E rrihte burri, vret veten nëna e tre fëmijëve

TIRANË- Ajo ishte larguar nga shtëpia bashkë me fëmijët e saj për t’i shpëtuar dhunës së bashkëshortit por sërish ishte kthyer pasi mendonte se ai mund të kishte ndryshuar. Por e gjendur sërish përballë dhunës, nëna e tre fëmijëve ka vendosur të shpëtojë njëherë e mirë duke gjetur një zgjidhje fatale për jetën e saj. Elisabeta Hasa, 27-vjeçe, u gjend e vetëvarur në dritaren e shtëpisë së saj në Bathore të Tiranës.

Elisabeta Hasa, 27-vjeçe, u gjend e vetëvarur në dritaren e shtëpisë së saj në Bathore të Tiranës. Ka qenë burri i saj Besnik Hasa 44-vjeç, njeriu që gjeti trupin e 27-vjeçares të varej në një shall në dritaren e dhomës. Ai lajmëroi menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vetëflijimit.

“Faji është i imi. Unë e dhunoja atë”, mësohet t’iu ketë thënë oficerëve të policisë, bashkëshorti i viktimës ndërsa ndodhej në gjendje të shokuar. Dëshmia e tij ka detyruar policinë të kryejë shoqërimin e tij në ambientet e komisariatit nr.5. Pas hetimeve të para ku u morën dhe deklarimet e të afërmve të çiftit, policia vendosi të arrestojë 44-vjeçarin pasi akuzohet për “shkaktim të vetëvrasjes”.

Burime nga policia thanë se Besnik Hasa dyshohet se konsumonte pije alkoolike dhe më pas dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht gruan e tij. Pak kohë më parë, ajo kishte marrë tre fëmijët e saj të mitur dhe ishte larguar nga banesa. Por pak ditë më parë u kthye sërish në shtëpi pasi mendonte se nuk do të dhunohej më nga bashkëshorti i saj.

Por ka ndodhur e kundërta. 44-vjeçari Hasa dyshohet se ishte xheloz për gruan e tij dhe në gjendje të dehur ai e dhunonte atë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe dy net më parë. 27-vjeçarja ka vendosur t’i jepte fund jetës, pasi ka pritur të zërë gjumi fëmijët dhe burrin e saj, ajo ka kryer aktin fatal. Me një shall që e kishte lidhur në hekurat e dritares ajo ka varur veten. E pa jetë nëna e tre fëmijëve është gjetur nga bashkëshorti i cili lajmëroi menjëherë policinë.

Kjo e fundit tha se nga këqyrja që iu krye trupit të 27-vjeçares nuk u gjetën shenja dhune por dëshmia e burrit të saj dhe të afërmve vërteton se ai e dhunonte atë psikologjikisht edhe fizikisht. Mësohet se 44-vjeçari nuk ka tentuar të fshehë motivin e vetëvrasjes së gruas së tij por përkundrazi ai ka rrëfyer se ishte vetë fajtori i gjithë ngjarjes, duke i zgjatur edhe duart policisë e cila i mbërtheu prangat. Burime nga policia thanë se Besnik Hasa ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje. Ndërkohë që tashmë akuzohet për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.

2 Komente

“Faji është i imi. Unë e dhunoja atë”, mësohet t’iu ketë thënë oficerëve të policisë, bashkëshorti i viktimës ndërsa ndodhej në gjendje të shokuar.

Teper vone kur te del pija....  Apo pija eshte thjesht justifikimi?

Diku lexova se gjate ketij viti vetem ne Durres jane kryher 8 vretvrasje???

Se shpejti do kemi vendim qeveritare per krijimin e nje memoriali para piramides ne Tirane per viktimat e Tragjedise shqiptare..

 

Tragjedi e vertete!

Prandaj eshte i ndaluar konsumimi i alkolit ne fene islame, sepse te con ne ate gjendje kur nuk e komandon veten dhe behesh krimininel!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).