Falimentim, jo nga konkurrenca, por nga qeveria (!)

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, në veçanti importuesit, të cilët ushtrojnë veprimtari që nga viti 1992, sot ndodhen para alternativës së falimentimit me akt juridik të qeverisë dhe jo nga rregullat e konkurrencës së lirë. Jemi të detyruar t'ju drejtohemi me këtë letër të hapur.

Me shqetësim vërejmë se jemi para një skeme jotransparente të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ju drejtohemi me besimin që na vjen edhe nga fakti që në vitet 1999-2000, kur qeveria e asaj kohe, me të njëjtën skemë, mbështetur nga VKM-ja nr. 8450, gjithë depozitat që ishin pronë shtetërore ua dha tre kompanive dhe ndaloi importimin nga importues të tjerë që nuk plotësonin kushtin e disponimit të depozitës 7 mijë tonëshe, ishit ju, si Kryetar i opozitës, që e detyruat qeverinë e asaj kohe të tërhiqej dhe të liberalizonte tregun.

Sot, mbasi i jepet rafineria një kompanie, merret vendimi që vetëm ajo mund të tregtojë diesel D2, duke krijuar tashmë një monopol, jo të tri kompanive, por të një kompanie.

Që nga shpallja e tenderit për privatizimin e kompanisë ARMO, kompanitë tona, me nuhatjen që të dikton tregu, kanë ndjekur me vëmendje, hap pas hapi, procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore.

Meqë në termat e privatizimit kërkohej investitor strategjik që të kishte përvojë në rafinim nafte, ne nuk u përfshimë në këtë proces, pasi nuk plotësonim kriteret. Për rrjedhojë nuk kemi shfaqur asnjë problem me procedurat e ndjekura dhe e kemi mbështetur privatizimin, me gëzimin se tashmë një kompani e privatizuar do të ketë të njëjtin status me ne.

Mekanizmi që na nxjerr jashtë tregut
Me vëmendje kemi ndjekur dhe kemi kërkuar me shkresa zyrtare informacion nga Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë, nëse kompanisë ish-shtetërore do t'i jepeshin sërish favoret ligjore që gëzonte më herët.

Na është thënë se të gjithë konkurrentët do të jenë të barabartë para legjislacionit ekonomik dhe fiskal. Kur me VKM nr. 1110, datë 30.07.2008, kompanisë ARMO iu la e drejta të tregtojë diesel D2, duke ua hequr këtë të drejtë të gjitha kompanive importuese, që e gëzonin deri në privatizimin e ARMO-s, kuptuam se me këtë mekanizëm nxirremi jashtë tregut.

Pse? Deri në privatizimin e ARMO-s, burimi i furnizimit të tregut ishin: importi dhe prodhimi vendas. Importuesit, në bazë të Strategjisë së Zhvillimit Energjetik, të miratuar nga qeveria, me kriteret e caktuara nga qeveria, me leje koncesioni të dhëna nga qeveria dhe të miratuara nga KRRTRSH-ja, kanë blerë jo më pak se 20 mijë metër katrorë truall secila në Porto Romano, kanë ndërtuar, apo janë në përfundim të punimeve, portin, depozita me kapacitet jo më pak se 20 mijë tonë secila dhe të gjitha instalimet e tjera, duke krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme në burimet e furnizimit: në tregun ndërkombëtar, në transportin detar, tokësor, sipas planeve të zhvillimit, për të përballuar konkurrencën e natyrshme në treg, ashtu siç e kishte sanksionuar qeveria në vendimet e saj.

Këtë element duhet të sqarojë ministri Ruli për të dalluar që kompanitë importuese i kanë tashmë instalimet bregdetare për import dhe ato nuk kanë asnjë lidhje me furnizimin që ai orienton të vijë nga Ballshi. Pikërisht këto investime milionëshe falimentojnë dhe jo pikat e tregtimit.

A kemi një situatë monopol?
Në kohën kur tregu ishte i lirë dhe i barabartë (marrim vitin 2008) Shqipëria ka importuar 425 mijë tonë naftë dhe benzinë, nga të cilat rreth 320 mijë tonë janë naftë e llojit D2. Ky volum nafte duhet të përpunohej në këto instalime.

