shpërndarjen e telashexhinjve serbë dhe në mënyrë reciproke, policia e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë arritën të ndalin kokat e nxehta nga radhët e shqiptarëve.

Mbi të gjitha, për herë të parë, mediet në Serbi dhe Kosovë, të paktën ato më të përgjegjshmet, nuk i kanë trajtuar trazirat atje si përplasje etnike, por kanë kërkuar të dinë se cilat grupe mafioze i kanë nxitur ato dhe pse.

Dhe pse nuk flitet për këtë rrëfim suksesi? Pikërisht për shkak të suksesit që ka. Për faktin se nuk ka prodhuar gjakderdhjen që fiton titujt kryesorë. Në këtë rast, vënia e Kosovës nën hije është shenjë e mirë për mbarë.

 

* Autore e librit “Fundloja në Ballkan”. Marre nga RFE

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).