Europë - Rusi: Beteja e gazit rus

Mosmarrëveshjet e vërteta ndërmjet Moskës dhe Kievit për çmimin e gazit në vitin 2009, si edhe për tarifat për taksat e transportit nuk kanë përfunduar ende…”. Pjesë nga komenti i Frankfurter Allgemeine Zeitung: “Përmes gazpërçuesit ukrainas, gazi rus mund të transportohet sërish në Evropë. Moska dhe Kievi kanë mënjanuar grindjet e tyre të paktën në një pikë: vëzhguesit, misioni i të cilëve u zvarrit pa nevojë në fundjavë si pasojë e lojërave politike të të dyja palëve, duhet të mundësojnë që gazi i paraparë për Evropën të mbërrijë në vendet evropiane dhe se nuk do të vidhet nga Ukraina, ashtu siç akuzon pala ruse. Megjithatë mbetet e paqartë se a do të jenë në gjendje vëzhguesit evropianë të sqarojnë gjatë javëve në vijim, se cila palë kishte të drejtë.

Po për të njëjtën temë nga ‘Berliner Zeitung’ shkëpusim: “Për çdo vit të ri, kur Evropa vuan nga kërcënimi i konfliktit të gazit, Rusia akuzohet se po përdor Gazpromin si armë për vendosjen e dominimit gjeopolitik. Akuzat janë shumë pak bindëse edhe pse veprimet e Rusisë janë të papranueshme. Fakti që Vladimir Putini nuk e ndan politikën nga ekonomia, që prononcohet për raportet me vendin fqinj dhe këtë e bën me një ashpërsi të paparë në mes të një procesi negociatash, të gjitha këto nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Një strategji sipas rregullit do të ishte arritja me këmbëngulje e qëllimeve, si për shembull, forcimi i forcave proruse në politikën ukrainase. Por ndërprerja e gazit nuk kontribuon në këtë drejtim”, thekson në numrin e saj të djeshëm ‘Berliner Zeitung’.

Në Coburger Tagesblatt po mbi konfliktin për gazin: “Zënka kinse tregtare që prej fillimit ishte një luftë politike. Varësia gjithnjë në rritje nga gazi rus po e bën Bashkimin Evropian marionetë të grindavecëve. Fakti që 70 % e gazit deri në vitin 2020 në Bashkimi Evropian do të vijë nga Rusia është shumë shqetësues. Thirrjet për një politikë të përbashkët energjetike janë të drejta”.

Ribllokohet gazi rus në Evropë. Komisioni Evropian konfirmon ribllokimin e gazit rus. Konsumatorët në Evropë duhet të presin derisa të përfundojnë “bisedimet e dimrit”. Komisioni Evropian ka konfirmuar të martën se furnizimi me gaz nga Rusia nuk po zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar. Sipas vëzhgimeve të tij, “aktualisht rrjedh pak apo aspak gaz në drejtim të Evropës”. Këtë e pohoi një zëdhënëse e KE-së në Bruksel. Rusia më parë kishte akuzuar Ukrainën se bllokon kalimin e gazit në drejtim të Perëndimit.

Akuza të ndërsjella. Sipas shefit të Gazpromit, Aleksej Miller, pala ruse besoi se dera për gazin rus ishte hapur që të hënën në mbrëmje, por sërish është Ukraina ajo që bllokon livrimin e gazit. Miller u shpreh kështu të martën para gazetarëve. Njoftime të agjencive bëjnë të ditur se Ukraina ka konfirmuar bllokimin e gazit për shkak të kushteve të padurueshme që ka vënë Rusia për livrimin e gazit. Fillimisht ishte njoftuar nga Gazpromi se pas ndalimit të lëvrimit për gjashtë ditë, do të kalojë nëpër rrjet një sasi gazi prej 76 milionë metër kub në ditë. Evropa duhet të merret sërish me problemin e gazit, pasi konflikti nuk është sheshuar, siç pohoi të hënën në mbrëmje komisari i Bashkimit Evropian për energjinë, Andris Piebalgs, pas konsultimeve të ministrave të Energjisë. “Problemet me palën ruse janë zgjidhur, por nuk dihet sa kohë do të kërkojë sheshimi i konfliktit energjetik midis Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja vendet vazhdojnë të grinden për çmimet si dhe për kushtet e ardhshme të lëvrimit. Rreth 80 për qind e gazit rus mbërrin në Perëndim nëpërmjet tubacioneve në Ukrainë. Si konsekuencë prej grindjes ruso-ukrainase për gazin presidenti i Lidhjes së Ekonomisë Energjetike dhe Hidrike në Gjermani, Martin Vajand, kërkoi diversifikimin e vendeve të importimit dhe të rrugëve të transportit.

Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë kontrollojnë në stacionet e matjes së gazit në Ukrainë dhe në Rusi si dhe përgjatë rrjetit. Ata duhet të kontrollojnë gjithashtu nëse Ukraina devijon gaz pa të drejtë. Drejtuesi grupit të ekspertëve ndërkombëtarë, Filip Cornelis, është shprehur se grupi i tij nuk është trup gjykues. “Detyra jonë është teknike. Ne mbajmë shënime për atë, se sa gaz rus mbërrin në lindje të Ukrainës dhe sa vazhdon të kalojë në vijën kufitare perëndimore të Ukrainës drejt konsumatorëve perëndimorë. Edhe pse Ukraina e ka paguar pjesën më të madhe të borxhit prej 1,5 miliardë dollarësh, Rusia kërkon për vonesat një kamatë prej rreth një gjysmë miliardi dollarë si dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shitjen e gazit me çmim më të lartë se deri tani.

Në brendi: Evropa duhet të merret sërish me problemin e gazit, pasi konflikti nuk është sheshuar, siç pohoi të hënën në mbrëmje komisari i Bashkimit Evropian për energjinë, Andris Piebalgs, pas konsultimeve të ministrave të Energjisë. “Problemet me palën ruse janë zgjidhur, por nuk dihet sa kohë do të kërkojë sheshimi i konfliktit energjetik midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Borxhi: Edhe pse Ukraina e ka paguar pjesën më të madhe të borxhit prej 1,5 miliardë dollarësh, Rusia kërkon për vonesat një kamatë prej rreth një gjysmë miliardi dollarë si dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shitjen e gazit me çmim më të lartë se deri tani.

Përplasja financiare mes Rusisë dhe Ukrainës, është në dëm të interesave evropiane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).