Duke ua hequr këtë të drejtë importuesve dhe duke ia lënë këtë kompanisë prodhuese, kjo do të thotë që importuesit të falimentojnë dhe prodhuesi të sigurojë situatë monopol. Kjo do të ndodhë për arsye se kostoja e D2-shit, si në prodhim, ashtu edhe në kuotime në bursa, rezulton jo më pak se 10 lekë për litër më e lirë se D1-shi.

Argumenti që sjell qeveria, se kompania vendase nuk do të prodhojë me shumë se 80 mijë tonë, kur ajo në historinë e vet ka prodhuar edhe 600 mijë tonë, nuk mund të jetë qetësues për askënd, pasi pronari privat është në të drejtën e tij, që lehtësisht të rrisë kapacitetin përpunues.

Fakt tjetër që do të shesë ministri Ruli se e gjithë kjo "bëhet për të përmirësuar cilësinë e mjedisit" është e kundërta. Specialistët e qeverisë lehtësisht mund të tregojnë diferencën që ekziston në cilësi mes prodhimit vendas dhe atij të importit.

Ministri, në shpjegimet e tij mediatike flet edhe për mijëra punëtorë që dëmtohen nga kërkesa e ligjshme e importuesve për barazi në tregun e importeve, por harron se edhe kompanitë importuese, të bllokuara nga veprimi i tij, do të hedhin në rrugë qindra e mijëra të punësuar.

Argumenti tjetër që ministri jep për vështirësinë e shitjes së prodhimit vendas është i pabazuar. Nëse ai ka stoqe malli të pashitura, ne jemi të gatshëm t'i blejmë, sepse e gjithë bota ka uri për naftë bruto të të gjitha llojeve.

Qeveria qan hallin e falimentimit të industrisë së vjetruar. Ne e dimë se kemi pasur dhjetëra industri të vjetruara. Ato duhen zëvendësuar me industri të reja dhe kjo është një gjë që ndodh në çdo vend.

Ne dimë se privatizuesi ka blerë kompaninë shtetërore, duke u bazuar në burimet e veta financiare dhe jo në burimet e krijuara nga e drejta ekskluzive e shitjes së produkteve që po përfiton me vendime të qeverisë.

Përfundimi i ministrit Ruli, se ARMO-ja nuk do të ketë situatë monopol në treg, pasi nuk do të shesë vetë, por do t'ua shesë kompanive të tjera të licencuara, është tallje me ne. Ruli thotë se do të përgatisë një ligj, sipas të cilit ARMO-ja nuk do të shesë, por produktin e gatshëm do ta shesë (!)

Ne i themi kryeministrit Berisha se propozimet e ministrit të tij duhen parë me vëmendje, pasi z. Ruli nuk bën gjë tjetër veçse i referohet John Maynard Keynes-it mbi kufirin e vlerës: Keynes-i nuk guxon ta bëjë eksperimentin me rafineri, por e bën me një shishe ujë, ku shpjegon se vlera e kësaj shisheje buzë burimit është zero, ndërsa në shkretëtirë është e pallogaritshme.

Edhe vlera e rafinerisë së privatizuar është ajo që dha tenderi, ndërsa, duke i dhënë tregun me këtë mekanizëm, bëhet e pallogaritshme.

Zoti kryeministër! Ajo që kërkojmë ne është një zgjidhje shumë e thjeshtë dhe ne kemi besim se ju do ta ofroni këtë zgjidhje, sapo të informoheni plotësisht. Ne kërkojmë që:
Importuesit të blejnë të njëjtat produkte si jashtë vendit, ashtu edhe brenda vendit (ARMO), siç kanë vepruar deri më sot, pa dallim për origjinën e mallit, duke respektuar ndërkohë edhe detyrimet nga OBT-ja dhe tregut europian.

