Eksporti i energjisë, Rusia në kërkim të rrugëve alternative

Moskë- Konflikti për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës do të detyrojë Moskën të kërkojë rrugë të tjera për eksportin e energjisë, duke iu shmangur debateve mes ish-fuqisë imperiale sovjetike dhe ish-republikave të saj.

Moska dhe Kievi lëshojnë akuza të ndërsjella publike lidhur me faktin se kush është përgjegjës për ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës me gaz natyror rus. Kjo grindje, që prek edhe vendet e tjera pasqyron dukshëm varësinë e Moskës dhe të klientëve të saj të Evropës perëndimore ndaj një gazsjellësi.

Mosmarrëveshja "nuk do të mjaftohet vetëm me një impakt në infrastrukturën e eksportimit të gazit", por do të nxisë edhe Rusinë të kërkojë rrugë të tjera eksporti për naftën e saj, vlerëson Valeri Nesterov, ekspert i shoqërisë së investimeve "Troïka Dialog", me seli në Moskë.

"Rusia do të bëjë gjithçka për t'i siguruar vetes një mundësi më të madhe manovrimi" duke ndërtuar infrastrukturë të re, deklaroi ai.

Që prej shpërthimit të krizës me ndërprerjen e furnizimit me gaz të tregut ukrainas mëngjesin e 1 janarit, pas bisedimeve të pasuksesshme mbi tarifat e parashikuara për vitin 2009 dhe mbi disa vonesa në pagesa, zyrtarët rusë shtojnë zërat për rrugë të tjera eksporti si për shembull Bjellorusia, në veri të Ukrainës.

Aktualisht opsione të tilla janë të kufizuara, por projekte gjigante janë në përpunim për të mundësuar transportin e molekulave të çmuara drejt Bashkimit Europian apo drejt klientëve të rinj aziatikë si Kina.

Duke iu trembur varësisë ndaj Ukrainës apo Bjellorusisë, Rusia shpreson tek dy gazsjellës nënujorë që do të transportonin gazin njëri nga veriu përmes detit Baltik drejt Gjermanisë dhe Holandës, tjetri nga Deti i Zi përmes Bullgarisë, Italisë dhe Autrisë.

Megjithatë këto dy projekte, "Nord Stream" dhe "South Stream", nuk janë antidoti i duhur dhe kërkojnë një diplomaci me shumë takt, gjë që nuk është pika e fortë e Moskës, sipas analistëve.

Projekti "South Stream", që Rusia po zhvillon me gjigantin italian "ENI", mund të rezultojë delikat, jo vetëm se kalon përmes zonës ekonomike ukrainase, por edhe për shkak të konkurencës së furnizuesve të tjerë potencialë të gazit, siç janë Egjipti dhe Iraku, vlerësojnë analistët.

Nga ana tjetër, "Nord Stream", një projekt i përbashkët i rusit "Gazprom" dhe gjermanëve "BASF' dhe "EON", është kritikuar nga Polonia dhe shtetet baltike për impaktin e tij të mundshëm në mjedis, përveç kësaj këta të fundit shikojnë në të vullnetin e Moskës për të rrethuar vende, që janë veçanërisht mosbesuese ndaj Kremlinit.

Megjithatë, Nesterov sheh tek "Nord Stream" projektin që ka më tepër shanse për t'u përfunduar në kohën kur gjigantit rus të gazit do t'i duhet të reduktojë ambiciet nën efektin e uljes së çmimit të gazit dhe të naftës në tregun botëror.

"Besoj në të ardhmen e këtij projekti, pavarësisht vonesave", thotë Nesterov.

Ndërtimi i gazsjellësit "Nord-Stream" pritet të fillojë në vitin 2009 dhe të përfundojë në fund të vitit 2011.

Chris Weafer, analist në bankën "Uralsib" në Moskë, konstaton një pragmatizëm në rritje tek qeveritë e vendeve europiane.

Ndërsa kriza ruso-ukrainase e gazit në 2006 i shtyu europianët të kërkojnë rrugë alternative të furnizimit me gaz për të reduktuar në këtë mënyrë varësinë e tyre ndaj Rusisë, "sot ekziston një ndjenjë më e fortë pragmatizmi, domosdoshmërie për të punuar së bashku", shprehet Weafer.

Ekspertë të tjerë mbeten gjithsesi shumë skeptikë për sa i përket politikës ruse të gazit, duke përmendur ekzistencën e transaksioneve të fshehta dhe korrupsionit në tregtimin e gazit me Ukrainën.

"Ajo ç'ka është vërtet shqetësuese për dikë që i vëzhgon ngjarjet nga Moska, është fakti se gjatë gjithë këtyre viteve që prej rënies së BRSS-së, Rusia nuk ka mundur të zhvillojë një politikë serioze dhe afatgjate ndaj Ukrainës", vlerëson Dimitri Trenin, i Qendrës Carnegie të Moskës.(atsh)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).