Evropa dhe Presidenti i ri, Barak Obama

Evropa i shprehu një mirëseardhje të ngrohtë Barak Obamës dhe shumica e evropianëve kanë lënë të kuptohet se ky do të jetë presidenti amerikan, me të cilin ata dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira dhe që do të jetë më i gatshëm të dëgjojë mendimet dhe shqetësimet e tyre. Le t’u hedhim tani një vështrim këtyre marrëdhënieve, aspekteve ku të dyja palët mund të bien dakord, por edhe ku mund të ketë fërkime.

Financat, lufta dhe mjedisi – këto janë tre çështjet kryesore që do të kërkojnë vëmendjen e menjëhershme të Barak Obamës pas ditës së inaugurimit. Politika që do të ndjekë ai në këto aspekte do të vëzhgohet me shumë kujdes në anën tjetër të Atlantikut, në Evropë. Në kushtet kur ekonomitë kudo në botë po hyjnë në recesion, qeveritë po përpiqen të frenojnë rënien me anë të paketave gjigande të shpëtimit financiar, me masa për të stimuluar rritjen dhe me plane për të krijuar vende pune.

Ekspertja Valtrod Shekle e Shkollës së Ekonomisë në Londër thotë se zgjidhja e kësaj krize është një detyrë tepër e madhe për një njeri ose një vend të vetëm. Por, - thotë ajo, - Evropa gjithsesi i mban sytë nga Shtetet e Bashkuara. "Evropa në përgjithësi dhe ndoshta gjermanët në veçanti, do të shpresonin që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të shpenzojnë dhe të jenë tregu i madh për mallrat tona, ndërkohë që ankohen se amerikanët nuk kursejnë sa duhet. Pra në një farë mënyre këtu ka një kontradiktë. Evropa shpreson se do të ketë një përpjekje të koordinuar, për të nxitur ekonominë botërore dhe për ta normalizuar atë e jo për të pasur një rënie të lirë si kjo e tanishmja". Ndonëse ekonomia është shqetësimi kryesor i të gjithëve, edhe çështjet e sigurisë, terrorizmi dhe lufta janë po aq të rëndësishme në marrëdhëniet amerikano-evropiane. Në kushtet kur si Shtetet e Bashkuara edhe Evropa kanë trupa në Afganistan, lufta në atë vend me siguri do të jetë një ndër përparësitë, thotë eksperti britanik i mbrojtjes, Francis Tusa.

"Nëse Presidenti Obama nuk do të jetë në telefon me kancelaren Merkel apo me udhëheqës të tjerë evropianë më 20 janar, besoj se zilja e telefonit do të fillojë të bjerë më 21 janar. Besoj se gjëja e parë që ai do të kërkojë do të jetë heqja e kufizimeve për trupat e diskoluara në Afganistan, ndërsa atyre vendeve që nuk kanë trupa, ai do t’u kërkojë që ata të dërgojnë forca luftarake sa më parë".

Shumica e analistëve mendojnë se një prani më e fuqishme me trupa duhet të shoqërohet me bisedime me disa elementë të Talebanit, për të pasur një farë suksesi në Afganistan. Ata mendojnë gjithashtu se suksesi në Afganistan është një provë kyçe për të ardhmen e NATO-s.

Ngrohja globale është çështja tjetër ku evropianët shpresojnë të shikojnë një ndryshim nën presidencën Obama. Gjatë 8 viteve të presidencës Bush, evropianët e kanë kritikuar Uashingtonin për politikat lidhur me ndryshimin e klimës. Çarli Kronik, ekspert për klimën në organizatën Greenpeace, thotë se zoti Obama mund ta kombinojë stimulimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit. "Me gjithë kufizimet që i imponohen për shkak të ekonomisë, shanset në këtë aspekt janë reale. Së pari është mjaft e qartë: të investohet në kursimin e energjisë, të përmirësohet konsumi i energjisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të krijuar vende pune dhe nga ana tjetër ka si objektiv pjesëtarët më të ekspozuar të shoqërisë, pra njerëzit, të cilët do të vuajnë nga ajo që quhet varfëri energjetike, ata që nuk do të ngrohin dot shtëpitë në dimër apo që nuk do të kenë ftohje për vetë. Kjo është diçka e mirë për mjedisin, e mirë edhe për ekonominë". Detyra do të jetë e vështirë, por qoftë në çështjet ekonomike, të luftës e të paqes apo në aspektin e shpëtimit të mjedisit, bota do t’i drejtojë sytë nga Presidenti i ri amerikan për të punuar me të dhe për të parë se çfarë roli drejtues do të luajë ai.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).