Marrëveshja e GATT-OBT-së, në të cilën Shqipëria është anëtarësuar në vitin 2000 dhe MSA-së (që ka hyrë në fuqi në 1 dhjetor 2006) në nenin19, paragrafi i dytë, pikësëpari ndalon shtetet nënshkruese të pengojnë hyrjen në treg të një malli/produkti të importuar, kur vetë e prodhon atë.

Është në të gjithë të drejtat ligjore që prodhimi D2 të lejohet në treg, deri sa kompania e privatizuar të investojë, sipas premtimit, përmirësimin e teknologjisë. Rrugë tjetër të drejtë për zgjidhjen e këtij problemi nuk ka, përveçse barazia e të gjitha kompanive përkundrejt produkteve.

Z. Ruli mund të shohë edhe përvojën e ndjekur me të gjitha rafineritë e tjera të Lindjes, nga Pançevo deri në Burgas, apo edhe të atyre Perëndimore. Në këto raste, rafinerive u është lënë kohë të përmirësojnë teknologjinë, ndërsa të gjitha kompanitë kanë zbatuar standarde të njëjta, pavarësisht nëse ishin importues apo prodhues.

Z. Ruli duhet të jetë transparent me ne, siç ka qenë i tillë që nga ardhja në detyrë e deri te kontrata e privatizimit të ARMO-s. Ai duhet të na tregojë qoftë edhe një rast të vetëm, në çfarëdolloj malli apo tregu, ku një produkt të lejohet të prodhohet dhe të mos lejohet të importohet.

Zgjidhja është e thjeshtë! Z. Kryeministër! Ne mendojmë se zgjidhja është shumë e thjeshtë, mjaft që në vendimet e qeverisë që keni firmosur deri tani për këtë çështje, të shtohet fjalia: "është i vlefshëm dhe i detyrueshëm, si për prodhimin vendas, ashtu edhe për atë që importohet", ashtu siç ministri Ruli ka pranuar kur rafineria ishte shtetërore. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse barazi në treg dhe konkurrencë të ndershme.

*Kjo është një letër e hapur e 15 përfaqësuesve të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, drejtuar Kryeministrit Sali Berisha

10 Komente

Kto jan sjellje tipike te ekonomis se planit qe te trgon se kush duhet te prodhoj dhe kujt duhet tja shes. Do ta ham ne qe do duhet te paguajm me shum dhe per nje cilesi me te keqe. Kta qe do luftonin monopolet po na krijojne te reja dhe ne pikat me te rendesishme te konsumit.

O Ilir, pershendetje. Jam i ri, e megjithate shof se ti e make ket blog..Urime!

Sa per temen?....Mire te na behet. "ne..pak e kena"!

Tregu i ka keto makinacione. Edhe sviceranet, pazarin shpesh e bejne ne itali e anasjelltas. Po kjo sdo te thote se keta popuj nuk e njohin bojkotin dhe greven e pergjitheshme qe i detyron gjithe spekulatoret te ulin fitimin.

Kaq kisha. Mire eshte qe njerzit mos bejne llafe, por te kundershtojne te organizuar ne menyre demokratike.

Te fala AMC-se dhe Vodafonit!

Dhe ku eshte perfitimi i publikut ketu , pervec 15 përfaqësuesve të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve ?

Se zgjidhja sipas tyre qenkerka kjo  : ... Ne mendojmë se zgjidhja është shumë e thjeshtë, mjaft që në vendimet e qeverisë që keni firmosur deri tani për këtë çështje, të shtohet fjalia: "është i vlefshëm dhe i detyrueshëm, si për prodhimin vendas, ashtu edhe për atë që importohet", ashtu siç ministri Ruli ka pranuar kur rafineria ishte shtetërore. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse barazi në treg dhe konkurrencë të ndershme...

Dhe qe ju pastaj te vazhdoni te sillni nafte jo per makina por per tanke e traktore per te na i bere makinat sallate ???

Po sikur qeveriu i METE-s, Genc Gazepi, t`ju propozonte psh ngritjen e nje fondi ( para per nje cike te shkrete fushate ) lobingu per ta marre kete zgjidhjen qe ju propozoni si behet do pranoni ?

