Dyfytyrëshat e vitit

“Tash edhe unë kam identitet”. Ky slogan që karakterizohet me lëshimin e dokumenteve identifikuese për qytetarët e Kosovës, nuk vlen për kryeqytetasin A.K. Ky i ri, të mërkurën e kaluar është pajisur me pasaportë të Serbisë, të lëshuar në Fushë-Kosovë, pak kilometra larg Prishtinës.

Edhe gjashtë muaj pasi që institucionet e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar lëshimin e dokumenteve identifikues për qytetarët e Kosovës, A. K. si dhe shumë qytetarë të tjerë vazhdojnë të pajisen me pasaporta serbe. 27-vjeçari thotë se nuk ka aplikuar ende për pasaportë të Kosovës, meqë, sipas tij, me pasaportën e lëshuar nga institucionet e Kosovës nuk mund të shkojë askund. Ai beson se me pasaportën serbe ka disa lehtësi.

“Kam pritur rreth dy muaj për të marrë pasaportën serbe, nuk dua të marrë pasaportë të Kosovës, meqë kam shumë telashe për viza dhe për të dalë jashtë vendit”, thotë ai, përderisa fut pasaportën në xhep dhe largohet me shpejtësi nga zyra, e cila tashmë sa vjet pas luftës vazhdon të funksionojë si organ paralel në vend.

Për t`u pajisur me pasaportë serbe, sipas tij, duhet që të nxjerrësh fillimisht certifikatën e lindjes, më pas për të aplikuar për letërnjoftim serb, e krejt në fund, bashkë më 23 euro sa kushton pasaporta serbe, të aplikosh për të.

“Unë nuk kam ndërmend të jetoj në Kosovë, arsyeja pse kam aplikuar për pasaportë serbe është thjesht lehtësim i procedurave për t`u pajisur me ndonjë vizë shengen dhe për të ikur nga vendi për shkak se këtu nuk kam asnjë perspektivë“ , tregon ai.

Nuk është vetëm A. K. qytetar i Kosovës që është pajisur me pasaportë të Serbisë. Një tjetër kosovar i shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij 5-vjeçare të mërkurën e kaluar kanë aplikuar për pasaportë të serbëve. Ai tash e një kohë jeton jashtë vendit. Edhe ky shtetas i Kosovës thotë se ka aplikuar për pasaportë të Serbisë për shkak të lehtësimit të procedurave në shtetin gjerman.

“Disa herë kemi pasur telashe me Ambasadën e Serbisë në Gjermani dhe kjo është arsyeja që unë dhe familja ime kemi aplikuar për pasaportë të Serbisë”, rrëfen ai. Por, sa do t`u vlejnë shtetasve kosovarë pasaportat e Serbisë, kur në fillim të këtij viti pritet që shtetasit serbë të pajisen me pasaporta të reja, e që besohet se do të jenë biometrike. Mundësia e udhëtimit nëpër territorin e Serbisë, kalimi më i lehtë i kufijve ndërkombëtarë, pajisja më e lehtë me vizë, marrja më e shpejtë e pasaportës me vetëm dy dokumente të thjeshta apo afati i validitetit prej dhjetë vjetësh, janë disa prej arsyeve që i shtyn kosovarët që sërish t’iu drejtohen nëpunësve të Beogradit.

Janë tri qendra ku funksionojnë zyrat për dhënien e dokumenteve të Serbisë, paralelisht me ato të Kosovës. Këto qendra që gjenden në Graçanicë, Fushë-Kosovë dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Veri të Mitrovicës, vazhdojnë të lëshojnë pasaporta, letërnjoftime si dhe certifikata të lindjes të Serbisë.

Zyrat të cilat lëshojnë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata të lindjes serbe, punojnë dy herë në javë, të mërkurën dhe të enjten, duke filluar nga ora 10 deri në orën 13.

Sipas sociologut Ibrahim Berisha, kosovarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit janë personat që më së shumti i drejtohen administratës paralele serbe.” Puna është te nevoja dhe pragmatizmi. Pra, janë thjesht problemet praktike që i shtyjnë ata t’iu drejtohen këtyre zyrave”, thotë Berisha.

Ndryshe, në bazë të të dhënave në tetë vjetët e fundit ka lëshuar më shumë se 250 mijë pasaporta për shtetasit kosovarë në afat prej dhjetë vjetësh. Numri prej 250 mijë pasaportash të lëshuara vlen vetëm për komunën e Prishtinës me rrethinë. Kjo shifër nuk vlen edhe për komunat e tjera si Gjakova, ish- administrata e së cilës është vendosur në Jagodinë apo ajo e Pejës që është vendosur në Kragujevc.

FAKTE

700 mijë pasaporta të UNMIK-ut

Për tetë vjet UNMIK-u ka lëshuar vetëm rreth 600 mijë pasaporta për tërë Kosovën, që kanë pasur afat prej dy vjet e që kanë kushtuar 35 euro.

250 mijë pasaporta të Serbisë

Vetëm për komunën e Prishtinë dhe rrethinë, Zyra për lëshimin e dokumenteve që gjendet në Fushë-Kosovë, ka lëshuar 250 mijë pasaporta serbe për kosovarët që nga paslufta e deri më sot. Shtetasit e Kosovës vazhdojnë të pajisen me pasaporta serbe edhe pas gjashtë muajsh kur institucionet e Kosovës kanë filluar shpërndarjen e pasaportave të Republikës së Kosovës.

150 mijë pasaporta të Kosovës

Nga gjyma e korrikut, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar 150 mijë pasaporta për shtetasit e Kosovës. Vetëm për gjashtë muaj, kosovarët kanë arritur të pajisen me 150 mijë pasaporta të Republikës së Kosovës.

2 Komente

 Artikull-shkruesi m'duket se ka harruar te shkruaje se sa kushton kjo pashaporta e Kosoves, se mir ate te UMNIKU-t dhe te Serbise e morrem vesh.

Eshte gati si situate absurde kjo...Me serbin s'ka me....u therem e per nja tre breza te tjere zore se do kete paqe mes nesh...por ama pashoshin ja duam edhe shume.Eshte e forte tradita...Do jete shume e veshtire krijimi i nje besueshmerie tek pasaporta kosovare prej kosovareve vete e pastaj prej organizmave te tjere.....mMah se ç'me vijne ca mendime.....Kam takuar nje kosovar qe iu mbushen syte me lot kur tregonte se Mixha ne vitet 70-te punonte ne Beograd e merrte 2000 marka gjermane....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).