Te ndalohet D2 . Kjo eshte zgjidhja. Kur flisni per parime kapitalizmi ju te karburanteve, lani gojen me shpresen qe mund te dale njeri dhe t`ju besoje. Qeveriu ben cer te doje ( deri sa nuk shkel ligjin ) , ju keni mjetet e juaja per te reaguar.

Sa kohe qe beni biznes qe sasia qe fusni ne treg iu matet me zhytjen e anijes ne det ( bosh/ plot ) dhe syte i keni tek doganieret kot e keni vallai me kesisioj letrash. Beni sic keni bere ne keto 18 vjet : beni ate lobingun dhe mbylleni kete kapitull.

Njeriu qe ja u merr persiper kete pune eshte Genc Ruli.

P.S. Provoni nje here te beni bojkot te tregut se mos iu del me mire , si mjet presioni e kam lafene smiley

Kam vene re se fundi shume shkrime ketu qe tentojne te mbajne njrin krah ose tjetrin..por ky ia kalon te gjitheve.Aq e paqarte behet per mua situata,saqe edhe nese kendveshtrimi i gazetarit eshte ai i drejti,kam prirjen te mendoj dhe besoj te kunderten.Kjo prersa i perket etikes profesionale,per te mos folur per mangesite etheksuara ne informacion.Eshte shkrimi tipik i shkruar ne tavoline"me urdher nga lart".Ok,e gjejme te"shekulli" per njemotiv apo tjeter,por tek "peshku.." çdonte xhanemsmiley)

 Eshte shkrimi tipik i shkruar ne tavoline"me urdher nga lart".

*Kjo është një letër e hapur e 15 përfaqësuesve të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, drejtuar Kryeministrit Sali Berisha

verejtje me vend Swed1.Nuk e pashe nenshkrimin e letres,sidoqofte mbetet ne fuqi fjalia ime e fundit.

Prit tani kur te na serviret D2 me shtrejte se D1 dhe ta morresh me mik e t'thush falemners, ashtu si dikur paketa DS nen banak.  

 Koth,  bohhh, sa i eger qe je mor burr. Po ata te hidrokarburve, s'kane ndopak te drejte. Qeveria vertet ka mandatin te beje ç'te doje, brenda kornizes ligjore, por nje ndihme a nuk mund t'ua japi atyre, se ne fund te fundit , te gjitha subjektet private jane te barabarta para ligjit, pavarsisht se qeverite i shikojne kompanite e medhaja pakez me mire se ato te voglat.

mos eshte kjo shoqata e hidrokarbureve qe kur ne bote cmimi i naftes binte ne shqiperi rrinte ne vendnumero e keto pasuroheshin ne kurriz te konsumatoreve

Nese Nafat d2 duhet te ndalohet...ajo duhet te ndalohet per te gjith dhe jo te favorizohet kompania e Argita Berishes. Bravo Peshku qe e ka kuptuar dhe e ka ven nder artikujt me te rendesishem kete shkrim pasi nuk mund ta imagjinoj dot se si kryeministri i nje vendi demokratik mund te nxjer nisma te tilla qe as nje diktatur fashiste nuk do te guxonte ti conte nepermend e jo te tentonte ti organizonte. Te japesh monopole te tilla ne kuriz te qytetareve dhe ne kundershtim me ligjin e kushtetuten dhe mos te kesh frik se te marin prej leckash e te fusin brenda do te thot qe ti e imagjinon kete shtet njesoj si Sulltani i Bruneit. Ai te pakten shtetasve te vet i jep 100,000 usd ne vit.

Nejse ndoshta harxhojm kohen kot. Lexova nje shprehje te Drejtorit te Shekullit lidhur me rastin Tema sot qe me vuri ne mendime:

""Të përballesh me kritikën dhe jo ta shkatërrosh kritikuesin, kërkon atë forcë që kryeministri i Shqipërisë së vitit 2009, për fat të keq nuk e ka. Dhe nuk është faji i tij. Ne kërkojmë shumë prej këtij njeriu; kemi vite që e ribëjmë këtë gabim.""" - Adrian Thano

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).